E diele, 28.04.2024, 02:40 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Alkena e Big Brother, ose kur Vajza e Valëve vjen në Tiranë nga Peja

E diele, 20.02.2011, 08:59 PM


Alkena e Big Brother, ose kur Vajza e Valëve vjen në Tiranë nga Peja

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Na ishte një herë Vajza e Valëve, e legjendës së famshme, e cila rrinte çdo ditë diku në bregdetin shqiptar dhe priste të shikonte velën e lundrës së të dashurit të saj, i cili i kishte premtuar se do të kthehej shpejt. Përse po vonohet kaq shumë, mendonte vajza, çfarë do të ketë ndodhur? A mos e mashtroi djali vajzën? A mos ndoshta ai kur iku i tha: “E dashur, kthehem shpejt, po shkoj në Greqi që të ble kripë!” Jo nuk mund t’ i ketë thënë kështu, se vajza do t’ i përgjigjej: “Mos bre u tall me mua, ne kripën e prodhojmë këtu në bregdet, jo vetëm për vete por edhe për banorët e krahinave të tjera. Kështu kanë bërë edhe të parët tanë që nga kohërat që nuk mbahen mend. Ç’ na duhet kripa greke?”.        

Që në kohërat që nuk mbaheshin mend shqiptarët e bregdetit kishin prodhuar kripë për vete dhe për të gjithë trojet shqiptare dhe nuk u kishte shkuar ndërmend që ta blinin në Greqi, Dalmaci, apo Itali. Tekefundit kripa ishte një nga gjërat që mund të prodhohej më së lehti. Nëse Vajza e Valëve e legjendës do të kishte qenë në Big Brother 4 në Top Channel, ku në kuzhinë kishte kripë të prodhuar në Greqi, me siguri që ajo do ta kishte derdhur kripën në tokë me zemërim e përçmim, duke thënë: “Si është e mundur që edhe kripën nuk e prodhoni vetë, por e blini në Greqi, çka ndodhur me ju?” Do të pyeste ajo. Atë që do ta kishte bërë Vajza e Valëve, e bëri Alkena nga Peja, shqiptarja nga Kosova, pjesëmarrëse në Big Brother 4. Opinionisti i reality show, sorosiani, Blendi Salaj, e përjetoi gjestin e Alkenës njëjtë sikur ajo t’ ia kishte hedhur kripën në sy. Njëjtë e përjetoi edhe opinionisti sorosian i “Koha Ditore” në Prishtinë, Halil Matoshi. Në shkrimin e botuar në “Koha Ditore”, në 18 shkurt 2011, me titull “Nacionalizmi si reality show”, Halil Matoshi pyet: “Pse kosovarja Alkena e humbi lojën?”

Por Alkena nuk e humbi lojën për faktin e thjeshtë se në Big Brother 4 nuk pati lojë për të. Big Brother në Top Channel kontrollohet dhe manipulohet nga Fondacioni “Soros” në Tiranë, dhe një nga synimet që kërkohet të arrihet është që të paraqiten gjërat sikur shqiptarët e Republikës së Shqipërisë i perceptojnë shqiptarët e Kosovës si njerëz primitivë, anakronikë. Sorosiani nga Prishtina, Halil Matoshi shkruan për Alkenën se: “Ajo nuk u pëlqye nga shqiptarët në Big Brother 4 për shkak të nacionalizmit të saj anakronik”.

Kështu del se kur një shqiptare nga Peja habitet dhe indinjohet që ndonëse Republika e Shqipërisë ka një vijë të gjatë bregdetare, ku kahmoti është prodhuar kripë, megjithatë kripa që konsumohet sot në tryezat shqiptare vjen nga Greqia, ky na qenka nacionalizëm anakronik! Edhe prodhimi i kripës në vend na qenka nacionalizëm! E kur Greqia shet kripë në Shqipëri, çka është kjo atëherë, imperializëm, sipas logjikës së mësipërme. Imperializëm jo në kuptimin që e përdorte këtë term propaganda komuniste, por në atë kuptim që përdorej në kritikën perëndimore duke filluar që nga shekulli XIX, për të treguar realitetin ekonomik në perandoritë koloniale.

Halil Matoshi thotë se “kripa greke është vetëm kripë dhe s’ka të bëjë asgjë me atdhetarizmin”. Por, z. Matoshi, kur kripa greke shitet në Serbi, e cila nuk ka bregdet, është kështu, por kur shitet në Shqipërinë me vijë të gjatë bregdetare, atëherë ka të bëjë me atdhetarizmin, ose më saktë me mungesën e tij nga ana e atyre që e kanë lejuar këtë gjë. Me atdhetarizmin ka të bëjë fakti që në Shqipëri nuk kemi një industri të prodhimit të kripës dhe pjesa më e madhe e kripës në vend vjen nga Greqia. Kështu, shumë njerëz që do të punonin në këtë industri janë të papunë, dhe shumë para që do të hynin në të ardhurat publike si taksa, mungojnë. Shqipëria ble në Greqi 300 milion euro kripë në vit dhe këtë biznis e kontrollojnë disa tregtarë minoritarë grekë, të cilët e kanë krijuar këtë biznis me para të marra nga shteti grek, i cili ka shpërdoruar për qëllime nacionaliste borxhet që ka marrë nga bankat perëndimore, për të cilat sot Europa detyrohet të implementojë një program emergjent ndihme financiare për ta shpëtuar Greqinë.

Grekët kanë një proverb për të treguar se një njeri është shumë i varfër, thonë se “Ai ka mbetur në kripë”. Logjike se kufiri i varfërisë në një vend me vijë të gjatë bregdetare dhe shumë ishuj si Greqia, është pikërisht kripa. Atje njeriu vetëm pa kripë nuk mund të mbetej, se grekët mund ta prodhonin lehtësisht kripën në bregdet. Ne shqiptarët sot nuk mund ta themi as këtë, se Shqipëria sot nuk prodhon as kripë. E pra Shqipëria ka prodhuar kripë edhe në kohën e pushtimit fashist, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pushtuesit fashistë nuk e ndaluan prodhimin e kripës në vend, ashtu që ta sillnin atë nga Italia, apo Gjermania. Prodhimin e kripës në Shqipëri arriti që ta ndalonte vetëm Greqia.

Greqia e ka siguruar tregun shqiptar të kripës duke ushtruar presion ndaj qeverive shqiptare, dhe duke përdorur lobin greko-amerikan që Washingtoni zyrtar të ndërhynte në favor të Athinës në konfliktin shqiptaro-grek. Pra, një politikë dhe strategji nacionaliste sa nuk ka ku të vejë më. Maqedonia, e cila nuk ka bregdet, ka shfaqur interes për të zhvilluar industrinë e prodhimit të kripës në bregdetin shqiptar, por qeveritë shqiptare kanë pasur drojë nga reagimi i Greqisë dhe deri më tash nuk kanë pranuar këtë gjë. Greqia, e cila është një vend nacionalist, madje ultranacionalist, deri më tash nuk ka parë ndonjë të keqe nga nacionalizmi, madje ka parë vetëm të mira. Shqipëria nga mungesa e nacionalizmit, ose frika për t’ u shfaqur nacionalistë e pushtetarëve, ka parë vetëm të këqija, duke treguar se kur një vend, për një arsye apo një tjetër, nuk bën politikë nacionaliste, atëherë të tjerët përfitojnë prej tij, duke e detyruar që të blerë edhe kripën. 

Alkena Dervishaj kur doli nga Big Brother tha se e arriti atë që donte. Unë kam përshtypjen se as ajo vetë, megjithëse e shkolluar për psikologe, nuk e kupton se deri në ç’ masë është e vërtetë kjo që tha. Alkena në fakt fitoi nga skualifikimi i saj se ata që e skualifikuan atë na bënë me dije se paska një lidhje organike mes të qenit shqiptar “mendjehapur”, “jonacionalist”, “modern”, i çliruar nga “anakronizmat” dhe kripës greke. Shqiptarët për të qenë modernë, europianë, mendjehapur, nuk duhet që të prodhojnë kripë! Kripa në përgjithësi rrit tensionin e gjakut, dhe kripa shqiptare rrit tensionin e gjakut shqiptar, sipas biopolitikanëve sorosianë. Prandaj shqiptarët duhet që të hanë kripë greke.

Alkena në fakt fitoi nga skualifikimi i saj se atë nuk e skualifikuan votuesit por qendra sorosiane që manipulon Big Brother në Top Channel, e cila është e njëjta qendër e cila në 18 tetor 2009, nëpërmjet korrespondentes së Top Channel në Prishtinë, Arta Berisha, i adresoi komandantit të atëhershëm të KFOR në Kosovë, gjeneralit Markus Bentler, disa pyetje që nuk mund të konsiderohen ndryshe veçse si provokacion me prejardhje serbe. Pyetja e parë e gazetares së Top Channel ishte një gënjeshtër e trashë dhe e qëllimshme: “Ju e kini nisur fillimin e detyrës me premtimin se prioriteti juaj do të jetë tërheqja e trupave të KFOR nga Kosova. A nuk ju duket pak si shumë optimiste kjo gjëë”.

Gjenerali Bantler ishte i detyruar që ta përgënjeshtronte sy në sy intervistuesen para kamerave, duke i thënë: “Fjala ‘tërheqje’ nuk është një fjalë që ka dalë nga goja ime dhe më duhet ta them këtë se nuk jam unë ai që i largoj trupat”. Me përgjigjen që dha komandanti i KFOR, nëse Top Channel do të kishte qenë një televizion serioz ishte dashur që ai të ndalonte në këtë çështje dhe të jepte sqarime për atë që ndodhi, duke e larguar nga puna korrespondenten në rast se ajo ishte përgjegjëse për këtë shkelje ekstreme të deontologjisë profesionale. Asgjë e tillë nuk ndodhi dhe kjo është e kuptueshme. Një korrespondenteje të Top Channel në Prishtinë nuk mund t’ i shkonte në mendje që të bënte një pyetje kaq delikate dhe që për më tepër ishte e bazuar në një gënjeshtër të trashë. Kuptohej se vajza po recitonte një tekst të cilin asaj ia kishin çuar nga zyrat e Top Channel në Tiranë. Gazetarja e Top Channel vazhdoi me pyetjen e tretë provokuese, qartësisht të çuar nga zyrat e Top Channel në Tiranë: “Sa do të zgjasë procesi i tërheqjes së trupave nga Kosovaë”.     

Kjo ishte një pyetje sa absurde aq edhe djallëzore se gjenerali porsa kishte thënë se nuk ishte ai që vendoste për tërheqjen e trupave të KFOR, gjë që ishte një vendim politik që do të merrej nga qeveritë e vendeve që kishin trupa në kuadrin e KFOR. Por duket se gazetarja ishte instruktuar nga Tirana që ta shkallëzonte provokimin ndaj komandantit të KFOR. Gjenerali u detyrua të thoshte: “Më lejoni të përsëris atë që thashë më parë. Unë kurrë nuk e kam përdorur fjalën ‘tërheqje’. Unë kam folur për reduktim në varësi të rrethanave”.

Në këtë pikë gazetarja u bë krejt e pasjellshme dhe provokatore në kulm, ose më saktë të tillë qenë ata që e kishin instruktuar, kur e pyeti gjeneralin: “Por vitin, a mund të na e thoni vitinë”. Gazetarja e Top Channel vazhdoi me një pyetje tjetër provokative në kuptimin më të keq të kësaj fjale: “Kur flasim për tërheqjen e trupave të KFOR nga Kosova a nënkuptoni me këtë edhe tërheqjen e trupave amerikane nga kampi Bondsteelë”. Këtu së pari të bën përshtypje fakti se, edhe pse gjenerali Bantler tashmë kishte përsëritur disa herë gjatë intervistës se ai nuk e kishte përdorur kurrë fjalën “tërheqje”, gazetarja, qartësisht sipas instruksioneve, vazhdonte të përdorte pikërisht fjalën “tërheqje”ë! Ata që e kishin instruktuar gazetaren të recitonte pyetjet duket se qenë veçanërisht të interesuar për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, dhe posaçërisht nga baza e Bondsteel, çka pritet me padurim dhe nga Serbia. Gjenerali u detyrua që përsëri të saktësonte se do të ishte e parakohshme të flitej për largimin e trupave të KFOR, si dhe për mbylljen e atij apo këtij kampi të KFOR.

Edhe pse gjenerali e sqaroi çështjen e trupave amerikane, gazetarja, vazhdoi të insistonte tek tërheqja e trupave amerikane, duke bërë pyetjen tjetër, sikur të mos e kishte dëgjuar fare përgjigjen e gjeneralit: “Po për trupat amerikane çfarë mund të na thoni konkretisht, nisur nga ajo që trupat spanjolle tashmë kanë vendosur tërheqjenë” Me këtë pyetje gazetarja, apo më saktë formuluesit e pyetjeve të saj, dolën përfundimisht jashtë çdo standardi të gazetarisë serioze. Tashmë gazetarja nuk po pyeste më thjesht për tërheqjen e trupave, por brenda pyetjes po sillte dhe argumente në favor të tërheqjes së trupave, posaçërisht atyre amerikane. Logjika, apo më saktë alogjika e pyetjes ishte se derisa trupat spanjolle kanë bërë kështu, shembullin e tyre duhet ta ndjekin dhe amerikanët, si dhe të tjerët. Gazetarja, apo më saktë ata që kishin formuluar pyetjet e saj, qartësisht po bënte pyetje tendencioze, por me tendencë proserbe. Gjenerali u detyrua t’ i thoshte: “Ju po më bëni pyetje të forta e kritike politike”. Me këtë ai donte të thoshte se pyetjet politike, aq më tepër të këtij lloji, nuk mund t’ u bëhen autoriteteve ushtarake.         Alkena në Big Brother ishte po aq viktimë, sa komandanti i KFOR në këtë intervistë.

Halil Matoshit, sorosianit nga Kosova, i djeg në sy kripa që derdhi në tokë Alkena se Halil Matoshi prej kohësh elaboron teorinë e kombit kosovar. Halil Matoshi ia ze për të madhe Alkenës se “Kastile, Alkena në Reality Shoë derdhi kripën greke (sic!), pastaj hoqi një yll nga torta e ditëlindjes që simbolizonte flamurin e shtetit të saj, sepse i gjashti yll u përkiste ‘shkieve”.

Për Halil Matoshin, me këtë gjest Alkena ka bërë herezi ndaj kombit kosovar. Por si do ta shpjegojë Halil Matoshi atë se serbët, sipas Kushtetutës së Kosovë, kanë jo vetëm një yll në flamurin e Kosovës, por edhe të drejtën e flamurit nacional serb. Shqiptarët e Kosovës kanë të drejtën vetëm të një ylli në flamur, por jo të mbajtjes zyrtarisht të flamurit të tyre nacional. Të drejtën e flamurit nacional e kanë të gjithë etnitë e Kosovës, deri edhe romët, me flamurin e tyre me rrotë, por jo shqiptarët e Kosovës, të cilët në çdo rast përbëjnë jo më pak se 90% të popullsisë.

Pikërisht kjo anomali e minon që në origjinë projektin e kombit kosovar, të cilin e predikon edhe Matoshi. Kombi kosovar do të kishte mundësi që të krijohej nëse të gjitha etnitë e Kosovës, dhe në rradhë të parë serbët do të pranonin që të hiqnin dorë nga identiteti nacional i mëparshëm, në dobi të identitetit kosovar. Por nuk ka kuptim që kombi kosovar të krijohet duke hequr dorë nga identiteti nacional vetëm shqiptarët e Kosovës, për të cilët identiteti etnik u dashka që të njësohet me atë shtetëror, ndërsa serbët, turqit, boshnjakët, malazezët, romët, të kenë identitet të dyfishtë. Krijimi i kombit kosovar, i përbërë në fakt vetëm nga shqiptarët e Kosovës i intereson shumë Serbisë, për faktin se kështu shqiptarët e Kosovës do të humbin edhe emërtimin nacional në gjuhën shqipe, duke marrë në vend të tij një emërtim në gjuhën sllave. Kështu që nesër Serbia do ta ketë më të lehtë për të implementuar projektet e kahershme për spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët.

Por Alkena është prova se shqiptarët e Kosovës nuk do të pranojnë kurrë që ta falin identitetin shqiptar, në dobi të një kombi të supozuar kosovar, i cili në fakt do të jetë thjesht në ekspedient për shkombëtarizimin e shqiptarëve të Kosovës. Halil Matoshi shkruan: “A janë kosovarët të sëmurë nga nacionalizmi, ani pse gjatë kanë heshtur dhe e kemi fshehur sëmundjen siç fshihet çmenduria: Kosovarët janë racistë!”

Këtu, me “kosovarë”, Matoshi kupton vetëm shqiptarët e Kosovës. Prova se shqiptarët e Kosovës janë racistë, për Matoshin është protesta e shqiptarëve ndaj emërimit të një nëndrejtori të etnisë turke në një shkollë në Kosovë. Por Halil Matoshi nuk thotë gjë për atë që, derisa turqit në Kosovë i kanë me tepri të drejtat si minoritet, shkollimin, shprehjen e identiteti nacional, vendet fikse në parlament, parti me bazë etnike, shqiptarët në Turqi, qoftë edhe ata me origjinë nga Kosova, nuk kanë kurrfarë të drejtash nacionale. Po turqit çka janë?

Halil Matoshi shkruan: “Vitin e kaluar isha në emisionin e Alban Dudushit ‘Top Show’ në Tiranë për të debatuar se a ekziston identiteti kosovar. Para këtij debati të vështirë u dha një dokumentar në të cilin ishin pyetur tironsat se si i shohin kosovarët, pra tjetrin, të dallueshmin. Më bënë përshtypje përgjigjet e dy të rinjve në pyetjen e shtruar, i pari që tha se e habiste një nacionalizëm arkaik dhe shumë emotiv i të rinjve kosovarë dhe e dyta që tha se kosovarët që jetojnë ose kishin jetuar jashtë, janë shumë më të hapur se sa ata që asnjëherë nuk kanë dalë jashtë Kosovë”.

E tepërt të thuhet, të rinjtë e pyetur qenë përzgjedhur nga ata për të cilët sensi i hapjes duhet të shkojë deri atje sa Shqipëria të mos prodhojë kripë, por atë ta blerë nga Greqia. Tash që Alkena ka bërë një faj kaq të madh duke derdhur kripën greke, besoj se Halili, për ta shlyer sadopak fajin, do të hajë kripë greke sa të jetë gjallë. Madje do të ishte mirë që Arbana Osmani dhe Blendi Salaj, ta kishin mbledhur atë kripën greke që derdhi në tokë Alkena dhe t’ ia dërgonin Halilit në Prishtinë që ta hante se me siguri që do t’ i shijonte si sheqer. Alkena që derdhi kripën greke u bë Jeanne D’ Arc (Zhan D’ Ark) e nacionalizmit shqiptar. Nuk ka provë më të bukur për unitetin e kombit shqiptar në dy anët e kufirit, se ky që shpirti i Vajzës së Valëve, të bregdetit shqiptar të Jugut, na vjen në Tiranë i trupëzuar tek një vajzë nga Peja. Të shpresojmë se Halili nuk do të hajë aq shumë kripë greke nga dëshpërimi për këtë, sa t’ i rritet tensioni aq sa të mos pakësohet numri i anëtarëve të “kombit kosovar”, edhe kështu i papërfillshëm. Se Halili mezi e kapërceu pezmin për shpërbërjen e Jugosllavisë, për ruajtjen e së cilës bëri përpjekje të mëdha, duke milituar në partinë jugosllaviste të Ante Markoviçit, në 1990-1991.

Tash e tutje ?ndrra m? e keqe p?r Halil Matoshin, nightmare i tij ka p?r t? qen? kur e ai e sheh veten duke shkuar n? shitoret e Prishtin?s dhe duke gjetur gjithandej vet?m krip? t? prodhimit shqiptar t? mark?s “Alkena”, me ç’ rast ai i telefonin Blendi Salajt n? Tiran? p?r ta pyetur se çka ndodhur dhe merr p?rgjigjen: Po ti Halil ku jeton, Kosova ?sht? bashkuar me Shqip?rin? dhe t? gjith? konsumojn? veç krip? “Alkena”.

-Kuku për ne bre,- vikati Halili Matoshi,- pse nuk thua se qenkemi fikë krejt!

Pastaj Halili ndoshta do të dalë në bregdetin shqiptar dhe do të rrijë atje, në pritje se mos po vjen kripë nga Greqia. E kështu do të krijohet legjenda e Burrit të Valëve, që priste “të dashurën”, pra anijen me kripë greke. Poetike apo jo? Tekefundit në origjinë të marrëzive të Halilit është dështimi i tij si poet, dhe këtu Alkena, si psikologe, mund të flasë më tepër se unë.

 



(Vota: 14 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora