Faleminderit
Thanas L. Gjika: Kuzhina-studio e familjes Anagnosti
E shtune, 22.01.2011, 07:58 PM
KUZHINA-STUDIO E FAMILJES ANAGNOSTI
(Në 75-vjetorin e lindjes së kineastit Dhimitër Anagnosti)
Nga Dr. Thanas L. Gjika
Në këtë 75-vjetor të lindjes së kineastit të talentuar Dhimitër Anagnosti më kujtohet jeta e tij familjare tek apartamenti me një dhomë e një kuzhinë në katin e pestë të një pallati prapa Gjykatës së Lartë, ku ai me Rozën jetuan mëse 20 vjet. Në atë kuzhinë pa aneks jetoi, priti vizitorë, studjoi e krijoi vepra arti të vërtetë familja Anagnosti. Në atë kuzhinë vinin dhe për të bujtur familjarët e Rozës nga Shkodra dhe vëllezërit e motra e Taqos nga Vlora, të cilët në qytetet e tyre jetonin në kushte strehimi edhe më të vështira..
Gjatë muajve të verës nxehtësia që merrnin taraca dhe muret e bënin tepër të vështirë qëndrimin brenda, kurse punën mendore të pamundur.
Gjatë muajve të dimrit për të siguruar ngrohjen duheshin ngritur drutë e lagura plot miza e milingona.
Apartament pa ngrohje qendrore, pa mjete freskimi, me një dhomë të vetme gjumi, pa dhomë pune a studio, pa telefon. Në atë kuzhinë me dy divanë, një tavolinë, një dollap e një bufe u kryen shumë punë të mëdha. Aty, në tavolinë e në divanët, prindër e fëmijë punonin pa pushim: Dhimitri hartonte skenarët letrarë e regjizorialë, Roza përgatiste rolet teartrale, dy vajzat lexonin e mësonin…
Ajo kuzhinë-studio e familjes Anagnosti duhet kthyer në dhomë muze, për të kuptuar sa shumë kujdesej partia shtet për këta artistë.
Natyrisht, njerëzit e persekutuar, që i kishte hequr partia shtet nga Tirana ose qytete të tjera dhe i kishte plasur bugjeve e kampeve të dëbim-internimit, artistët si Anagnostët i konsideronin “të privilegjuar” të pushtetit, por kush i njohu nga afër e di mirë se ata nuk ishin aspak të privilegjuar, por artistë të dhunuar.
Kushtet materiale tepër të varfra ishin gjysma e së keqes, gjysma tjetër, më e rënda, ishin kushtet psikologjike e politike në të cilat jetonte e punonte cifti Anagnosti. Për t’i mbajtur sus e nën frikë u ishin gjetur dhe atyre “klecka në biografi”, Taqua ishte martuar gjatë viteve studentore me një moskovite, kurse babai i Rozës kishte bërë disa vjet burg… Gjoja për këto shkaqe nuk iu dha një apartament më i mirë, nuk i jepej telfon, nuk lejohej Taqua e Roza të shkonin jashtë shtetit, etj, etj.
Pra cifti Anagnosti ishte “i privilegjuar” i pushtetit, vetëm se kishte të drejtë të punonte kokulur në fushën e minuar të artit nën thundrën e dhunës partiake.
Pakënaqësitë e ciftit Anagnosti i njeh mirë shoku i tyre më i afërt, Azis Karalliu, piktor i Kinostudios, i cili shquhej për filoamerikanizmin e tij dhe fliste hapur me ta për politikën antipopullore të “Pushtetit Popullor”.
Mirëpo, rrethanat tepër të vështira për të folur hapur midis më shumë se dy shokëve, atmosfera e terrorit, bëri që pakënaqësitë e artistëve shqiptarë të mos zhvilloheshin e të mos piqeshin si qëndrim ideologjik, e aq më pak të gjenin pasqyrim në veprat e tyre.
Partia nga njëra anë dhe Sigurimi nga ana tjetër punonin që artistët e shkrimtarët shqiptarë të kishin mosmarëveshje midis tyre, të kishin frikë të hapeshin plotësisht njvri-tjetrit. Duke ua dhënë titujt jo në një kohë, duke i nxjerrë ose jo jashtë shtetit, duke ua dërguar ose botuar veprat jashtë shtetit, etj, etj, nëna parti e bija e saj Sigurimi punonin që sejcilit t’i dukej se tjetrin partia e donte dhe e besonte më shumë… Kështu lindëte humbja e besimit tek shoku, varfërimi i bisedave, kufizimi i tyre në tema ku përdorej një fjalor i varfër e tepër zyrtar.
Kjo politikë e përcarjes solli ftohjen midis Iamail Kadaresë dhe Dritëro Agollit, Viktor Gjikës e Dhimitër Anagnostit, si dhe të shumë shokëve të tjerë në fusha të ndryshme të artit. Kështu nuk u krijuan mundësitë reale që përmes diskutimesh pakënaqësitë e këtyre krijuesve të rriteshin e të piqeshin dhe të ktheheshin në një vijë ideologjike, prej së cilës mund të lindëte disidenca shqiptare.
Ndërkohë duhet të theksojmë se shumica dërmuese e këtyre artistëve dhe shkrimtarëve duke qenë me origjinë punëtorësh e fshatarësh të varfër, ndjenin një farë detyrimi ndaj partisë shtet. Propaganda e përditshme e parties ua kishte mbushur mendjen se ishte e pamoralshme të delje kundër politikës së partisë, sepse ajo ishte treguar nënë e dashur me ta. Ata e ndjenin se duhej paguar ky harac.
Mirëpo trajtimi në veprat e I. Kadaresë e disa ideve të guximshme kundër dhunës, kundër depersonalizimit të njeriut, kundër ushtriumit të frikës, etj u dha një fare kurajë krijuesve më të mirë të kohës. Kështu, pa pasur lidhje e bashkëpunim midis tyre D. Agolli e S. Godo tek revista “Hosteni”; P. Mani e P. Kulla në teatër; V. Gjika, Dh. Anagnosti, K. Cashku, në filma, etj futën në veprat e tyre batuta e fjali të guximshme që kanë mbetur edhe sot si shprehje e guximit të tyre krijues.
Midis krijuesve të kinematografisë shqiptare, regjisori e skenaristi Dhimitër Anagnosti ka për t’u studiuar për luftën e tij plot rezultate në realizimin sa më artistik të veprave të tij dhe për përmbajtjen ideore që i tejkaloi kërkesat e kufizuara të artit të kohës.