Kulturë
Poezi nga Hasan Qyqalla
E hene, 07.03.2011, 08:57 PM
Hasan Qyqalla
Në vigjilie të Ditës së Mësuesit „7 marsit“
LOTËT E MËSUESIT
Një shtator’ i vitit shëmtak
Struk në skaj të tokës huaj
I pikën lotët Mësuesit plak
Zemrën djegur s’mund ta shuaj.
Ndoshta turpshëm e lashë ditarin
Ndoshta ligshëm ua lashë maturën
Klasa ime m’peshon me arin
Ika, treta,... të shpëtoj lëkurën.
Ndaj rri skuqur e pa tekst
Memoaret mbyten në lot
Mësues Zefin e vunë n’kontest
Në një fshat të s’ime botë.
Kolektivi më lut të ik...!
Lulëkuqet në kopsht prap gjejn rritë
Gjykoj veten:_unë mbeta i ligë
“Trimi vdes njeherë, i ligu çdo ditë”.
Ingelhaim, 7 mars ‘93
KU MBETI DITARI I MËSUESIT?!
Në shkollën e Fushë Kosovës sime
ABC-në fëmijëve u mësova
Ëndrrën time si mësues i Shqipes
Pranë tyre e realizova...
Ende në vesh më tingëllojnë
Lakimi si në kor i fjalëve tona:
Bukë, Ujë, Atdhe, Zemër...
Nxënësit i mbaj mend me emër.
Si një murg i gjuhës shqipe
Mes rreshtave të bangave kaloja
Deri në mesnatën e vonë
Hartimet e ndjera lexoja.
Kushedi sa janë lënduar
Kur një ditë në klasë s’më panë
Na largoi me dhunë pushtuesi
Arsimin shqip duke vrarë...
Nuk di ku mbeti ditari im
Me fletët pa plotësuar
Deshifruar nga alfabeti latin
Zëri dhe Himni i Atdheut tim.
Tani jeni rritur nxënësit e mi
Bërë nëna e baballarë
Nëse shqipen e flisni bukur
Do ju njoh me një të parë.
NË VEND TË PARATHËNJES PËR “ 8 MARS ”!
(URIMI PËR “8 MARS”)
Në hollin gjysëmdritë, sa ëmbël m’buzëqesh
Formul parathënje, të pagëzova Hyjneshë!
Le të çmenden djajt, shtrigat dalshin fare
Ti mjeke e shpirtit, ç’më magjeps o sorkadhe.
Do t’fal veten time, do t’këndoj si skofiar
Diplomat dashurie, nga mizantropi beçar!
Po më iku fryma, s’ dua as shishe oksigjeni
Sa të kem në krahëror, syhapur do më gjeni!
E marrë është bota, e tillë qoftë përherë
Sa stinë ngri e shkri, gjer në këtë shtrojerë!
Satelitët rreth qarkohen, Tokën dridh tërmeti
Shtatselvi namatis, syprehje në thellësi deti.
Do çaj përmes rrëmetit, tufëlule për “8 Mars”
Dhe shtatë kuror lidh, do shkul për një çast!
Të zëmë rrezediellin, libret thurim matanë
Filozof panteist, tok migrojmë në Hanë...