Mendime
Arbana Xharra: Vit i marres!
E diele, 02.01.2011, 12:00 AM
Vit i marres!
Nga Arbana Xharra
Tash një vjet, pata ardhur në përfundim se vitit 2009 ka qenë vit i skamjes duke numëruara dështimet, varfërinë, papunësinë, të gjitha këto që atë vit e bënin vit të vështirë dhe fukara. Sivjet, pos skamjes janë shtuar edhe dështimet e projekteve të mëdha, ikja e investitorëve të huaj, kriza buxhetore dhe skandalet me tenderë të mëdha, të cilat e bëjnë vitin 2010, Vit të Marrës.
Këtë vit do ta mbajmë në mend edhe për raportet ndërkombëtare të cilat na kanë radhitur në fund të listave të tyre për të keq, për vjedhjet e ndryshme, vjedhje këto që i janë bërë direkt popullit të Kosovës, prej taksave e deri tek votat e tyre.
Ikën për të mos u kthyer më!
Javë më parë në një takim të investitorët potencial për Kosovë të mbajtur në Berlin klima investimeve në Kosovë është krahasuar me atë të disa shteteve të Afrikës. Këto vlerësime e kanë ardhur pas një raporti shumë serioz të Bankës Botërore “Doing Business” i cili e paraqet Kosovën si vend aspak atraktiv për tu investuar. Të gjitha këto dëshmohen direkt me rënien e investimeve të huaja në vend që krahasuar me vitet e më pashme kemi të bëjmë me miliona euro më pak.
Në vitin që po lëmë pas 150 milionë euro kanë shënuar rënie investimet e huaja direket në Kosovë krahasuar me dy vjetët e fundit. Ky është rezultat se çfarë imazhi ka Kosova karrshi të huajve duke i shtuar edhe mungesën e stabilitetit politikë. Neglizhencat dhe zhagitjet e projekteve të mëdha kanë bërë që “Kosova e re” edhe projekti i hidrocetralit “Zhuri” të ngecin.
Derisa edhe garuesit si “Cez grup“ edhe RËE të largohen nga gara për ndërtimin e termocentraleve të reja. Disa prej investitorëve të larguar kanë deklaruara se po ikin nga Kosova për shkak te humbjeve të mëdha që po ju shkaktohen nga neglizhenca e qeveritarëve dhe mitot që u janë kërkuar. Por kush ka për të tërhequr këta investitor, kur qeveria në dorëheqje ka pasur punë të tjera për të bërë gjatë vitit.
Në konferencën për t’i joshur investitorët e huaj në Kosovë, e cila ka pasur të mbahet në fillim të nëntorit në Holandë, janë caktuar prioritete tjera. Delegacioni nga Kosova i ka caktuar vetes prioritet që të shkoj në lagjen më të famshme të shtëpive publike në Evropë, përkatësisht lagjen “Red Light District” në Amsterdam të Holandës.
Deficit kronik
Mbi 300 kompani të autorizuara sjellin mall në Kosovë gati për çdo ditë. Vetëm për nëntë muaj Kosova ka shënuar një deficit tregtar prej hiç më pak se 1 miliard e 339 milionë euro. Kemi pasur importe në vlerën prej 1 miliard e 553 milionë euro, ndërsa eksportet vetëm 214 milionë euro.
Të gjithë komentojnë për shkaqet e deficitit të lartë tregtar të Kosovës. Tashmë janë të njohura edhe politikat e disfavorshme ekonomike për prodhuesit vendorë. Këtë vit më së shumti është kërkuar të ketë konkurrencë të mirëfilltë në tregun e Kosovës. Por Qeveria ka dëshmuar se si kurrë më përpara ti jap përparësi kompanive të huaja duke i “mbytur” kompanitë vendore.
Milionat e fundvitit
Viti 2011 me shumë gjasë do ta gjejë Kosovën pa buxhet të miratuar vjetor, kryesisht si pasojë e kolapsit institucional. Në bazë të afateve procedurale, buxheti i vitit të ardhshëm do të duhej të ishte aprovuar më së largu deri në fillim të nëntorit nga Qeveria e Kosovës, ndërsa gjatë muajit dhjetor ta marrë edhe aprovimin e Kuvendit, në mënyrë që deri në fund të këtij viti të firmoset edhe nga Presidenti i vendit.
Në mungesë të këtyre zyrtarëve të lartë shtetërore buxhet nuk do të ketë dhe kriza mbetet të shihet në fillim të vitit që na pret. Por edhe ato milion euro sa kanë mbetur pa u harxhuar, këta qeveritarë ia kanë mësyrë në fund të muajit dhjetor duke harxhuar me miliona euro në ditë. Suficiti buxhetor për 9 muajt e parë të vitit ka qenë 113.5 milionë euro. Por edhe atyre u është bërë vendi këto ditë.
Skandalet e një pasnjëshme janë regjistruar këtë vit në mensin e tyre edhe privatizimet që janë bërë nga Agjencia Kosovare e privatizimit. Shitja e prodhuesit më të madh të çimentos në Kosovë “Sharrcem” pa tender publik ka ngritur dyshime të mëdha për dallavere në këtë proces. Agjencia Kosovare e Privatizimit( AKP) ia ka shitur ndërmarrjen për 31 milionë euro kompanisë greke “Titan Group”, me ç’rast ka shkelur me dy këmbë principin për ekonomi të hapur të tregut, duke mos përfshirë autoritetet lokale në këtë proces të privatizimit.
Por edhe vet AKP-ja ka dal se për brenda ka parregullsi. Auditori Gjeneral i Kosovës ka zbuluar në mal shkeljesh në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Shkeljet më të mëdha në këtë raport, të identifikuara nga auditori, lidhen me kontratat e AKP-së me shtëpitë kosovare televizive.
Befasia më e madhe në këtë raport është se dosja e tenderit, si dhe kontratat me shtëpitë televizive nuk janë përgatitur nga autoriteti kontraktues, përkatësisht nga AKP, por kontratat janë përgatitur nga operatorët fitues. Po ashtu në raport thuhet se autoriteti kontraktues nuk na ka prezantuar dëshmi bindëse rreth pranimit të shërbimeve nga shtëpitë televizive.
Skandalet e tmerrshme
Një raport i publikuar nga Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut gjatë vitit 2010 me titull: “Shtet i shtrëngimit? Qeverisja dhe shprehja e lirë në Kosovë”, ka nxjerrë në pah shumë dallavere me prokurimin publik në Kosovë.
Sipas këtij raporti, kompanitë e krijuara shpejtë, duke përdorur dokumenteve false, me ekspertizë dhe staf jo-ekzistues, zakonisht fitojnë tenderë kundër firmave me të dhëna të dëshmuara dhe me oferta më të lira.
“Marifetet e autoriteteve publike për të siguruar fitoren për kompaninë e tyre të favorizuar përfshijnë ose specifikim të turbullt, ose të kundërtën e specifikimit të pajisjeve nga një furnizues i vetëm. Marifetet tjera përfshijnë thirrje telefonike anonime dhe kërcënime për të dekurajuar pjesëmarrjen e të jashtmëve, heqjen e faqeve apo dokumenteve të regjistrimit nga ofertat e papërshtatshme për t’i diskualifikuar ato, apo anulimin dhe retenderimin deri në arritjen e rezultatit të dëshiruar”, thuhej ndër të tjera në këtë raport.
Vend të posaçëm në këtë raport zë edhe prokurimi publik në kompaninë më të madhe në vend, Korporatën Energjetike të Kosovës, prokurimi i së cilës, sipas raportit, udhëhiqet nga kushëriri i kryeministrit Hashim Thaçi.
Sipas raportit dy kompani të posakrijuara dhe të afërta me kryeministrin Thaçi kanë fituar kontrata nga KEK-u në vlerë prej 75 milionë euro gjatë viteve 2008 dhe 2009.
“Dy kompani të porsakrijuara, “Ecotrade” dhe “AC/DC”, pronë e vëllezërve Mehdi dhe Hilmi Zhugolli, të cilët janë të afërt me vëllezërit Thaçi, kanë fituar mbi 75 milionë euro në kontrata nga KEK-u gjatë viteve 2008- 2009. Pothuajse të gjitha kontratat e dhëna këtyre dy kompanive ishin aranzhime njëburimore “të negociuara”, përfshirë një kontratë 50 milionë euro, e cila ishte për 14 milionë më e shtrenjtë se një ofertë tjetër”, potencohej në raportin e YiHR-së.
Gjatë vitit 2010 gazeta “Zëri” ka raportuar se mos transferimi i 16.2 milionë eurove nga konzorciumi “Cosmocell”, i cili ishte shpallur fitues i preferuar i tenderit për operatorin e dytë mobil, në buxhetin e Kosovës i ka nxjerrë telashe të mëdha Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit(ART).
“Cosmocell” në vitin 2006 ishte shpallur nga ART-ja fitues i preferuar i tenderit, pasi që kishte ofruar 81 milionë euro për licencë. Me rastin e ofertimit në tender ky konzorcium kishte dërguar garancionin bankar me 20 % të çmimit të ofertës në vlerë prej 16.2 milionë euro dhe me afat validiteti deri më 16.01.2012.
Mirëpo, “Zëri” ka zbuluar se ky garancion bankar prej 16.2 milionë euro i konzorciumit “Cosmocell”, të cilin është duke e ruajtur Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit(ART) në një lokacion të sigurisë së lartë, mund të jetë vetëm një letër e thjeshtë pa kurrfarë vlere financiare.
Këto shqetësime së paku paraqiten në raportin e kryetarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, Ekrem Hoxha, për garancionin bankar Nr. 106199190107.07 dërguar kreut të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Skandal tjetër që ka ndodhur gjatë vitit 2010 ishte shkelja shkelja e vendimit qeveritar ngrirjen e punësimit në Postë Telekomit të Kosovës(PTK) nga ministri i Ekonomisë, Ahmet Shala, në këmbim të punësimit të dy kushërinjve të tij në kompaninë më profitabile në vend.
Sipas burimeve të gazetës “Zëri” brenda Postë Telekomit të Kosovës, në mesin e 30 të punësuarve në këtë kompani janë edhe dy kushërinjtë e ministrit Shala me inicialet H. Sh dhe A. Sh nga fshati Akrashticë e Vushtrrisë.
Gazeta kishte raportuar se ministri Shala ka qenë i ngarkuar më 13 maj 2010 nga Qeveria e Kosovës që ta zbatoj vendimin për ngrirjen e punësimit në PTK deri në përfundim të procesit të privatizimit të kompanisë, ndërsa rreth 2 muaj më vonë e ka shkelur një vendim të tillë, duke ia aprovuar kërkesën Bordit të Drejtorëve që t’i punësoj 30 punëtorë të rinj në këtë kompani.
Poashtu është mësuar se për punësimin e këtyre punëtorëve nuk është shpallur konkurs publik, mirëpo PTK i është dërguar një listë nga nivelet e larta qeveritare me emrat e kandidatëve që duhet të pranohen.
Gjermanët kanë prirë
Më së shumti gjatë katër vjetëve të fundit në Kosovë kanë investuar gjermanët e më së paku francezët. Kështu bëhet e ditur në tabelën e investimeve direkte sipas shteteve të Agjencisë për Promovim të Investimeve të Kosovës (APIK).
Sipas kësaj Agjencie, prej vitit 2007 e deri në gjysmën e parë të këtij viti, nga Gjermania në Kosovë janë investuar 188.8 milionë euro, 172.5 milionë euro janë investuar nga Sllovenia, 164.3 milionë euro nga Britania e Madhe, 112 milionë euro nga Austria, 80 milionë euro nga Holanda, 79 milionë euro nga Zvicra, 61.5 milionë euro nga Shqipëria, 46.5 milionë euro nga Turqia, 34.7 milionë euro nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në fund të listës qëndron Franca me vetëm 20 milionë euro investime.