E shtune, 08.02.2025, 03:40 PM (GMT)

Mendime

Rrapo Hajredin Danushi: Qreqizimi i Shqipërisë së jugut, me ligjet antipronar të Sali Berishës

E diele, 20.02.2011, 07:15 PM


Qreqizimi i Shqipërisë së jugut, me ligjet antipronar të Sali Berishës

 

Nga Rrapo Hajredin DANUSHI*

 

Rregullorja bazë e Kuvendit duhet të jetë që veprimtaria e tij të respektojë Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut që po vazhdojnë të shkelen. Së bashku me këto shkelje dhe greqizimi i Shqipërisë së jugut dhe shkatërrimi pjesë-pjesë i gjithë shqiptarëve po vjen nga ligjet antipronar të imponuara prej Sali Berishës. Disa e vlerësojnë Berishën demokrat dhe atdhetar por veprimet e tij me pronat janë antishqiptare dhe sot ai nuk ka se si të justifikohet për faktin se vazhdimisht ka qenë refuzues për të korrigjuar strategjinë e tij antipronar. Kjo është rruga djallëzore e shkatërrimit të Shqipërisë, e imponuar prej tij dhe që ka filluar me ligjin 7501 dhe ligjet e tjera në vazhdim si legalizimet e ndërtimeve të paligjshme në tokat e të shpronësuarve. Kjo strategji së fundmi po vazhdon me projektligjin për amendimin e ligjit 8053 i propozuar nga Genci Pollo dhe Genci Ruli që synojnë të realizojnë grabitjen e zonave turistike. Prej vitit 1991 Berisha po nxit dhe mbron qytetarët që vjedhin pronën e tjetrit. Ka të drejtë Ambasadori i SHBA z. Arvizu, kur deklaron se korrupsioni është problem i përhapur në popull, por kryediplomati i SHBA nuk është shprehur për shkakun e korrupsionit dhe pse ai po përhapet si asnjëherë tjetër në popull.

Deklaratat që ka bërë dhe ato që vazhdon të bëjë edhe sot Kryeministri Berisha, kundër korrupsionit janë shumë të forta, por realiteti me pronat tregon të kundërtën. Ky realitet e detyron politikanin Sali Berisha, që të qëndrojë i heshtur para shoqatës “Pronësi me drejtësi”, por ai bën çmos të shmangë debatin për pronat, lufton të gjithë ata që kërkojnë dhe ngrenë për diskutim problemin e pronave. Berisha bën presion në mediat që ato të botojnë vetëm shkrimet me objekt kompensimin e pronave dhe nuk i përgjigjet këtyre kritikave publike, prandaj do të dëshironim një deklarim publik të juristes Argita Berisha, nëse ajo i ka dhënë të paktën një këshillë juridike babait të saj, për këtë katrahurë me pronat. Nëse matrapazët dhe pjatëlëpirësit e kazanëve të politikave antishqiptare miratuan ligje me të cilat dora e shtetit vazhdon të shkeli të drejtën e pronës dhe të drejtën për të gëzuar pronën e trashëguar, edhe sa kohë do vazhdojnë këto ligje hajdutësh dhe kjo politikë, klanore antishqiptare.

Nëse diskutimet kritike ndaj deklarimeve të konsullit grek në Korçë, kanë mbushur gazetat dhe ekranet e shumta televizive, në emër të të shpronësuarve nga komunizmi ne japim përsëri sinjalin e alarmit se dëmtim konkret shumë më të madh që po e dëmton realisht Shqipërinë, janë ligjet antipronar me të cilat politikanët e të dy krahëve po vjedhin sa munden pronën private. Kompensimet me të cilat Sali Berisha pretendon tu mbylli gojën pronarëve autoktone janë mashtrim.

Berisha flet vetëm për kompensim dhe legalizime dhe vepron me çdo mjet që pronat e Gjirokastrës, të Delvinës dhe përgjithësisht të Shqipërisë së jugut të grabitura nga komunizmi, t’ua japi atyre që nuk kanë pasur pronë dhe minoritarëve grekë që kanë punuar si punëtorë me mëditje në tokat e pronarëve të ligjshëm shqiptarë. Kështu ai dhe klani tij i shërben greqizimit të Shqipërisë së jugut. Kjo mënxyrë është parapërgatitur nga Berisha dhe politikanët e shitur, që përgatitën, që votuan dhe që vazhdojnë ta mbrojnë ligjin antikombëtar 7501, ligj me të cilin tokat stërgjyshore të familjeve shqiptare u jepen grekut. Këtë e kanë pohuar shkrime të botuara në gazeta të ndryshme si “Tema”, “Metropol”, “Zëri Popullit”, gazeta “Shekulli” etj. Kjo e fundit me datën 16 Shkurt 2011 denoncon një rast konkret të zhveshjes nga prona të pronarëve autoktonë për tua dhënë tokën atyre që deklarohen si minoritarë.

Zoti Edi Rama me datë 11 shkurt 2011 reagoi shumë mire, duke deklaruar se nëse e majta e merr pushtetin do të anullojë çdo privatizim të korruptuar të pronës shtetërore. Po prona private a duhet mbrojtur ? Ne kemi kërkuar dhe kërkojmë që kryetari i mazhorancës dhe kryetari i opozitës të shprehen pse pronat e trashëguara që janë grabitur nga komunizmi, pas vitit 1991 po trajtohen sipas interesave klanore dhe akoma nuk ju janë kthyer pronarëve të ligjshëm. A përputhet me idealet e djathta apo të majta që përfaqësojnë opozitarët Berisha - Rama kjo situatë ku prona vazhdon të vidhet me ligj, dhe kur do ketë konsensus për të zbatuar nenin 181 të Kushtetutës. Zgjidhja e këtij problemi duhet të jetë pjesë e diskutimit në takimin Berisha – Rama që do të ndërmjetësohet nga ndërkombëtarët. 

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, zoti Kreshnik Spahiu, hartuesit e Kushtetutës, deputetët, gazetarët, opinonistët, pjesa që nuk janë ushqyer dhe nuk kanë detyrime ndaj çorbës dhe politikave antishqiptare, nuk duhet të mjaftohen vetëm me veprime të dorës së dytë por duhet të veprojnë me përparësi dhe intensivisht derisa prona e grabitur ti kthehet të zotit në përputhje me nenin 181 të Kushtetutës. Vetëm pas kthimit të pronës tek i zoti veprimtaria nën rrogoz e pasuesve të Venizelos, të Sebastianos dhe të konsullit grek në Korçë, bëhet qesharake.

Nëse dhe ndërkombëtarët nuk do të kërkojnë si prioritet që Qeveria të kthejnë me ligj pronën e grabitur tek i zoti, por do diskutojnë vetëm për zgjedhje të lira dhe demokratike, ata gabojnë. Në këto kushte zgjedhjet e reja mund të sjellin në pushtet emra të tjerë dhe një koalicion tjetër. Po ashtu pas zgjedhjeve dihet se ato do deklarohen nga OSBE dhe ODIHR me disa mangësi të vogla, por më të mira se zgjedhjet e mëparshme. Këto lloj zgjedhjesh nuk do sjellin stabilitetin social, Shqipëria do vazhdojë të lëngojë sepse vazhdon të jetë e vjedhur e drejta e pronës që është themeli i demokracisë. Pa pronën tek i zoti deklarimet për integrim në Europë, janë vetëm imagjinata, por nuk janë mendime dhe veprime pozitive për demokracinë. Ato mbeten slogane dhe mashtrime politike që shfrytëzohen nga oligarkia politike shqiptare. Kjo oligarki nuk mund të largohet nga kleptokracia, korrupsioni dhe rruga antikombëtare, pa vendosur si prioritet hartimin e një ligji për kthimin fizik të pronave të trashëguara në përputhje me nenin 181 të Kushtetutës.

Ne kërkojmë që çdo forcë politike që pretendon të marri pushtetin duhet të pranojë dhe mbështesi projektligjin e shoqatës që kthen pronën e grabitur tek i zoti në përputhje me nenin 181 të Kushtetutës.

 

*Kryetari i Shoqatës Kombëtare të të Shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora