E enjte, 02.05.2024, 01:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Sa të shenjta janë lulet!

E shtune, 12.03.2011, 03:58 PM


KRISTAQ TURTULLI

 

SA TË SHTRENJTA JANË LULET!

 

tregim

 

                ‘-Sa të shtrenjta qenkan lulet në këtë qyqan! këlthiti Merita dhe fërkoi hundën e vogël.

 

                ‘Sepse janë të frekëta dhe plot aromë, i thashë.

 

                Ajo luajti kokën ngadalë, puliti qerpikët dhe mërmëriti:

 

                ‘-Unë s’mund ti bleja kurrë.’

 

Prandaj dhe unë pikërisht në këtë dyqan për surprizë i bleva Meritës një tufë të madhe me karafila dhe trëndafila plot aromë. Lëvizja me kujdes mes turmës së pritësve dhe shpërndaja erë lulemirë.

 

Merita hyri fare thjesht në jetën time. E ndjeva menjëherë që ndryshimi ndodhi. Vetmia është vërtet një molë e tmerrshme, të gërryhen ngadalë pandierë dhe në mënyrë të pashmangshme. Ngujuar në një kthinë të vogël nën darën e fortë e të ftohtë të qytetit të madh. Ku ndjehet i tendosur rituali i pandryshueshëm; stresi për të mbajtur me thonj e vendit të punës, ngjitja dhe zbritja nëpër trena dhe autobusë, gjumi i shqetësuar, ndaj shumë gjëra të rëndësishme të rrëshqasin nga mendja. Miqtë e vërtetë të fëmijërisë së bashku me lojnat, argëtimet dhe shëtitjet buzë mbrëmjeve nën rrugën e blirëve kanë mbetur në memorie, strukur në mënyrë në padukshme në rrugicat e ngushta me kalldrëm të qytetit të dashur.

 

 Dikur në muajt e parë të emigracionit, disa miq të rastësishëm mi përshkruan tavernat me ngjyra të ndezura për të nxitur kureshtjen time. Ata butësisht, duke qeshur nën buzë më tërhoqën në bodrumet e nëndheshme të lokaleve, të përmbytur prej dritave vezulluese, pranë avullit turbullues së rakisë dhe duhmës marramendëse së lakuriqësisë . Por nepsi im nuk ishte prerë për tu shpërdoruar dhe shkapërderdhur në mjedise të pista. U tërhoqa heshtazi pa e bërë të gjatë...

 

 Vitet rrjedhin pa kuptuar në kontinentin e largët dhe të ftohtë, ku muajt dhe stinët ndjekin rrëmbyeshëm njëri tjetrin. Nëna u mplak dhe u rrëgjua shumë shpejt. I lutem të vijë por ajo nuk do të lërë vatrën e të parëve. Justifikohet se ka frikë se mos vdesë rrugës, për turp dhe faqe të zezë, kur avioni të jetë lart në kupë të qiellit. Unë mundohem ti mbush mendjen për lehtësinë dhe kushtet e favorshme të fluturimit me avion, por ajo nuk tundet nga e saja.

 

Nëna më fliste në telefon me zë të holluar, më shkruante shpesh dhe më këshillonte  të mos e zgjasja më, të vendoja, të krijoja dhe unë si gjithë të tjerët një folesë të ngrohtë familjare. Meraku dhe trishtimi i saj ishte i shpallur në sy.

 

‘-Biro gjej një çupë dhe shkujdesu, më dëgjon ç’të them?’ Ngulmonte nëna sa herë flisnin në telefon.

 

‘-Mirë nëno,’ i thosha dhe nuk e zgjasja më tej. Nuk dija si ti shpjegohesha nënës, se gjetja e një njeriu të mirë për të lidhur jetën nuk ish kostum me porosi.’

 

Nëna ngulmonte në të sajën.

 

‘Ja i mbushe të tridhjetat dhe një qind të bëhesh biro! Më uroi me zë të ëmbël gjithë përdëllim dhe shtoi: Tani nuk ke ç’pret më, vendos, më dëgjon biro?’

 

‘ -Të dëgjoj nëno, të dëgjoj, ja do gjej ndonjë indiane, kineze apo xhamajkiane.’ I fola më në fund me shaka dhe shtova: ‘Nëno, këtu tek unë ka me shumicë; aziatikë, larushë, verdhashë, zezakë, ti mbledhësh me lopatë.’

 

 ‘-U,u,u, ç’thua kështu bir! foli nëna zëshuar. Dëgjova në telefon kapërdimin e rëndë të pështymës së nënës në stomak. Ajo heshti një copë herë,siç duket fshiu buzët dhe vazhdoi zëdredhur: ‘E, e, e, e, të njeh nëna ty të njeh, nuk je nga ata që shkel në dërrasë të kalbur. Ti biro e di, qyteti ynë është me nam për vajza të bukura, të ndershme dhe punëtore.’

 

‘-E di, fola me zë të ulët. Më erdhën përnjëherë nëpër mend vajzat e hijshme të qytetit tim  dhe një prej tyre Miranda, të cilën e kisha simpatizuar në gjimnaz dhe puthur një buzëmbrëmje në muzg. Ajo u martua dhe iku në Australi.  I mbështjellë prej nostalgjisë dhe pa e kuptuar as vetë  shtova: Atëherë nënë më gjej një vajzë siç e di vetë.’

 

Nëna u gjallërua, zëri i saj u bë i mprehtë.

 

‘-Të gjen nëna, tha. Unë nuk i di çupat e reja se jam plakë, por miqtë që kemi rrotull i njohin dhe i dinë.’

 

Lidhja me Meritën u bë në bazën e rekomandimit dhe dëshirës së mirë të nënës, të miqësisë dhe të fqinjësisë, siç ndodh rëndom me djemtë e mërguar me vite larg në dhjetëra male kaptuar, në dete, oqeane.  Kur i thanë nënës për Meritën, vajzën e Kumrie Tamburasë që cila punonte në postë. Nëna e pa e pëlqeu, pastaj gjithë shend e verë më lajmëroi të shkoja, të shihja vajzën, të bisedoja me të dhe për hair qoftë, të vendosja.

 

Takimi me Meritën dhe familjen e saj u bë në shtëpinë e Lefterisë fqinjës sonë të vjetër.  Merita qëndronte ulur në cep të divanit të kuq të Lefterisë, veshur me një fustan të thjeshtë, me lule por që i derdhej bukur në trup dhe mbante vazhdimisht sytë përtokë. E kisha të turbullt kujtesën për Meritën, siç ma treguan në fotografi me veshje sportive dhe buzëqeshje të ëmbël si në kartolina. Mbase ngaqë ajo jetonte në lagjen e lumit dhe mua më binte shumë rrallë rruga për andej. Në takimin dypalësh më shumë folën Kumria, nëna e Meritës dhe Lefteria, fqinja jonë. Nëna luante kryet ngadalë dhe fshinte lotët me cepin e shamisë së bardhë. Ajo ende pa u çmallur mirë me mua, nuk i durua sa të më tregonte nusen e ardhshme, duke mërmëritur : ‘Biro ti ngrohet zemra nënës për një fllad nuse.’

 

Heshtja, akoma kisha në fyt lëmshin e madh të mallit dhe nostalgjisë. Merita mbante kokën pakës të anuar mënjanë, bardhoshe e kolme, plot vlagë dhe afsh. Gjoksi i plotë ngrihej dhe ulej me shpejtësi, buzët e plota gjithë tul i mbante pakës të hapura. Flokët e zinj dhe të dredhur i derdheshin si ujëvarë. Në qafën e bukur dhe të bardhë i dallohej një nishan i zi. Pa e kuptuar më hipi dëshira marroqe ti puthja atë nishan. Ajo puliste qerpikët e gjatë, si krahë dallëndyshe dhe e pasigurt shtronte mbi gju palën e fustanit të kaltër. Unë e vështroja herë pas here, më pëlqente, e freskët e ëmbël, ndezëtare,me dy gropëza të hijshme në faqet e purpurta, nuk kish të sharë. Ajo buzëqeshte ndrojtur dhe zbriste shikimin butë në dysheme.

 

Mbasi përfundoi ceremonia e prezantimit dhe e hollësive të mëtejshme për dy njerëz që do lidhnin jetën për fare së bashku. Përfaqësitë u tërhoqën me buzëqeshje mirëdashje. Na lanë të dilnim të shëtisnim, të bisedonim dhe të njiheshim më mirë. Dita ishte plot diell dhe në bulevardin kryesor të qytetit kishin shpërthyer lulet e blirëve. Ne ecnim në heshtje ngadalë, krah për krah nën erën e mrekullueshme të blirëve. Më dukej sikur kurmi i saj fërgëllonte. Më në fund e theva heshtjen dhe fillova ti flisja për qytetin e madh dhe jetën e vrullshme, ujëvarën e famshëm të Niagarës, liqenet e ngrira në dimër, ku të rinj dhe të reja luajnë me patina. Merita dëgjonte kokë anuar dhe s’fliste,kuptohej ajo ndjehej e ndrojtur por sytë e saj vezullonin.

 

Lefteria më rekomandoi të shkoja në një lokal në fshatin e Boboshticës me ambientet të qeta dhe intime. Lokali ish vërtet interesant dhe karakteristik dhe ne darkuam me mish qengji. Vetëm unë flisja, ajo dëgjonte e përqendruar dhe më ndërpriste rrallë, me pulitjen e pandërprerë të qerpikëve. Kur u ndamë e pyeta:

 

‘Merita a do dëshiron të jetosh me mua në Kanada?’

 

Merita ngriti kokën vrulltas dhe me lëvizje nazike hodhi flokët mënjanë. Më vështroi gjatë dhe luajti kryet në shenjë pohimi. Mu duk një pohim i çiltër që nuk kish nevojë për shumë fjalë dhe unë e putha lehtë në buzët tulta. Ajo nuk lëvizi, qëndronte symbyllur dhe unë e putha përsëri...

 

 Mezi e pres Meritën te vijë, ta përqafoj me mall dhe dashuri, të puth buzët e saj të kuqe si dy qershi belice, ti përkëdhel flokët e zinj dhe kaçurrela, të cilat i derdhen në shpatullat e hijshme si ujëvarë dhe të prehem për një copë herë në gjoksin e plotë dhe të fortë, të ndjej erën e këndshme të kurmit të saj dhe të besoj vërtet se gjithsecili ka nevojë të dojë dhe ta duan.          

 

Rregullova me kujdes letrën e tejdukshme të buqetës me karafila dhe trëndafila. Brodha vështrimin moskokëçarës në mizërinë e pritësve të afërmeve të tyre, të grumbulluar përpara dyerve vetëlëvizëse të aeroportit të madh. Jeta si gjithnjë është e ngarkuar me ikje, pritje, takime, çmallje dhe përqafime. Udhëtarët e lodhur prej fluturimit të gjatë dhe të rënduar nga valixhet, ndjehen të lumtur kur dëgjojnë klithmat e gëzimit dhe të pritjes.

 

 U mbajta erë me ëndje karafilave dhe trëndafilave. Ato janë të freskëta dhe lëshojnë erë  dehëse. Erëmirën e luleve e ndjenin të gjithë pritësit ndaj ktheni kryet nga unë kur lëvizja afër tyre. Bëja kujdes kur mblidhja gishtërinjtë rreth buqetës, të mos e zhubrosja letrën e tejdukshme mbështjellëse dhe lëvizja rrëshqanthi me frikën e përplasjes së paparashikuar.

 

Buqetën me lule e bleva pesëdhjetë dollarë në dyqanin luksoz të luleve ‘Ada’. Sa herë bënin shëtitjen e së dielës Merita ngadalësonte hapat, thithte me etje erën e mrekullueshme të luleve dhe sodiste me zili karafilat, trëndafilat, tulipanët etj, vendosur kujdesshëm në vitrinë dhe habitej me aromën dhe freskinë e tyre, paçka se jashtë binte borë. Por çmimet e luleve të këtij dyqani ishin të kripura. Kur e përcolla Meritën i premtova se kur të kthehej do ta prisja me karafilat dhe trëndafilat e dyqanit të luleve ’Ada’. Prisja të rrihte shuplakat dhe të bërtiste prej kënaqësisë. Ajo ish e përhumbur prej merakut të sëmundjes së papritur të babait dhe nuk më ktheu përgjigje.

 

Kumria dhe Lefteria më këshilluan, para se të largohesha të shpallnin fejesën dhe të bënin celebrimin në gjendjen civile, për të lehtësuar procedurat burokratike të tërheqjes sa më shpejt të Meritës në Kanada. Normalisht nuk ka kuptim që çifti i ri të qëndrojë i larguar prej njëri tjetrit. Merita është shegë e arrirë.

 

Qëndrimi një muaj në vendlindje përfundoi. Nëna u sëmur dhe në aeroportin e ri të Rinasit më përcolli Merita. Mu duk shumë e bukur Merita. Vajza me të cilën do lidhja jetën përgjithmonë më mbushte shpirtin. Era luante marrëzisht me flokët e zinj dhe kaçurrela. Pa u larguar ndjeva mall për të. U puthëm, u përqafuam. Vështrova ngulët fytyrën e saj të trëndafiltë. Ajo mblodhi supet e hutuar dhe mbështeti kokën e bukur në gjoksin tim. Zemra ime rrihte me vrull, jeta ime ndryshoi, pas lashë një vajzë të bukur dhe që më do.

 

Në krye të gjashtë muajve Merita erdhi në Kanada. Ndërkohë lashë dhomën e ngushtë të përshtatshme për një mashkull beqar dhe zura me qira një dhomë të madhe me një kuzhinë me pamje piktoreske nga liqeni. Të gjitha mobiliet, divanet, kolltukët, shtratin e madh, bufenë, televizorin fllat, i bleva të reja në dyqanit italian të ‘Lionit’. Mbushja e ambientit me orendi moderne më kushtoi, por unë kisha punuar aq sa të krijoja kushte të mira jetese për veten dhe gruan e re.

 

Merita erdhi gjithë dëshirë dhe energji. Ajo dëshironte të përshtatej sa më shpejt me qytetin e madh. Një fllad i freskët gjithë musht dhe jetë fryu në ambientin e rregulluar me shije dhe në familjen e re. E regjistrova Meritën në kursin e përshpejtuar të gjuhës angleze. Shpesh herë ajo kaplohej prej mendimeve dhe kur e pyesja me thoshte se nuk ish mësuar të largohej prej vendlindjes. E kish zënë malli për familjen sidomos për të atin, Demirin, për të kish debulesë. Demiri ish një burrë i imët, fjalëpakë, me sy të fryra që e kish shumë për zemër konjakun dhe fërnetin. Kur i dhurova një shishe me konjak, ai më vështroi sy të rrëmbushur dhe iku në dhomën tjetër.

 

Lodhja e punës dhe rrugën e gjatë dhe stresi e përditshëm u fshi si me dore, në shtëpi më priste një njeri që më donte dhe e doja. Streha e shtëpisë ishte e ngrohtë. Ecja e Meritës në përvetësimin e gjuhës angleze ishte e lavdërueshme.

 

Një natë përpara bërjes së seksit Merita mu lut të ishim pak të kujdesshëm, nuk kish përse të nxitoheshin për të zënë fëmijë. Kohën e kishim përpara, të krijonin njëherë mundësi për të ardhmen, të merrnim plotësisht eksperiencë nga vendi ku jetojmë, pastaj... Më fal, të lutem më fal, ia bëri ajo dhe më rrasi kokën e bukur në gji.

 

E aprovova pa mëdyshje. Merita buzëqeshi e kënaqur dhe si një lozonjare u lëshua e shkujdesur në krahët e mi. Kisha parë shumë miq të cilët kishin fëmijë, mezi u dilte të paguanin morgiçin, çerdhet e fëmijëve, taksat e ndryshme,ndaj punonim me turne të kundërta. Ata një e dy më ankoheshin, për vështirësitë e përballonit të jetesës.

 

Mbas katër muaj duke më puthur dhe përdredhur si dhelpërushe mu lut ta ndihmova të futej në një kurs privat të plotë për farmaceutikë. Pa mëdyshje pagova për të dhjetë mijë dollarë. Paratë ishin kurrgjë në krahasim me ndihmesën që do ti jepte ajo në të ardhmen familjes sonë të re. Merita studionte me këmbëngulje. Shpesh herë bëhej nervoze dhe e paduruar duke më thënë se kish shumë terma të pakuptueshme dhe i duhej në çdo paragraf të shfletonte fjalorin. Unë e qetësoja edhe pse isha i lodhur e ndihmoja në zbërthimin e fjalëve. Ajo gëzohej dhe më puthte fort në buzë. Pa kuptuar ngrysej, tërhiqej dhe bëhej e padepërtueshme.

 

Disa gjëra dhe trille femërore Merita tërhiqej mënjanë dhe i fshihte me fanatizëm. Unë e vështroja i habitur. Ajo më puthte cepin e buzës, pastaj ma kapte me majat e dhëmbëve, më përdridhej përpara hundës dhe qeshte si çilimi. Tërhiqesha në çast, nuk më dukej fort e hijshme të ngulmoja, më bëhej se do dukesha në sytë e saj një skuth i keq. Zakonisht femrës i pëlqen të mbajë për vete disa sekrete të vogla simpatike, për tu bërë pakës enigmatike. Qeshja me zemërgjerësi dhe ajo shkrihej prej kënaqësisë.

 

Në ceremoninë e marrjes së certifikatës, të përfundimit me sukses të kursit mora lejë nga puna. Merita qëndronte hijshëm ulur në stol veshur me uniformën blu dhe kordele të kuqe të graduantit dhe më përshëndeste lehtë me dorë. Ishte vërtet një ngjarje e rëndësishme, më shumë isha unë i emocionuar se sa ajo. Kur iu thirr emri Meritës për të marrë certifikatën brofa në këmbë i emocionuar duartrokita dhe fërshëlleva. Ajo eci rëndë- rëndë dhe mua më erdhi për të qeshur. Darkuam në një lokal luksoz, në qendër të qytetit, pimë verë ’Bordo’ dhe unë lashë dyqindepesëdhjetë dollarë. Të dy kishim ardhur në qejf. Kur hymë në dhomë Merita më kërkoi ta mbaja në krahë. Unë e ngrita hopa e putha fort në gushë dhe e gudulisa por kur u zhveshëm lakuriq për të bërë seks, çuditërisht u bë krejt esëll. U ngrit vrulltas në këmbë, veshi me shpejtësi te brendshmet, këmishën natës dhe më kundërshtoi prerë, me ngulm.

 

Të nesërmen si zakonisht u ngrita herët. Kokën e kisha pak të rëndë prej verës që vazhdova më vonë, kundërshtimi i saj më mërziti. Merita u rrotullua në shtrat, futi krahun poshtë jastëkun, puliti qerpikët dhe u shtriq. Ndiqte me vëmendje lëvizjet e mia. I thashë:

 

‘-Ditën e mirë!’

 

 Ajo luajti kryet dhe fërkoi mjekrën mbas jastëkut. Shikimin i saj ish i zbrazët, nuk kish mbetur në to asnjë gjurmë prej euforisë së djeshme. Zbrita poshtë, ndeza makinën prita disa minuta të ngrohej motori dhe u nisa për në punë. Nuk më hiqej prej mendjes ndryshimi i beftë i mos dëshirës së Meritës për të dhenë ngrohtësi. Ajo më habiste gjithnjë me ca ndryshime dhe trille të befasishme, aq sa ndjehesha i pështjelluar. Herë më dukej më e brishtë nga ç’duhej, si një fëmijë e llastuar, mbasi prekej shpejt për hiç mos gjë, trishtohej dhe përlotej.

 

Kur u ktheva e gjeta Meritën duke qarë me dënesë. E harrova në çast mërinë mbrëmshme e afrova pranë me kujdes, i përkëdhela flokët e butë si kadife dhe e pyeta përse qante. Ajo ngriti kokën, mjekra i dridhej, prej ngashërimit. Fytyra e saj mu duk e zbehtë dhe sytë e skuqur. Mu dhimbs gruaja, çfarë kish ndodhur? I bëra një kafe të fortë dhe prita me gjakftohtësi të ndalte ngashërimin dhe të fliste. Më në fund mora vesh se Demiri, pijetari shembullor i konjakut dhe fërnetit, babai i saj ishte i sëmurë rëndë nga zemra. Ajo mblodhi shpatullat, fshiu hundët dhe shtoi:

 

‘-Aty në vendlindje mjekët të shikojnë duart dhe përkujdesja për të sëmurët është për faqe të zezë.’

 

‘-Sille këtu,’ i thashë pa e zgjatur.

 

Merita u çel në fytyrë, brofi prej shtratit dhe mu hodh në krahë.

 

U interesova të tërhiqja formular nga ambasada dhe i dhashë Meritës ta mbushte dhe ti a niste menjëherë familjes. Kur shkoja në punë e lija gruan të ngrehur, ajo gjithnjë kontrollonte postën dhe qëndronte në pritje të telefonatave, për aprovimin e vizës së të atit për të ardhur në Kanada.

 

Merita shkoi në vendlindje e mërzitur për të sjellë të atin dhe për ti bërë këtu operacionin koronar të zemrës. E merrja në telefon por më dilte Kumria, e ëma e cila më fliste me zërin si piskamë, sa më shurdhonte veshët, se Merita më të shumtën e kohës qëndron në spital pranë të atit. Mu leqendis çupa...

 

Vështrova orën e dorën, ishte koha që të shfaqej Merita të vraponte drejt meje dhe të më hidhej në krahë. Ish emocion apo shqetësim e ndoshta e kisha nga malli dhe padurimi. Ikja e saj ma la shtëpinë bosh dhe për të mos qëndruar vetëm shpesh punoja dy turne. Piva një kafe të mesme shpejt e shpejt me sytë e mbërthyer nga dyert e mëdha lëvizëse.

 

Me sa mësova avioni Alitalia, Romë-Toronto, kish më shumë se tre orë që kish mbërritur në aeroport dhe Merita nuk po dukej. Mu shtua meraku për vonesën e paparashikuar. Merita kish qenë shumë e preokupuar me sëmundjen e të atit dhe orën e saktë të mbërritjes ma tha nëna. Mos ndoshta i kish ndodhur Demirit ndonjë krizë e fortë zemre, ose ndonjë keqkuptim i rëndomtë me valixhet? Buqeta e madhe me lule më lodhi krahun dhe unë e hodha në dorën tjetër. Pritësit kthenin kokën me kujdes dhe u mbanin erë luleve të buqetës sime. Ngado që lëvizja shpërndaja aromë luleje erëmirë dhe nuk u pendova që pagova pesëdhjetë dollarë për to.

 

Gishtërinjtë që mbanin të shtrënguar tufën me karafila dhe trëndafila mu qullën shpejt  dhe lëvizën pakujdesish mbi mbështjellësen e lëmuar dhe të tejdukshme. Fleta u zhubros dhe kërciti lehtë. Gishti i vogël u pickua dhe u gjakos prej gjësendi. As vetë nuk e mora vesh nga u ndodh ai tel i mprehtë apo gjemb në atë buqetë të shtrenjtë me lule kundërmuese që përgjaku dorën.

 

Më mbërtheu një nervozizëm i pakuptueshëm. Fshiva gjakun me një copë letër që mu ndodh në xhep dhe lëviza sa më afër, duke mbajtur buqetën me lule lart me kujdesin e eliminimit të ngjeshjes së pakontrolluar të pritësve.

 

U mbështeta në kolonën e betontë dhe nuk vendosja se çfarë duhej të bëja. Të merrja dhe një kafe tjetër, por rreziku i pagjumësisë ma largoi këtë dëshirë. Dyer hapeshin dhe mbylleshin me shpejtësi, dilnin udhëtarë të rënduar prej valixheve. Dreqi ta hajë qenka torturuese pritja. Sidoqoftë kur pret njeriun që do dhe ke lidhur jetën, pritja dhe takimi i afërt me të merr një kuptim më të madh dhe zemra të gufon prej gëzimit.

 

Ja, më në fund doli Merita duke tërhequr pas dy valixhe të madha dhe të kuqe. Ajo kur iku mori me vete vetëm një valixhe të vogël blu. Fytyra e Meritës dukej e skuqur si e flakëruar, flokëshpupurishur.

 

‘-Merita, Merita! i thirra  dhe tunda buqetën me lule. U turra drejt saj, për ta ndihmuar, mos më lodhej  gruaja. Ç’ishte e nevojshme të sfilitej, të mbarte lecka në mijëra kilometra kur unë e porosita disa herë. Ajo tashmë e di, këtu të gjitha gjërat janë shumë më të mira dhe më të lira. Eh, femrat si femra!

 

‘Merita!’ thirra përsëri.

 

Ajo shkundi kokën me vrull, më hodhi një vështrim të ngrirë dhe puliti qerpikë. Me trupin e tendosur dhe kokën përpara tërhoqi valixhet për në drejtim të kundërt.

 

‘Merita!?’

 

Kaq të jetë hutuar, lodhur dhe ti jenë shurdhuar veshët Meritës prej këtij dreq fluturimi? Kot nuk morra lejë dhe nuk shkova me të. Kur gjendesh i larguar, i vetëm në vend të huaj, preokupohesh dhe e do akoma më shumë njeriun me të cilin ke lidhur jetën. Eh, Merita, Merita, do më bësh me zemër ndonjë ditë. U afrova me ngut dhe qëndrova përpara saj, i lumturuar i zgjata buqetën me lule. I çliruar prej ankthit dhe i malluar bëra të përqafoja. Merita për një sekondë ngriu, befas tërhoqi me forcë kokën prapa. Më vështroi ftohtë, gjithë egërsi si të kish përpara një të huaj. Rrotat e vogla të valixheve u fërkuan ashpër pas parketit.

 

Atë çast pranë saj u afrua një djalë i gjatë, hundëgjerë, fytyrëegër, me një vëth të madh në veshin e djathtë.

 

-Hapna rrugën! hungëriti.

 

-Po takoj gruan time, fola i pështjelluar dhe me zë të mbytur.

 

-Mos na mërzit shumë, largohu! shkrofëtiri ai.

 

-Ore, je mirë nga trutë ti, bërtita, goja mu bë farmak. Merr vesh ti, po takoj gruan time?!

 

 Inati po më shkundte gjoksin. Ç’ kërkonte ky njeri prej meje. Shtrëngova grushtet gati për sherr dhe ndërkohë vështrova përreth mos shihja ndonjë polic. Merita përgjoi e ngrehur vështrimin e tim të murrëtyer dhe ma bleu mendjen. Brenda një viti i kish studiuar mirë ligjet kanadeze dhe me siguri më kish kaluar ujët nën rrogoz, me telefonatat dhe letrash sekrete. Ajo lëpiu buzët e përthare dhe na bëri me kokë të lëviznin diku më tej

 

-Duhet të qetësojmë gjakrat. Pëshpëriti dhe eci e para. Rrotat e vogla të valixheve u fërkuan zhurmshëm pas parketit.

 

Diku larg ajo qëndroi hodhi vështrim gjetiu dhe foli me zë të ashpër, gati urdhërues, shumë të huaj për veshët e mi:

 

-Do na çosh në shtëpi, apo të shkojmë të flemë gjetiu?’

 

Merita e brishtë, delikate që trishtohej dhe përlotej për hiç mos gjë qe tjetërsuar e rëndë, autoritare e paturpshme. Dora më djersiu tmerrësisht, tufën me karafila dhe trëndafila e hodha gjithë maraz dhe e ngjesha në dorën tjetër. Pëllëmba mu shpua dhe mu përgjak keq. U kapërdiva me vështirësi, përqendrova nervat, një shkundje e madh po ndodhte. Gryka më digjte dhe me zë të mbytur fola:

 

-Me orë të tëra të prita për të çuar në shtëpi.’

 

-Po unë dua të vij me Çimin, ia bëri ajo.

 

-Po kush është ky Çimi? Gërhita me dhembje.

 

Rrotat e vogla të valixheve fërkuan ashpër pas parketit, mu gërryen zorrët.

 

-I dashuri im, dëgjova.

 

-Çfarë, fola zëngjirur dhe vështrova syçakërritur njeriun që kisha përpara dhe që quhej gruaja ime.

 

Me tërbim bëra shuk buqetën me karafila dhe  trëndafila, i flaka në koshin më të parë. Dora mu përgjak sërish. Ndjehesha i mjerë, gruaja më kish vënë brirë...

 

Mars 2011



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora