Mendime
Enver Robelli: Behxhet Pacolli: "Srbija [je] još majka Kosova, nažalost, zla majka"
E diele, 20.02.2011, 07:58 PM
Behxhet Pacolli:"Srbija [je] još majka Kosova, nažalost, zla majka"
Shkruan: Enver Robelli
Derisa Behgjet Pacolli fërkon duart dhe ndoshta ka filluar të mendojë se cilën kravatë do ta hedhë në gjoks ditën kur nga Parlamenti do të zgjidhet kryetar i Republikës, opinioni ka të drejtë të dijë se nën tutelën e kujt po futet Kosova në këto momente të rënda për shtetin ende trevjeçar. Për dallim prej pritjeve të Pacollit dhe mercenarëve të tij publicistikë, të cilët mendojnë (!) se detyrë e gazetarit qenkësh fshehja e fakteve, e vërteta është krejt ndryshe: Detyrë e mediave është që opinionit publik t'ia prezantojë të gjitha anët jetëshkrimore, veçanërisht ato që pretendentin për president e diskualifikojnë të jetë bartës i një funksioni aq të rëndësishëm shtetëror. Në mungesë të argumenteve mbështetësit kryesisht anonimë të Pacollit kanë zgjedhur një rrugë, e cila është tipike për shqiptarët gjaknxehtë dhe trutharë: Nuk merren me faktet e botuara, por duan ta vrasin lajmësin me shpifje dhe përralla të mjegullta! Kësaj i thonë: lexo me bark e me mushkëri, por jo me mendje dhe me sy. Në këtë drejtim sulmohen të gjitha ato media gjoja dashakeqëse që përherë e paskëshin cituar keq Pacollin. Por, deri më tani Pacolli s'e ka demantuar në këto media asnjë intervistë të tij skandaloze, asnjë deklaratë qesharake apo të turpshme. Korrigjimet i ka bërë në mediat e çarshisë së Prishtinës, ku numri i biçim-gazetarëve që e kanë shitur lëkurën është i madh. Pacolli nuk e ka demantuar gazetën "Nedeljni Telegraf", as gazetën "Politika", as revistën "Globus" të Zagrebit, por as "Frankfurter Allgemeine Zeitung". (Nacional: Behgjet Pacolli - Politi?ki uzlet najbogatijeg Albanca na svijetu - Sh.B) Disa shkarravitës interneti dhe ndonjë adjutant i Pacollit synojnë ta linçojnë lajmësin, kur faktet i quajnë propagandë serbe ose lajme të gazetave bulevardeske. Kjo tregon sa të paditur, sa dashakeqës, sa të mjerë janë këta njerëz. "Frankfurter Allgemeine Zeitung" është njëra prej gazetave më të mira në botë dhe gazetarët e saj kanë merita historike për raportimet e tyre nga Kosova. As revista "Globus" e Zagrebit nuk ka të bëjë asgjë me bulevardin, por as "Politika" e Beogradit. Kjo gazetë shpesh ka qenë përtej të lejuarës proqeveritare, por bulevardeske jo, fundja është gazeta më e vjetër në Ballkan dhe e themeluar nga një familje sllovene. Fundja, edhe sa i përket "Nedeljni Telegrafit" nuk mund të thuhet se Pacolli është cituar gabimisht derisa ai të mos e dëshmojë këtë bindshëm. Deklaratat skandaloze të Pacollit që i ka dhënë për këto media janë bërë publike të martën në faqet e kësaj gazete.
"Vëllezër me serbët"
Në vazhdim do të japim hollësi nga intervista e Pacollit dhënë gazetës kroate "Veçernji list". Kolegët e kësaj gazete e kanë vënë në dispozicion të publikut kosovar edhe kopjen e kësaj bisede, të botuar më 24 shkurt 2008, pra vetëm 9 ditë pasi Kosova shpalli pavarësinë. Intervista gjendet edhe në internet, por për të qenë tërësisht të sigurt në vërtetësinë e saj "Koha Ditore" siguroi edhe origjinalin e saj. Autor i intervistës është gazetari Vojislav Mazzocco, i cili në hyrje të tekstit shkruan se Pacollin e ka takuar në Lugano të Zvicrës, ku gjendet selia e firmës së tij "Mabetex". Pasi ankohet se i janë vjedhur votat në zgjedhjet e vitit 2007 Pacolli fillon të flasë për raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Gazetari Mazzocco shkruan se "Pacolli nuk ka shumë fjalë të këqija për serbët, përkundër të gjitha krimeve që ata ia kanë shkaktuar popullit të tij. (...) Për Pacollin
"Të jetojmë së bashku"
Vazhdojmë! Se kjo punë s'mbaron me kaq! Populli i Kosovës duhet ta dijë kush po i bëhet president. Më tutje në intervistë Pacolli pranon se e ka takuar dy herë Milosheviqin në vitin 1999. "Veçernji list" e citon Pacollin të ketë thënë kështu në lidhje me bisedat e tij me kasapin e shqiptarëve: "Kam dashur që edhe njëherë të përpiqemi të jetojmë së bashku, por ai më tha se s'ka gjë nga kjo që unë i propozova dhe se shqiptarët mirë do ta mbajnë mend çfarë do t'ju ndodhë". Kjo tingëllon sikur Pacolli e ka lutur Serbinë të mos shkëputet nga Kosova! Në çfarë cilësie? Me çfarë mandati? Në emër të kujt? Në atë kohë Kosova ka pasur një president (Ibrahim Rugovën) të zgjedhur me shumicë absolute dhe me vullnet të gjerë popullor. Ka pasur qeveri në ekzil. Ka pasur ministra. Ka pasur edhe një parlament, ndonëse jofunksional. Në terren ka qenë aktive Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila kishte fituar legjitimitet me luftën e drejtë kundër terrorit serb. Siç ka shkruar shtypi gjerman Pacolli ishte postier i kryetarit rus Boris Jelcin, me qëllim që të ndërmjetësojë mes Milosheviqit dhe liderëve shqiptarë. Synim i këtij misioni të tij kanë qenë bisedat bilaterale Beograd-Prishtinë dhe përzënia e diplomatëve amerikanë dhe evropianë nga procesi për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Pacolli vetë është ankuar se Fehmi Agani ia kishte prishur këtë lojë, duke i thënë prerë se "ne pa amerikanët nuk hyjmë në bisedime", kurse kryetari Rugova kishte refuzuar ta takojë Pacollin, i cili nga mediat botërore në variantin më të përzemërt quhet "biznesmen i dyshimtë" ose "i diskutueshëm". Behgjet Pacolli nuk mund t'i durojë këto fakte, të cilat mund të jenë pjesë e ndonjë agjende të tij politike të stilit Serbia-nënë e Kosova-fëmijë. Ose mund të jenë prodhim i naivitetit të tij politik. Kush mendon se një personi që synon të bëhet kryetar mund t'i falet naiviteti, është injorant. Përveç shkathtësisë intelektuale kryetari duhet të jetë edhe logjikisht i kthjellët, sepse në rastin më ekstrem ai duhet të vendosë edhe për luftë. Pacolli s'i duron dot faktet, prandaj, në pamundësi për t'i zhbërë ato, ai përmes një rrjeti social (Facebook) me ton përgjërues apelon te kritikët e tij që ta lexojnë librin e tij autobiografik, sepse aty qenkësh e vërteta. Bash aty s'është e vërteta, sepse bëhet fjalë për një cung-libër të shkruar, siç vërehet hapur, jo nga Pacolli, por nga një apo disa publicistë të paguar dhe nga ndonjë narezak i importuar. Duke vepruar në një shoqëri të varfër, të dërrmuar nga lufta dhe nga tranzicioni shkatërrues, ku janë djegur tashmë shumë vlera, Pacolli me gjasë mendon se gjithçka mund të blihet, madje edhe e vërteta, sipas pseudoparimit: çka s'e rrok mendja, e rrok kuleta! Një qasje e tillë s'është gjë tjetër veçse fyerje e rëndë ndaj ndershmërisë së profesionit të gazetarit.
Fyerje për gazetarët
Në këtë kuadër hyn edhe një sharje që ua drejtoi mediave dhe gazetarëve një ish-deputet i partisë së Pacollit derisa këtë javë po fliste në "Interaktiv" të KTV-së mbi koalicionin e ri qeverisës. Ai tha se s'duhet mediat të merren me të kaluarën e Pacollit, sepse, sipas tij, po të shikojmë secili prej nesh paskësh një histori të tillë në raport me Serbinë. Kjo i bie që edhe Hashim Thaçi paskësh qenë te Milosheviqi në Beograd që të ndërmjetësojë në konfliktin mes pakicës etnike shqiptare në krahinën jugore serbe të Kosovës e Metohisë dhe Serbisë. Dhe dy milionë shqiptarë të tjerë po ashtu. Nonsens më të madh nga ai që e tha ish-deputeti i Pacollit rrallë dëgjon opinioni. Në gjithë këtë histori pafytyrësia më e madhe është se Pacolli dhe mbështetësit e tij nuk demonstrojnë asnjë shenjë vetëkritike. Të gjitha gazetat janë keqdashëse, e gazetarët po se po! Gjithçka na qenkësh konspiracion! Kështu Pacolli për të njëmijtën herë diskualifikohet për të qenë president i Kosovës. Megjithatë, Hashim Thaçi duket se nuk ka asnjë problem moral që një figurë të tillë politike si Pacolli ta bëjë president. Morali politik në Partinë Demokratike është varrosur qëmoti nga krerët e saj. Qëllimi i vetëm është pushteti, me çdo çmim - edhe me çmimin e zgjedhjes së një personi që thotë (sipas "Veçernji listit"): "Srbija [je] još majka Kosova, nažalost, zla majka". Kjo domethënë: Edhe pas pavarësisë Serbia mbetet nënë, ose në gegërisht: "E keqe, e mirë - nana asht nanë!" Shumë gjëra mbahen mend dhe mbesin për histori. Jo vetëm fitimi dhe manipulimi i zgjedhjeve, por edhe mënyra si e ndërton pushtetin dhe me kënd e ndërton. Hashim Thaçi mund ta kontrabandojë Pacollin në postin e presidentit, por ai do të jetë president i tarafit të tij politik, jo i popullit shumicë të Kosovës, i cili ia ka dhënë vetëm 7 për qind të votave, madje shumica e këtyre votave vijnë për shkak se Pacolli bleu disa shvercerë politikë, të cilët me e pa avdes duan me çdo kusht të kenë pak pushtet, madje edhe me çmimin e humbjes së çdo kredibiliteti publik. Afër tyre do të jetë edhe një prostitutë politike si Ukë Rugova, i cili ende pa hyrë në Parlament kapërceu nëpër 4 parti politike.
A ka pushtet të turpit?
Në vitin 1776 Benjamin Franklin u dërgua në Paris si ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Franklin, njëri prej themeluesve të Amerikës, ishte 70-vjeçar. Gazetarët filluan të interesoheshin për jetën e këtij intelektuali të madh. Revista e përjavshme "La Gazette" shkruante: "Askush nuk po i thotë zotëri... të gjithë po e thërrasin doktor Franklin... siç do të bëhej edhe me Platonin apo Sokratin". Një gazetar tjetër shkruante: "Prometeu në fund të fundit ka qenë vetëm njeri... Benjamin Franklin po ashtu... por çfarë njeriu!". Franca ishte e entuziazmuar me këtë njeri, që bashkë me Thomas Jeffersonin ishte hartues i Deklaratës së Pavarësisë të SHBA-së, e cila u nënshkrua më 4 korrik 1776 në Philadelphia. Në këtë Deklaratë garantohej barazia e njerëzve, të drejtat e patjetërsueshme, e drejta e jetës, e lirisë dhe e drejta e synimit të lumturisë (në origjinal: pursuit of happiness). - Një ditë një avokat francez i zemëruar i tha Benjamin Franklinit: "Bota s'është gjë tjetër veçse padrejtësi dhe mjerim. Ku mbet ndëshkimi? Prapa Deklaratës suaj, zoti Franklin, s'qëndron drejtësia apo forca ushtarake, e cila do të siguronte respektimin e saj...". Franklin u kundërpërgjigj: "Gabim! Prapa kësaj Deklarate qëndron një pushtet i konsiderueshëm dhe i përhershëm: pushteti i turpit (the power of shame)" A i bën përshtypje ndokujt në Partinë Demokratike të Kosovës pushteti i turpit? A skuqet kush ndonjëherë? Disa personaliteteve të PDK-së, siç janë Bajram Rexhepi, Zenun Pajaziti, Ramë Vataj, Enver Hoxhaj, Behar Selimi, Bedri Hamza, ndoshta edhe Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj dhe ndonjë tjetër që njihet në opinion me fraza të pudrosura me moral dhe me patriotizëm të sheqerosur para se të votojnë për Behgjet Pacollin mbase për një çast të vetëm do t'u kujtohet kjo fjali: "Srbija [je] još majka Kosova, nažalost, zla majka". Ka qenë më vështirë të luftohet se sa të mos i jepet vota një personi që erdhi me izën e Jelcinit dhe Milosheviqit ta sabotojë çlirimin e Kosovës. Është e parëndësishme nëse këtë e ka bërë nga naiviteti, nga padituria apo me qëllim të keq. - Përherë më ka pëlqyer motoja e emisionit "Peš?anik" të Radio B92 të Beogradit: "Ako vam je dobro, onda ništa". Unë, ndërkaq, po ju them: nëse ua prisha rehatinë dhe qetësinë, më falni! "Urime, suksese", do t'i thoshte tani Hashim Thaçi kujt tjetër pos - Salep Sulltanit!