Mendime
Mero Baze: Albanistan
E merkure, 23.02.2011, 05:06 PM
Albanistan
Nga Mero Baze
Dje pati dy zhvillime në të dy parlamentet shqiptare. Në Kosovë, Bexhet Pacolli u zgjodh president në raundin e tretë duke i çuar votat pro nga 54 në 62, pasi ju desh të “konsultohej” për 45 minuta me deputetët “rebelë”. Dhe më në fund arrihet marrëveshja, por jo parimi. Është e pakuptimtë pse Hashim Thaçi la jashtë qeverisë një të dyshuar për korrupsion si Fatmir Limaj dhe bëri president të vendit një produkt të korrupsionit politik dhe financiar të botës lindore.
Në Parlamentin e Shqipërisë ndërkohë u propozua një ndryshim në rregullore, ku opozitës praktikisht i hiqet privilegji i debatit të lirë në sallën e Kuvendit dhe ajo mbetet vetëm e drejtë e kryeministrit. Më tej akoma trupa opozitare ndëshkohet nëse kalon 2 minuta pa leje në foltore duke u përjashtuar për 21 ditë nga Kuvendi. (Me këtë rast ia rekomandoj gjithë grupit opozitar të rrijë nga 3 minuta në atë foltore më tepër nga sa lejon ligji).
Të dyja këto vendime janë marrë pa praninë e opozitave në sallë. Ky është dhe tipari thelbësor që i bashkon këto dy ngjarje, fryma institucionale antiopozitare e politikës në Kosovë dhe Shqipëri dhe diferenca e madhe që kemi me tre fqinjët sllavë që duhet të përfaqësonin traditën lindore në politikën ballkanike. Kosova ka prej sot një president më pak properëndimor se Serbia. Boris Tadiç, për shumë shtete perëndimore është një portret më i besueshëm perëndimor se Bexhet Pacolli, jo se është filo-perëndimor, por ka respektuar parimet e perëndimit në Serbi më shumë se klasa politike në Kosovë. Ai ka respektuar opozitën, shtetin ligjor, lirinë e shtypit dhe lirinë ekonomike. Ai ka pranuar të gjobitet dhe për një gotë shampanjë të pirë në stadium, ndërsa liderët e Kosovës dhe të Shqipërisë nuk pranojnë të gjobiten as kur vjedhin, as kur vrasin për të vjedhur. Po ashtu ai ngjan ku e ku më properëndimor se Sali Berisha, të cilin media ndërkombëtare e krahason me diktatorët në ikje në botën arabe për shkak të fjalorit të njëjtë që ka me Gedafin, Mubarakun dhe të ndjerin Ben Ali.
Në Maqedoninë fqinje, kryeministri Gruevski pranoi shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për të sfiduar kërkesat e opozitës dhe bojkotin parlamentar të saj, ndërsa në Shqipëri, kërkesës së opozitës për zgjedhje të reja, Berisha i është përgjigjur me katër arkivole në supet e saj. Si të mos kish mjaftuar kjo, njësoj si Gadafi i ka quajtur demonstruesit rrugeçër, të droguar dhe kokëpalarë. Në të njëjtën gjatësi vale Kosova ka dëshmuar një mungesë të madhe fleksibiliteti ndaj opozitës, duke formuar një qeveri pakice, po të llogarisim se 20 deputetët e pakicave nuk kanë përfaqësim real në shoqërinë e Kosovës. Hashim Thaçi ka injoruar opozitën reale dhe shumicën që ka kundër duke ju drejtuar numrave dhe jo përfaqësimit real politik. Për këtë arsye sot Kosova i ka zgjedhur institucionet e reja, Presidentin dhe qeverinë e re, por nuk ka mundur të jetë e gëzuar. 65 deputetë të gëzuar nuk ngjallin dot entuziazmin e humbur në Kosovë.
Në Mal të Zi, kryeministri Milo Gjukanoviç u largua pa bujë nga posti duke i hapur rrugën një qeverie të pranuar nga perëndimi dhe duke shmangur një krizë të mundshme brenda vendit nëse Evropa sakrifikonte statusin e vendit të tij për anëtar të Bashkimit Evropian. Sali Berisha, jo vetëm që e dogji me qejf shansin për statusin e Shqipërisë si vend kandidat për anëtar, por po çon Shqipërinë në gjakderdhje, boll që të mos lëshojë pushtetin e tij. Ai po shkon drejt zgjedhjeve monopartiake duke injoruar kërkesat e opozitës për zgjedhje të parakohshme pas fakteve tmerruese për korrupsion, kapje të shtetit dhe degradim të institucioneve të larta shtetërore.
Të rrethuar nga tre shtete sllave, që janë aleatë tradicionalë të Moskës dhe kulturës represive politike, ne jemi sot hapësira më joperëndimore në Ballkan. Sllavët që na rrethojnë janë të tre disa hapa para nesh në rrugën drejt BE. Dy prej tyre kanë fituar statusin e vendit kandidat për anëtar dhe Serbia është në rrugë të mbarë, kurse ne jemi në regres dhe nën kërcënim për pezullimin e heqjes së vizave. Tri shtetet sllave që na rrethojnë kanë demokraci funksionale dhe kanë dhënë prova bashkëpunimi luajal me institucionet perëndimore, ndërsa ne kemi refuzuar çdo ofertë evropiane dhe kemi futur vendin në spiralen e konfliktit pa fund. Kosova si shtet i ri ka importuar thuajse gjithë veset e shtetit shqiptar të plakur para kohe nga kapja e shtetit për qëllime përfitimi, korrupsioni në nivelet qendrore dhe mosndëshkueshmëria ligjore ndaj krimit dhe korrupsionit. Të dy shtetet shqiptare u ngjajnë sot republikave të Kaukazit, të dala nga ish- Bashkimi Sovjetik, që drejtohen nga feudalë ish komunistë që i kanë shpallur ato republika si çifliqe të tyre. Shqipëria dhe Kosova, të cilat i premtojnë njëra- tjetrës dhe Perëndimit se do të takohen bashkë në Bashkimin Evropian, janë bashkuar para kohe në Albanistan. Ato janë sot republika që për nga modeli politik janë derivate të autoritarizmit putinist ose modelit të Nursulltanit të Kazakistanit. Për këtë arsye Kosova dhe Shqipëria kanë formuar politikisht Republikën e Albanistanit, duke qenë dy shtete nga më të varfrat në botë me dy udhëheqës nga më të pasurit në botë. Njëri që i ka deklaruar 400 milionë dhe tjetrit që do t’ia deklarojnë mbesat pas vdekjes.