Mendime
Tristram Korten: Të luash me Zjarrin!
E enjte, 06.01.2011, 07:00 PM
Të luash me Zjarrin!
Nga Tristram Korten
Në pasditen e 16 majit të vitit 2007 një avion Kargo i tipit Ilyushin Il-76 gjëmoi në pistën e Aeroportit Burgas në Bullgarinë Lindore. Mbante brenda të paketuara 110.000 granata gati për në Kabul, Afganistan. Avioni u ngrit, duke kaluar mes kodrinave në perëndim dhe Detit të Zi në lindje. Iku drejt luftës.
Gjysmë bote më tutje, në katin e parë të një godine fshehur mes palmave në plazhin Majami, Florida, një djalë 21-vjeçar që kishte braktisur shkollën dhe që quhej Efraim Diveroli lëvizte me nervozizëm.
Ai ishte presidenti i "AEY Inc.", një kompani armësh e licencuar dhe granatat për të cilat folëm më lart ishin të tijat. Ai fluturim, ishte i pari i një serie ngarkesash, për të cilat kompania e tij kishte bërë marrëveshje me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes. Sipas kontratës, duhet të furnizuar me municione ushtrinë afgane dhe forcat e rendit.
E thënë përmbledhtas, kontrata e "AEY"-së kishte një vlerë prej 300 milion $ dhe kompania ishte me vonesë në dorëzim. Zyrtarë nga ushtria amerikane kishin filluar të telefononin të merakosur për vonesën dhe donin të dinin kur do të fillonte lëvizja e ngarkesave.
Në 10:30 të mëngjesit, zv.presidenti i "AEY", 25-vjeçari David Packouz, i dërgon një e-mail kontakteve të Pentagonit për t'i informuar për nisjen e avionit. Por edhe me ngritjen e "Ilyshin", prapë nuk ishte koha për t'u gëzuar.
Gjithçka mund të ndodhte me një avion të tejmbushur me eksplozivë në një zonë lufte. Vetëm në mesnatë avioni "Ilyshin" arriti të ulej dhe majori i ushtrisë amerikane në Kabul firmosi certifikatën e ngarkesës. Në atë moment, stafi i "AEY" ishte mbledhur në apartamentin e Diverolit në katin e 28 të një ndërtese në Plazhin Flamingo në jug ku Diveroli hapi një shishe shampanjë.
Ulja në Kabul donte të thoshte se "AEY" po pozicionohej për t'u bërë një lojtar i madh dhe i rëndësishëm në tregun botëror të armëve. Diveroli do të quhej pa hezitim një burrë shumë i pasur. Brenda natës, biznesi që ai kishte hapur në 2004 në moshën 18-vjeçare u bë furnizuesi kryesor i municioneve për qeverinë afgane.
Pesë ditë më vonë, ngarkesa tjetër e "AEY"-së, e mbushur me fishekë AK-47, u nis nga Rinasi i Shqipërisë.
Shampanja u derdh sërish lumë. Por festa ishte e parakohshme. Diveroli mund të ishte bërë simbol i menaxhimit të luftës, por u kthye në targetin e një Uashingtoni të turpëruar dhe hakmarrës. Përpara se gjithçka të merrte fund, një partner biznesi i "AEY"-s u gjet i vdekur dhe i braktisur në mes të asgjëkundit në Shqipëri.
Efraim Diveroli ka qenë një 16-vjeçar topolak hiperaktiv, i cili jetonte në zonën ortodokse çifute në Majami. Aty ai mori armën e tij të parë, një pushkë Ruger kalibri 22. Kishte trashëguar pasionin e gjyshit Angelo Diveroli, për armët. "Qëkur ka qenë fëmijë, e kam marrë me vete nëpër panaire armësh dhe ai mund të identifikonte çdo model arme që shihte" - kujton Angelo, - ishte një gjeni"
Ndryshe ishte në shkollë. Shumë rrallë shfaqte fokusimin e duhur në mësime. Në moshën 17-vjeçare e zbuan nga shkolla hebreje ngaqë konsumonte duhan. Babai i tij ortodoks, Michael Diveroli, i cili drejtonte disa biznese të vogla u tërbua nga kjo ngjarje.
Efraim u largua në drejtim të Los Angeles duke pranuar një punë që ia ofroi xhaxhai i tij, pronar i një kompanie që shpërndante pajisje për forcat e policisë dhe të sigurimit. Aty Efraimi mësoi se si të bënte një kontratë me qeverinë.
Aty ai takoi Ralph Merrill, një veteran nga Vietnami, i cili sillej prej kohësh në tregun e armëve duke shitur dhe blerë në vende si Izraeli, Afrika e Jugut dhe Kroacia.
Diveroli thithte gjithçka mundej. Në atë kohë, Merrill zbuloi aftësitë e këtij djaloshi dhe e përshkruan në një letër mikun e i tij të ri si "i menduar, inovativ dhe i dedikuar në mënyrë absolute në misione".
Në faqen e tij në My Space Deiveroli shkruan pak më vonë: "Kam pasur probleme me shkollën e mesme, prandaj u detyrova të punoja shumë këto dhjetë vjet, dhe ndoshta jam rritur në një mënyrë shumë të shpejtë"
Nga viti 2004, Diveroli pa një mundësi në marrjen e kontratave nga Uashingtoni. U transferua sërish në Miami dhe u kujdes për "AEY Inc", një shoqëri jo aktive e ndërtuar nga babai i tij në 1999-ën.
Ai vendosi veten president dhe filloi të bëjë oferta për furnizimin me gjithçka, deri edhe xhupa plastikë për punëtorët e kamionëve. Por mospasja e eksperiencës fillimisht e bëri të ndihej keq.
Qeveria u tërhoq së paku shtatë herë nga punët me "AEY" si pasojë e prezantimeve modeste. Në rastin e një kontrate për furnizim me "Bereta", "AEY" tha se në një aksident ajror "i kishin humbur dokumentet"(!). Një zyrtar në detyrë e quajti gënjeshtar Diverolin dhe e eliminoi si kontakt. Megjithatë, brenda vitit, shoqëria e sapolindur arriti të fitonte disa kontrata.
Për të vazhduar rrugën, Deverolit i duhej ndihmë. Miku i tij i fëmijërisë, Davis Packouz, ishte gjithashtu i lodhur në rrugën e tij. Lojërat me drogën gjatë periudhës së liceut e kishin detyruar familjen ta nisnin drejt Izraelit.
Pas kthimit, ai vazhdoi kolegjin për dy semestra, pastaj u bë masazhator. Kur u përballën të dy në mesin e vitin 2005, Diveroli nuk ishte më djaloshi çapkën, që Packouz mbante mend. "Pashë potencialin e tij", - thotë Packouz, - dhe ishte shumë i suksesshëm".
Pak më vonë, po atë vit, Packouz u bashkua me "AEY". Kjo do të thoshte të punoje 18 orë në ditë në internet me propozime, duke kontraktuar me qeveri të huaja për armët, duke tentuar me agresivitet për të arritur një çmim më të mirë. Në fund të vitit 2006, "AEY" fitoi 149 kontrata në vlerën e 10.5 milionë $. Diveroli mori një Audi A6 dhe një apartament të këndshëm, megjithatë ai vazhdoi të jetonte si kursimtar.
Atë vjeshtë, "AEY" mori ofertat më të mira të punës për një kohë shumë të shkurtër: me ushtrinë e U.S kontraktoi për 298 milionë. Por obsesioni i Diverolit rritej pas çdo pune aq sa filloi të jetë i paqëndrueshëm në sjellje. Nga viti 2004 deri më 2006, ai koleksionoi 14 gjoba për tejkalimin e shpejtësisë, për ngjarje makine në mënyrë të rrezikshme dhe shumë thyerje të tjera rregullash.
Duke u nisur nga raporti i policisë së plazhit te Miamit, një mik i tij tregon se në një zënkë për një vajzë, Diveroli kishte tentuar, madje, ta qëllonte në kokë personin tjetër. "Në librin tim të pagesave ka djem që e bëjnë", - kishte thënë.
Një ish e dashura e tij kishte kërkuar mbrojtjen e policisë, sepse thoshte se Diveroli ishte bërë agresiv. Dhe policia ishte telefonuar edhe nga një fqinj, i cili e kishte parë tek zihej më një tjetër vajzë. Megjithatë, nuk kishte pasur denoncime.
Kjo ndryshoi në natën e 20 dhjetorit, në ditëlindjen e 21-të të Diverolit. Shërbëtori që do t'i dorëzonte çelësat e makinës nuk arriti të kryente detyrën "aq shpejt sa duhej" dhe Diveroli e qëlloi me grushte në fytyrë.
Policia e thirrur në vendngjarje gjeti një ID të rreme të Diverolit dhe e akuzoi atë për posedim të një dokumenti të falsifikuar. Ai iu shmang ndjekjes penale, duke hyrë në një program paragjyqësor. Një dënim i mundshëm mund t'i kishte riskuar licencën e "AEY"-së.
Por vetëm një muaj pas arrestimit të Diverolit, ushtria amerikane i dha "AEY"-së kontratën e lakmuar të municioneve, duke sqaruar më vonë se propozimi i kompanisë kishte përfaqësuar "vlerën më të mirë për qeverinë."
Kjo ishte një arritje mahnitëse për një ndërmarrje trevjeçare, duke mos përmendur edhe se ishte e drejtuar nga një person pa formim për armët dhe që vetëm pak muaj më përpara kishte arritur moshën e lejuar për të konsumuar alkool. Një zyrtar i ushtrisë tha se "AEY" kishte nxjerrë jashtë loje General Dynamics, kontraktuesi i pestë më i madh në botë për mbrojtjen.
Në pak muaj, kompania po negocionte me ministrat e mbrojtjes së huaj, duke mbajtur takime në ambasada, dhe duke marrë thirrje nga ushtria. "AEY" kishte vendosur depo të armëve në bllokun e vjetër lindor nga ku mund të përfitohej më lirë, dhe shumë shpejt arriti një marrëveshje në Shqipëri për miliona dollarë fishekë 7,62 mm.
Për të mbikëqyrur operacionin atje, Packouz punësoi mikun e tij më të mirë, Alexander Podrizki, arritja kryesore e të cilit, në moshën 25, ishte se ai e kishte mësuar anglisht në Francë për një vit. "AEY" do t'i paguante atij një pagë prej 30.000 $.
Në vend që të blinin atë që ju nevojitej drejtpërsëdrejti nga Shqipëria, ata zgjodhën të vepronin nëpërmjet një entiteti të quajtur Edvin Ltd, e cila doli të ishte pak më shumë se një adresë postare në Qipro - një kompani e lidhur me një tregtar armësh zviceran, Henri Thomet, emri i të cilit ishte në listën e trafikimit të armëve dhe monitorohej nga SHBA.
Duke vepruar si ndërmjetës, Edvini bleu municione nga pastaj i rishiti tek "AEY". Disa dyshojnë se marrëveshja ishte krijuar për të kanalizuar ryshfete për zyrtarë të qeverisë shqiptare.
Vonesat ishin një tjetër shqetësim. Kaluan muaj përpara se "AEY" të ngrinte ngarkesat nga toka. Turkmenistani nuk u jepte leje avionëve të kompanisë të kalonin. Pastaj "AEY" punësoi Linjat Ajrore të Turkmenistanit dhe rrota filloi të lëvizte.
Nga pranvera, nervat nuk mbanin më. Djemtë në "AEY" kishin ngecur. Më 20 prill, Podrizki dërgoi me e-mail fotot me arkat që përmbanin plumbat shqiptarë 7.62 mm që do të fluturonin jashtë Shqipërisë.
Kur Diveroli hapi fotografitë, zemra gati i pushoi. Stampuar në ngjyrë të kuqe në anët e çdo rasti ishin shkruar karaktere nga një gjuhë tjetër. Diveroli nuk mund t'i lexoni ato, por ai e kuptoi që ato shkruanin: të prodhuara në Kinë.
Pas masakrës në sheshin Tiananmen 1989, Shtetet e Bashkuara kishin ndaluar të gjitha transaksionet e armëve me Ushtrinë Kineze.
Kur Diveroli pyeti, Departamenti i Shtetit i bëri të qartë se nuk kishte asnjë mënyrë që t'i pranonin. Por Diveroli kishte vendosur tashmë të ripaketonte të gjithë municionit, i cili do të kursente paratë e transportit dhe do të "fshihte" origjinën kineze të ngarkesës.
Ai punësoi një biznesmen shqiptar të quajtur Kosta Trebicka, i cili për 280.000 $ kishte rënë dakord të paketonte miliona pako plumbash në qese plastike të reja dhe t'i vendoste në kuti kartoni. "Xhoi Ltd' e Trebickës ngriti punishten pikërisht mbi tokën afër Rinasit.
Ngarkesat e para ishin dërguar pa ndonjë incident, por më pas Diveroli i telefonoi Trebickës me një lajm të keq: Ai po merrte presione "nga lart" që të hiqte nga loja "Xhoi-n". Kërkesa vinte nga Ylli Pinari, kreu i kompanisë për eksportimin e armëve pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, i cili donte të fuste në lojë një njeriun e tij, të quajtur Mihal Delijorgji.
Trebicka u tërbua.
Në një bisedë më 11 qershor 2007, telefonatë e regjistruar nga Trebicka, Diveroli pranoi se ai besonte se Pinari ishte i lidhur me krimin e organizuar, dhe se zinxhiri i shpërdorimit të detyrës mund të çojë deri tek djali i kryeministrit. "Unë nuk mund të luftoj këtë mafia", - tha Diveroli.
"Kjo mafia është shumë e fortë për mua. Kafshët kanë dalë jashtë kontrollit." Ai i sugjeroi Trebickës që t'i lutej Pinarit. "Dërgo ndonjë prej vajzave tuaja që të bëjë sex me të... Jepi diçka për xhepin e tij... Nëse ai merr 20.000 $ nga ty, nuk ka problem, mund ta përballojmë".
Në vend të kësaj, Trebicka kontaktoi me mikun e tij, Gary Kokalari, një shqiptaro-amerikan aktivist antikorrupsion. Në fillim të gushtit 2007, Trebicka e la të dëgjonte kasetën e regjistruar të Diverolit.
Kokalari mendonte që shuma prej 20.000$ që i referohej Diveroli mund të interpretohej si shkelje e Ligjit të Praktikave të korruptimit , i cili i ndalon kompanitë amerikane të paguajnë ryshfete jashtë vendit.
Kokalari kontaktoi me departamentet e Drejtësisë dhe të Mbrojtjes, si dhe me gazetën "Neë York Times", e cila ishte duke hetuar tashmë marrëveshjet e armëve në Europën Lindore.
Ndërkohë, Delijorgji mori përsipër operacionin që duhej të bënte Trebicka, trajtimin e të paktën 30 ngarkesave më shumë. Puna vijoi deri në ngadalësimin e ritmit në shkurt të 2008, kur Ushtria amerikane e kuptoi ç'po ndodhte dhe u ankua për kutitë e falsifikuara dhe për paketimet. Ato ishin hapur dhe kishte dalë në pah cilësia e ulët e plumbave.
Ndoshta Diveroli e dinte se ai ishte nën hetim, ndoshta e dinte që fati i tij kishte mbaruar, por në 05:00 të mëngjesit më 5 mars 2008, ai u nxor nga makina e tij Mercedes S550 me vlerë 100.000 $ dhe u arrestua për drejtim të makinës në gjendje të dehur.
Një ditë më vonë, një shpërthim në një depo municioni të mbikëqyrur nga Delijorgji dhe Pinari vrau 26 njerëz dhe ktheu vëmendjen globale në industrinë e armëve të mbetura të Shqipërisë.
Dy javë pas kësaj ngjarje, "New York Times" botoi një raport të plotë mbi "AEY" dhe presidentin e saj të rij.
Hetimi jo vetëm që ekspozoi origjinën kineze të plumbave shqiptare të Diverolit, por vërtetoi se shumë prej fishekë ishin më shumë se 40-vjeçar dhe kishin degraduar e ishin bërë të papërdorshëm.
Pasojat ishin të shpejta dhe shkatërruese. Agjentët qeveritarë kontrolluan zyrat e "AEY". Një ushtri e zënë ngushtë shumë shpejt anuloi kontratën.
Dhe më 19 qershor, një gjykatë federale në Miami paditi Diverolin, Packouz, Podrizki dhe financierin Ralph Merrill me një akuzë për konspiracion dhe 35 akuza për kryerjen e një mashtrimi të madh kundër Shteteve të Bashkuara.
Përveç kësaj, Diveroli u akuzua për deklarata të rreme në një agjenci federale. Çështja u ndoq me dëgjimin e "AEY" më 24 qershor nga Dhoma e Mbikëqyrjes së Reformave Qeveritare, në të cilën presidenti Henri Uaxman bërtiti me zë të lartë se si mund të udhëhiqet një "kompani nga një president 21-vjeçar dhe nga nja masazhator 25 vjeç" dhe se si mundeshin ata të realizonin kontrata me shtetin.
Përgjigja se nuk pati asnjë limit në përcaktimin e marrëveshjes për moshën, municionet dhe kontraktorët nuk i pëlqeu atij.
Në Shqipëri, Kosta Trebicka ishte tashmë duke punuar me investigatorët e departamentit të Drejtësisë dhe më një komitet tjetër të mbikëqyrjes së Kongresit. Prokuratorët federalë u takuan me të në Miami për të marrë dëshminë e tij rreth "AEY".
Por pyetjet e tyre agresive e tremben atë dhe pas këtij takimi ai dërgoi një avokat dhe më pas e mbylli.
Kur kthye në Shqipëri, Trebicka u thotë miqve të tij se ishte i shqetësuar për jetën e tij. Më 12 shtator, trupi i tij u gjend mes një rruge të fëlliqur të largët në pyjet jugore të Shqipërisë.
Makina e tij ishte mbi 100 metra larg, me xhama të shpartalluar. Një ekspert amerikan i punësuar nga qeveria shqiptare deklaroi se ishte aksident. Por shumë janë skeptikë në Shqipëri. "Në qoftë se ky ishte një aksident, është një në një milion", - thotë Kokalari.
Avokatët e "AEY"-së kanë argumentuar se municioni ishte prodhuar vërtet në Kinë, por ishte shitur në Shqipëri dekada para ngjarjes së Tiananmen.
Gjatë një seancë paraprake në dhjetor, Diveroli u ul në radhët e para të sallës së gjyqit, në pritje për të dëgjuar, nëse federalët do të zhbllokonin disa prej pasurive të tij të sekuestruara, përfshirë 3 milionë $ dhe Mercedesin e tij të ri. "Unë nuk e vras mendjen për tre milionët, i tha ai avokati të tij duke u zgërdhirë. "Unë dua makinën time."
Në fund të dhomës, Packouz dhe Podrizki të ulur së bashku rrinin të kërrusur. Packouz ishte larguar nga "AEY" përpara se "AEY" të përballej me paditë, kjo sepse kishte pasur një grindje me Diverolin për punë parash.
"Mua nuk më kanë paguar asnjë cent për atë kontratë", - tha ai në nerva e sipër. Jashtë, të dy miqtë e shmangën Diverolin, i cili u drejtua i vetëm drejt një sheshi të zbrazët. Pas pesë ditësh ai do të mbushte 23 vjeç, por nuk kishte në plan të festonte...
**************************************
Tahiri: Efraim Diveroli u dënua, partnerët e tij shqiptarë janë ministra
TIRANE- Mohimi i zgjedhjeve të kaluara ka thalluar krizën dhe kërcënon seriozisht zgjedhjet e ardhshme. Deputeti i Partisë Socialiste Sajmir Tahiri në një konferencë për shtyp tha se kriza që e la Shqipërinë jashtë dyerve të BE-së, vazhdon të rëndojë si një sirenë alarmi mbi qeverinë. E vërteta e votave të vjedhura në zgjedhjet e kaluara, sipas tij, nuk është kurrë çështje e kaluar, e nuk do të bëhet kurrë e tillë sado të mundohet Saliu.
Duke iu referuar dënimit të Efraim Diverolit, pronar i AEY-së, sipas PS-së partner biznesi që polli tragjedinë e Gërdecit, i cili u dënua me 4 vjet nga një gjykatë amerikane, deputeti Sajmir Tahiri, tha se autorët shqiptarë të kësaj afere, jo vetëm që nuk dënohen por mbahen dhe ministra.
"Partneri i biznesit që polli tragjedinë e Gërdecit, u dënua nga një gjykatë amerikane, ndërkohë që autorët shqiptarë të tragjedisë që jo vetëm trafikoi armë e fishkë, por hodhi në erë një fshat të tërë, duke lënë pas mbi 26 viktima, jo vetëm që nuk dënohen por mbahen ministra prej Sali Berishës e familjes korruptive që ai drejton"-tha ai
Sipas Tahirit ky nuk është një standart evuropian, por standardi i qeverisë që vjedh votat për të vjedhur Shqipërinë.
"Qeveria është kthyer në një agjenci sekserësh, që trafikon ditën dhe natën, në emër të vet, të ministrave apo ortakërive korruptive, duke përvetësuar gjithçka përbën përfitim të paligjshëm, nga karburantet, energjia, deri te rrëmbimi i pronave të qytetarëve, nga lejet dhe licencat, tenderat e koncesionet, trafiku i plehrave dhe interesave me mafien ndërkombëtare, zhytur në një llum korrupsioni prej nga ka kapur shtetin karteli qeveritar"- theksoi Tahiri
****
Efraim Diveroli, trafikanti amerikan i armëve, kompania e të cilit arriti disa vjet më parë të siguronte një kontratë 300 milionë dollarëshe me Departamentin amerikan të Mbrojtjes, u dënua me 4 vjet burgim.
Ai u dënua për shitjen e miliona municioneve kineze të ndaluara Pentagonit për t'u përdorur nga forcat afgane. Vendimin e dënimit e mori dje një gjykatë në Florida.
Tani 25-vjeçar, Efraim Diveroli e pati pranuar që në vitin 2009 fajësinë pas akuzës për komplot për mashtrim. Në një marrëveshje me organet e drejtësisë, Diveroli pranoi se në vitin 2007 pati planifikuar bashkë me punonjësit e kompanisë me bazë në Miami, AEY, për t'i shitur ushtrisë amerikane municione të ndaluara kineze me vlerën e 10, 3 milionë dollarëve, të cilat ata u përpoqën t'i paraqisnin sikur të ishin prodhuar në Shqipëri.
Ky veprim shkeli embargon e vendosur në vitin 1989 nga Kongresi amerikan ndaj armëve të prodhuara në Kinë, pas masakrës ndaj studentëve kinezë në sheshin Tienanmen të Pekinit.
Diveroli wshtw njwherazi njeriu që denoncoi lidhjet e Shkwlzen Berishws djalit tw kryeministrit shqiptar Sali Berisha, me trafikun e armëve
"Kjo ka shkuar lart e lart tek Kryeministri dhe i biri. Unë nuk mund ta luftoj dot këtë mafie. Është shumë e madhe. Ata kafshë kanë dalë jashtë kontrollit". Kështu do të shprehej Efraim Diveroli në një bisedë me Kosta Trebickën. I riu amerikan është dënuar me katër vite burg nga një gjykatë amerikane për shkak se ka mashtruar duke shitur municione kineze për forcat afgane.
***
Por si është historia e tij dhe përse "ujqërit" shqiptarë e sulmuan atë? Të gjithë kemi dëgjuar disa herë kryeministrin të shprehet se është të ndihmojë Afganistan me municionet që kanë mbetur stoqe në Shqipëri. Madje së fundmi pati një vendim qeverie për një bujari shqiptare ndaj Afganistanit.
Por përtej oqeanit, një i ri kishte fituar një kontratë prej 300 milion dollarësh për të furnizuar forcat afgane me municion. Kërkesa: të mos ishte armatim i vjetër dhe kinez.
Por për të fituar sa më shumë, Diveroli zgjedh të marrë pikërisht armatim të vjetër e kinez mu në Shqipëri. I duhej vetëm ta ripaketonte që të dukej sikur ishte armatim shqiptar. Diveroli kontrakton një kompani shqiptare (Kosta Trebickën) për të bërë ripaketimin. Por era që lëshonte kjo shumë e madhe parash "tërbon" zyrtarët e sekserët shqiptarë. Po hapej një kanal i madh trafiku e përfitimi. Qëllimi ishte që të vihej nën kontroll Diveroli. Këtij i kërkohet që të marrë municionet përmes një kompanie seksere që ia dyfishonte çmimet. Pa lëvizur nga vendi ajo fitonte miliona dollarë. Më pas kërkohet që të shmanget edhe Kosta Trebicka nga biznesi i paketimit. I shqetësuar Diveroli e kupton se po luan me zjarrin.
Ndaj thotë se kanë dalë jashtë kontrollit me në krye birin e kryeministrit. E gjithë marrëzia e ka një kulm: ai është shpërthimi në Gërdec. Etja për para është e frikshme. Ndërsa Diveroli është dënuar në SHBA, në Shqipëri hetimet për këtë çështje kanë vdekur. Në gjykatë po hetohet për shpërthimin e Gërdecit, që më së shumti vërtitet rreth aksidentit gjatë saldimit të një karroce. I gjithë ai kanal trafiku është lënë jashtë hetimit.
****
Si e pershkroi Associated Press denimin e tregtarit te ri te armeve
Nga Curt Anderson
"The Associated Press"
Një tregtar armësh riosh, kompania e të cilit mburrej dikur se kishte fituar një kontratë për municione prej 300 milionë dollarësh me Pentagonin, është dënuar të hënën me katër vite në një burg federal për shkak se tentuar të dërgojë miliona fishekë të ndaluar kinezë për forcat afgane që luftojnë përkrah trupave amerikane.
Gjykatësja e rrethit gjyqësor, Joan Lenard, dha sentencën për 25 vjeçarin Efraim Diveroli, i cili mund të dënohej edhe me pesë vite burg pas deklarimit fajtor për akuzën e mashtrimit. Tre drejtues të tjerë të kompanisë AEY të Diverolit janë në pritje të vendimit.
Gjykatësja Lenard e vlerësoi Diverolin që kishte pranuar përgjegjësinë për krimin e kryer, por tha se ai meritonte një masë serioze në burg për shkak se skema e tij mund të kishte dëmtuar personelin ushtarak amerikan dhe aleatët e tyre afganë. Shumica e municionit ishte disa dekada i vjetër dhe mund të ishte joefektiv.
"Të marrësh pjesë në këtë mashtrim kur njerëzit po vendosin jetën e tyre në rrezik, kjo e bën këtë gjë të trishtë. Kjo bëhet për para," tha gjykatësja Lenard në sallën e tejmbushur me anëtarë të familjes së Diverolit dhe mbështetës të komunitetit të vogël e të lidhur ngushtë të hebrenjve në Miami Beach. Në sallë ishte edhe dy rabinë. "Zoti Diveroli mund të ketë qenë i zgjuar, por jo i mençur," tha Lenard.
Kurse vetw Diveroli tha se pasuria e papritur që kontrata i dha atij në një moshë ekstremisht të re dhe në "kohëra të mira" rezultoi të ishte e rreme. "Në asnjë mënyrë nuk mund të jetë e vlefshme pas vuajtjeve që kam kaluar unë dhe familja ime si pasojë e veprimeve të mia," tha ai.
Lenard vendosi gjithashtu edhe një gjobë prej 250 mijë dollarësh dhe urdhëroi Diverolin dhe bashkë të pandehurit që të paguajnë më shumë se 149 mijë dollarë si dëmshpërblim ndaj qeverisë.
Kontrata e Pentagonit me kompaninë AEY, e lidhur në vitin 2007, ndalon në mënyrë specifike municionet nga Kina komuniste. Por sipas dokumenteve të gjykatës, Diveroli e të tjerët vetëm sa i ripaketonin municionet- shumica fishekë 7.62 mm që përdoren për armët e sulmit si AK 47- duke i bërë që të dukeshin sikur ishin prodhuar në Shqipëri.
Mes qershorit dhe tetorit 2007, dokumentet e gjykatës tregojnë se rreth 90 milionë fishekë janë dërguar në Afganistan në 35 dërgesa të ndryshme. Për këto dërgesa, kompania AEY i ka marrë Pentagonit në formë pagese 10.3 milion dollarë.
Departamenti i Mbrojtjes i dha fund kontratës në maj të vitit 2008, ndërkohë që Diveroli e të tjerët ishin nën hetim federal- duke lidhur një kontratë të re me një firmë tjetër- kontratë që u ka kushtuar taksapaguesve rreth 40 mijë dollarë. Në këmbim të pranimit të fajësisë nga ana e Diverolit për akuzën për konspiracion, prokurorët i hoqën atij 84 akuza.
Por problemet ligjore nuk kanë mbaruar akoma për Diverolin. Ndërsa po pret vendimin për çështjen në Miami, Diveroli u arrestua në gusht në zonën e Orlandës nga Zyra për Alkoolin, Duhanin, Armët e Zjarrit dhe eksplozivët për shkak se ishte një ish- i dënuar që mbante armë. Prokurorët thonë se në këtë rast, Diveroli po tentonte të lidhte një tjetër marrëveshje të madhe për furnizim me municione, pavarësisht se nuk kishte një licencë e se ishte dënuar në Miami.
Pas deklarimit fajtor për këtë çështje, Diveroli u urdhërua që të dorëzonte armët e tij, dy pistoleta dhe dy armë gjysmë-automatike, sipas dokumenteve të gjykatës.
Në një telefonatë të regjistruar në mënyrë sekrete nga agjentët, Diveroli i thoshte një agjenti të infiltruar që sillej si një blerës potencial armësh se ai synon të rikthehet sërish në atë aktivitet, pavarësisht problemeve ligjore. "Nëse ke qenë njëherë tregtar armësh, sërish do jesh i tillë," citohet të ketë thënë Diveroli.
Sentenca për rastin e Orlandos pritet të jepet më 25 janar. Diveroli mund të marrë edhe dhjetë vite shtesë në burg, por ndoshta do ti japin mw pak.