Mendime » Radovani
Fritz Radovani: ''Në mos rrjedhët... pikon!''
E marte, 22.02.2011, 07:59 PM
“NË MOS RRJEDHËT… PIKON !”
Nga Fritz RADOVANI
Kështu thotë Populli i Shkodres!
Shumë vite ma parë nga miku im i shtrejtë, mësuesi i nderuem Gjovalin Prendi, u njohta me mikun e Tij, burrin e së motres zj. Maria, zotni Gjergj Pjetër Logorecin. Ishte puntor marangoz, profesion i imponuem nga rrethanat politike. Mbiemni Logoreci ishte i njohun për mue nga mësuesi veteran i Shkodres Mati Logoreci, ndonse kishte vdekë në vitin 1941, por figurë e madhe Atdhetare e fillimit të shekullit XX, bashkpuntor i shumë intelektualëve të kohës, aqsa At Donat Kurti e rreshton me ma të mëdhejt puntorë të asaj kohë kur Shqipnia po zgjohej nga gjumi i randë i pushtimit osman.
Porsa Gjergji më dha doren, më tha: “As ju nuk besoj se e kujtoni aq shpesh Baben tuej Kolën sa unë!” Unë mbeta për pak minuta tue e shikue...Ai e theu heshtjen dhe më shpjegoi se shumë vite ma parë, kur Gjergji kishte shkue deri në Durrës me përcjellë për me u nisë për Londer vëllaun e vet Antonin, kishin takue në port Baben tem, aso kohe Baba ishte komandant i portit të Durrësit. Mbasi kanë shkembye bisedat e para Baba i ka ftue për drekë në shtëpi...Në bisedë rreth sofres Baba e ka pyet Gjergjin, pse nuk shkon edhe ti me vëllaun ma të madh Antonin në Londer...dhe, ka shtue, se ban mirë me ikë edhe ti Gjergj, dhe nëse ke problem të hollash, bileten po ta siguroj unë, po t’ jap edhe pak pare me shkue deri atje dhe, menjëherë kam me u nisë për Shkoder e me u takue me Babën tuej Pjetrin, të cilin e kam mik dhe do t’i shpjegoj se jam ba unë shkaktar i nisjes së Gjergjit për Londer bashkë me Antonin, madje i kam pague edhe rrugen, mbasi me siguri, tue mos u pasë nisë për atë qellim, mendova se mos Gjergji e len pa shkue për të holla... E tek Pjetri as nuk i diskutoj ato të holla që po të jap ty me shpetue përgjithmonë nga fortuna që mund të na sjellin ngjarjet e ardhëshme në Shqipni...Gjergji mbasi asht mendue pak, nuk ka pranue me ikë, tue u nisë nga mentaliteti i asaj kohë, që “po vorfnojmë shtëpinë me u nisë të dy vllaznit përnjëherë...e do t’i bahet keq Nanës edhe shkuemja e eme...” Shtonte tue qeshë: “Sa herë dishprohem, i them vetës mirë e ke...të kishe ndigjue Kolën... ishe edhe ti si Antoni..!”
Ky ishte Baba i Nderuem i Pjetrit të Ri, për të cilin due me tregue se ajo shprehja e vjetër me të cilën kam fillue shkrimin asht një thanje që shpesh vërtetohet nga brezat që pasojnë...ashtu si themi për fëmijët e komunistave, se “çka lenë prej micet gjuen mi!”...
Gjyshi i Pjetrit të Ri ishte kushrini i parë i Atdhetarëve ma të nderuem që ka pasë në shekullin e kaluem Shkodra, tue fillue nga Imzot Lazer Mjedja, Don Ndreu i Madh, Imzot Gaspër Thaçi e deri tek Martiri i Kishës Katolike Shqiptare Imzot Frano Gjini, që u pushkatue me 11 Mars 1948 pse nuk pranoi kerkesen e qeverisë komuniste të Tiranës, për me u shkëputë Kisha Katolike Shqiptare nga Papa dhe Vatikani. Edhe Imz. Ndre Logoreci i perket këtij Fisi.
Ishte ajo kohë e lavdishme e Shkodres, kur u farkëtue ajo miqësi e madhe e Asaj Austrije të vjetër me Shqipninë e Re të Gjergj Kastriotit, po që sot u ringjallë po prap nga Austria e Re me Shqipninë e vjetër, që nuk e ban një hap në mentalitet të saj nga Europa.
Në vitin 1991 ishte e para Qeveria Austriake që kerkoi me ardhë dhe me ndertue në Atë Shkodren e rrenueme për 50 vjet... një Universitet Europjan mu në qendren e saj, ku ishte dikur Gjimnazi Françeskan, tue përfshi në territorin e tij të gjitha ambientet e duhuna si dhe konviktet e sallat e bibliotekave dhe të studimit me të gjitha shpenzimet e tyne, po vetem me një kusht: “Dera e madhe e hymjes së Universitetit të Shkodres, me kenë Ajo e Gjimnazit të vjeter Françeskan, që ndodhet sot në Fushen e Çelës e hapun si dikur për të gjithë Shkodranët pa dallim besimi...” Ky projekt Austriak u sabotue nga komunistët e “konvertuem” të Tiranës, që nuk e kanë dashtë kurrë zhvillimin kulturor e qytetar të Shkodres dhe, që aso kohe ishin lidhë me “socialistët e Kraksit e Martelit...”.
Pjetër Logoreci i Ri, asht i lemë me 2 Prill 1956 dhe sot asht në Vienë. Ai punon atje tek miqtë e Shqipnisë. Ata miq sigurisht mbrenda zemres së Tyne të Madhe ruejnë të trashigueme dishka për Shqipninë dhe Popullin e saj mik por, të nëpërkambun nga sllavokomunistët e shekullit ma mizor të XX.
Sot Shefi i Institutit Austriak “Österreich Kooperation”, me zyrë në Sarajevë, si dhe shef i istitutit “Kulture Vereinigung”, asht Austriaku zotni Dr. Berhard Stiellfried. Tek ky Institut ka punue edhe Pjetri posa ka shkue në Vienë si bashkpuntor për projektet që ka pasë Ai me Europën Lindore, e ndër keto projekte asht edhe shkolla austriake në Shkoder “Peter Mahringer”. Po ky person asht që ka ndihmue edhe shkodranë tjerë si Dr. Mentor Qukun, me shkue në Vienë për të kerkue dokumenta për Don Ndre Mjedjen në arkivat atje. Porsa Pjetri e ka vue në dijeni për kërkimin e gjetjes së Eshtnave të Don Nikoll Kaçorrit në vorrezat e Vienës, Mikut të Madh të vjetër të Austrisë, Ky Burrë ka shpenzue shumë e shumë euro pa u kursye për gjetjen e tyne. Kjo nuk ishte punë ditësh apo dy e tre muejsh, por mendoni sa mund të jenë shpenzue për këte përpjekje trevjeçare të atij grupi pune me Pjeter Logorecin, me mbërrijtë në ditët e shkurtit 2011. Një ndihmë shumë të madhe ka dhanë edhe ishministrja e arësim kulturës së Austrisë, zonja Elisabeth Gehrer, e cila asht Kryetare e Shoqatës sonë Austri – Shqipni, një zonjë shumë e nderueme dhe dashamire e Shqiptarëve dhe kryesisht e Klerikëve Françeskanë në Shkoder. Por, duhet theksue se Ai që pa ndihmen e të cilit nuk mund të bahej asgja asht Dr. Bernhard Stiellfried, i cili gjet tek Pjetri të trashigueme ato cilësi që për Mikun e Madh Austriak të Shqipnisë zotni Stiellfried, ishin të njohuna me kohë, por edhe të pelqyeshme nga ana e Tij. Mbas shumë përpjekjesh dhe peripecishë që Pjetri i kaloi me vullnetin e tij sigurisht, të një edukate qytetare shkodrane, u lidhë me priftin shqiptar Don Pren Kola, që shërben në Vienë për me organizue ardhjen në Shqipni. Një ditë para se të niseshin nga Viena unë u informova se “Janë gjetë Eshtnat e Imzot Nikoll Kaçorrit, dhe se të nesërmen do t’ ishin në Atdhe mbas gati 100 vjetësh. U informova se kjo vepër Atdhetare, Qytetare Shkodrane dhe fetare katolike, ishte meritë e Pjeter Gjergj Logorecit, të ri që dikur kam njohtë si nip i mikut tem të paharrueshem Gjovalin Prendit...”
Ishte vërtetë tronditëse me pa foton që mora nga New Yorku...me shenimin afer.
Nenkryetari i Qeverisë së Parë të Shtetit Shqiptar, që vuni themelet e Shtetit tonë Europjan bashkë me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin dhe Atdhetarët tjerë, që ende nuk janë të njohun nga dokumentat fallse të botuem në 65 vjetët e pushtimit komunist, Arka me Eshtnat e Tij...po nxirej nga Aeroporti i Rinasit mbi një “sharabajkë”, të cilën nuk kishte dalë askush me e pritë përveç Imzot Damian Kurtit, nga Kisha e Durrësit.
Imzot Kurtin e kam njohë porsa Ai ka ardhë në Shqipni aty nga 1991, me Imzot Mark Sopin, dy Klerikë që i kishin shokët e rrallë për të gjitha cilësitë e Tyne...
Për këte veper të pacipë dhe të paimanigjinueme se mund të ndodhin kur bahet fjalë për një qeveri “demokratike” mbas 20 vjetësh të ramjes së monumentit të diktatorit E. Hoxha, unë kam shkrue një artikull “Eshtnat e Don Nikoll Kaçorrit friksojnë qeverinë anadollake të Tiranës”, artikull të cilit as sot nuk i hjeku asnjë presje.
I vetmi justifikim i qeverisë asht fanatizmi ekstrem anadollak, rrjellojë e injorancës së saj e fitueme dhe e brumosun nga “Mejtepi i Tiranës Enver Hoxha”.
I vetmi institucion që mund të jetë deri diku po themi i “pafaj”, nga kushtet e tija të krijueme me pelqimin e tij, për mos me “atakue” qeverinë sot asht “Argjipeshkvia e Tiranës dhe e Shkodres”, të cilat nuk kanë dalë as ata me pritë Prelatin e Nderuem nga mbarë populli Shqiptar, Don Nikoll Kaçorrin, që në vitin 1908 në Kongresin e Manastirit edhe Ky, ishte që u la “Ata Shkronja”, me të cilat sot klerikët shqiptar firmosin çekët e Euros “moderne”, po mbi Ata kolltukë...që u lanë Ata, por të lamë me gjakun e Shejtë të Paraardhësve të vet...ndër shekuj!
Ata nuk kishin si me u ndodhë në Rinas, sepse u duhej me shkue me “xhepa të frymë”, mbasi siç më kanë shpjegue, atyne porsa të arrinin aty me veturat e tyne luksoze dhe me dekoratat “Nderi i Kombit” tue shkelqye të varuna në qafë, fukaratë e lypsit shqiptarë do të versuleshin mi ta...
Në fund të fundit mosdalja e të gjithë atyne që përmenda ma sipër asht edhe një tjetër Nderim i Madh që i asht ba Don Kaçorrit të Mirditës...Durresit, Vlonës e Manastirit...
Nuk do të hyj fare me ba histori kush ishte Don Nikoll Kaçorri...shihni këte foto:
Ky asht një Nderim që i asht ba edhe zotnive Don Pren Kola dhe Pjeter Logoreci.
I nderuem z. Pjeter Logoreci, Me vepren Tuej Ju vetem keni vazhdue rrugën e të Parëve Tuej, tue i lanë Asaj Shkoder... me rikujtue se jeni mbasardhës i denjë i Ndocit (Anton Logorecit), Zefit, Gjergjit, Franos, Rrokut, Gacit dhe Filipit,.. Emnat e të cilëve Uroj të përsëriten ndër Shekuj në trojet Tueja të Shkodres sonë!