Kulturë
Poezi nga Janaq Pani
E hene, 07.03.2011, 08:00 PM
Janaq Pani, Toronto
Ç'ËSHTË E MIRË E Ç'ËSHTË
E BUKUR
Ç'është e mirë e ç'është e bukur?
Krahët kur i rreh një flutur,
kur flladit një fllad i hollë,
lulet kur i çel një mollë,
kur aroma shpërndan bliri,
kur fëmijës i qesh syri,
këngën kur e ndez gjinkalla,
kur vjen gjumi mbi qepalla,
kur në krahë të merr nëna,
kur trokasin bashkë dy zemra.
SEKRET I MBAJA
Lulet, gjelbërimi
porsa kishin çelur,
në buzë urimi
si mjaltë ish mbledhur.
Askujt s'ia tregoja
dhe sekret i mbaja
mamit t'ia dhuroja
në festën e saja.
NUK IA TREMBIN
DASHURINË
Sot, te qipariz i lartë
shkrepëtiu rrufe e zjarrtë,
ra kaq afër dhe u tremba
thellë në gji më fshehu nëna
dhe më puthi sy e flokë,
zëri i saj si fllad i ngrohtë,
shokun nuk ia gjen në botë.
S'ka rrufe e vetëtimë
t'i trembë nënës dashurinë
pranë saj bëhem më trim
kush ma lind këtë guxim?
FOTOGRAFIA
Uuuu, moj mami, sa çudi
bëj me babin dhe me ty,
sa herë dal fotografi
po më luteni të dy:
"Shpirt i vogël, pa qesh pak
aparati kur bën traaak!..."
Mami, moj, lodheni kot,
i kurdisur nuk qesh dot!
Kur shikoj Tomin e Xherin
si po ndjekin njeri-tjetrin,
pa kuptuar hedhin grepin
fët e fët gazin ma nxjerrin.
Atë çast me zemër qesh
më shkon goja vesh më vesh.
Atë çast, moj mami, ti
traaak... më nxirr fotografi!
NESËR... NESËR
Kam dëshirë një akullore
këmbët mbaj para dyqanit,
mami më tërheq për dore:
"Nesër, nesër, xhani i mamit!"
Te kioska si shitore
dëshiroj librin mbas xhamit,
mami më tërheq për dore:
"Nesër, nesër, xhani i mamit!"
Dhe te Sheshi Skënderbej
më shkel syrin karuseli,
të vërtetën iu rrëfej
në mëdyshje mami ngeli.
Më pastaj një pikëz lot
i rrëshqiti poshtë syrit,
e kuptova, mami sot
qejfin dot s'ia bën të birit.
Vendim mora pas kësaj,
mos lotojë syri i mamit,
asnjëherë nuk do mbaj
këmbët përpara dyqanit...
LOTI NË SY
Një fëmijë nisi qau,
përse qau kush e di,
erdhi mami dhe ia thau
lotin e bukur në sy.
TE NËNKRESA JOTE
Te nënkresa jote
e qëndisur bukur
bëjnë shoqëri
një zog e një flutur
dhe gëzimi i mamit
si diell i purpur.
Kur bir ul qepallat
e bie në gjumë,
në ëndrrat e tua
vij e futem unë,
nga drita e syve
të dua më shumë.
GURRA E DASHURIVE
Eh, ç'mrekulli
që ka kjo botë,
t'i numurosh
do të jetë e kotë,
se mrekullinë
e mrekullive
e gjej te mami
te dritë e syve,
gurra që s'shterr
e dashurive.
KËNGA PËR MAMIN
Kur vjershën nisa të shkruaj
iu luta zogut tej xhamit:
- O zog i bukur, më thuaj
ti këngën tënde për mamin.
Por zogu u ngrit krahëlehtë
në qiellin e pastërt kristal:
- Për mamin, - tha, kënga rrjedh vetë
nga zemra e s'ka kush e ndal!