E hene, 10.02.2025, 11:18 PM (GMT)

Mendime

Arbana Xharra: (B)analistët!

E hene, 03.01.2011, 07:31 PM


(B)analistët!

 

Nga Arbana Xharra

 

Emisioni që i thonë "Debat" nis me lëvdata, për të arriturat e tij në shpalljen e pavarësisë, shtrimin e rrugëve, reforma të ndryshme që i ka bërë Kosovës…, duke iu drejtuar me Zoti Kryeministër dhjetëra herë brenda ca minutash, duke i buzëqeshur me servilizëm marramendës. Jotolerues për një gazetar.

 

Shumica e "debateve” në të cilat Hashim Thaçi ka përballë "gazetarët" nisin me lëvdata për të arriturat e tij në shpalljen e pavarësisë, shtrimin e rrugëve, reforma të ndryshme që i ka bërë Kosovës… duke iu drejtuar me Zoti kryeministër dhjetëra herë brenda ca minutash, duke i buzëqeshur me servilizëm marramendës. Jotolerues për një gazetar.

Kështu filloi edhe u zhvillua edhe"debati" i fundit në Klan Kosova- ku të pranishëm ishin Hashim Thaçi përballë analistëve Shkëlzen Maliqi, Muharrem Nitaj dhe Bajrush Morina, ndërsa Baton Haxhiu ishte moderator. Analistët e ftuar ishin shembulli më i mirë i mungesës së analizës.

Debatet do të duhej të ishin rast i mirë për ta përballur Thaçin me dështimet gjatë qeverisjes së tij dhe për t'ia numëruar skandalet dhe për t'i kërkuar llogari në emër të opinionit ishte dhe jo vetëm për ta lavdëruar. Së paku kështu janë gazetarët e analistët nëpër vendet demokratike dhe së paku kështu të mëson zanati i gazetarit. Por, çfarë ndodhi? Asgjë më shumë se e kundërta. Analistët e ftuar u rreshtuan një nga një secili duke e lavdëruar e duke iu serviluar kujt tjetër pos Thaçit. Një fakt ky për të cilin të nesërmen ka folur tërë "republika" e gazetarëve dhe ishte shokues për opinionin e gjerë.

Qasje injoruese karshi një lideri, për të cilin më shumë se kurrë ka pasur fakte të dështimeve të tij në qeverisjen e deritashme. E papritshme kjo nga analistë, të cilët thirren si veteranë të gazetarisë dhe njohës e kritikë të politikës. Apo ndoshta mund të shkojmë edhe më larg dhe supozojmë që këta nuk kanë jetuar në "planetin" e Kosovës- pra s'kanë lexuar as gazeta, as parë televizion, as lexuar raporte ndërkombëtare qe tre vjet me radhë për Kosovën, fakte këto që vendin e kanë katapultuar në të gjitha listat e mundshme të zeza të keqqeverisjes.

Paramendojeni skenën kur fillimisht Baton Haxhiu e pyet Thaçin nëse atij- Thaçit pra, i pëlqeu fjala hyrëse?!

Shkëlzen Maliqi nisi të flasë për përformancën e qeverisq Thaçi dhe elementeve pozitive dhe të arriturave të tij. Duke u munduar të kritikojë me buzë në gaz për qeverisje kohezive. Bajrush Morina nisi t'i bëjë retrospektivë të karrierës politike të Thaçit duke e krahasuar atë me politikanin irlandez Gerry Adams- figurë politike shumë e rëndësishme e proceseve paqësore të pjesës veriore të Irlandës. Përkëdhelja e Morinës ishte aq e dukshme sa që e bënte Thaçin të ndihej në siklet duke folur për rrezatimin e tij politik. Morina nuk u ndal aty. Ai shkoi edhe më larg: e përgëzoi Thaçin për karizëm politik, unitet dhe për transformimet e tij! Muharrem Nitaj, me një ton të butë- katër herë iu drejtua me "Zotëri Kryeministër", derisa arriti t'ja bënte një pyetje e në ndërkohë që Thaçi vazhdonte me të veten. Nitaj u mundua të bëjë pyetje për përgjegjësinë e kryeministrit në rënien e qeverisë- por pa ngulmim të mirëfilltë. Shumë më tepër sa për "sy e faqe". Të zezë gjithsesi.

 

Është për keqardhje sesi ky "debat" na tregoi se këta (b)analistë kishin shkuar për t'iu afruar a puthur dorën Thaçit sesa për të kryer misionin e tyre- atë të gazetarit. Nga euforia ata harruan se qasja e tyre përulëse ua mori fytyrën. Dhe fyeu profesionin e gazetarisë. Sepse ata i dhanë komoditet dhe shans për të paraqitur Hashim Thaçin si njëlloj "Hashim Adamsi" të vërtetë.

 

Nuk është vetëm ky "debat" dhe këso "debatesh" në këtë kanal të sipërpërmendur që po na lodhin së shikuari me orë e orë të tëra. Janë shumica absolute e (b)analistëve në shumicën absolute të televizioneve tona ato që profesionit të gazetarisë po i hedhin hijen e rëndë dhe njollën e pashlyeshme. Sepse janë ose të shitur ose të paditur. Por më së shumti të shpifur. Prandaj, nuk do të ishte keq që me këtë rast lexuesit t'ia bëjmë me dije që ata që në televizionet tona po dalin para politikanëve si "Hashim Adamsi"- nuk janë gazetarë. Ata janë (b)analistë!



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora