Faleminderit
Arjan Th. Kallço: Datëlindja e Heroit kombëtar dhe historia
E shtune, 22.01.2011, 07:23 PM
Datëlindja e Heroit kombëtar dhe historia
Nga Arjan Th. KALLÇO
Vitin e kaluar në të njëjtën kohë, më datën 11 janar, lexova ndonjë artikull për një prej figurave më të mëdha të kombit tonë, Gjergj Kastriotin. Sigurisht figura të tilla, me dimensione paneuropiane, nuk mund të mos përkujtohen, sidomos për një vend si Shqipëria, që në raportet me vendet europiane, të jemi koshientë, nuk ndodh shpesh të kemi njerëz të tillë. Ndoshta kremtime të tilla në vitet e shekullit të kaluar nuk munguan asnjëherë, pavarësisht interesit të shtetarëve shqiptarë që përpiqeshin t’i denigronin herë pas here figura që dukeshin sikur i errësonin vetë ata. Shembujt në historinë tonë, edhe më të re, nuk mungojnë, përkundrazi janë të gjalla dhe u ngjajnë atyre mësimeve që vetë historia nuk ka ditur kurrë të mësojë dhe të japë. Një komb i vogël si Shqipëria, ku gjithmonë janë kënaqur orekse pushtuesish, nuk kishte si të ndodhte ndryshe, është fati i kombeve të vegjël, pavarësisht dëshirave të zjarrta për një lloj nacionalizmi, ndonjëherë edhe të tepruar. Nuk dëshiroj këtu të ngatërroj krenarinë me nacionalizmin, por dëshiroj të përdor shprehjen tonë shtri këmbët sa e ke jorganin. Por viti i kaluar nuk vazhdoi i tillë në lidhje me kujtimin e Skënderbeut, pasi plasën debate të panumërta që mbushën faqe të pafund gazetash, sapo një studiues i huaj botoi një vepër me titullin Skënderbeu.
Heroi ynë kombëtar u gjend pas kaq shekujsh nën qendër të vëmendjes jo vetëm shqiptare. U shprehën të gjithë pa dallim moshe, profesioni, kompetence pasi në librin e tij Schmitt fliste për disa “ të vërteta të tij të zbuluara ose hipoteza”. Më duhet të kujtoj këtu edhe raste kur librat e botuar letrarë, po e theksoj letrarë, kanë ngjallur debate të tilla, për më tepër kur në mes hyjnë edhe institucione të shpirtit. Skënderbeu nuk mund të dilte jashtë kornizave të kohës, pra jashtë aleancave të dyfishta shtetërore-fetare, pasi të dy këta faktorë qeverisnin vendet respektive. Kur në Europë Kristianizmi ishte dominues, a mund të mendohej që njëri nga faktorët të shembej dhe të lihej jashtë qeverisjes? Më keq akoma kur pushtimet turke synonin zëvendësimin e të dy faktorëve në Europë me anë të forcës, duke përmbysur një traditë të thellë shumëshekullore.
Natyrisht librat që shkruhen kanë një synim ose më mirë disa synime të cilat më pas ndahen në synime historike, Ballkani është shembulli më tipik i shovinizmit dhe nacionalizmit; ideologjike, nga më të ndryshmet; komerciale që është dhe një nga synimet kur detaje, shpesh të sajuara si të vërteta, ngjallin kërshëri tek lexuesit.
Nëse je mësuar me një histori që për vite ishte tabu të diskutohej nga të gjithë, unë do ta quaja një banalizim të debateve nëse ndodh një konfuzion i tillë, nuk mund të mos çlirohesh nga caqet ideologjike dhe të përpiqesh të hedhësh dritë mbi disa ngjarje të dekadave të fundit, por që të marrësh guximin dhe të rishikosh një histori gati pesë shekullore, do të ishte kulmi i absurditetit. Pluhuri i kohës, sado që të përpiqemi ta heqim, ka lënë gjurmë të tilla që edhe nëse dëshiron, nuk mund ta zbulosh kurrë të vërtetën siç ka ndodhur. Në fund të fundit çfarë është historia? Një grumbull kujtimesh, të shkruara apo jo, një arkivë e madhe dokumentacioni, ku vetëm për të vërteta absolute nuk mund të flitet. Dokumentet flasin për një lloj historie, por askush nuk mund të pretendojë se është e vetmja dhe e vërteta. Mos të shkojmë më larg se dy dekadat e fundit, cilën histori do të mësojnë pasardhësit? Shumë do të thonë atë që është e shkruar dhe e dokumentuar, apo e servirur nga njerëz që nuk kanë mundësi të jenë të paanshëm, në pluralizëm të vërtetat janë më shumë se dy, pasi janë të ndikuar nga shumë faktorë. Pse duhet të besojmë atëherë se të vërtetat e tyre janë të tilla dhe absolute? Ja pra, ne nuk do të jemi kurrë dakord me versionet zyrtare të tyre, pasi nga pikpamje të ndryshme, historitë do të jenë të ndryshme. Vitin e kaluar pas debateve që shpërthyen lidhur me librin e Schmittit njoha një akademik Italian, Emilio Benvenuton, që në mënyrë tepër modeste po më dhuronte një kopje të dorëshkrimit të tij, lidhur me figurën e Skënderbeut me titull : Gjergj Kastrioti Skënderbeu – heroi kombëtar shqiptar dhe baron i Shën Anxhelos dhe Shën Xhovanit Rotondit dhe pjesë e Patrikut të Venecias. Me këtë libër prof. Benvenuto synon të nxjerrë në pah qënien shqiptar të Skënderbeut që është diçka e shenjtë për arbëreshët që pas vdekjes së tij, shkuan në Itali bashkë me bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Por një tezë shumë e fuqishme sipas tij është fakti se arkivi i Dubrovnikut nuk zotëron asnjë dokument për qënien e heroit tonë si sllav. A do ta kishin patur mundësinë që ta bënin një falsifikim të tillë? Përgjigja do të ishte se verbëria do t’i kishte kapërcyer të gjitha pengesat, por dokumente që i referohen edhe Juniadit nuk e mbështesin tezën për origjinën e tij sllave. Vetë Juniadi ka qenë mollë sherri mes serbëve, hungarezëve dhe rumunëve për origjinën e tij.
Kur biseduam për këtë artikull, menduam që të citonim dy prej arkivave që lidhen me epokën e Skënderbeut, të Napolit, mbretëri me të cilën ishte shumë i lidhur dhe së cilës i qëndroi besnik – si arkivi i një mbretërie të kohës dhe i Venecias – si një prej republikave që e ka mbështetur heroin edhe pse me të ka pasur mosmarrëveshje të herëpashershme. Deri këtu besueshmëria e të të vërtetave nuk ka diskutim, të paktën për dokumente që lidhen me marrëdhëniet dhe letërkëmbimet mes tyre, pasi janë dy burime të rëndësishme dhe prestigjioze. Ka edhe një arkiv tjetër të besueshëm, sipas akademikut Italian, ai i Këshillit të Italisë me qendër në Madrid.
Po këto tre burime cilat të vërteta japin? Historia nuk ka mundësi të shkruhet çast pas çasti apo ditë pas dite me të gjitha hollësitë, prandaj ekzistojnë vetëm detaje të rëndësishme të dorës së parë.
Ja një pasazh nga libri i prof. Benvenutos.
Dominimi i Anxhoinëve zgjati gati një shekull në Shqipëri që filloi me Manfredin, i cili mori si grua Helenën që i solli si pajë Korfuzin, Beratin, Durrësin, Kaninën dhe Vlorën. Të dy brigjet ndodheshin nën të njëjtin dominim me kryeqytet në Itali. Me Manfredin nuk bëhet fjalë vetëm me një bashkim dinastie, sepse u lidhën aleanca midis Artës dhe Epirit, principatës së Moresë dhe mbretërisë së Siçilisë për të mbështetur luftën në Ballkan midis këtyre fuqive dhe perandorit të Nikeas, që njëlloj si Komneni, aspironte kurorën e perandorit të Kostandinopojës dhe për të mbështetur në Itali luftën mes Manfredit dhe Selisë së Shenjtë.
Do të mjaftoni vetëm këto rreshta për të kuptuar sesa komplekse ka qenë në vetvete historia, të paktën në këtë zonë të Mesdheut. Po ta marrim me kujdes këtë pasazh nga libri i prof. Emilios, do të shohim se çfarë interesash fshiheshin në të vërtetë pas aleancave. Si mund të besojmë se prapaskenat e këtyre përpjekjeve të jenë shkruar realisht në dokumente zyrtare, që të na e servirnin të vërtetën? E pra Skënderbeu u gjend në një ndërthurje të këtyre interesave që i mundësuan të shihte edhe interesat e vendit të vet, por detyrimisht të pazgjidhshme me të vetat. A mund të dilte jashtë aleancave të firmosura diku në selitë e Europës? Ma do mendja që nuk do të kishte peshën që ta bënte një gjë të tillë, pavarësisht vullnetit të mirë. Skënderbeu diti në këtë lëmsh tepër të ngatërruar të ishte një politikan dhe diplomat i zoti, nëse arriti që të konvergonte me aleancat dhe marrëveshjet e tyre.
Libri i Schmittit solli një risi që ofendoi krenarinë shqiptare, por nuk mund të hedhë dritë me disa pasazhe mbi të vërtetat e historisë së Skënderbeut. Më vjen vërtet keq që shpërtheu gjithë ai debat në media, por që si shumë debate të tjera mbyllet shpejt, pasi thonë se tek ne bujat fiket pas tre ditësh.
Natyrisht Skënderbeu ishte i biri i Vojsavës, grua me origjinë serbe, por kjo nuk vërteton aspak se ai i ngjau nënës së vet, apo më keq akoma se u shërbeu atyre. Supozimet mund të thonë se ndonjë aleancë të fshehtë ta padukshme edhe mund të ketë pasur, pasi përfaqësonte lidershipin e shqiptarëve në atë kohë që në rast rreziku mund edhe të kërkonte mbështetjen e tyre. Kur turqit e morën Skënderbeun të vogël dhe e përgatitën për ta hedhur në luftë, mes tyre nuk kishte vetëm shqiptarë, por fëmijë edhe nga vendet e tjera të Ballkanit e ndoshta më gjerë, prandaj dhe njohjet me disa prej tyre i sollën aleanca të mëvonshme atij. Gjyshi i tij komandoi ushtri shqiptare, ashtu si shumë komandantë të tjerë europianë të vetat në betejën e fushë Kosovës, pavarësisht se ishte i lidhur me oborrin serb të kohës.
Në Luftën e Dytë Botërore, kur Hitleri po i vinte zjarrin botës, oborret mbretërore të Europës ishin të së njëjtës dinasti, kështu që interesat e tyre ishin të lidhura ngushtë me kontinentin dhe mbretërimin e dinastisë. Kush mund të thotë se nuk pati aleanca të padukshme mes shteteve të cilat nuk i gjejmë në faqet e shkruara të historisë? Askush nuk mund të guxojë të flasë për të vërteta që nuk janë bërë kurrë të njohura. Mund të mbeten hipoteza që ndoshta nuk do të marrin kurrë përgjigje.
Meqë kemi përzemër të dy arsimin, menduam që edhe ta zgjeronim idenë e artikullit tonë, duke bërë edhe një sondazh pranë universitetit Fan S. Noli të Korçës, si pjesë e studimeve të shumta që synojmë edhe në të ardhmen.
Pyetjes se çfarë dini për të, pasi nga sondazhet e ndryshme që shohim me të rinj, shpesh mungesa e dijeve të sjell përgjigje nga më të paparashikueshmet, u përgjigjen si më poshtë : se kanë njohuri të nevojshme, nuk kanë informacionin e duhur, e shohin si njeri të bëmave që u bë hero, luftëtar, udhëheqës dhe figurë e ndritur e kombit për liri kundër turqve, një nga njerëzit më të mëdhenj të shqiptarëve.
Pyetjes se si duhet inkuadruar në histori, i përgjigjen mbi 99% e tyre dhe e shohin si figurë që duhet vlerësuar, pa deformime, origjinal, duhet të marrë vendin e duhur si deri më tash, si figura qendrore e periudhës së pushtimit turk, që ndryshoi rrjedhën e historisë, dikush e quan edhe fitimtar të vetvetes.
Pyetjes se a duhet denigruar figura e tij, mbi 98% thonë jo, të tjerët nuk japin mendim apo e barazojnë figurën e tij me nacionalizmin.
Pyetjes se cilat janë sulmet më të fundit, mbi 96% nuk kanë asnjë informacion, vetëm pjesa tjetër i lidh me origjinën e tij.
Pyetjes se sa të besueshme janë shkrimet dhe a u duhet besuar verbërisht atyre, shprehen se janë interpretime te ndryshme, të tjerë i konsiderojnë të besueshme, pjesërisht të besueshme, apo nuk u duhet besuar.
Pyetjes se a duhet ndryshuar një histori e pajetuar, me vija politike apo të rishikohen figura si Skënderbeu, i përgjigjen qartësisht jo, sepse kontributi flet për të shkuarën, mbase, edhe mund të rishikohen, nëse është e nevojshme, sigurisht mund të rishikohen.
Nga larmia e pyetjeve mund të deduktojmë shumë gjëra, por po ua lëmë në dorë lexuesve, specialistëve të arsimit, historianëve të bëjnë vlerësimet dhe interpretimet e duhura dhe në rradhë të parë Ministrisë së Arsimit për të nxjerrë detyrat e veta.