Mendime
Mentor Nazarko: Pas deklarimit të Hysenit
E enjte, 06.01.2011, 06:46 PM
Pas deklarimit të Hysenit
Nga Mentor Nazarko
Pak ditë më parë, pas një heshtje të gjatë që nga koha kur la detyrën e ministrit të Jashtëm, megjithëse kishin ndodhur disa ngjarje ndërkombëtare të lidhura me Kosovën, u shfaq publikisht zoti Skënder Hyseni. Ai përdori konceptin e “tradhtisë”, për të përkufizuar sjelljen e atyre shteteve që duhet t’i kenë dhënë premtimin e njohjes, kur ai ishte ministër.
Në këtë prononcim të zotit Hyseni kishte disa momente jo diplomatike. Dmth. kishte disa fjali që nuk i shkojnë një ish- ministri të Jashtëm, pra ishin jashtë frazeologjisë së lejueshme profesionale. Për më shumë, ato dëftyen moskuptim të proceseve ndërkombëtare që zhvillohen rreth Kosovës.
Së dyti, zoti Hyseni flet për shtete përkrahës të pavarësisë së Kosovës, që nuk kanë bërë aq sa munden për të arritur tek një numër i madh njohjesh. Edhe sikur kjo të jetë e vërtetë, nuk është etike që këto vende të kritikohen publikisht, edhe pasi lënw detyrën. Ndërkohë, kjo nuk është e vërtetë, pasi të paktën interesi amerikan për shtetësinë e Kosovës është konstant. S’duhet të ketë dyshim edhe për interesin e gjithë fuqive perëndimore në këtë drejtim. Edhe sikur ato të jenë zhgënjyer nga vendimi i vet i mëparshëm pro njohjes, prapëseprapë ato e dinë se njohja e mëtejshme e shtetësisë, do të thotë forcim i stabilitetit të Kosovës, gjegjësisht Ballkanit, për të cilën ata janë fuqimisht të interesuar.
Së treti, kritikat ndaj partnerëve mund të kishin një justifikim të vogël, nëse Kosova vetë, dmth institucionet e saj, politika e saj, shoqëria e saj, të koordinuara mes vetes apo dhe me partnerët do kishin bërë maksimumin. Për shkak të një qasjeje egoistike, gjoja institucionale, ministria e jashtme, ndonjëherë kryeministri dhe Presidenti kanë dashur ta marrin si atribut ekskluziv të tyrin njohjet, një luks i madh për një shtet të ri si Kosova. Krerëve të këtyre institucioneve ju është dukur e lehtë të arrihen njohjet, nisur nga euforia e fillimit kur kishte njohje masive, dhe nga premtimet që kanë marrë, kur nuk e kuptonin mirë gjuhën e diplomacisë. Për pasojë ata kanë injoruar sistematikisht kontributet që kanë ardhur qoftë nga kreu i AKR-së, zoti Pacolli, i cili afirmon ndikimin e drejtpërdrejtë në 26 njohjet e fundit, qoftë nga zoti Surroi, qoftë nga figura të tjera të shquara vendore apo ndërkombëtare. Kontributi i Pacollit është injoruar sistematikisht, është qortuar madje, dhe po ashtu dhe përpjekjet e Surroit. Akoma mbahet mend deklarimi jodiplomatik i kryeministrit si përgjigje ndaj një takimi të Klubit të zotit Surroi me përfaqsues të vendeve arabe. Qeveria që shkoi, nuk mbahet mend për organizimin e ndonjë takimi të gjerë apo individual me personalitete që kishin shprehur dëshirën apo kishin mundësi për të kontribuar si Uilliam Uoker (Walker), Ismail Kadare,Albert Rohan, ish ministra të jashtëm të vendeve mike, etj, etj. Këta individë mund të afroheshin nëpërmjet një sistemi favoresh të ligjëruara, qoftë dhe financiare, për t’i shërbyer procesit. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Moskuptimi i proceseve
Po cila është e vërteta në frenimin e procesit të njohjeve?
Nuk ka diskutim se në këtë frenim, Kosova ka luajtur dhe vetë ndopak rol negativ. Nëse janë anatemuar aktivistët si Pacolli apo Surroi, nëse janë bërë vizita të gabuara diplomatike si ajo e Presidentit Sejdiu në Malaui, një vend në konflikt me Tanzaninë që kishte premtuar njohjen, nëse komunikimi diplomatik i Kosovës ka qenë i nivelit joprofesional, etj, etj, qeveria i ka bërë shërbim të keq vendit sa i takon njohjeve. Por arsyet më të rëndësishme në këtë proces gjenden jashtë Kosovës.
Megjithëse duket paradoksale, pikërisht mendimi këshillimor i Gjykatës së Hagës pro Kosovës dhe rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, angazhimi i madh ndërkombëtar dhe publik i miqve të Kosovës, kanë ndikuar në frenimin e njohjeve. Këto momente e kanë shndërruar Kosovën dhe implikimet e statusit të saj në një rrafsh ndërkombëtar, në një çështje të madhe kundërvënëse midis blloqeve të ndryshëm globalë. Dmth e kanë rritur pazarin rreth njohjes së Kosovës, njohje që askush nuk e bën kaq lehtësisht si më parë. Dy fakte për ta argumentuar këtë: disa vende afrikane, thirrjeve të Francës për ta njohur Kosovën, ju përgjigjën me kërkesa për t’i falur borxhin. Sipas Wikileaks-it, Rusia e frenoi Katarin që ta shtynte njohjen për në një moment tjetër, dhe siç po duket Katari vërtet e shtyu njohjen e premtuar kryeministrit Thaçi deri sot kur erdhi njohja.
Por jo të gjithë të këqiat bëjnë dëm. Rezoluta e fundit e OKB-së, mund të ketë ndikuar gjithashtu në frenimin e njohjeve. Por jo ashtu siç e interpreton dikush në Kosovë: disa vende e paskan interpretuar nenin e fundit të kësaj Rezolute, si mundësi për diskutime mbi statusin e Kosovës, ndaj vendimi për njohjet duhet shtyrë. Në të vërtetë, rezoluta shënon një ndryshim cilësor në pranimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare, nëpërmjet rrugëve të tjera, jo nëpërmjet njohjeve direkte. Por analiza për rezolutën dhe kërkesën e saj për bisedimet, kërkon shumë hapësirë që mbeten për një artikull tjetër.