E diele, 08.06.2025, 12:57 PM (GMT+1)

Kulturë

Shefik Shkodra: Fjalët e Naimit

E marte, 08.03.2011, 08:58 PM


Ese

 

FJALËT E NAIMIT

 

Nga Shefik Shkodra

 

Ishte njëherë një Naim, s’është kohë aq e largët. Jo veç emër cilido prej meshkujve. Naim Beu ishte dhe mbeti emër i përveçëm, larg atdheut e gjithnjë për të mendoi. Për të, gjithë jetën ligjëroi. Dhe për folenë e vet dëshira e tij ishte i tëri të shkrihej. Nëse nuk pati mundësi të qëndroj me pushkë, ai punoi me zemër e shpirt në krijimtarinë e tij letrare. I përkushtuar për male e fusha, për përroska e shpatina, për bagëtinë e bujqësinë. Po, për baltën e njeriun e tij të paharruar. Kurrë i palodhshëm deri në vdekje. Ai s’ishte vetëm iluminist, por bëri përpjekje edhe për të reformuar dhe për të rindërtuar të gjitha rrënojat e gjithë vendeve shqiptare. Edhe të shëronte dhimbjet e mëdha të popullit të vet të mjeruar e të sfilitur fizikisht e shpirtërisht. 

 

Mësuesi me “fjalët e qiririt”

   Ne, në këtë shekull kemi menduar se “Fjalët e qiririt” do të jenë të harruara e të mbetura  vetëm si relikte të kohës, a veç një pjesë historie. Jo pse nuk i kemi dashur, se me to jemi rritur. As pse nuk kanë vlerë artistike, as jo pse nuk janë pëlqyer, gjithmonë më mirë se disa të sotme që po gdhijnë si bimët në agullimë. As nuk mendoj se nuk ka edhe sot si “fjalët e qiririt”, por të rralla, shumë të pakta. Gjithnjë duke menduar e shpresuar se, këto “fjalë” dhe ky “qiriri” është i panevojshëm të trumbetohet e të aktualizohet. Kështu kemi marrë botën në sy për të gjetur diç tjetër. Pra, njeriu mendon, pse t’i përsërisim në kohë, druaj, nëse do të duhet sërish t’i vëmë në plan të parë “fjalët e qiririt”, se do të ngelim edhe më nëpër kalime breroresh. Jo, jo! Përherë janë të nevojshme...Edhe sot, edhe nesër ndoshta. Sidomos, intelektualët, letrarët dhe shkollat te ne nuk duhet harruar. Ai ishte simboli i të mirës njerëzore. Falej kah perëndimi që atëherë. Do të thotë, një zgjedhje kulture më të përparuar dhe më demokratike.

   Dhe vërtet, të mos bëj mëkat e ta zgjas, ato vargje dikur ishin të shenjta. Ishin urata e parë në gjumë e syqutë. Ato ishin ligjërata njësuese shpirtërore dhe të preferuara për mësuesin e për nxënësin. Hidhërimi i madh për mësuesin ishte, nëse nuk do t’i mësoje përmendësh këto “fjalë”, të dala si nga “zjarri”. Por, edhe vullnet i madh shihej te recituesit, nëse i përvetësonin. Sepse, të gjithë e mendonin veten se, nesër do të ishin disa “qirinj” të vlershëm për rrethin dhe për njerëzinë. Secili prej atyre që ka pasur rastin t’i mësoj këto vargje e vargime e shihte veten si të tillë. Si një “qiri” i ardhshëm në meset tona. Me të vetmin qëllim që të ndriçohet çdo skutë. E skuta pa dritë kishte mjaft kudo.

   Po, ku i gjete Naim ato fjalë e fjalëza aq të ëmbla! Aq të prajshme e të lezetshme. Aq të lehta këto flurore e shumë domethënëse për jetë të jetëve. Po. Naim Frashëri ndjesë pastë! Për këtë, disa edhe nuk i kemi harruar qe sa kohë. T’ua rikujtojmë e kujtojmë të gjithë atyre që nuk kanë pasur rastin t’i mësojnë, ose nuk dëshirojnë edhe tash t’i dëgjojnë:

 

                        “Në mes tuaj kam qëndruar,

                          E jam duke (u) përvëluar,

                          Që t’u apë pakëz dritë

                          Natën t’ua bëj ditë.”   

                                                           

   Megjithatë, qe i thamë. I përsëritëm edhe një herë. Janë përsëritur edhe mijëra herë në rrugën tonë. Prej shkolle në shkollë, prej banke në bankë. Edhe nëpër grafite të përziera mureve e bankave shkollore ke mundur t’i gjesh. Sa mirë është të shkrihesh si qiriri për të mirën kombëtare e njerëzore.  – Çka do të bëhesh bir pas asaj shkolle që po shkon? Ishte pyetja dikur e pleqve. – Mësues gjysh, vetëm mësues i popullit! Edhe mundin mësuesi i jonë, u përpoq me mish e me shpirt ta dhuroj me dashuri. Tha: – për hir dhe nder të këtij burri të madh! Të Naimit. Të tjerëve t’ua përcjell si amanet gjithë dijen. Gjithë pasurinë shpirtërore për rininë, për ardhmërinë. Të mos lë asgjë për vete: “Se ma kënda t’u bënj mirë,/Të mos mbeteni n’errësirë.” Që të rrit filizat mësuesi, duke i ngrohur ata në avullin e djersës dhe në zjarrin imagjinar që e fitoi edhe ai nga të tjerët. Rruga ishte e largët deri te qëllimi. Po gjithnjë e ka mbajtur shpresa se, “pas dimrit vjen (një) verë/a” e ne do të rehatohemi. E, ata që u shkrin mu si qiriri i Naimit, për qëllime të larta kombëtare, mbetën secili me kujtimet e dashura. Thoshin: - Do vjen një ditë e bardhë e do të na i ngrohin mbetjet tona. Ato mbetjet e qiririt të shkrirë. Natyrisht, duke na mbajtur edhe pak frymë jete me dritën që do të na kthejnë ata, që ua patëm falur në kohërat më të errëta se netët e pa hënë: “Unë jam në shpirtin tuaj,/Mos më kini për  të huaj.”/ . Eh! Sa bukur do të pushonim shpirtin e mendjen tonë në prehrin e hijen e të rinjve tanë. Ata që i kemi porositur, ta duan atdheun, mësuesin dhe gjithë popullin. Dhe ne, të  mos mbetemi peng i moteve në vijim. Dhe, pa dilemë, se, do të na respektonin e nuk do të na hijezonin si “rrogëtarë” me shat në krah, sikur dikur etërit tanë. As nuk do të na lënin në baltë pa kthyer kokën kush të na mëshirojë. Dhe, nuk është mësuesi ‘mëkatar’ as për mëshirë...!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx