Faleminderit
Jeta Mani- Bytyçi: Zyrafete Kryeziu-Manaj veprimtare e gjithanëshme
E diele, 16.01.2011, 07:58 PM
Zyrafete Kryeziu-Manaj veprimtare e gjithanëshme
Nga Jeta Mani- Bytyçi
jeta_o_bytyqi@hotmail.com
U lind më 12 shtator,1958 në Therandë (Suharekë).
Është punëtore e arsimit, poete dhe publiciste. Jeton dhe vepron në Suedi. Është e martuar dhe ka tre femijë.
Ngjarjet e vitit 1968 e gjejnë Zyrafeten në moshën dhjetë vjeçare, kur babai i saj fytpërfyt ishte kapur me policinë serbosllave dhe langojt shqipfolës, të cilët kishin rrembyer flamurin e kuq me shkabën dykrenare, dhe e kishin ngujuar në librarinë e qytetit. Ky i revoltuar nga ajo se çfarë po ngjante me flamurin, shperthen kordonin e policisë, së bashku me disa burra tjerë, si: Shaip Gashi, Xhevdet Kuqi e t ë tjerë, e rimarrin edhe njëherë falamurin dhe për katër orë të tëra ai nuk e lëshon nga duart, duke e valvitur lartë. Flamurin më parë e kishte vendosur në një lis, në qendër të qytetit e në ditë tregu Haxhi Bajraktari, Osman Gega e disa të tjerë.
Kjo si e re ishte e rrethuar me biseda për atdheun, dhe për padrejtesitë që po bëheshin ndaj popullit shqiptar në trojet tona nën Jugosllavi. Qysh nga shkolla e mesme, motivonte rininë shkollore për rrugën e drjtë që duhet marrë populli ynë.
Në vitin ‘78-‘79, filloi të studjojë në Fakultetin e Kulturës Fizike. Aty kishte marrë një dhomë në konviktin e studentëve, dhe mbas vendosjes, gjeti mënyrën që në dhomë të saj të tërhiqte shoqet e veta: Kada Berisha, Lira Kuqi, Shpresa Elshani, si dhe në po të njejtën dhomë ishte vendos edhe Sanije Osmani, për të cilën nuk kishin njohuri, por që më vonë e kuptojnë që ishte bija e vellait të Kadri Osmanit. Me këtë rast ato dhomën e tyre e bejnë, dhomë debati dhe bisedash, për të propaganduar idetë e Lëvizjes.
Një vit më vonë, njihet me Qefsere Malen, dhe këtu fillon puna kulminante e Zyrafete Kryeziut. Ajo merrte nga Qefsere Mala, literaturë ilegale, dhe e shpërndante nëpër rininë studentore. Më pastaj, njihet edhe me Hasan Malen, ku edhe shpesh bënin vizita në familjen e tij, nga i cili gjithashtu merrte libra ose gazetat ilegale të kohës.
Në një rast, në dhomën e saj kishte një sasi të konsiderueshme të materialit propagandistik, dhe ishte sinjalizuar, se në konvikt kishte bastisje masive, kjo me ndihmën e shoqes së saj nga Raushiqi i Pejes, Zylfije Mulliqi, arrijnë ta nxerrin tërë matrialin sa kishin dhe ta strehojnë tek një shok i saj, Tafil Ramaj, që banonte në banesë private jashtë Qendres së Studentëve. Ky ishte ballafaqimi i parë me UDB-në, por që ja kishte arrit të ja dal mbarë.
Më pastaj njihet edhe me Sali Malen, vellai i Qefserit, me Bajram Dermakun, Nuhi Berishën, e shumë të tjerë. Perveç propagandës për idenë e lirisë dhe të çlirimit, hartonte dhe shpërndante trakte, të cilat trakte, nxirrnin në pah robërinë e popullit. Këtu vlen të theksohet aksioni i shpërndarjes së traktit ''Popull Shqiptar'', ku në thelbin e këtij trakti pasqyrohet e drejta për liri. Ajo së bashku me motren e saj, Myrvete Kryeziu, kishin organizuar të shpërndajnë trakte nëpër lagjet e Suharekës. Zyrafetja vetë i kishte shpërndarë nëpër shumë lagje të qytetit, kurse Myrvetja brenda shkollës së mesme ''Jeta e Re''.
Pas mbarimit të studimeve, kthehet në Therandë (Suharekë) dhe punësohet arsimtare e edukates fizike. Kjo ishte femra e parë që kishte mbaruar drejtimin e edukatës fizike në komunën e Therandës, dhe kishte thyer tabunë për rrethin, se edhe femra jonë mundet dhe din ta kryej këtë detyrë.
Në demonstratën e vitit '81, pikërisht më 26 mars, ajo lajmërohet nga Qefserja se atë ditë do të ketë demonstrata në Prishtinë, pa u hamendur,vetëm lajmërohet në vendin e punës, dhe me pretekstin se ishte e sëmurë, merr rugën drejt Prishtinës dhe i bashkohet shoqeve dhe shokëve të saj.
Në shkurt të vitit '82, i bijnë në gjurmë veprimtarisë së saj, dhe pikërisht më 26 shkurt arrestohet dhe më 17 qershor e dënojnë me 18 muaj burg.
Pas mbarimit të burgut, ajo sërish i mveshet aktivitetit të saj. Ishte një përvojë pozitive, sepse ajo në burg u takua edhe me shume vajza të tjera, si me Lumnije Azemin, Hidajete Osmanin, Xhevahire Rrahmanin, që më vonë vazhdon kontaktet dhe shkëmbejnë përvoja edhe madje në një rast, e strehon Lumnije Azemin për një kohë në shtëpinë e vet, kur ajo ishte e rrezikuar. Në këtë kohë kjo ndihmon edhe familjet, të cilat i kishin te dashurit e tyre në burg, në mënyrë financiare, gjë të cilën e bente duke kërkuar ndihma tek të afermit dhe farefisi.
Vite më pas martohet në komunën e Klinës, në fshatin Gllarevë. Me ndihmën e bashkëshortit arrin edhe njëherë të punësohet në arsim, pasi që ky, pra bashkshorti Xhafer Manaj, kishte arritë ta bind një punëtore administrate, për t'ia lëshuar pëlqimin (në mënyrë krejt ilegale) nga Komiteti Komunal, dhe për t'ia bashkangjitur dokumenteve përkatëse që duheshin për punësim në arsim.
.Me organizimin e akcionit të pajtimit të gjaqeve, kjo nuk rri duarkryq, edhepse ishte bërë nënë, ajo disa herë ju bashkangjit profesorit te saj Ramadan Shales, dhe plakut Qamil nga Reçani, në këtë akcion sa atdhetar aq edhe human për të pajtuar familjet në hasmëri, punë të cilën e kreu me sukses.
Kjo në komunën e Klinës, së bashku me disa vajza të fshatit Gllarevë, kishte marrë një akcion për nxerrjen e vajzave nga familjarët e tyre dhe për të vazhduar shkollimin.Vajzat që e ndihmuan në këtë punë ishin: Mihane Veselaj, Time Abazaj dhe disa vajzave tjera.
Mbas 5 viteve pune në arsim në fshatin Gllarevë, Komiteti sërish i bjen në gjurmë, dhe në emer të diferencimit politik e largoi nga puna. Lajmin për të mos pasur drejtën e kryerjes së detyrës në arsim, ia komunikoi Musli Hasani. Provon dhe inkuadrohet në Gadime të Lipjanit, ku edhe këtu punon një kohë të shkurtër, dhe sërish zbulohet nga komitetlinjtë e atyshëm. Kësaj here nuk mundet të nxerrë dokumentin e nevojshëm, dhe kështu bëhet person që mbyllen portat e shkollave për të.
E kësaj here edhe duke e parë rrezikun për burgosje, si dhe vështirësitë e papunesisë, (tani edhe bashkshorti kishte mbetur pa punë), detyrohen të migrojnë në Suedi. Këtu punon punëtore e arsimit me fëmijtë shqiptarë, si dhe është trajnere basketbolli për femrat në qytetin e Vetlandës, qytet ku edhe jeton.
Nga krijimtaria poetike, ka të botuara dy libra me poezi dhe një e ka në dorëshkrim, si dhe një libër, ku kryesisht pasqyrohet qëndrimi i femres shqiptare në burgjet serbosllave, ku pritet ta botojë së shpejti.