Mendime
Selim Bezeraj: Kush tenton ta njollosë Universitetin
E marte, 22.02.2011, 07:56 PM
Tendencë për njollosje spektatoreske me prapavijë politike
KUSH TENTON TA NJOLLOSË UNIVERSITETIN
Nga MA. SELIM BEZERAJ*
smbezera@hotmail.com
Universiteti i Prishtinës për 41 vjet punë dha kontribut të qenësishëm në fushën e arsimit, të shkencës dhe artëve, shtylla këto të ngritjes të identitetit modern të Republikës së Kosovës. Ky institucion ishte dhe do të mbetet vatër e dijes, e zhvillimit dhe e progresit të kombit tonë. Kushdo që tenton të bëjë ndonjë fyerje apo të hedhë ndonjë njollë mbi Universitetin e Prishtinës mbi pikëpamje të çfarëdo natyre qofshin ato do të pendohet dhe do të pësojë keq. Universiteti i Prishtinës është tempull i shenjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës, andaj është i pa prekshëm dhe i mbrojtur me gjakun e mijëra trimave e trimëreshave që sakrifikuan jetën për të mbrojtur këtë universitet. Është i paprekshëm dhe do të ruhet nga gjenerata të tëra që morën dije, u afirmuan dhe u nderuan shumë personalitete në këtë universitet.
Do të bëjë një retrospektivë të shkurtër sa për të hedhur disa fakte të lidhshmërisë së ngjarjeve në rrjedhën e kohërave me kuptime të njëjta. Derisa rektori i parë i këtij universiteti Dervish Rozhaja, thoshte “Themelimi i UP është ngjarje historike dhe një hap kualitativ përpara në progresin e më tejshëm të gjithanshëm të shoqërisë kosovare”. Rektori I tanishëm Mujë Rugova derisa huliganët dhe rrugaçët hidhnin ngjyrë mbi të tha “jemi në demokraci dhe në demokraci ndodh”. Pra, kjo e vërteton se ne në universitet kemi arritur këtë stad të zhvillimit. Në krye të universitetit po qëndron pikërisht njeriu që ka pikëpamje dhe koncepte të njëjta me themeluesin dhe paraardhësin e tij. Kjo të bën të kuptosh se sa nder është për ne. Kështu që, rektori Mujë Rugova mbi të gjitha është njëri me tipare burrërore që ka prejardhje të krahinës me të nderuar të trojeve shqiptare, vendit me besnik dhe të traditës shqiptare, Rugovës kreshnike, dhe njëherit është personi më emblematik i punës së denjë dhe të ndershme akademike dhe shkencore në Republikën e Kosovës. Kurse, kur e shikon çastin e qëndrimit të rektorit Mujë Rugova derisa ata bastardë hidhnin ngjyrë mbi të, mbi të gjitha ishte një mesazh shumë i fuqishëm, burrëror dhe i një intelektuali “bëni çka të doni mbi mua, vetëm mos mbi universitetin”. Kjo të kujton edhe një moment tjetër, atë të rektorit të nderuar Ejup Statovcit, i cili në protestën e 1 tetorit 1997 ishte përgjakur nga forcat policore dhe ushtarake serbe në mbrojtje të universitetit. Duke shikuar këtë moment të çoroditur, shumë trishtues, fyes, denigrues dhe shumë tendencioz, atëherë duhet marrë masat për preventivë të shëndoshë nga gangsterët qëllimkëqij. Prandaj mu për këtë parashtrohet domosdoshmëria që të luftohen energjikisht këto dukuri të shëmtuara të prishjes së imazhit të institucioneve akademike. Në vend që tani gjatë tranzicionit të flaken këto dukuri të shëmtuara, për çudi ato po bëhen gjithnjë e më prezent duke hyrë edhe në Universitetin e Prishtinës. Me kultivimin dhe tolerimin e mëtejshëm të këtyre veprimeve denigruese, po devalvohet dhe ngulfatet zhvillimi i mirëfilltë bashkëkohor i Universitetit të Prishtinës, institucion ky me rendësi vitale për zhvillimin shoqëroro-ekonomik të Republikës së Kosovës në këtë udhëkryq historik nëpër të cilin po kalon shoqëria.
Të ju përkujtojmë këtyre ithtarëve të sotëm të “sistemit centralist” të një ideologjie bolshevike të perënduar pa kthim, se premisat për të bërë kinse argatë ndaj të mirës së përgjithshme, duhet të hiqni dorë nga kjo tentativë shumë e flliqt. Sepse edhe qëndrimi kategorik i iluministëve Nikolla Kopernikut, Gjordano Brunos dhe të Galileo Galileut, të cilët në kohën e absolutizmit mesjetar në Evropë edhe me kërcënim për vdekje nga Inkuizicioni kishtar, nuk pranuan të heqin dorë nga e vërteta objektive shkencore mbi “sistemin heliocentrik” që të pranonin sistemin gënjeshtar “geocentrik” që e propagandonte kisha katolike në mesjetë. Kësisoj, e vërteta gjithmonë mbizotëron dhe edhe ky rast i sjelljes dinjitoze dhe prej një intelektuali është padyshim triumf mbi veprimet e drejta dhe të mençura, që bën dhe bëri rektori ynë i nderuar Mujë Rugova.
Pra, në fund mund të them se tanimë janë të njohura fare mirë në opinion tonë qëndrimet fyese dhe ofendimet e rënda që i bëri veprimi i djeshëm institucionit të universitetit tonë. Prandaj, kush tenton ta njollosë Universitetin e Prishtinës, tempullin e dijës dhe të frymëzimit shpirtëror dhe kombëtar të shqiptarëve, do ta vret vetveten.
*Autori është hulumtues shkencor në Institutin e Historisë-Prishtinë