Faleminderit
Jorgo Dhrami: Figurat e shquara që na nderojnë në përjetësi
E merkure, 12.01.2011, 08:59 PM
FIGURAT E SHQUARA QË NA NDEROJNE NË PËRJETËSI
Nga DR.AV. Jorgo DHRAMI
Shumë kohë më parë, më lindi mendimi për të hedhur në letër figurat më të shquara historike të fshatit tonë që na kanë nderuar dhe na nderojnë në përjetësi. Për këtë, gradualisht fillova të mendoj seriozisht për të përballuar një punë të vështirë. Të gjurmoj dhe të mbledh faktet historike dhe rrethanat që nevojiten për t’i patur në raste të tilla. Ndërkohë, fillova të mendoj mënyrën e përpunimit të këtij matëriali, në drejtim të vërtetësisë, vlerës dhe transmetimit të tij tek të tjerët. M’u desh të hulumtoj, të lexoj shumë materiale, qindra dhe mijëra faqe, të merrja takime me persona të moshuar, si dhe për shkak të mungesës së të dhënave, të përdor deduksionin dhe arsyetimin llogjik në mënyrë të rreptë dhe me kritere shkencore.
Nderkohë, më është dashur të analizoj një për një karakteristikat e përbashkëta dhe të veçanta të personaliteteve të tjera të përafërta me ta, në mënyrë që të vendos në këtë përmbledhje, atë person që është më cilësor se tjetri. Dhe në këtë vështrim, jam munduar t’i shmangem në maksimum subjektivizmit, i cili për hir të së vërtetës, duhet thënë së nuk është kaq i lehtë për t’u mënjanuar në mënyrë absolute. Mbase nuk kam rënë në një gabim të tillë, dhe nëse kjo do t’i përgjigjet së vërtetës dhe të drejtës, do të jem i lumturuar. Vërtetësisht, është një studim jo vetëm i vështirë, por edhe me një përgjegjësi shumë të madhe morale.
Duke u mbështëtur në të dhënat që aktualisht disponojmë, të dala në dritë deri në ditët tona, e pashë të udhës të bëj një përmbledhje të figurave më të shquara historike të fshatit tonë, Qeparo. Ndoshta, kjo, në pjesë të veçanta të saj mund të jetë jo e saktë, pasi është një përmbledhje që bëhet për herë të pare e që sigurisht jashtë saj mund të mbeten figura të tjera që e meritojnë vendosjen e tyre. Por, sidoqoftë, kjo nuk mund të më bëjë të mendoj ose të tërhiqem se nuk duhet bërë akoma kjo përmbledhje. Mendoj se, nëse do të mbaja një qëndrim të tillë, me siguri do të bëja një gabim. Pasaktësinë e saj, do t’a korrigjojë koha dhe njërëzit që kanë njohuritë dhe aftësitë e nevojshme.
Për këtë, besoj dhe kërkoj nga lexuesi të më falet për ndonjë pasaktësi që mund të evidentohet (ndonëse për të kam punuar për një kohë jo të shkurtër). Një gjë është e sigurtë: që unë jam nisur vetëm dhe vetëm, nga dëshira dhe motivi që: kur njeriu mendon se është në gjendje të lërë diçka me vlerë në këtë botë, për vendin dhe fshatin e tij, t’a bëjë këtë pa ndonjë hezitim. Edhe unë kështu po bëj.
Në mënyrë që si bashkëfshatarët e mi ashtu edhe lexuesi të ketë një mundësi reale për t’u njohur më nga afër me këto figurta të shquara, si dhe t’i jepet
- 2 -
mundësia për të shprehur mendimin e tij për pasurimin apo saktësimin e kësaj përmbledhje, mendova të bëj klasifikimin e këtij matëriali, jo duke u mbështëtur kryesisht në vlerat e tyre, sepse ndoshta këtu mund të gaboja, por pak a shumë, sipas kronologjisë së tyre kohore. Ndërkohë, nuk mund të mohoj faktin që në bërjen e kësaj përmbledhjeje, padyshim ka patur ndikimin e vet edhe e veçanta e tyre, e cila detyrimisht merr vlera cilësore. Vështiresia më e madhe vërehet tek përzgjedhja e personave si figura të shquara të kohës së sotme, sepse për ata të mëparshmit, pak a shumë i ka nxjerrë koha në mënyrë të skalitur, duke i vendosur secilin në vendin e vet. Për rrjedhojë, epokën e tyre, do t’a ndaja në tre pjesë:
A. Nga lashtësia deri në vitin 1912
1. At Papa Nika Bragjinati, i cili lindi në vitin 1647 dhe vdiq në vitin 1730 (83vjec).
Ish prifti dhe mjeku i fshatit të Tërbaçit, (atëherë Tërbaçi ishtë pjesë përbërëse e ish krahinës së famshme të Himarës) u vendos për banim të përhershëm në fshatin Qeparo, në vitin 1692. Largimi i tij nga fshati i Tërbaçit u bë për të mos u konvertuar me forcë nga Perandoria Osmane nga besimi ortodoks në besimin mysliman. Qeparoi ndaj tij i mbajti premtimet duke i dhënë tokë dhe privilegjet e tjera që i takonin. Për rrjedhojë ai shërbeu si prift dhe mjek i fshatit. Njihet si një përsonalitet i shquar i dijes dhe i pallës, i drejtë, korrekt dhe i besës. Eshtë krijuesi i mëhallës së Bragjinajve të fshatit (Qeparoit), duke ndjekur kështu vazhdimësinë e saj të fshatit Tërbaç. Eshtë hallka ndërmjetëse midis dy fshatrave: Qeparoit dhe Tërbaçit, ku vëllazëria e gjakut ndonëse kanë kaluar mbi 300 vjet, si dhe me një besim fetar të ndryshëm, (ne ortodoksë dhe ata muslymanë), ruhet e freskët edhe sot në ditët tona. Ajo do të rrojë sa të jetë vetë jeta.
2. Kristo Spiro (i përket kohës rreth viteve 1700 – 1800). Ishte prifti i fshatit Qeparo, muzikant i shkëlqyer dhe me zë të mirë. Jetën e tij j’a dedikoi shërbimit fetar, jo vetëm në fshatin e tij të lindjes por edhe në Maqedoni, Selanik dhe në Stamboll. Me të ardhurat e grumbulluara nga jeta e tij jashtë (18 vjet), restauroi nga themelet Manastirin e Shën Dhimitrit në Qeparo duke e kthyer atë në një mjedis të mrekullueshëm dhe rreze drite për të gjithë Bregdetin. U bë kalogjer, mori emrin Hrihanthos dhe u bë Igumen i tij (Manastirit ). Jetën e tij e mbylli duke qëndruar shërbëtor besnik i këtij manastiri. Përveç gjuhës Shqipe, zotërontë edhe gjuhët e huaja: Greqisht, Italisht, Maqedonisht dhe Turqisht.
3. Qesko Gjika (1740 – 1797). U shkollua dhe shërbeu në Mbretërinë e Napolit me gradën e kolonelit. Në përiudhën e viteve 1769-1771 ka luftuar me armë në
- 3 -
dorë kundër Turqisë në luftën Ruso –Turke, në krye të më se 500 detarëve himariotë, duke i shkaktuar humbje në njerëz dhe dëme të mëdha forcave Turke. Ndonëse ishte i inkuadruar në mbretërinë e Napolit, sa herë që Qeparoi kishte nevojë për të, ishte gjithmonë i gatshëm të jepte ndimesën e tij. U vra më 1797 në luftë kundër Turqisë. Ishte njohës i: Greqishtes, Italishtes, Spanjishtes si dhe Rusishtes.
4. Spiro Gjika (1769 – 1853), (84 vjeç). Ishte shtatlartë, i shëndetshëm dhe zeshkan. Kishte intelekt të jashtëzakonshëm, kujtësë fenomenale, dhe oratori të rrallë. E konsideronin, në krahinën e Delvinës dhe të Vlorës, burrin më të shquar dhe më të urtë të kohës së tij. Ishtë njeri i drejtë, i ndershëm dhe paqësor, por trim kur duhej të tregohej i tillë. Për këto cilësi të tij, Ali Pasha, ndonëse e kishte patur kundërshtar dhe luftuar kundër tij, e mori në oborrin e tij duke e caktuar komandant të 500 vetave luftëtarë. Arriti gradën ushtarake të kolonëlit. Këtij përsonaliteti i takon shprehja hidhëronjës të Çelo Picarit kur u rrethos në betëjën midis forcave të Bregut me ato të Turqisë që udhëhiqte gjeneral Emin Pasha, (së bashku me Çelon): “këtu që kishte shpresa të dilnim e ka zënë kollokotroni ( d.m. th. Spiro Gjika) dhe këtu kemi të bëjmë me kollokotronin. As paret, as armët, as premtimet nuk shkojnë po me gjithatë të gjitha do t’i përdorim ndonëse asgjë nuk shpresoj”. Por, më kot. ”Paratë dhe premtimet tek unë, Çelo, nuk kalojnë. Po të ishe bir i ndonjë babai të mirë do të vintë turp dhe nuk do më afroje para dhe premtime. Tjetër shpëtim nuk keni veçse të dorëzoni arrmët dhe t’ju lemë të kaloni për Janinë” ju përgjigj Spiroja. Zotëronte disa gjuhë të huaja si; Arabisht, Turqisht, Rusisht, Italisht, Greqisht.
5. Zaho Vlashi (1790 - 1822). Për cilësitë e tij të larta, kishte fituar titullin “Kapedan “, dhe populli i thërriste “Zaho Vlash luleja”. Njihet si luftëtar i paepur kundër Turqisë, dhe, kur Ali Pashë Tepelena hyri në luftë kundër Turqisë, sic thotë edhe kënga popullore e asaj kohë “sa e prishe me dovletin, bëre për vetë Bregdetin”, ashtu si shumë luftëtarë të tjerë nga Qeparoi (80 të tillë), e përkrahën Aliun duke shkuar në Oborrin e tij si luftëtarë. Gjatë gjithë kohës qëndroi në oborrin e tij, duke i qëndruar besnik deri sa dha jetën së bashku me vetë Aliun në vitin 1822. Për trimërinë , besnikërinë e tij, ka shkruar dhe arbëreshi Francesko Argondica në canti popolari in Albania, Rome, 1927. Njihte si gjuhë të huaja : Greqisht, Turqisht dhe kishte njohuri për gjuhën Italianë.
6. Qirjako Kapasi (1810-1875). Ishte bir i një fshatari të varfër. I njohur për trimërinë e tij të treguar ndaj pushtuesit Osman. Ishtë një luftëtar që karafilin (pushkën) nuk e hiqte kurrë nga vetja (supet). Që në moshën 13-14 vjeç ka hyrë në luftë kundër Turqisë. Kur dilte në qafë të fshatit (Qeparoit), sipas të moshuarve, nga të pranishmit i hapej vendi për t’u ulur si dhe i ndrisnin armët që mbante gjithmonë me vete. Ka marrë pjesë me armë në dorë në luftën kundër
- 4 -
Turqisë për çlirimin e Greqisë, duke u shquar për trimëri të rrallë. Trimërisë dhe përsonalitetit të tij, populli i ka thurur dhe kënduar këngë, të cilat ruhen deri në ditët tona. Si gjuhë të huaj zotërontë Greqishten.
7. Gjikë Thanasi (1810 - 1852). Ka qenë i pajisur me një zgjuarsi natyrale, me një karakter të skalitur e të qëndrueshëm. Veçanërisht përsonaliteti i tij, del në pah në ngjarjet që lidhen me kryengritjen e Tanzimatit kundër Turqisë. Në vitin 1846 ka marrë pjesë në mbledhjen e zhvilluar në fshatin Picar të Kurveleshit, kundër Turqisë, duke u berë një nga krerët e kësaj lëvizjeje. Po kështu, ka marrë pjesë në Kuvendin e Mesaplikut në vitin 1847 si një nga krerët e tij, për të organizuar luftën kundër Turqisë. Në vitin 1852, ra heroikisht në luftën kundër shovinistëve Malazezë. Populli i ka ngritur dhe kënduar këngë, me anën e të cilave ka shprehur hidhërimin e thellë që ka ndjerë nga humbja e tij .”Ra tërmeti u tund deti,” është vajtuar për të. Zemërimi i popullit ka qenë aq i madh, sa edhe deti e humbi qëtësinë e tij dhe u egersua. Zotërontë si gjuhë të huaj: Greqishten dhe kishte njohuri për Turqishten.
8. Nikollaq Polimer Spirogjika (jetuar rreth viteve 1800 – 1900), është njëriu që ka lënë në 1 shkurt të vitit 1894, historinë (gjenëzen) e mëhallës së Bragjinajve të fshatit Qeparo, të shkruar në gjuhën Greke, mbi të cilën janë mbështetur studiues të ndryshëm për historikun e fshatit. Për arsye se, kjo mëhallë jo vetëm që është më e madhja dhe më e famëshmja, por gati përbën gjysmën e banorëve të fshatit tonë Qeparo. Meqenëse unë këtë historik e kam shkruar në mënyrë adeguate në librin tim “Bragjinajt e Qeparoit”, e ndjej të tepërt të flas më tej për të.
Sipas shumë studiuesve midis tyre po përmend Fane Veizin nga Himara, në librin e tij “Bregu i detit në kënge”, fq. 543 ku shprehet se N. P. Spirogjika në vitin 1892 ka shkruar historikun e fshatit Qeparo, origjinalin e të cilit e ka Aristidh Gjika, të përkthyer nga Greqishtja nga Grigor Gjika. Zotëronte gjuhët e huaja: Greqisht, Italisht, Turqisht si dhe kishte njohuri në Frengjisht dhe Rusisht.
9. Sokrat Leka (1818 – 1894), ka qenë shumë i zgjuar dhe i pallës. Për keto cilësi të larta të tij, shokët dhe populli e thërrisnin “pallëargjendi”. Ishtë një nga krerët më kryesorë të Bregut. Si i tillë ka përfaqësuar Bregdetin në Kuvendin e Mesaplikut në vitin 1847, në Gjirokastër (1847-1849) dhe në Kuvendin e Lidhjes Shqipëtare të Prizrenit (1878), kundër Turqisë. Më 1867, kur porta e Lartë (Turqia), bëri përpjekje t’i hiqte Autonominë Krahinës së Himarës, ishte Sokrat Leka ai që bindi të dërguarit madhorë të Sulltanit që të respektonin venomet e njohura në vitin 1492. Sa herë që Turqia manovronte herë me luftë dhe herë me dinakëri që krahinës së Himarës t’i hiqte autonominë, ishte Sokrati ai që me mençurinë e tij, paralizonte këto aksione duke detyruar Turqinë të hiqte dorë nga pretendimet e saj. Ndaj dhe populli kur vdiq ai, i kendoi:
Qaj, o Çike ,me Gjinikë
Se dreri juaj ka ikë,
- 5 -
Që i vij botës frikë,
Dhe nuk na qasej e ligë.
Me vdekjen e tij dhe të Gjikë Spiros, Qeparoi nga një vend trimash e luftëtarësh kreshnikë, filloi të rrënohet. Vendin e tyre tashmë gradualisht po e zinin tregtarët kapitalistë.
Dhe meqenësë flasim për Sokratin, nuk mund të rrimë pa folur dy fjalë dhe për djalin e tij Mico (1850-1923), si “djali i kapedan Sokratit” që thërritej nga bashkëkohësit. E mbajti lart emrin e familjes. Duhet thënë se ky ishte një nga krerët e pleqësisë himariote që firmosi bashkë me shokët e vet, dokumentin për miratimin e qeverisë së Vlorës dhe të kuvendit kombëtar të Vlorës në vitin 1920 (letra dërguar qeverisë së Vlorës, 17. 3. 1920). Zotëronte gjuhët e huaja: Greqisht, Italisht, Turqisht etj.
B. Nga viti 1912 deri në ditët e sotme
10. Nino Spirogjika vdekur aty nga vitet 1955 – 1960. E tërë jeta e tij ka kaluar duke studiuar. Njihet si njeriu më studiues jo vetëm për fshatin e Qeparoit, por për të gjithë krahinën e Himarës dhe më tej. Është studenti i parë dhe i vetëm deri sot, (nga bashkëfshatarët tonë) që ka mbaruar Universitetin e Kembrixhit në Londër (Angli), emri i të cilit për shkak të rezultateve të larta, të shkëlqyera, figuron i shkruar me gërma të arta. Zotërontë 10 – 12 gjuhë të huaja, (sa Fanoli), që çdo banor i këtij rruzulli do t’a kishte zili. Duke qënë një dijetar i përmasave të tilla, kishte shoqëri me përsonalitetet e mëdha të kohës së tij në fushën e dijes, si Andon Zakon (Çajupin), etj. Ka jetuar në vende të ndryshme si në Greqi, Misir e gjetkë. Për shkak të marrjes me studime dhe të plotësimit gjithnjë e në rritje të kerkesave të tij për dije, mbeti pa u martuar. E motra Theodhora, duke i ditur keto cilësi, si dhe dëshirën e madhe të tij për dije, me qëllim që ajo t’i vinte në ndihmë në çdo çast të vellait, mbeti edhe ajo pa u martuar. Dija dhe synimi i tij për t’a rritur atë në shkallen më të lartë, e “syrgjinosën” atë dhe motrën e tij, duke u hequr mundesinë natyrore për krijimin e familjes.
Raste të rralla keto në jetë. Vdiq në vetmi aty nga vitet 1955 - 1960, në fshatin e tij të dashur dhe të shtrenjtë, Qeparo. Ndonëse i vetëm, në varrimin e tij, (varr të cilin e kishte bërë vetë më parë, sepse i përmbahej filozofisë: se është disfatë kur varrin t’a bën tjetri), mori pjesë i gjithë fshati dhe përfaqësues nga krahina e Himarës. Edhe sot nga bashkëfshatarët tonë përmenden shprehjet e tij filozofike që përdorte ai, në raste interesante.
11 Taso Koçi lindur rreth viteve 1875 dhe vdekur aty nga vitet 1956 – 1957.
Ndonëse nuk kishte arsimin e duhur, për shkaqe që dihen për kohën, në realitet ishte një personalitet në fushën e dijes. Kishte një kujtesë fenomenale, dhe për këtë, ishte në gjendje të mbante mend dhe të tregonte ngjarje dhe data historike
- 6 -
me një përpikmëri të çuditshme. Ndërkohë nuk gabonte në mënyrën e renditjes së tyre. Njihte mjaft mirë historinë dhe filozofinë e kohës. Ishte një kundërshtar i paepur kundër Turqisë. Me zgjuarsinë e tij të veçantë edhe atëherë kur forcat turke i afroheshin arrestimit të tij, ai jo vetëm që u shpëtonte atyre, por i vinte edhe në lojë ata. Kishte një rreth shoqëror të madh duke përfshirë këtu edhe të besimit muslyman. Shquhej për një oratori dhe tregimtar sa kur nuhaste që ndonjë kundërshtar i tij apo ndonjë person që kërkonte t’i hiqej si i zgjuar, nuk e kishte të vështirë që t’a vinte në lojë apo ta largonte nga vetja me një mendim tjatër nga ai që kishte ardhur. Ndërkohë ishtë një bejtexhi i klasit të parë. Për ngjarjet e kohës që bënin përshtypje , nuk kishte vështirësi t’i trajtonte ato në bejtet e tij. Ishte nga personat e veçantë bashkëkohorë të tij që njihte dhe fliste mirë turqishten. Po kështu zotëronte gjuhën Greke, Italiane dhe kishte njohuri të mjaftueshme për Frengjishten.
12. Janko Pali (1897 – 1994 ). Jeta e tij është shumë interesante. Nëse do t’a përkufizojmë në mënyrë figurative, ajo ka formën e një katërkëndëshi kënddrejtë. Ka lindur në Izmir ( Turqi ), ka jetuar në Francë, mandej në Shqipëri, dhe ka vdekur në Greqi. Rast me të vertetë i rallë.
Mësimet e para i bëri në Greqi dhe në Francë, dhe mandej në Shqipëri. Është nga njerëzit tipikë, luftëtar për dije. Poliglot në fushën e gjuhëve të huaja, zotëronte nëntë të tilla: Greqisht, Italisht, Frengjisht, Anglisht, Spanjisht, Rusisht, Gjermanisht, Esperanton etj. Gjatë tërë jetës së tij dhe deri sa doli në pension, është marrë me mësimdhënie në rrethin e Vlorës, dhe në fshatin e tij, Qeparo. Ka qenë me funksione të ndryshme shtetërore në fushën e arsimit në rrethin e Vlorës si dhe drejtor i shkollës shtatë vjeçare në Qeparo. Gjithmonë është karakterizuar për një mësimdhënie model, i dashur me nxënësit dhe kolegët e tij. Për këtë ka fituar (është shpallur) nga shteti Shqiptar “Mësues i Merituar”. Shkolla e Qeparoit ka patur (mbante) emrin e tij, por më vonë për shkaqe subjektive të përfaqësuesve të shtetit, i është hequr emri i tij dhe vendosur emri i një personi tjetër.
Janko Pali, apo sikundër e thërriste fshati, mësuesi, është autor i disa librave historiko-shkencore, dhe i shumë artikujve të tjerë po të tillë. Imagjinoni nëse ky personalitet i dijes, do të kishte patur fatin të studionte në kushtet e qytetit se çfarë kontributi do të kishte dhënë në fushën shkencore . Kam qenë nxënës i tij.
Duke përfituar nga rasti, mund të them pa frikë se vendin e tij po e zë në mënyrë të denjë, djali i tij i mesëm, Petraqi, i cili është autor i shumë librave me vlerë, publicist si dhe një dashamirës nostalgjik i fshatit, sa rrallë kush tjetër.
13. Foto Kushta (1909 – 1991). Ndonëse nuk ka patur arsim të mesëm, ka qenë njeri i zgjuar, bejtexhi dhe historian. Njihet si njeri punëtor, i drejtë, i ndershëm dhe babaxhan. Kishte profesionin e zdrukthtarit të cilin e njihte me kompetencë
- 7 -
të lartë profesionale. Është njeriu që ka kontribuar më shumë se kushdo tjetër në fshatin e tij të Qeparoit, në mbledhjen dhe administrimin e folklorit si të Qeparoit ashtu dhe të krahinës së Himarës. Emri dhe grumbullimi prej tij të folklorit, njihen nga shteti duke u gdhendur figura e tij në historinë e folkloristikës Shqiptare. Ka kontribut të veçantë në krijimin e Muzeut të fshatit (Qeparoit). Zotëronte gjuhët e huaja : Greqisht dhe Italisht.
14. Koço Dhrami (1911 – 1995). Karakterizohej si njeri i dijes dhe i sportit. Mësimet e para i kreu në vendlindjen e tij, Qeparo, kurse të tjerat deri në arsimin e Lartë (Akademinë Pedagogjike), në Greqi. Gjatë kohës që ishte në Greqi për t’u arsimuar, ka ushtruar sporte të tilla si: hedhjen e gjyles, ku është shpallur kampion i Greqisë në moshen 18 veç, ka qenë lojtar i ekipit të futbollit të krahinës së Himarës, “Vetëtimës “, ku është shquar si lojtar teknik dhe i shkathët. Është aktivizuar në lëvizjen Nacinal – Çlirimtare të vendit tonë. Pas çlirimit të vendit, ka banuar në qytetin e Vlorës si dhe ka punuar në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit të Vlorës (sot quhet Bashki), në seksionin e fiskulturës si përgjegjes i saj, si dhe trainer i sportit të Atletikës. Njihet si njeri intelektual, i ndershëm, i drejtë dhe komunikues me njerëzit. Zotërontë gjuhët e huaja : Greqisht, Frengjisht dhe Italisht.
15. Grigor Gjika (1914 - 1995). I përket një familjeje deri diku në gjendje të mirë ekonomike për kohën e tij. Mësimet e para të fillores i mbaroi në fshatin e tij të lindjes, Qeparo, kurse ato të mëtejshmet deri në mbarimin e Universitëtit, në Greqi. Ka qenë student i shkëlqyer.
Zotërontë gjuhët e huaja , si: Greqisht, Italisht dhe Rusisht (ketë të fundit e mësoi në moshën 40 vjeçare brenda tre muajve i detyruar nga nevoja që të hynte në debat me kolegët e tij që kishin mbaruar studimet në Rusi, në atë kohë). Kishte njohuri disi për gjuhët e huaja Anglisht dhe Frengjisht. Profili i tij në jetë ka qenë ai i juristit. Ka punuar në organet gjyqësore (kryetar gjykate) në rrethet e Krujës, të Vlorës dhe më pas Drejtor i Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme . Aty nga vitet 1970, për krenari personale dhe dinjitet profesional, për shkak të një debati të zhvilluar midis tij dhe ish Prokurorit të Përgjithshem të asaj kohe, ish Antarit të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Lefter Goga, lidhur me akuzën ndaj të ashtuquajturit grup armiqësor të rrethit të Lushnjës për veprimtari sabotuese në fushën e ekonomisë, që për Grigorin ishin të pafajshëm, kurse për L.G -në, ishin fajtorë dhe për këtë u ekzekutuan), u largua nga detyra e prokurorit. Nderkohë, ka qenë për 25 vjet, pedagog në Fakultetin Juridik deri në Kryetar i Komisionit të provimeve shtëtërore. Në punën e tij, është karakterizuar gjithmonë për aftësi të larta dhe të rralla, ndershmëri, sinqeritet dhe objektivitet. Është personi më me autoritet në fushën e jurispudencës Shqiptare. Është autor i shumë librave dhe artikujve shkencorë të fushës juridike.
- 8 -
Ndonëse i larguar nga Qeparoi në moshë fare të vogel, ishte shumë i ndjeshëm për vendlindjen e tij si dhe për gjithë Bregun. Ishte i gatshëm që për çdo patriot të tij, të sakrifikonte. Ka qenë i internuar nga Gjermanët në Prishtinë (Kosovë) gjatë Luftës Nac. Çlirimtare, dhe i dënuar me vdekje. Zgjuarsia dhe trimëria e tij, e shpëtuan. Emri dhe vepra e tij përmendet me respekt të veçantë, si model i Drejtësisë. Besoj se edhe vetëm këto, këtë person e vendosin në piedestal, sepse të tjerat do t’i them në Monografinë që po përfundoj për të.
16. Andrea Varfi (1914 – 1992). Arsimin fillor e ka mbaruar në vendlindjen e tij, Qeparo të mesmen në Tiranë, ndërsa të lartën në Itali ku dhe ka fituar gradën “Doktor i Shkencave Agrare“. Në vitin 1947 ndëshkohet penalisht me dy vjet burg por, në vitin 1949 merr pafajsinë. Më pas u bë shkrimtar dhe publicist. Autor i disa librave dhe artikujve të ndryshëm shkencore. Ka qenë Antar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Ka marrë pjesë me armë në dorë në Luftën Antifashiste Nacional - Çlirimtare. Ishte sekretari (përgjegjesi ) i parë i celulës së parë komuniste të fshatit të Qeparoit si dhe përfaqësuesi (Komandanti) i Çetës së Bregut. Zotëronte gjuhët e huaja: Greqisht, Italisht, Spanjisht dhe Rusisht.
17. Spiro Rusha, lindur në fshatin Qeparo, në vitin 1917. Ka mbaruar studimet e larta në vitin 1955 në Fakultetin e Historisë të Instititit të Lartë Pedagogjik. Ka marrë pjesë me armë në dorë për çlirimin e vendit nga okupatori Nazi-fashist, dhe mbas çlirimit të vendit, ka punuar si drejtues i Partisë dhe pushtetit të asaj kohe në vende dhe rrethe të ndryshme, mandej Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, dhe në fund të karrierës së tij Drejtues i Arkivit të Shtetit. Në moshën e tij të thyer, është internuar në Kurbnesh të rrethit të Mirditës, jo për shkaqe që lidheshin me të, por, të arratisjes së nipit të tij jashtë shtetit (Francë), muzikantit shumë të talentuar Tedi Papavramit. Gjatë gjithë kohës së tij në punët e ndryshme partiake dhe shtetërore, është karakterizuar si njeri i zoti dhe intelektual i mirëfilltë. Ka njohuri të thella në fushën e dijes si dhe është autor i shumë librave dhe artikujve të ndryshëm shkencore me vlera të veçanta. Spiro Rusha apo “Barba Spiroja” siç e thërrasin bashkëfshatarët tonë, është një studiues serioz dhe objektiv.
Ndonëse aktualisht është në një moshë tepër të thyer, mendimet e tij nuk i shpreh në mënyrë të mbuluar apo të rrumbullakosur, por ashtu siç i mendon dhe i di. Është udhërrëfyes për historikun e fshatit dhe të krahinës së Himarës. Zotëron gjuhët e huaja: Greqisht, Italisht, Rusisht si dhe ka njohuri të mjaftueshme Frengjisht.
18. Minella Gjika, lindur në Qeparo në vitin 1923. Profesioni i tij është Ekonomist. Shquhet për një kujtesë fenomenale, objektivitet në trajtimin e të dhënave historike, si dhe një gjurmues dhe mbledhës i të dhënave historike dhe
- 9 -
folklorike të fshatit të vet dhe të krahinës së Himarës. Është një nga personat më njohës të gjenezës së Mehalles së Bragjinajve dhe jo më pak edhe të mehallave të tjera të fshatit tonë. Mund të them pa frikë se është një histori e gjallë. Ndërkohë, është dhe një vjershëtar i talentuar si dhe njeri i papërtuar për të ndihmuar të tjerët në rast nevoje. Zotëron gjuhët e huaja: Greqisht dhe Italisht. Aktualisht banon në Greqi, Athinë, në pension.
19. Vasil Vangjel Gjikondi, lindur në fshatin Qeparo në vitin 1925.
Ka marrë pjesë me armë në dorë për çlirimin e vendit nga okupatorët Nazi-Fashistë. Megjithëse në një moshë fare të re, 14 – 15 vjeç, ka treguar trimëri të rrallë. Për këto cilësi të veçanta të tij, ka punuar në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë (N-Çl.). Fill pas çlirimit të vendit, është dërguar për studime jashtë shtetit, Jugosllavi, për arsim të Lartë Ushtarak, por meqenëse u prishën marrëdhëniet shtetërore, studimet i kreu në ish Bashkimin Sovjetik. Është nga aviatoret e parë në Shqipëri si dhe i pari dhe i vetmi deri tani për fshatin e Qeparoit. Veç arsimit të lartë ushtarak, ka mbaruar edhe Fakultetin Histori - Gjeografi në Tiranë. Ka qenë student i shkëlqyer, si dhe i aftë profesionalisht. Ndërkohë karakterizohet për gjakftohtësi, i drejtë, i sinqertë dhe i dashur. Është njohës i mirë i gjuhëve të huaja: Rusisht, Serbo – Kroatisht, Greqisht dhe Italisht.
20. Xhoxhi Konomi, lindur në Qeparo në vitin 1925. Është me profesionin e juristit të mbaruar jashtë shtetit (ish Bashkimin Sovjetik ). Ka qenë titullar në Prokurorinë e rrethit të Lushnjës si dhe mandej ka punuar në Prokurorinë e Përgjithshme. Më pas ka punuar si këshilltar në ish Presidiumin e Kuvendit Popullor. Është intelektual i mirëfilltë, si dhe person i shquar në Jurispudencën Shqiptare. Është autor i disa librave dhe artikujve të ndryshëm shkencore, të profilit juridik. Aktualisht është në pension në Greqi. Zotëron disa gjuhë të huaja si: Rusisht, Italisht, Frengjisht dhe Greqisht.
21. Filip Polo, ka lindur në vitin 1928 në fshatin Qeparo. Është me arsim të lartë dhe gjatë jetës së tij është marrë me punë Partie (Partisë së Punës së Shqipërisë), instruktor, si dhe për shumë kohë është marrë me drejtimin e Kooperativës Bujqësore të Bashkuar Qeparo – Kudhës. Shquhet për ndershmërinë e tij në marrëdhënie pune si me shtetin ashtu edhe me bashkëfshatarët e tij apo cilëtdo përsona qofshin ata. Është njeri i sinqertë, komunikues me njerëzit, objektiv dhe gjakftohtë. Mund të them pa frikë se ai është modeli i këtyre cilësive. Ndonëse është në pension (Greqi), gëzon autoritet dhe respektin e bashkëfshatarëve tonë dhe me tej. Zotëron si gjuhë të huaj; Greqishten, ka njohuri për Italisht dhe Rusisht.
- 10 -
22. Manol Muçko (1933 – 2007). Ka mbaruar arsimin e Lartë (Tiranë) Histori – Gjeografi, dhe gati tërë jetën e tij ka ushtruar mësimdhënien në qytetin e Tiranës. Ka gradën shkencore të Profesorit. Për aftësitë dhe cilesitë e tij të veçanta, i është besuar drejtimi i seksionit të arsimit të rrethit të Tiranës, për një kohë të gjatë. Është karaktërizuar nga tipare të tilla si; gjakftohtësia, serioziteti dhe komunikimi me njerezit. Ndonëse i larguar nga vendlindja e tij Qeparo në moshë të vogël, lidhjet me fshatin nuk i ka ndërprerë, përkundrazi ka qenë një frekuentues i rregullt. Zotëronte gjuhët e huaja: Rusisht dhe Gjermanisht.
23. Andon Qesari, lindur në Qeparo në vitin 1942. Ka mbaruar arsimin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ndonëse fillimisht u bë gati për të kryer studimet në Kinë, e nisi për gjeollog dhe përfundoi Artist. Është “Artist i Merituar” dhe një nga figurat më të famëshme të skenës dhe të filmit Shqiptar. Duke qenë një njohës mjaft i mirë i artit, ai jo vetëm që ka luajtur në rolin e aktorit një jetë të tërë, por ka luajtur po kaq shkëlqyer edhe rolin e regjisorit. Mjafton të përmendim si punë të mirëfilltë të tij, vetëm Komedinë “Pallati
24. Jano Koçi, lindur në Qeparo në vitin 1942. Ka mbaruar arsimin e Lartë në Universitetin e Tiranës, duke punuar arsimtar, fillimisht në fshatin e Dhërmiut (të krahinës së Himarës) dhe mandej në vendlindjen e tij, Qeparo. Është shquar si mësimdhënës i një niveli të lartë, bashkëkohor dhe me reputacion. Nëse i ndjeri Janko Pali ne fushen e mesidhenies është përfaqësuesi më virtuoz i brezit të tij, J.K. është padyshim adeguati për brezin e tij. Por, ky personalitet, nuk ka vetëm meritë në ketë drejtim. Ai është marrë dhe merret për një kohë të gjatë edhe me studime shkencore në fushën e arkeologjisë për Qeparoin dhe fshatrat përrreth tij. Kontributi i tij është pasqyruar në artikuj shkencorë, si dhe në një përmbledhëse të titulluar ”guide turistike “. Si gjuhë të huaja, zotëron Greqishten, si dhe ka njohuri të mjaftueshme Italisht dhe Rusisht.
25. Petro Koçi, është një tjetër figurë e njohur nga fshati ynë por që ka lindur në qytetin e Vlorës në vitin 1961. Ka mbaruar arsimin e Lartë në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja (Anglisht), dhe pas mbarimit të tij, ka
- 11 -
punuar në arsim (mësimdhënës ) në rrethin e Dibrës, dhe mandej në rrethin e Fierit. Me ardhjen e Demokracisë, u aktivizua me Partinë Socialiste ku edhe u bë drejtues i saj për rrethin e Fierit (1991 - !997), dhe pas kësaj periudhe, antar i Krysisë dhe Sekretar Organizativ i Partisë Socialiste. Është Deputet i Parlamentit Shqiptar për disa legjislatura me rradhë. Ka qenë në postin e Ministrit të Rendit. Shquhet për inteligjencë, sinqeritet, ndershmëri, objektvitet si dhe oratori në debatet e zhvilluara si në jetën Parlamentare ashtu dhe jashtë saj. Është autor i disa librave dhe artikujve të ndryshëm shkencore, të profilit politik. Zotëron gjuhët e huaja: Anglisht, Italisht, Gjermanisht dhe Frengjisht. Meriton plotësisht të cilesohet përfaqësues i denjë i fshatit tonë Qeparo, i Bregut dhe me tëj.
C. Me origjinë nga Qeparoi
26. Jani Kiço Lufi, lindur në vitin 1931 në fshatin Sofratikë të rrethit të Gjirokastrës. Dy prindërit e tij kanë qenë nga fshati i Qeparoit, por për shkaqe të paditura akoma, të parët e tyre kanë përfunduar në fshatin Sofratike të rrethit të Gjirokastrës, siç pohon edhe vetë Jani në një intervistë të dhënë prej tij në gazetën Shqiptare të datës 20 maj 2004. Jani, që në moshë fare të vogel, 13 vjeç, ka marrë pjesë në luftën Nac-Çlirimtare, ndërsa studimet e para ushtarake i ka marrë në shkollën “Skenderbegas” dhe më vonë në Shkollën e Bashkuar, Tiranë. Në vitin 1959 niset për studime në Ish Bashkimin Sovjetik, në Akademinë Ushtarake ”Frunxe” të Moskës, ku shquhet si student, qitës, atlet dhe strateg ushtarak. Ndonëse studentët e tjerë Shqiptarë, me prishjen e marrdhënieve shtetërore me Rusinë u kthyen në Shqipëri, Jani nuk u kthye por vazhdoi dhe mbaroi studimet. Pas studimeve, kreu detyra të rëndësishme në ish B.S, ku arriti të bëhej komandant i Regjimentit Nr. 32 të ushtrisë Sovjetike si dhe komandant i Divizionit nr. 197 në Rusinë Qëndrore.
Ka qenë gjithashtu shef i Shtabit të Korparmatës së 12-të në jug të Rusisë, dhe në vitin 1983 me vendimin e qeverisë Sovjetike gradohet me gradën e lartë të Gjeneral – Majorit. Në ketë mënyrë ai hyri në elitën e ushtarakëve më të lartë të B.S. Është dekoruar mëse 6 herë me urdhëra e dekoratat më të larta të B. S. Është Qytetar nderi për Ocetinë e Veriut dhe njëkohësisht kreu i shoqatës “Vëllazëria e Gjeneralëve”, në Moskë. Aktualisht banon në Krasnador. Ka dy djem: Andrean me profesionin e mjekut dhe Kostandinin jurist. Bashkëshortja i ka vdekur kohë më parë.
Gjeneral – Majori, Jani Lufi (ndoshta mbiemri i tij i mëparshëm mund të jetë Bufi- shenimi im –J.Dh.), ndonëse ka ardhur në Shqipëri në vitin 2004, për shkaqe të paditura akoma, nuk është lidhur me bashkëfshatarët e tij të origjinës. Shpresojmë të lidhemi me të ose me fëmijet e tij.
Pasi kisha hedhur këto shënime për të, për çudi, Gazeta “Ndryshe”,e Dt.18.04.08. boton një artikull në dy faqet e saj (12-13), me autor Vasil Premçi, për këtë përson, por pa përmendur origjinën e tij, ku nënvizon meritat e mëdha të tij.
- 12 -
27. Fatos Thanas Nano, lindur në Tiranë në vitin 1952. Origjina e familjes (fisit Nano), është nga një familje e vjetër në Qeparo dhe e dëgjuar në Bregdet, për njerëz punëtorë, dije dhe trimëri kundër Turqisë. Nga të dhënat e deritanishme, (të grumbulluara nga i apasionuari e bashkëfshatari ynë nga origjina, i nderuari, Vangjel Nano si dhe unë), rezulton se i pari i kësaj familje, ishtë Kosta Nano, (1690 – 1770). Nga martesa e tij lindën dy djem, Jani (1730 – 1800 ) dhe Vangjeli (1735 - 1780). Jani, ndonëse u martua, fati nuk i dha fëmijë. Me vdekjen e babait të tyre Kosta, drejtimin e familjes e mori Vangjeli. Ky i fundit, ndryshe nga i vëllai, pati fat nga martesa, pasi ajo i dha dy fëmijë: Elenin (vajza) dhe Thanasin (djali), (1770 – 1850). Pas vdekjes së Vangjelit, drejtimin e mori Thanasi, i cili ndonëse në një moshë fare të re, u aktivizua në Çetën e Bregut në luftë kundër Turqisë si luftëtar i thjeshtë dhe mandej u bë drejtues i saj. Thanasi, karakterizohej si një njeri fjalë pak dhe trim i shquar kundër Turqisë. Ishte trupmadh dhe i pashëm. Aty nga vitet 1797, kur Franca pushtoi Korfuzin, Ali Pasha përfitoi nga rasti i bashkimit të tij me Francezët, dhe sulmoi Himarën. Befasia i dha fitoren e çastit duke zënë dhe disa robër, midis të cilëve dhe Thanasin e plagosur. Ushtarët e Aliut, të entuziasmuar nga gëzimi i kapjes së disa Himariotëve të gjallë, pasi ishte shumë vështirë të kapeshin të tillë, sepse udhëhiqeshin gjithmonë nga laitmotivi: ose të fitonin ose të vdisnin në betejë si trimat, Thanasin ja çuan Aliut në këtë gjendje. Aliu, kur pa Thanasin me një trup për t’a patur zili si dhe duke ditur më parë për trimërinë e tij, i erdhi keq për t’a vrarë, dhe për ketë i propozoi që të vihej në shërbim të tij duke i dhënë poste, pasuri etj, si dhe të ndryshonte besimin nga Ortodoks në atë Muslyman. Por, Thanas Nano, si bir i dashur dhe trim i Krahinës së Himarës, nuk pranoi propozimin e Aliut. Për hir të trimërisë së tij, Aliu e lejoi të largohej nga vendlindja e tij, Qeparoi, dhe të shkonte në vende të tjera ku ai mund të vendosej për banim.
Fillimisht u vendos në fshatin Hormovë ku qëndroi 15 - 16 vjet, më pas në fshatin Karjan të Gjirokastrës. Pasardhësit e tij, aty rreth viteve 1850 u larguan nga ky fshat dhe u vendosën në fshatin Nokovë po të Gjirokastrës. Nga këta pasardhës, të vendosur për banim në këtë fshat, siç thamë edhe më sipër, e ka prejardhjen Fatos Thanas Nano. I kërkoj ndjesë lexuesit sepse u zgjata në ketë përshkrim, ndonëse materialet që disponohen nga ana ime për këtë rast, janë shumë, por i përmenda këto si materiale të pa dala akoma në dritë, të cilat, pjesërisht dhe në mënyrë të shkurtuar, botohen për herë të parë.
Përsa i përket Fatos Nanos, ndonëse sivia e tij (mjaft e pasur) është e njohur publikisht, shkurtimisht mund të them dy fjalë: është themeluesi dhe drejtuesi i Partisë Socialiste të Shqipërisë për 15 vjet rrjesht. Ka qenë më se një herë në detyrën e Kryeministrit, si dhe Deputet në Parlamentin Shqiptar që nga ardhja e Demokracisë e aktualisht. Është njeri i dijes, me gradën shkencore Profesor, si
- 13 -
dhe zotëron disa gjuhë të huaja, si: Anglisht, Frengjisht, Rusisht, Italisht, Greqisht etj. Karakterizohet si tip i qetë, bashkëkohor, dinjitoz dhe politikan i përmasave të medha.
28. George Tenet (Jorgo Koka ). Lindur në vitin 1953 në Neë York, SH.B.A. Është i biri i Qirjakos dhe i Vangjelicës. I ati kishte emigruar fillimisht në Greqi dhe mandej në Francë, së bashku me të atin e vet, Ninon si dhe vëllain e tij, Sofon. Mbasi Franca nuk i realizoi ëndrrat, emigroi në Amerikë ku dhe mbylli jetën e tij. Origjina e të parëve të tij është nga Korfuzi (Greqi).
I biri, Teneti, në 1976, diplomohet në Universitetin ”Xhorxh Toën” për diplomaci. Më 1978, gradohet për master në Universitetin e Kolumbias. Karriera e tij: 1978 - 1979, drejtor i Institutit greko – amerikan i lobit grek në SH.B.A 1979-1982, në shoqatën e industrialistëve të energjisë diellore. Më 1982 – 1985 ndihmës ligjor dhe më pas drejtor ligjor i senatorit amerikan, John Heinz, në Pensilvani, i specializuar për sigurinë kombëtare dhe sigurinë e energjisë. Më 1985 – 1989, në stafin e senatorit Patrik Leahy, Vermont. Më 1989 – 1993, në Komitetin e Inteligjencës me senatorin demokrat David Boren,Oklahoma. Më 1993, pjestar i stafit për sigurinë kombëtare për Presidentin Bill Clinton. Më 1993 – 1995, drejtor për programet e intelegjencës në stafin e Clinton-it. 1995 – 1996, zëvendësdrejtor i CIA-s. 1996- n 1997, në stafin e shefit të CIA- s. 11 Korrik 1997, betohet si shef i CIA- s. Më 2001, bëhet i pari shef i CIA-s që edhe ndërrohet presidenti ai vazhdon detyrën. Më 3 Qershor 2004, jep dorëheqjen nga shefi i CIA-s.
George Tenet, është personaliteti më i madh i kohërave jo vetëm për Qeparonë e Himarën, por i përmasave Botërore, me famë Planetare. Ka qenë dhe është bir i dashur i krahinës sonë të shtrenjtë dhe të dashur, Himarës. Është nderi dhe krenaria jonë.
Në përfundim, e ndjej të nevojshme të theksoj edhe një herë se duke qenë trajtimi i parë i këtij lloji, për pasaktësinë që mund të kem treguar ose për mosvendosjen e personave të tjerë që me të vertëtë e meritojnë një vendosje të tyre, të kërkoj ndjesë dhe premtim për t’a pasuruar më tej këtë shkrim (studim).
Një detyrim ky, që nuk është vetëm rrjedhojë e anës morale, por personalitete të këtyre përmasave, me të vertetë e meritojnë një sakrificë të tillë. Me këtë rast, personalitetet që kanë vdekur do t’i kujtojmë gjithmonë me respekt, ndërsa atyre të gjallë ju urojmë jetë të gjatë dhe të lumtur.
Avokat dhe Pedagog i së Drejtës Penale :
Magjistraturë, si dhe Universitetet jo publike :
“Luarasi “ dhe “Sevasti & Parashqevi Qiriazi “
Doktor i shkencave Juridike
Jorgo DHRAMI
Tiranë, më 07.05.2008.