Kulturë
Xhemaledin Salihu: Nismë e mbarë për shkollën shqipe në Luginë të Preshevës
E merkure, 09.03.2011, 09:58 PM
NISMË E MBARË, ME PESHË, ME RËNDËSI DHE PERSPEKTIVE PËR SHKOLLËN SHQIPE NË LUGINË TË PRESHEVËS
Shkruan Xhemaledin Salihu
Projekti I sapofilluar I Institutit të Integrimeve të Kulturës Shqiptare në Tiranë : “Studimi i mundësive të përafrimit deri në unifikim të plan-programeve dhe teksteve mësimore në trojet arbërore dhe në diasporë” nën administrimin dhe koordinimin e Dr. Ibrahim Gashi dhe drejtorin e Institutit, zotëri Rezart Gashi “ka një rëndësi të jashtëzakonshme, në rradhë të parë në INTEGRIMIN GJITHËKOMBËTAR, domosdoshmëri kjo që ne të jemi më të bashkur, të prosperojmë fuqishëmnë fushën e kulturës e arsimit, rrjedhimisht, të jemi më të përgatitur për t’u integruar në Europën eBashkuar”, thuhet në materialin punues të Institutit të Integrimeve të Kulturëa Shqiptare në Tiranë, dërguar anëtarëve të Komisionit Qendror, kryetarëve të Komisioneve të Zonave dhe Shkollave Shqipe të Luginës së Preshevës.
Projekti në fjalë filloi jetësimin e tij qysh në vitin 2010, me formimin e Komisionit Qendror të këtij “Studimi i mundësive të përafrimit deri në unifikim të plan-programeve dhe teksteve mësimore në trojet arbërore dhe në diasporë” me zgjedhjen e Komisionit Qendror prej 13 anëtarëve, ku kryetarët e Komisioneve Zonale automatikisht janë anëtarë të këtij Komisioni, ndërsa Dr. Ibrahim Gashi është kryetar i Komisionit Qendror, i cili do të ndjek çështjet e lëndëve të shkencave të natyrës.
Shkollat shqipe të Luginës së Preshevës i përfaqson z. Alixhemal Salihu, professor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin “Skënderbeu” në Preshevë, njëherit edhe kryetar i Komisionit Zonal për Shkollat Shqipe në Luginë të Preshevës.
Komisioni Zonal përbëhet prej tre anëtarëve, njëri anëtar është z.Xhemaledin Salihu, kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore në Luginë të Preshevës me seli në Preshevë dhe një vend duhet të plotësohët me një anëtar nga Bujanoci.
Instituti i Integrimeve të Kulturës Shqiptare në Tiranë (IIKSH) promovon kulturën shqiptare brenda trojeve shqiptare dhe jashtë tyre. Ai, poashtu bënë njohjen me traditat tona dhe zhvillimet e tyre në fushën e kulturës në përgjithësi, përfshirë edhe çështjet e arsimit.
Qëllimet e projektit
Projekti i hartuar nga Instituti i Integrimeve të Kulturës Shqiptare në Tiranë ka këto qëllime :
-Njoftimi me të shkuarën, gjendjen e tanishme në shkollat shqipe, gjegjësisht të plan-programeve dhe teksteve mësimore të shkollave në trojet arbërore dhe në diasporë,
-Krahasimi i gjendjes së tanishme në shkollat shqipe, gjegjësisht të plan-programeve dhe teksteve mësimore të shkollave në trojet arbërore dhe në diasporë dhe
-Perspektiva, përafrimi deri në unifikim i shkollave shqipe, gjegjësisht i plan-programeve dhe teksteve mësimore në trojet arbërore dhe në diasporë.
Përmbushja e këtyre qëllimeve është akt madhor dhe përfundimtar i projektit të Institutit.
Zotimi i përfaqsuesve të të gjitha Zonave Shqiptare do ta arrijë qëllimin kombëtar të projektit.
Studimet, kumtesat me këtë Studim do të paraqiten në korrik të vitit 2011, kur do të organizohet një Simpozium Shkencor në Durrës, i cili do të jetë kurorja e përfundimit të projektit dhe ku do të dalin konkluzione me taban kombëtar, lidhur me unifikimin e plan-programeve dhe teksteve mësimore në shkollat shqipe të të gjitha trojeve arbërore dhe në diasporë. Këto konkluzione nuk do të jenë ligjore për shkollat shqipe, por preferuese dhe domosdoshmëri për unifikimin kombëtar të shkollave shqipe.
Përkrahja e projektit
Dr. Ibrahim Gashi, kryetar i Komisionit Qendror me hartimin e projektit mori rrugën e vizitave të Zonave Shqiptare, për t’i njoftuar ato me projektin në fjalë. Ai vizitoi Prishtinën, Shkupin, Preshevën dhe SHBA-të.
Instituti mori lejen dhe mbështetjen e Ministrive të Arsimit të Tiranës dhe të Prishtinës, të Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë, të Shoqatës së Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë, të Institutit për Trashëgimi të Kulturës Shqiptare të Shkupit, ndërsa në Preshevë të Komisionit Zonal, të Mësimdhënësve të Shkollave shqipe të Luginës së Preshevës, të Forumit Rinor Islam të Preshevës, të Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturorre të Luginës së Preshevës dhe kryetarit të komunës së Preshevës, z. Ragmi Mustafa, në veçanti po e theksojmë përkrahjen financiare të tij për projektin.
E shkuara e Shkollave shqipe në Luginë të Preshevës
Ju bëjmë me dije se nuk do të flasim për historikun e Shkollës shqipe, por për plan-programet dhe tekstet mësimore të Shkollës shqipe në Luginë të Preshevës që ishin objekt studimi gjatë të shkuarës së saj.
Kështu, më 18 maj 1991, në Preshevë u mbajt Tribuna tematike : Arsimi shqip në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të cilën e organizuan Komisionet e Arsimit, Kulturës dhe Informimit i Partisë për Veprim Demokratik, i Parisë Demokratike Shqiptare, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë-dega në Preshevë dhe Forumi i Intelektualëve Shqiptarë-dega në Preshevë.
Siç doli nga referimet dhe diskutimet në tribunë, arsimi shqip në këto tri komuna ishte në gjendje të vështirë dhe po i përjetonte gati të gjitha të këqijat dhe peripetitë e shkollave shqipe në ish_Jugosllavi, si në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Maqedoni.
Në thumb të kritikës së tribunës, sidomos ishin disa plan-programe serbiane të lëndëve mësimore dhe disa tekste mësimore, ku shumë pak ose fare nuk u përfshin : kultura, gjuha, letërsia dhe historia shqiptare si dhe kur shkruhet për to, shkruhet në mënyrë joshkencore e poshtëruese, me çka u tha se tash e tutje nuk duhet të pajtohemi.
Në Tribunë u kritikuan ashpër tre tekstet e gjuhës dhe letërsisë shqipe për klasën e parë, të dytë dhe të tretë të shkollës fillore, të autorëve Musa Hyseni e Voja Filipoviq, për të cilat u tha se janë hartuar me porosi nga Beogradi dhe se nuk kanë vlera profesionale, artistike, pedagogjike, metodike.
Në Tribunë, poashtu u fol edhe për çështjet e udhëheqjes së administratës në shkollat shqipe sepse udhëhiqet shqip e serbisht, kurse në disa shkolla shqipe vetëm në gjuhën serbe dhe me alfabet qirilik.
Në fund të kësaj Tribune tematike u nxorrën disa konkluzione, të cilat duhet t’i paraprijnë aktivitetit dhe veprimit të mëtutjeshëm në procesin e zhvillimit dhe përparimit të arsimit shqip në këto treva :
-të respektohen të gjitha Konventat ndërkombëtare lidhur me të drejtën në arsim të të gjitha kombeve,
-të sigurohet pozita adekuate e dinjitetit moral dhe material e shkollës shqipe, në të gjitha shkallët e shkollimit,
-në të gjitha mjediset, shkollimi, komunikimi publik dhe administrative të bëhet në gjuhën amtare,
-plan-programet dhe tekstet mësimore të jene unike, për të gjitha shkollat shqipe dhe të hartohen nga institucionet më të larta shkencore shqiptare të Kosovës e jo nga individët e pakualifikuar për hartimin e tyre,
-në plan-programet dhe tekstet mësimore të përfshihet në mënyrë adekuate gjuha, letërsia, kultura, historia e tradita shqiptare,
-gjuha dhe letërsia serbe të mësohet si fakultative në shkollat shqipe,
-të merret aksioni për vijimin e rregulltë në shkolla, sidomos të vajzave shqiptare,
-të apelojmë tek arsimtarët e Shkollave shqipe për një punë vetëmohuese në procesin edukativo-mësimor, pa marrë parasysh vështirësitë të situatës politike, sepse edukojnë dhe arsimojnë fëmijët shqiptarë dhe
- të apelojmë tek prindërit dhe qytetarët shqiptarë që të kenë mirëkuptim ndaj punës, pozitës së vështirë materiale e morale të arsimtarëve dhe të jenë të gatshëm që punën e arsimtarëve ta përkrahin në çdo situatë që bie arsimi shqip.
Kuvendi i Përfaqsuesve të Zgjedhur të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në seancën e parë, më 1 gusht 2001 aprovoi programin e masave konkrete për realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive të Shqiptarëve të Rajonit të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në kuadër të procesit politik, që duhet të udhëhiqet nga qeveria federative dhe republikane si dhe organet përfaqsuese të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të ndihmuar dhe monitoruar nga faktori ndërkombëtar.
Pos në lëmitë tjera të fushëveprimit, nën:
1.Në fushën e arsimit me anë të ndryshimeve të Ligjit të vetëadministrimit lokal dhe të ligjeve arsimore :
a) me ndryshimet ligjore të mundësohet pjesëmarrja e Shqiptarëve në drejtimin e shkollave, përkatësisht në emrimin e drejtuesve dhe caktimin e këshillave shkollore dhe
b) me ligj të posaçëm të mundësohet krijimi i institucioneve të veçanta arsimore që do të merren me plan-progamet dhe tesktet mësimore në gjuhën shqipe, për shkollat fillore dhe të mesme.
Disa të dhëna me rëndësi të projektit të Studimit
Po theksojmë dhe citojmë : “Kur flasim për përafrim e unifikim të plan-programeve e teksteve mësimore, këtu nuk kemi parasysh se do të bëhet i njëjti program apo i njëjti tekst për të gjitha zonat ku jetojnë shqiptarët. Fjala është për pranim nga të gjithë, p.sh. të të njëjtave rregulla dhe norma drejtshkrimore, të trajtimit njëlloj të të njëjtave fakte historike të ngjarjeve të ndryshme ndër shekuj, që lidhen me kombin tonë, për përdorimin e të së njëjtës terminologji në shkencat shoqërore e po kështu në shkencat natyrore, e shumë e shumë çështje të tjera, të cilat deri tani janë parë nga këndvështrime të ndryshme”.
Nga ana tjetër, ky studim bëhet jashtë çdo ndikimi politik, fetar apo nacionaliste. Ai konsiston vetëm në saktësimin shkencor të elementëve që përbëjnë thelbin e lëndëve shoqërore, siç janë gjuha e letërsia, historia kombëtare e gjeografia rajonale, si dhe lëndë të tjera që pajisin nxënësit me një kulturë të gjerë, për t’i aftësuar ata, që të jenë sa qytetarë të denjë të kombit e të shtetit të vet, po kaq edhe qytetarë të Europës së Bashkuar.
Aktivitetet e Komisionit Zonal të Luginës së Preshevës
Aktivtetet e Komisionit Zonal shkuan në drejtim të mbledhjes së teksteve mësimore që janë përdorë deri tash në shkollat shqipe të Luginës së Preshevës. Aktiviteteti u krye me ndihmën e Drejtoratit për veprimtari shoqërore të komunës së Preshevës dhe aktivit të drejtorave të shkollave fillore dhe atyre të mesme.
Plan-programet dhe tekstet mësimore të mbledhura nga shkollat e Luginës së Preshevës, delegacioni i Preshevës i dorëzoi në Tiranë, në Institutin e Integrimit të Kulturës Shqiptare, i cili sëbashku me delegacionin e Preshevës në Durrës këto tekste ia shpërndau Hartuesve të referateve lidhur me Studimin.
Delegacioni i Preshevës i mori planprogramet dhe tekstet mësimore të Shqipërisë, të shkollave fillore dhe të mesme dhe plan-programet dhe tekstet mësimore të shkollave shqipe në Maqedoni për t’i shpënda Hartuesve të referateve nga Lugina e Preshevës, të cilët një prej kushteve të Studimit e kanë edhe edhe krahasimin e plan-programeve dhe të teksteve mësimore të 2-3 zonave për hartimin e referatit të studimit.
Poashtu Komisioni Zonal vizitoi shkollat shqipe në Tetovë, Shkup dhe Kumanovë dhe i ftoi mësimdhënësit e Kumanovës që me referatet e tyre të marrin pjesë në Tribunën shkencore, që do të organizohet në qershor të vitit 2011 në Preshevë.
Komisioni Zonal e vizitoi edhe komunën e Bujanocit dhe gjeti mbështetjen e Drejtoratit të veprimtarive shoqërore të komunës së Bujanocit.
Më 17 shkurt 2011, Komisioni Zonal dhe Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore shpalli këtë :
N J O F T I M
Komisioni Zonal dhe Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore të Luginës së Preshevës organizojnë Tribunë Shkencore me temë : “STUDIMI I MUNDËSIVE TË PËRAFRIMIT DERI NË UNIFIKIM TË PROGRAMEVE E TEKSTEVE MËSIMORE NË TROJET ARBËRORE DHE DIASPORË”
Në Tribunë do të trajtohen temat për plan-programet dhe tekstet mësimore në shkollat shqipe të të gjitha trevave etnike.
Lëndët dhe tekstet mësimore përkatëse, që do të jenë prioritare për studim :
-Abetarja,
-Gjuha shqipe dhe leximi letrar për shkollat fillore,
-Gjuha dhe letërsia shqipe për shkollat e mesme të të gjitha kategorive,
-Lënda e historisë, sipas klasave ku zhvillohet,
-Lënda e gjeografisë, sipas klasave ku zhvillohet,
-Trashëgimia kulturore, sipas klasave ku zhvillohet,
-Edukata qytetare dhe sociologjia, sipas klasave ku zhvillohet,
-Edukimi muzikor, sipas klasave ku zhvillohet,
-Elemente të diturisë së natyrës, që kanë lidhje me njohjen e vendlindjes,
-Disa tekste të matematikës, të fizikës, të kimisë dhe të ndonjë lënde tjetër, për të shqyrtuar terminologjinë e përdorur dhe pastërtinë gjuhësore në shkrimin e tyre.
Kumtesa-Studimi duhet të përfshijë krahasimin e plan-programeve dhe teksteve mësimore të 2-3 zonave, ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe : në retrospektivë, në gjendjen e tanishme dhe sugjerimet e propozimet për të ardhmenë e mundësisë së unifikimit të tyre.
Kumtesat për Tribunë duhet të jenë deri në 12 faqe, në formën elektronike, ndërsa për lexim në Tribunë deri në 4 faqe.
Afati i dorëzimit të kumtesave, në formën elektronike do të jetë deri më 27 maj 2011.
Paraqitja e kumtesave në formën elektronike bëhet në adresë :
shtkk@yahoo.com
Tribuna do të mbahet në sallën e Kuvendit komunal në Preshevë, më 09 qershor 2011(e enjte), duke filluar në orën 10.
VËREJTJE : Kumtesat pas mbajtjes së Tribunës do të vlersohen nga Komisioni Qendror në Tiranë, për pjesëmarrje në Simpoziumin Shkencor në Durrës.
Komisioni Zonal mbajti një Takim konsultues me Mësimdhënësit e Shkollave fillore dhe të mesme, kandidat të mundshëm për hartimin e kumtesave në Tribunë.
Komisioni Zonal planifikon që së shpejti të vizitojë edhe Këshillin Nacional të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës që nga ky Këshill të kërkojë që edhe ndonjë anëtar i Grupit punues për Arsim, të kyçet në këtë nismë të mbarë, kombëtare për perspektivën e shkollës shqipe, gjegjësisht për plan-programet dhe tekstet mësimore të shkollave shqipe të Luginës.
Nisma e projektit të Studimit të Institutit në Tiranë dhe e Komisionit Zonal është në baza vullnetare, jo zyrtare për Ministrinë e Arsimit të Republikës së Serbisë, ndërsa Grupi punues i Këshillit Nacional është zyrtar për Ministrinë e Arsimit të Republikës të Serbisë, i cili në mbështetjë të kërkesave të Grupit punues jep pëlqimin për plan-programet dhe tekstet mësimore të shkollave shqipe në Luginë.
Të theksojmë se më se e nevojshme është një bashkëpunim i ngushtë i Komisionit Zonal dhe Grupit punues të këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për mirën, të ardhmenë dhe perspektivën kombëtare të shkollave shqipe.
Bile, qëllimi i përbashkët i Komisionirt Zonal dhe Grupit punues duhet të jetë ARSIMIMI I SHQIPTARËVE TË LUGINËS SË PRESHEVËS NË SHKOLLËN SHQIPE, ME PLAN-PROGRAME DHE TEKSTE MËSIMORE TË PËRBASHKËTA DHE TË UNIFIKUARA PËR TË GJITHA SHKOLLAT SHQIPE TË TROJEVE ARBËRORE ME DIASPORË, DUKE I NDERUAR SPECIFIKAT E SHTETIT KU JETOJNË SHQIPTARËT.
Disa përvoja pozitive në aktivitetin e mëtutjeshëm
Grupi punues i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës dhe Komisioni Zonal, aktivitetetin e tyre duhet ta mbështesin edhe në :
-Ligjin mbi bazat e sistemit të arsimnit dhe edukimit të Republikës së Serbisë, ku thuhet së pakicat kombëtare kanë të drejta t’i përdorin plan-programet dhe tekstet mësimore të shtetit amë, por me pëlqimin e Ministrit të Arsimit të Republikës së Serbisë,
-Ligjin mbi Këshillat Nacionale të Pakicave kombëtare në Republikën e Serbisë, sidomos nenin 13 dhe 14, ku janë të rregulluara kompetencat e Këshillit nacional në lëminë e arsimit, gjegjësisht të plan-programeve dhe teksteve mësimore.
Përvoja e sistemit arsimor te SHBA-ve, Anglisë dhe Gjermanisë :
-Në sistemin shkollor të Anglisë dhe Uellsit qeveriset në nivelin local të të pushtetit në lëminë e arsimit. Shumë sisteme të arsimimit në botë kanë interes nga sistemi shkollor britanik, sepse sipas këtij sistemi investimet të një shteti apo kombi në arsim janë mjete më efikase për përparimin e shoqërisë.
-Në SHBA, qysh në kohën e viteve 1889 shohim se qysh atëhere ekzistonte arsimimi i pakicave në këtë shtet Kështu, procesi arsimor nuk duhet të mësojë vetëm lexim, shkrim dhe matematikë, por edhe drejtësi, barazi, kvalitet më të lartë të të gjitha grupeve etnike.
Në Gjermani, secili shtet (Lander) është përgjegjës për arsimim.
Referencat
1.Materiali i Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare në Tiranë, lidhur me realizimin e projektit në temë : “Studimi i mundësive të përafrimit deri në unifikim të plan-programeve dhe teksteve mësimore në trojet arbërore dhe në diasporë” Tiranë, 2011
2.Materiali i Tribunës tematike : Arsimi shqip në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, gjegjësisht : Analizë e plan-programeve mësimore në shkollat shqipe të Luginës së Preshevës, 18 maj 1991
3.Materiali i Kuvendit të Përfaqsuesve të Zgjedhur të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, mbajtur më 1 gusht 2001, Jehona, nr.53, 10 gusht 2001
4. Antonio Herrera, Petar Mandic,Obrazovanje za XXI stoljece, Sarajevo, 1989
5.Xhemaledin Salihu, Hartim me të meta dhe të mira-libër leximi për klasën e shtatë të shkollës fillore, Prishtinë, Bota e Re, nr.25-26, qershor
/Autori është kryetar i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore i Luginës së Preshevës/