E diele, 05.05.2024, 12:54 AM (GMT+1)

Mendime

Emin Azemi: Kalaja, që solli ftohtësi në audiencat e Uashingtonit

E hene, 21.02.2011, 08:58 PM


Kalaja, që solli ftohtësi në audiencat e Uashingtonit

 

Sensi i humbur i politikës për të prekur nga afër realitetin e njerëzve të thjeshtë, ka bërë që improvizimi të jetë mjeti i vetëm i politikanëve në kërkimin e rrugëve të humbura, të cilat ose përfundojnë në fortësinë e gurëve të heshtur të Kalasë së Shkupit, ose në audiencat e ftohta të Uashingtonit.

 

Nga Emin AZEMI

 

Pamjet me makina të blinduara dhe me forca të maskuara speciale të policisë përreth Kalasë së Shkupit dhe disa objeketeve të tjera fetare e shtetërore, tri ditët e fundit e bëjnë situatën më të fortifikuar politikisht, se sa që është në praktikë jeta e rëndomtë. Këto pamje muskuloze në një kohë të varfër, e shtojnë dyshimin se në Maqedoni, megjithatë zhvillohen paralelisht dy realitete socio-politike: njërin që e dikton politika dhe tjetrin, atë që e diktojnë njerëzit e thjeshtë. Po ta shikoni gjithë atë kordon policor me ato makina të blinduara, fitohet përshtypja sikur shteti ndodhet pas një puçi të kryer, ndërkohë që prapa perdeve të lëshuara të qeverisë, politika me komoditet të paluhatur i vrojton lëvizjet e efekteve në fushën enigmatike të figurave të koduara. Mirëpo, jo gjithmonë figurat e koduara japin efekte të dëshiruara, ashtu siç nuk i ndihmuan Gruevskit trazirat e kalasë gjatë vizitës që pati në Uashington. Nuk mund të reprizohet edhe njëherë skenari i Bit Pazarit (1992), atëherë kur Gligorovi i përdori ato ngjarje për të ushtruar trysni në OKB, për ta njohur më shpejt Maqedoninë si shtet të pavarur. Ngjarjet e Kalasë, ndonëse u programuan si të koduara, ato shumë shpejt u deshifruan dhe nuk i bënë kurrfarë shërbimi Gruevskit. Ata që e këshilluan t’i tempojë këto ngjarje në prag të vizitës së tij në Uashington, u dëshmuan amatorë të dobët të PR politik, duke demonstruar edhe njëherë mosnjohje elementare nga teknikat e menaxhimit të prapaskenave të diplomacisë së fshehtë. Ne fakt, vizita e fundit e Gruevskit në Uashington e demistifikoi figurën e tij politike në përmasat e një trikaxhiu, që e humb sensin e orientimit në kohë e hapësirë, sa herë që pazari i tij politik i brendshëm nuk gjen myshtërinjë në arenën e madhe të politikës ndërkombëtare, sidomos aty ku dizajnohet politika vendimmarrëse planetare.

 

Edhe sa ditë do të ndeshemi me pamjet e blinduara përreth kalasë dhe gjithkund, ku shteti pret ndonjë minidestabilizim? Gatishmëria për të ruajtur qetësinë e qyetarëve në variantin e këtyre pamjeve, nuk mendojmë se është ndonjë sinjal i mirë që Shkupi zyrtar po ua dërgon qendrave të vendosjes në Bruksel dhe në Uashington. Politikanët që i harxhojnë instrumentat e tyre, asnjëherë nuk kanë fituar kur kanë futur në përdorim instrumenta të makinerisë represive. Kalanë nuk mund ta ruajë asnjë kordon policor, përveç vetëdijes së vetë qyetarëve, me kusht që mbi qyetarët të mos ushtrohet influencim politik.

 

Realitetet paralel në Maqedoni nuk mund të jenë binare e vetme, që bartin trenin e lodhur të politikës joproduktive. Sensi i humbur i politikës për të prekur nga afër realitetin e njerëzve të thjeshtë, ka bërë që improvizimi të jetë mjeti i vetëm i politikanëve në kërkimin e rrugëve të humbura, të cilat ose përfundojnë në fortësinë e gurëve të heshtur të Kalasë së Shkupit, ose në audiencat e ftohta të Uashingtonit.

 

Fortësia që u ekpsortua jashtë, u këmbye me ftohtësinë tejoqeanike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora