Kulturë
Halil Haxhosaj: Vepër me tekste këngësh popullore
E shtune, 12.03.2011, 08:13 PM
VEPËR ME TEKSTE KËNGËSH POPULLORE
Zekë Lushaj: “Jehon kënga e çiftelia”, botoi Shtëpia botuese “Gjon Nikollë Kazazi”, Gjakovë, 2011.
Nga Halil Haxhosaj
Treva e Dukagjinit në përgjithësi, por ajo e komunës së Deçanit në veçanti, kanë qenë dhe janë të njohura për kultivimin dhe këndimin e këngëve popullore me karakteristika dhe veçori dalluese nga trevat dhe krahinat e tjera kombëtare shqiptare. Kjo trevë është e njohur edhe për këngëtarë e rapsodë të dëgjuar, të cilët kanë lënë gjurmët, madje edhe “mekamet” e tyre karakteristike si: Dervish Shaqa, Demush Neziri, Sadik Meta, Musë Alija, Bajrush Doda, Bilall Arifi, Tahir Delija, Lan Dobra, Hysen Uka, e shumë të tjerë. Këto gjenerata paksa më të vjetra, pse jo edhe pioniere të këngëtarëve popullorë të kësaj ane, sot pasohen prej disa këngëtarëve dhe rapsodëve të njohur në këtë trevë.
Në mesin e tyre është padyshim edhe Zekë Lushaj, i cili në këto anë njihet për një “mekam” të veçantë prej këngëtari popullor në njërën anë, por edhe hartuesi të teksteve të këngëve të tij që i këndon, në anën tjetër. Volumi i këtyre teksteve të Zekë Lushajt është bukur i madh, andaj ai vendosi që ato t’i bashkojë dhe t’i botojë në librin e tij bukur voluminoz me titull “Jehon kënga e çiftelia”. Ky libër i Zekë Lushajt e ka epitetin “rapsodi” me të cilin e ka pagëzuar autori, edhe pse brenda ballinave të tij ka edhe forma dhe lloje të tjera tekstesh të këngëve popullore. Por, mbase kjo i përshtatet thënies sepse edhe vet autori Lushaj është rapsod i njohur i kësaj treve, por edhe më gjerë.
Libri “Jehon kënga e çiftelia” ndërtohet mbi një strukturim të përbërë prej dhjetë qerthujsh, njësish apo ciklesh, të cilët në të vërtetë janë pjesë, e pse jo edhe kapituj që në njëfarë mënyre mund ta kenë edhe pavarësinë e tyre. Por fatmirësisht secili prej tyre mund edhe të inkuadrohet suksesshëm në njësinë tërësore të librit, për të frymuar bashkërisht. Secili prej kapitujve ka tekste këngësh që për një mënyrë, arsye dhe nuancë përkojnë njëri me tjetrin, por edhe kanë një gërshetim mozaikor që krijojnë një përgjithësi të këngëtimit të këngës karakteristike të kësaj treve dhe të Zekë Lushajt si rapsod popullor poashtu specifik.
Në secilin prej cikleve, vargjet e autori Zekë Lushaj në këtë përmbledhje tekstesh të këngëve për nga afërsia tematike, janë domethënëse, ciklore e reciprokisht të shtrira mirë e pse jo edhe historike. Mbi këto shtylla frymon libri, por edhe shpaloset historia kombëtare nëpërmes teksteve, por edhe çiftelisë së rapsodit Zekë Lushaj. Nëpër këto unaza qerthullore defilojnë, parakalojnë dhe renditen edhe trimat, heronjtë, martirët dhe luftëtarët që dhanë gjithçka, madje edhe jetën për lirinë shekullore si: Bajram Curri, Skënderbeu, Oso Kuka, Shaban Hoxha e deri tek martirët, luftëtarët dhe trimat e UÇK-së, si: Adem Jashari, Haradinajt, Sali Çekaj, Enver Dobraj, Zekë Hasan Metaj, Nazmi Gradina, Hysni Dautaj, Gëzim Vishaj, Skënder Çeku, Ibrahim Osmani e shumë e shumë të tjerë. Bile, ky qerthull, i cili radhitet i dyti në libër, e që mban titullin “Këngë heroike”, pothuajse përkon dhe korrespondon suksesshëm me të gjithë qerthujt e tjerë që kanë tematikë të tillë. Duke i lartësuar këto figura të ndritshme e të lavdishme të historisë sonë, Zekë Lushaj si autor tekstesh, por edhe si rapsod, ia arrin qëllimit të parë që është përjetësimi i historisë sonë në këngë, e cila mbetet trashëgim brez pas brezi. Qëllimi i tij përkon edhe me të gjitha nuancimet që në një formë apo tjetër kacafyten me harresën që nuk e lënë të mbretërojë në analet e kësaj jete. Derisa duket se diku-diku përsëriten disa tema por edhe motive, kjo tejkalohet me interesimet dhe shtresimet e nduarduarta që janë synime të autorit dhe rapsodit Zekë Lushaj. Këtë ai e bën sepse secilit tekst me sukses ia krijon edhe melodinë, e cila është adekuate për këngën që merr formën e të kënduarit me çifteli, apo siç thuhet në titullin e librit “Jehon kënga e çiftelia”. Të tilla janë edhe tekstet e qerthullit të tretë me titull metaforik “Re të zeza mbuluan qiellin” ku këndohet për tragjedinë e Kosovës në kohën e luftës, të nëntë hereçasve nëntë sllupjanëve, të markalleshve të Vraniqit të Gjakovës, për masakrën e Qyshkut e të tjera. Autori nuk harron të përmend edhe Betejën e Loxhës dhe shumë beteja të njohura të luftëtarëve të UÇK-së gjatë luftës çlirimtare.
Përveç kësaj tematike që është dominuese në libër edhe në qerthujt e të tjerë thuren tekste për Kosovën, Shqipërinë, për çështjen kombëtare, për traditat kombëtare, për veset, por edhe virtytet, adetet e zakonet etj. Janë shumë interesante edhe disa tekste me tematikë humoristike e satirike, të cilat kanë veçori specifike të Zekë Lushajt si autor teksti dhe si këngëtar . Madje, shumica prej tyre janë të njohura nga publiku i gjerë, apo thënë me gjuhën bashkëkohore të muzikës, janë bërë hite. Andaj hitet e tilla nuk mungojnë në këtë libër voluminoz të Zekë Lushajt. Bile, ato dallohen për formën, tematikën, motivin dhe qëllimin që kanë.
Në librin “Jehon kënga e çiftelia” të autorit Zekë Lushaj ekzistojnë edhe disa veçori dhe karakteristika të tjera. Ato janë gërshetim i një gjendjeje që duhet të ndërthuret me trajtimin dhe motivimin tekstor, por edhe përmbajtjesor e melodik. Më së shumti kjo vërehet në gjuhën e përdorur e cila është paksa specifike dhe tejet interesante. Kjo gjuhë qëndron në mes të popullores dhe deri diku normatives së shqipes së standardizuar. Por, ky gërshetim gjuhësor duket shpesh jo i qëllimshëm dhe jo normativ. Kjo rrjedh nga ajo se tekstet e këngëve popullore dhe folklorike përdorin gjuhën popullore, madje edhe atë të dialektizmave dhe lokalizmave. Por kjo nuk ndodh tek autori Zekë Lushaj, sepse ai në tekstet e veta bën një gërshetim gjuhësor duke mos iu përmbajtur as normave letrare, gramatikore, por as atyre popullore dhe dialektore. Por, fatmirësisht kjo gjë nuk e lëndon aq shumë këtë vepër, sepse edhe kjo gjë duket se kalon në formën e “mekamit”, por edhe të stilit të shkrimit të Zekë Lushajt, kësaj radhe kështu siç i shkruan tekstet e këngëve të veta. Kështu për shembull hasim edhe këto forma: “ tu i dhanë/ me shkua/ me ua shlye/ më shumë me i vra/ e të tjera.
Por, thënë në tërësi, libri “Jehon kënga e çiftelia” i Zekë Lushajt ka, mbi të gjitha një rëndësi, e cila do të shfaqet në të ardhmen jo vetëm nga dëgjuesit, por tash edhe nga lexuesit e këtyre vargjeve. Besojmë se vlera e teksteve dhe këngëve do të ketë jehojë me dhe pa çifteli.