E enjte, 01.05.2025, 07:23 AM (GMT+1)

Mendime

Fadil Lushi: Kah po shkon gazetaria e ''pavarur'' shqiptare

E merkure, 23.02.2011, 08:59 PM


KAH SHKON GAZETARIA E “PAVARUR” SHQIPTARE

 

Nga Fadil LUSHI

 

Të thuash se ky opinion imi gazetar është “autonom a i pavarur” dhe njëkohësisht të trumbetosh mendimin se gjithë ditën e lume kinse në Shqipëri frymojnë dhe ekzistojnë mediet e (pa)varura vizuale dhe të shkruara, kjo është thjeshtë një thënie o e rrejshme o e guximshme. Lexuesit, shpesh do të thonë se i rremë është ai haber i cili realisht është i vërtetë, kurse i vërtetë është haberi që është i gënjeshtërt. Hë, ti lexues i nderuar, ec e merre vesh këtë farë loje a ngërçi fjalësh. E gjithë kjo jologjikë gjen shprehje në shtetet diktatoriale, te shtetet që ballafaqohen me një “demokraci jofunksionale”, si dhe te shtetet që kalojnë nëpër një tranzicion të stërzgjatur dhe të paqartë. Te shtetet diktatoriale mediet e pavarura nuk ekzistojnë, ndërkaq tek ato me “demokraci jofunksionale e tek ato në tranzicion” mediet, sidomos ato që nuk marrin anën e pushtetit, në mënyrë spektakolare do të kërcënohen, do të dhunohen, do të tkurren deri në atë masë sa që edhe do të mbyllen si të tilla, ndërkaq gazetarët e saj do akuzohen për “gazetari kritike dhe klandestine”. (Bie fjala, gazeta “TEMA” dhe redaktori Mero Baze, i cili kohë më parë mori guximin që të “nxjerrë në pazar” sekretet, korrupsionin dhe pisllëqet e pushtetarëve vendorë dhe qendrorë të Tiranës, një gazetë tok me gazetarët e saj mëtoi të zbardhë të vërtetën!?)

 

       Ky shkrim, pastaj shkrimet, opinionet, analizat dhe kolumnet e të tjerëve, që në vijimësi mëtojnë të ndriçojnë diç më tepër nga përditshmëria jonë me shumë lavde e telashe, me shumë “zemërime” dhe bezdi, qofshin ato politike, kulturore a sociale, jo shpesh ju dalin si të neveritshme, të njëtrajtshme, të mërzitshme dhe të zbehta, ndërkaq, për fat të mirë, disave u dalin edhe të suksesshme e të kapshme për lexim. U dalin të neveritshme sepse kur në shkrimet a kolumnet e tyre do të mëtojnë të diskutojnë ndonjë çështje ose edhe të hetojnë fakte dhe prova lidhur me trafikimin e fjalës së lirë, ata nga ana e pushtetarëve do të “penalizohen” me atë fjalën e urtë rreth anijes që “kur nuk i bindet timonit (pushtetit), do t’i bindet shkëmbit..,(gjobës)

Ç’është e vërteta, kështu si shkruhen të lënë përshtypjen se këto toptan do të ngelin peng të lexuesit, ose do të ndodhë e kundërta, që opinionbërësi do ta mbajë peng lexuesin. Do të hetohen madje edhe jo pak raste të tilla kur lexuesit do kërkojnë prej opinionbërësit që të “thurë” asi shkrimesh që do t’i shkojnë përshtati psikologjisë, karakterit dhe filozofisë së të lexuarit të tyre, disa do të kërkojnë edhe shkrime të ashtuquajtura të “porositura” disa të tjerë do të kërkojnë të shkruhet pa tarafe, gjegjësisht shkrime “asnjanëse”, ndërkaq disa do të kërkojnë opinione a shkrime që do të plotësojnë orekset e politikanëve, pa marrë parasysh se cilës provenience politike i takojnë!? Tekefundit, cili do qoftë opinionbërës, kur do të ballafaqohet me kësi “mali kërkesash” o do të “dorëzohet”, o do “gënjejë, o së fundi do e “sikterisë” kërkesën për gjithfarë shkrimesh të “porositura” a të imponuara. Ata opinionbërës që nuk do e përballojnë këtë imponim, që në fillim do të “dorëzohen” dhe kur do të “dorëzohen” do të detyrohen të  bëjnë shkrime të “porositura” a me tarafe, shkrime këto që në vetvete do të akumulojnë çdo gjë, përveç të vërtetës, përveç asaj që parasheh kodi dhe politika redaktuese e gazetës apo edhe gazetave që  jo gjithherë pajtohen me pikëpamjet e autorëve! Ata që do “gënjejnë” në shkrimet e tyre, do t’u nënshtrohen akuzave të atyre që u dedikohet opinioni. Së fundi, disa opinionbërës me kësi qasjesh të tyre, lëre që do ta cenojnë dhe dëmtojnë privatësinë, emrin, imazhin dhe autonominë e të bërit opinione autoktone, por shpesh edhe do të përcjellin mesazhe të paqarta, konfliktore dhe të pandershme nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, do të dalin qesharak në mungesë të minimumit të “paanshmërisë”!?

Të gjithë ata që do të rezistojnë dhe do të kundërshtojnë pushtetin, duke (mos) ndërtuar opinione me përkufizime (të drejta a të gabuara) dhe, kur nuk do t’i shkojnë përshtati po atij pushteti, do hanë thjeshtë kokën e tyre. Të gjithë opinionbërësit që (nuk) do ta marrin përsipër ndjesinë e gabimit dhe pavarësisht se në vijimësi do të hetojnë negacionet e pushtetmbajtësve, do të fajësohen për prostuticion gazetarie dhe do të etiketohen si ”tutkunë Stambolli a edhe Anadolli”!?

   Andaj, e gjithë kjo që ndodh  me gazetat apo mediet e shkruara të Shqipërisë, të krijon përshtypjen se kësaj sfere shoqërore i mungon një ekuilibër i qëndrueshëm, pra një komunikim korrekt dhe i ndërsjellë mes lexuesit dhe opinionbërësit, pushtetit dhe themeluesit të mediumit. Dhe sa herë që opinionbërësi tok me lexuesin, me gazetën dhe themeluesin e saj, do të bëjë përpjekje t’i dalë në mbrojtje fjalës së shkruar e të lexuar, aq herë pushteti do të mëtojë që atë fjalë ta dehumanizojë, çnatyrojë, ta shtrembërojë dhe, në instancë të fundit, ta burgosë, para se ajo ta shohë dritën e saj. Kur kjo “dëgjueshmëri” do të mungojë, atëherë mediumet që janë rreshtuar kundër pushtetit, do të tronditen deri në atë “derexhe” sa që do ta humbin kuptimin e të qenit, gjegjësisht do ta humbasin rolin dhe vendin e tyre në shoqëri. 

     Së fundi, i gjithë ky teatër politik i politikanëve me trille tekanjoze të Shqipërisë politike, s’është kurrgjë tjetër pos një përpjekje e radhës për ta kontrolluar, makiavelizuar dhe për ta sunduar fjalën e shkruar dhe të lirë shqipe edhe ashtu të sakatosur nga “politika primitive, provinciale dhe e inatosur deri në fyt”, që zor se mund të riparohet, sidomos nga “KOKËFORTËT ARNAUTË”, siç një shekull më parë do të thoshte një mik i Sami bej Frashërit, përndryshe një mësues i gjimnazit prestigjioz të Gallatasarajit të Stambollit.

      Edhe mediet e shkruara dhe ato vizuale (në gjuhën shqipe) në Maqedoni ballafaqohen me të njëjtën “politikë primitivë, provinciale dhe katundareske e të inatosur deri në fyt” që në vijimësi, po kjo politikë do mëtojë ta mbajë nën sqetull e nën kontroll politikën redaktuese të tyre! Fati i medieve vizuale në gjuhën shqipe do të “përcaktohet” edhe nga ana e politikanëve aventurierë maqedonas, këtej nënqiellit të kryeqytetit të Maqedonisë, të cilët ditë më parë “hodhën” një “megaloide” të pushtetit te tyre aktual, një megaloide që doli nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve e Republikës së Maqedonisë sa i përket një propozimligji për veprimtarinë radiodifuzive ku do të përfshihen edhe ato në gjuhën shqipe. Ky propozim ligji parasheh që mediet elektronike në gjuhën shqipe në të ardhmen obligohen që të gjithë programin (e TV) ta përkthejnë respektivisht ta titrojnë në gjuhën maqedonase!?? Ky propozimligj nuk është kurrgjë tjetër, pos një precedent politik, shovinist dhe irredentist i llojit të vet, një ligj që është produkt (i radhës) i një politike djallëzore, një propozim ligj, që kështu siç propozohet, të “kthen” në mesjetë apo në kohën e Luigjit XIV.

    Për këtë dhe për arsye të tjera, kundërshtimi ynë ndaj këtij hamam propozim ligji assesi nuk duhet të pezullohet e të heshtet, përkundrazi duhet të jetë më i shprehur dhe më i inatosur, aq më tepër, kur kjo  “megaloide” vjen nga politikanë që u kanë rënë brekët në fund të këmbëve. Një e vërtetë që vonohet, në fund del gënjeshtër, kurse një  rrenë nëse shpesh përsëritet, në fund del e vërtetë, siç do të thotë ky Sazani, maturanti i mëhallës sonë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx