Mendime
Emin Azemi: Çamçakëz me kërkesat spërkatëse të partive shqiptare
E marte, 22.02.2011, 07:58 PM
Çamçakëz me kërkesat spërkatëse të partive shqiptare
Partitë politike shqiptare e kanë edhe një shansë të rikthejnë sprovat e humbura të kohezionit brendakombëtar. Në të kundërtën, Gruevski në njërën anë, Cërvenkovski në anën tjetër, do të bëjnë çamçakëz me kërkesat spërkatëse të partive shqiptare
Nga Emin AZEMI
Maqedonia sërish ndodhet para një teatri zgjedhor, i cili pritet të shfaqet, ose në fillim të verës, ose në vjeshtë. Pak e rëndësishme është koha, sa janë të rëndësishme motivet që e kanë shtyrë Gruevskin të del hapur me propozimin për zgjedhje të parakohshme. Ai mund të jetë sërish i sigurt në fitoren e radhës, ndërkohë që partitë opozitare po mundohen, kush më shumë e kush më pak, të nxjerrë nga mënga kushtëzime të atypëratyshme, për ta bërë sa më interesant debatin parazgjedhor.
Mbajtja e shpeshtë e zgjedhjeve në një vend, sidomos kur ato nuk prodhojnë ndonjë mirëqenie politike a ekonomike, flet për paqëndrueshmërinë institucionale dhe mungesën e vijueshmërisë së jetës normale politike.
Maqedonia brenda këtyre dy vjetëve, pas zgjedhjeve të fundit të parakohshme të vitit 2008, konfirmoi vetëm një forcë politike, që u tregua e gatshme të udhëheqë gati e vetme institucionet shtetërore, por në anën tjetër, demonstroi në praktikë paaftësinë e kapjes së trendeve zhvillimore. Në radhë të parë, u lëshuan disa shanse, që i mundësonin Maqedonisë një integrim më të shpejtë në strukturat euroatlantike, pastaj mungoi kompromisi i shumëpritur për tejkalimin e kontestit me Greqinë, u shënua stagnim në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike e ndërfetare, pati diversion të hapur mbi lirinë e medieve, mungoi gatishmëria për thellimin e dialogut politik etj.
Përderisa opozita maqedonase vazhdon të barrikadohet rreth disa kushtëzimeve periferike të LSDM-së, në anën tjetër, opozita shqiptare, konkurrimin politik vazhdon ta zhvillojë pa një frymë të përbashkët. Protagonizmi i stërtheksuar i liderëve opozitarë shqiptarë dhe taktizimet për të përfituar nga “pazari i natës”, nuk japin shenja të mira për një front të bashkuar opozitarë të shqiptarëve në Maqedoni.
Ridefinimi i kufijve të njësive zgjedhore, ndryshime në këshillat votuese dhe komisionet zgjedhore, qasja dhe pjesëmarrja në pastrimin e listave votuese nga votuesit fiktivë, monitorimi i shtuar i ndërkombëtarëve, mbajtja e zgjedhjeve pas regjistrimit të shtyrë të popullsisë, mund të jenë disa nga pikëtakimet e një platforme të përbashkët parazgjedhore të partive politike shqiptare. Nëse të gjitha këto çështje do të ndodheshin në tryezën e një minisamiti të këtyre partive, atëherë mund të thuhet me plot gojën se zgjedhjet e parakohshme do të kishin efektin e duhur. Në të kundërtën, Gruevski në njërën anë, Cërvenkovski në anën tjetër, do të bëjnë çamçakëz me kërkesat spërkatëse të partive shqiptare. Ka shumë të ngjarë që në kushte të tilla zgjedhjet e parakohshme, vetëm se do të ribrendonin këtë çamçakëz.
Mund ta merrni me mend Maqedoninë nesër, se si do të mburret sërish me lancimin e produkteve vendore, nëpër “panairet” diplomatike të botës, duke e reklamuar këtë çamçakëz, si licencë origjinale.
Por, koha nuk ka ikur deri në moskthim për të qenë të gjithë ne defetist. Partitë politike shqiptare e kanë edhe një shansë të rikthejnë sprovat e humbura të kohezionit brendakombëtar. Nëse ato vonohen në këto sprova, ka të tjerë që atyre ua diktojnë kushtet për të qenë dekor qeveritar.