Kulturë
Kadri Tarelli: Nga loti i nënave, deti u bë i kripur
E premte, 11.03.2011, 09:57 PM
Loti i nënave.
Durrës më 01. 03. 2011
NGA LOTI I NËNAVE, DETI U BË I KRIPUR
Në kujtim të 6 Marsit 1991
Nga Kadri Tarelli
E dielë, 6 Mars 2011. U mbushën plot 20 vjet nga ai 6 Mars i vitit 1991, kur mijra shqiptarë morrën rrugën e mërgimit. Më është bërë zakon, që çdo vit, në këtë ditë të shkoj në berg të detit, në shëtitoren “Taulantia”në qytetin e Durrësit. Edhe sot isha. Qendrova përballë detit, si për t’u falur me të. Kanë kaluar kaq vite, po si atëherë më del përpara skena dhe biseda e një nëne të re, me djalin e vogël përdore, e cila me sytë të përlotur shikonte larg në hapsirën e pafund të detit. Dukej sikur i fliste detit. Buzët i dredheshin. I lutej në heshtje.
-Mami ! Nuk po duket anija që do të sjellë babin !? -Djali nuk morri përgjigje. Lotët në sytë e nënës u shtuan. Pa pritur djali i vogël pyeti:
-Mami ! Pse deti është i kripur ? Gruaja e mori fëmijën, e shtërngoi në gji, e puthi në sy, në faqe, në gushë dhe i tha e ngashëryer:
- Deti u bë i kripur nga lotët e nënave.
Më erdhi në mendje romani “Lulja e Kujtimit” e Foqion Postolit. Dikur edhe në Korç, në dalje të saj thirrej një vend “Lëndinka e lotëve”, ku përcilleshin dhe ndaheshin familjarët me ata që merrnin rrugën e mërgimit. Po atëherë iknin një e nga një, ose dy nga dy ! Ata largoheshin duke kthyer kokën pas, ndërsa me lot në sy mbeteshin nënat, babalarët, motrat, gratë, fëmijët.
Edhe sot rrenqethem, pavarësisht viteve që kanë kaluar. Janë disa ngjarje që
rrodhën shumë shpejt. 20 Shkurt i vitit 1991. Populli i bëri me madhështi nderimet e fundit diktatorit duke e tërhequr zvarrë bustin e tij. Dy javë më pas më, 6 Marsi. Mijra e mijra shqipëtarë u dyndën në Durrës, mësynë dhe hipën në anijet që u ndodhën në port. Morrën udhën e panjohur të mërgimit, pa ditur se si do t’u vinte halli.
Herë pas here, në emisione të veçanta televizive, jepen pamje të shkëputura që paraqesin largimin masiv të shqiptarëve. O zot ! Vetëm ne, apo vetëm ata që i kanë përjetuar ato çaste dramatike, kanë mundësi të thonë se ç’kanë ndjerë kur shikonin me sytë e tyre, atë çmenduri kolektive dhe “Malet” me njerëz, që largoheshi s’di se ku. Edhe një herë them : O zot ! Sepse aty luhej një “tragjedi” me aktorë një popull të çoroditur që vraponte sa andej – këtej tek anijet që kishin mbetur në port. Tragjedi pa skenar, pa regjizor, pa rregulla loje, me vetveten spektator. Mijra njerëz që hipnin nëpër anije, të rinj, të reja, familje të tëra, burra gra dhe fëmijë. Qindra të tjerë në tokë, nëna, baballarë, gra me fëmijët e vegjël për dore. Të parët thërrisnin dhe përshëndesnin me dorë kur mundënin të dallonin të afërmiit e tyre, ndërsa pjesa e mbetur në tokë me lotë në sy, edhe ata thërrisnin dhe ngrinin duart drejt asaj mizërie njerzish, pa mundur të dallonin djalin, vajzën, babën, apo burrin. Shqiptarët po iknin sikur po i ndiqte pushtuesi nga prapa. Askush nuk po na sulmonte. Vallë ç’të ishte ky hasëm i padukshëm ? -Varfëria ? -Mbase ! Armik i egër është, po nuk e besoj, pasi ne varfëri kemi pasur edhe më parë, po nuk kemi ikur “Nga sytë këmbët”. Mbase iknim nga vetvetja !? Pushtuesit kishin qënë mes nesh ! ?
Historia, e ftohtë si gjithënjë do t’i përmendë këto, thjesht si ngjarje në kronollogjinë e viteve, mbase në rastin më të mirë edhe i komenton, duke dhënë edhe shkaqet që na çuan deri këtu, por për njerëzit që i provuan janë më shumë se ngjarje. Janë dridhma të trupit, morrnica që ngjethin shtatin, lot e rrahje të forta zemre që sjellin djersë të ftohta, qoftë edhe në ditët më të acarta të dimrit.
Edhe unë vrapova drejt portit. Jo për të ikur, por për të parë e gjetur djalin. Në hyrje një togë ushtarësh të armatosur. Nuk lejonin të futej njeri këtu, po nuk bënin zë për njerzit që kishin hapur shtigje ku mund të kalonin lirshëm. Çuditem me vete, si është puna e njeriut !? Ç’hall kisha unë e ku më shkonte mendja ? Kisha nge edhe për shaka: Porti ishte bërë si ajo kasollja e Nastradinit, me oborr pa avlli e pa gardh, në fund në dy hunjë të kalbura, një dryn i madh i vjetër, që të dukej nga larg. U drejtova tek ushtarët. Prisnja të më ndalonin. Në krye një oficer i ri, shumë i bukur. Si fillim nuk e njoha. Vëtëm dëgjoj një kërcitje këpucësh. Qendrim “Gatitu” dhe nderim ushtarak !
-Hapni rrugën ! Është profesori im ! –Buzëqeshi dhe më dha dorën. U pamë në sy dhe nuk folëm. Ish nxënësi im, pas pak ditësh edhe ai kishte ikur bashkë me shumë shokë. Sot jeton familjarisht në Itali.
Sot përsëri pranë detit. Pak vranësirë. Dielli herë dukej dhe herë fshihej. Po deti ? Ah deti ! I qetë. I bukur e madhështor si përherë. Papritur kur rrezet puthnin valët, si një lojë mes dy perëndive nuk di se kush përkëdhelej më shumë, dielli apo deti !
Kur dëgjoj dhe gjykoj për sa e sa ngjarje që lidhen me detin, kam ndjesinë se të parët tanë, Iliret paganë kishin të drejtë ta besonin, t’i faleshin e ta nderonin si perëndi. Edhe unë besoj se ata ishin më pranë jetës dhe të vërtetës.
Sot po udhëtojmë pa viza.. Pak si gjatë shkoi kjo punë, pasi kaluam plot shtatëdhjetë vjet të ndarë nga bota. Tragetet shkojnë e vijnë. Presim dhe përcjellim të dashurit tanë. Më në fund edhe ne po udhëtojmë lirisht, Edhe unë isha para pak ditësh në Itali. E ndjeva veten të fisëm, sepse udhëtova si qytetar i lirë. Veç nuk duhet të harrojmë ato ditë të marsit 1991, që mos u përsëritshin kurrë ! Dhe deti, nga lotët e nënave, mos të bëhet më i kripur nga ç’është !