Mendime
Përparim Demi: Rënia e një simboli antikombëtar
E diele, 20.02.2011, 07:58 PM
Rënia e një simboli antikombëtar
Nga Përparim Demi
Enver Hoxha kishte kohë që kishte vdekur. Shqipëria falimentoi si ekonomi, si sistem, si rend shoqëror. Populli shqipëtar i pastrehuar, i paveshur, i pangrënë, i shpronësuar, i shpërfyturuar, i shkombëtarizuar, u ngrit së fundi i revoltuar në 20 shkurt 1991 për të rëzuar statujën e tij, që ishte vendosur në mes të Tiranës.
Diktatura enveriste po jepte shpirt, ishte në grahmën e fundit të saj, e pafuqishme të shtypte revoltën popullore, e paaftë për të vazhduar çmëndurinë e vazhdimsisë së deklaruar nga dhelpra me dy kokë (Nexhmia – Ramiz), aq shumë të trumbetuar nga mediokratët servilë dhe sejmenët e tyre. Kur mbytet anija, të parët që abandonojnë anijen janë minjtë e hambarëve. Kështu u krijua klasa e politikanëve të reformuar të fshehur gjatë asaj furtune shoqërore, të strehuar në gjithfarë shoqatash dhe partish pozante dhe opozante. Pjesa tjetër, më pragmatike, duke ruajtur lidhjet e vjetra thurrën rrjetin e merimangës në kanalet e fshehta të strukturës së dhunshme.
Populli rëzoi monumentin, rëzoi simbolin, shfreu dufin, urrejtjen, mllefin ndaj personit dhe regjimit të tij. Më tej, lëpiu plagët e hapura që kullonin, filloi të lexonte gazetën RD dhe të tjera që dolën më vonë, shprehej i lirë pa pushim dhe pa dëgjuar, sikur donte të rekuperonte periudhën e heshtjes së gjatë. Sikur donte ti mbushte mëndjen vetes dhe të tjerëve se nuk kishte haruar të fliste.
Shqiptarët ishin të çorjentuar për të gjetur drejtimin e duhur, për të vepruar si një trup i vetëm. Uria i hodhi në det, ku shumë lanë dhe jetën, të tjerët kaluan në botën e çudirave, të reklamave, në botën e lirë, ku mund të shisnin legal apo ilegal krahun e punës, të vetmen pasuri që u kishte mbetur nga regjimi që sapo kishin përmbysur.
Kështu ranë në kontakt me anën e padukshme, që nuk e kishin parë në reklamat e RAI-it. Me atë, pjesën më të ftohtë, më të ashpër, më të pamëshirshme të sistemit kapitalist. U befasuan, ulën kokën, shtrënguan njëri tjetrin, filluan punën duke vështruar mbrapa drejt vëndit nga ikën, ndanë djersën me gjysmën e tyre lënë atje pas.
Provë e rëndë i ra për pjesë këtij populli martir.
Sot po festojmë përvjetorin e asaj dite kur rëzuam simbolin, kur u shdruam nga shtetas të shtypur në skllevër të lirë. 20 vjet plot kanë kaluar – sa kohë e gjatë ..., e mjaftueshme për të haruar, e mjaftueshme për të krijuar një brez të pafajshëm, por jo e mjaftueshme për siguruar të ardhmen, perspektivën. E pamjaftueshme për tu bashkuar dhe për të zgjidhur çështjen tonë kombëtare.
Dje në mes të Tiranës bërtisnin ”duam babën”, sot përkujtojmë rëzimin e simbolit të tij. Shqipëria vazhdon të jetë vëndi i kontraditave, i përplasjes të të kundërtave, mes lindjes dhe perëndimit, ku u zhvillua lufta e klasave, ku luftoi shqiptari shqiptarin, ku mjaft deklarohen grekë sikur ashtu do shpëtojnë nga hallet.
Më vijnë në mëndje gjithnjë e më shpesh vargjet:
”O moj Shqypni moj e mjera Shqypni,
kush të ka qit me krye në hi ?
Po ti ke qënë një zonjë e randë,
burrat e dheu të quanin nanë.”
Sot përkujtoj dhe unë nga larg atë ditë...kur morra rrugën e kurbetit.
Bukuresht, 19.02.2011