E hene, 29.04.2024, 01:24 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhovani Shyti: Ditët e frikshme 1997

E diele, 13.03.2011, 12:29 PM


Xhovani Shyti

 

Libri i ri

 

Ditët e frikshme 1997

 

      Sa shumë varre u hapën në ato ditë të vitit të mbrapshtë ’97. Sa shumë plumba, predha, mina, granata, bomba dhe eksplozivë shpërthyen, sa shumë kallashnikovë, karabina, antitanke e grykatankesh u zbrazën, sa shumë mitroloza të lehtë e të rëndë, sa shumë mortaja dhe IMKA, që të gjitha të marra nga depot e dorëzuara të asaj që, për katër vite rresht, ishte deklaruar zyrtarisht si ushtria shqiptare e ndërtuar përgjatë periudhës paskomuniste, e cila i kishte kaluar me plot sukses të tre fazat e reformës ristrukturuese, duke  arritur nivelin e strukturave homologe të vëndeve të NATO– s.

 

  Sa shumë përleshje, beteja e prita pabesish u thurrën, sa shumë fytyra të fshehura nën maskat e hajdutërisë... Sa shumë të vajtur në botën e përtejvarrit dhe të tjerë, dëshmitarë të gjallë, të cilët vazhdojnë të mbajnë në kujtesë ankthin e atyre ditënetëve të frikshme, kurse në trup gjurmët e plagëve apo metalin e plumbave e të predhave.

 

   Nëse humbësit e jetës gjatë atij viti të trazuar, nga dallgët sociale, llogariten në rreth 3000 dhe numri i të lënduarve vërtitet tek mbi 10000 vetë, rreth 20% e këtij kontigjenti i përket kategorisë së invalidëve të përjetshëm, ndërsa 10% gjeneratave të fëmijëve….

 

  Vëndet më të goditura nga ky llahtar-vit rezultojnë të jenë prefekturat e Beratit, Vlorës e Gjirokastrës, ku përfshihet bashkësia e rretheve jug-qëndrore: Kuçovë, Skrapar, Poliçan, Tepelenë, Sarandë, Himarë, Përmet, si edhe blloku i rretheve të pjesës qëndrore të vendit: Elbasan, Lushnje, Fier.    pjesën veriore të vendit, si qytetet më të goditura nga krimi  janë Shkodra e Tropoja, që edhe sot e kësaj dite, përveç gjakësive të vjetra të rihapura pas viteve ’90-të, vazhdojnë të vuajnë gjakmarrjet e freskëta të mbjella përgjatë stihisë së vitit ’97, ku nga përleshja brenda llojit njerëzor rezultojnë të jenë zhdukur individë, familje, bile edhe fise të tëra. Ndërkohë nuk rregjistrohet asnjë viktimë ndër rradhët e politikanëve, këtyre kuzhinierëve të këqinj, të cilët, pasi e gatuan çorbën jetëvrasëse, pa kërkuar qoftë edhe një gram falje publike, vazhdojnë të riciklohen në politikën shqiptare, duke luajtur paturpësisht rolin e Krishtit të kryqëzuar për të shpëtuar njerëzimin. Si, qysh, përse...? Kush e mbolli farën e keqe të atij viti që tmerroi jo vetëm shqiptarët, por edhe botën e qytetëruar e cila e tronditur pyeste: “Me kë luftojnë xhanëm”? 

 

 I gjendur në atë kohë në pozicionin e gazetarit të gazetës më të madhe të vendit “ Koha Jonë”, duke shfrytëzuar faqet e ditarit, arkivën time personale, dëshmitë njerëzore, informacionin e ofruar nga shtypi, si edhe disa arkiva zyrtare, jam përpjekur të rreshtoj gjithçka lakuriq, ashtu siç ka ndodhur, me pretendimin që t’i jap përgjigje disa prej këtyre pyetjeve. Gjithçka lëviz midis faqeve të kapitujve të këtyre librave është fakt i virgjër, i papërpunuar nga politikat që erdhën më vonë dhe ka si qëllim të ndihmojë, qoftë edhe pak, për të rivënë në lëvizje kujtesën e munguar historike të shqiptarëve, viktima të këtyre ditëve të mbrapshta…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora