Kulturë
Jorgo Telo: Besarta e Jasharëve
E merkure, 09.03.2011, 08:57 PM
 Jorgo Telo
Jorgo Telo
BESARTA  E JASHARËVE
 
=Poemë – baladë=
(Në kujtim të 13 vjetorit të Luftës legjendare të Prekazit )
 
O m’e vogla e fisit t’Jasharaëve,
Me diellin  - kuvend
në mëngjes, mbrëmje.
Kredhur e tëra në vorbullën e ngjarjeve…
Kush di  ç’bluaje
në të  dëlirtën mendje…
 
Në lëndinë fluturat e në pemë zogjtë
Në vapë mërdhinin
kundruall syve të  tu.
Dhe t’i shihje përpjetë, mandej edhe teposhtë;
E etur si  Kosova
 për një qiell blu….
 
E etur si Kosova për jetë të pavranët
Për jetë gazmore,
Gazmend në çdo vatër
E etur për një truall ku s’gjenden tiranët;
Ku jeta rrit shtatin
në troje të pastër…
 
Ngarendja në traditë, vlerat qet në dritë.
Ç’gërmohet nëpër shekuj, 
latohet në kujtesë…
Me yjet e Prekazit – bashkuar yjësitë
Të ngjizur në flamur
 me  të thekshmen besë…
 
Zgjedhin dallëndyshet, mandej  ngrënë çerdhen;
Punojnë nën skërmitjet
e  maçokut të zi…!
Kështu dhe jasharët  tok në kullë kthehen
Në kullën – kështjellë
t’etur për liri.
 
Besarta ndër ëndrra jetonte tjetër jetë.
I shprehur gazmimi
nëpër buzëqeshje.
Ia shihte veç mëma buzëqeshjen e lehtë
Përlindur te buza
në të gjumit heshtje.
 
Po rritej me ëndrra një  trembëdhjet’  vjeçare.
Me dashurinë  e Adiles,
Me virtytet e Ademit
Më  të brishtës lule të  fisit të Jasharajve
Oh, ç’i panë sytë 
në ditët e tmerrit!
 
Ata sy  që shihnin veç lule lëndinash
U desh të vështronin
më makabret pamje…
Harroi Besarta bukuri rudinash
U ndesh me çnjerëzoret
masakrat serbiane…
 
“S’na  tremb dot, o shkja, -  thirrte gjysh  Shabani
S’jemi siç mendon,
s’jemi bagëti!
Predhat mbi çati  shembën dhe tavanin
Në rrethim të dytë
 prej ujkut lubi…
 
Si kështjella e Krujës  para 500 vitesh
U mbajt e  rrethuar
Kulla e Adem trimit…
Polic’ e ushtarë – rrethim mbas rrethimesh;
Adem komandantin
në dorë të shtinin…
 
Përdorën soje armësh  gjer dhe minahedhëse
Ta shkrumbonin kullën,
Kullën qëndrestare…
Shikonte Besarta, njomzakja lulembledhëse
Si shembej çatia
Dyer e dritare…
 
Kërkonin Ademin, ku dinin gjë bishat;
Nuk binte në kurth
aq kollaj luani…
Tutje në shpin’ kodrash   trandnin degët pishat ;
Pishat sikur flisnin:
Mizorinë të ndalnin.
 
 
Pemët paqësore  u përfshinë në luftë.
Shihnin kriminelët
turrur n’errësirë.
E dinin…Ademi… ai mjekërxhufkë
Në mungesë dënuar,
s’pranonte zixhirë…
 
Si mund  që luani  të mbyllej n’kafaz?
A gjendej burrë nëne
 ta shtinte në kurth…?
Ndaj makina sërbe  u  kredh në “maraz”
Dhe mbas çdo të shtëne
shfrynte plot me duf…!
 
Njëzet vjet  vendimi… mbyllje në qeli.
I dyti rrethim
shpejt u përgatit.
Kulla s’njihte heshtje… priste me qetësi
Shabani me Hamzën
U gjendën në pritë…
 
Si mund ta lëshonin qetas atë kullë?
Si ta shkelnin besën
Dhënë Adem  birit?
Qe luft’ e vërtetë e jo thjesht’ një shpullë;
Kafshonte kuçedra
dhe foshnjat e gjirit.
 
Ku ta dinin “-içët”  se në atë strehë
Tjerrur nëpër mote
Ngjarje e kujtime…
Ku ta dinin “-içët” , heu, se sa jetë
çelën n’atë kullë,
që nuk ulte krye…
 
Lum, hej, trimëria që  gjëmon si shpellë!
Turrin nis te sheshi,
Ngjit malet e larta…
Lum, hej, trimëria që hyn në legjendë!
Nuk e tremb rrebeshi,
nuk e mbraps shtrëngata.
 
A mund të lëshohen lehtë’ e qetë – qetë
vatra ku je lindur,
trojet ku je rritur?!
Veç një Sllobodan, një fytyrë zbehtë
 
Si një sharlatan
Mbet’ duke u skërrmitur…
 
Pse hyre, çakall, në shtegun e drerëve?
Nuk e dije, dreq,
Sa e çmojn’ lirinë?
Doje të gëlltitje jetën e të tjerëve…
 Porse liridashësit
Si të vdesin dinë…
 
Nepsi për grabitje rikthen historinë
Në rrethim të tretë
Horrat u vërvitnë…
Sulmin mbi Prekaz  për në mars i shtyrë
Me shkulme e gulçe
Shkiau – egërsirë…
 
Përsëri në shenjë – kulla e Ademit
Ta shkallmonin shpejt
zemrën e lirisë…
Mbi njëzet pjesëtarë përjetuan tmerrin
Në emër të jetës,
të përjetësisë…
 
Jasharët e tjerë ishin në mërgim.
Ndërsa vetë     Ademi
u gjend brenda kullës.
Sulmi agresorit  nisi me tërbim.
(Lidhën besë nderi
Zogjtë e furtunës…)
 
E kush mund të flinte, kishin ndjerë rrethimin.
“Sot  do kemi luftë, -
foli Komandanti.
Të tjerët  në sy shihnin kryetrimin
Dëgjuan, kur shtoi:
“Me ne qoftë fati…!”
 
Në mëngjes beteja shpërtheu e ashpër
Shtet i babëzitur
Përmbi një familje.
U vërvit mbi kullë një arsenal armësh.
Blerim i përzhitur
prej një shteti – skile…
 
Ç’kish lindur Kosova! Një  fis besëlidhur.
Për liri të etur,
të etur për jetë.
Një fis i patrembur, durimtarë të  lindur
Tejet trimërorë,
Heronj të vërtetë.
 
 
Me këngë Ademi – në ballë të betejës:
“Jo, jo, nuk ka vdekje
 më të mirë për mua!”
Mori ajo kullë nurin e Kështjellës,
Tri dit’ nën goditje;
Shkiaut s’iu dorëzua.
 
Shumic’ e familjes mbledhur te një kthinë;
Dhe atje ra predha
Ashtu… verbërisht.
Ra atje ku mbledhur ishin gra, fëmijë
Ra atje ku jeta
vritej barbarisht .
 
Trembëdhjet’ prej tyre  shpejt ndërruan jetë.
E para – Adilja
Zonja e shtëpisë.
Shpëtoi Besarta,  tri dit’ e tri netë
Strukur ndën një magje
Shpres’ e ardhmërisë…
 
E ndërkoh Ademit  iu soll në kujtesë
Idhulli legjendar,
trim Ahmet Delia.
Me sopat çetnikëve u ra mespërmes;
Siç e deshi nderi,
Gjithë Shqipëria…
 
Zbraz e rimbush armët, hutoi zagarët.
Ato armë  Ademit
i shkonin për shtat.
Tërbimi banditëve tejkaloi “gradët”…
Kujtoi  babanë,
ç’i rrëfeu një natë:
 
“…  Kur u linde, bir,  gjëmoi Drenica.
Ishte ditë feste,
Dita e Flamurit.
Dita e lirisë festohej me krisma;
O sa jam gëzuar!
T’flas si burri  burrit…
 
Bir, në qarjen tënde shihja tjetër klimë.
Fymëmarrje për  trojet,
Ëndrrën për liri…
Te  balli,  te goja vështroja lavdinë;
Të dua të fortë,
Kreshnik për liri.
 
Besoj që Adilja të ka thënë, mor djalë;
Si të kam mbështjellë
me flamur kuqezi.
Se kur linde ti, kish krisma, jo fjalë.
Me kujdes u rrite
 burrë për shtëpi.
 
Mos kesh trembje syri, as dridhje qerpiku.
Të nderosh, o bir
 ditën kur u linde.
Jasht’ nga vatrat tona hasmi dhe i ligu!
Të mos harrosh kurrë
 të flaktën Rilindje…
 
Me  të dy vëllezërit, Rifatin e Hamzën
Të kesh dashuri,
Mos u ndajë kurrkush.
Siç t’ua dojë zemra, do t’ua gatit dasmën.
Veç të më nderoni
me fis e me krushq…”
                                             xxx
Ja, ç’rrëfim kujtoi,  duke mbush’ gjerdanët;
Kujtoi krejt Kosovën
Atje prenda pragut.
Ashtu siç i donte, s’i lëshoi armët
Në kullën e lindjes,
te Kështjell’ e gjakut…
 
Pa ngrënë’ e pa pirë  Besarta në makth;
Mbuloi dyshemenë
gjaku në çdo cep.
Ademi qëndroi, luftoi  nëpër gjak;
 gjersa ra siç bien
 Trimat e vërtet’…
 
Ra në kulm të jetës, në kulm të lavdisë;
Ashtu siç i ka hije
 bestarit kreshnik.
Ndaloi rrahjet zemra te pragu i  shtëpisë,
U përjetësua
me aktin fisnik…
 
Buçitje betejës iu qarkua Globit.
Gjaku depërtoi
tokën tejpërtej.
Me eshtra u ngrit përmendore kombit.
Përmbi jetdhënët
 Trimat zulmmëdhenj.
 
Prekaz i Drenicës  shungulloi  token.
Lajmi mori dhenë
sa hap e mbyll sytë.
Bëma e jasharëve u përhap në botë
Zogjtë nëpër  pemë
Stisën meloditë…
 
Të tridhjet milicët  ishin mish për top
Adem legjendari
Zgjoi trimërinë…
Rrethimit të ujqve s’u shpëtonte dot
Edhe nëse mundej…
S’e linte shtëpinë.
 
N’ atë kullë qëndrese  hynë dhe komshinj
Me bacën Adem
bënë besa – besë.
Ademi dhe Hamza  ndën atë betim
Veç’ te gryk e pushkës
mund të kishin shpresë…
 
Kështu mori duhmë luft’ e UÇK-së
S’mund ta ndalte kush
Atë vrull shqiponje.
Në themel të saj një Legjendë është:
Mbeti Kryekëngë
e çdo shpirti dhe goje…
 
-VIJON-

 Facebook
 Facebook Twitter
 Twitter Google+
 Google+ Digg
 Digg










