E merkure, 12.02.2025, 04:55 AM (GMT)

Mendime

Lebit Murtishi: Projekti „Danaj“ dhe „Fyelli i shejtanit“

E diele, 02.01.2011, 07:23 PM


Projekti „Danaj“ dhe „Fyelli i shejtanit“

 

(Meqë ligji dialektik nuk njeh statuskuo, po s`lëvize djathtas do lëvizësh majtas)

 

Nga Lebit Murtishi - Bern

 

Ideja shkullore për një Shqipëri Natyrore është produkt i të gjitha dhimbjeve që krijuan historitë e shkuara mbi kurrizin e Atdheut tonë; është gjakim i të gjithë atyre brazave që falën gjakun për lirinë e Shqipërisë; është ëndërr e të gjithë Atdhedashësve të gjallë, që edhe përballë erërash e furtunash, u krenuan që janë shqiptar.

Ky është një letërnjoftim i shkurtër i krenarisë sonë Kombëtare. Kujtesa jonë historike kërkon vëllime librash, kërkon studime serioze, ndërsa unë po marr për shEmbuj vetëm ato skena e prapaskena që përsëriten shpesh kundër nesh. Dhe historitë që s`të mësojnë, dijnë edhe të përsëriten. Afërsisht kështu e ka thënë dikush njëherë moti.

Për të qenë me „këmbë në tokë“, siç thotë populli, mjafton të kujtojmë luftërat e fundit, aty i kemi mësimet, aty i kemi pësimet.

Prijësi i kësaj nisme fisnike e Kombëtare, Koço Danaj, përpara se t`i futet kësaj rruge të bekuar, besoj se i ka marrë parasysh pengesat që do t`i dalin përpara. Përkrahës ka gjetur në mijëra intelektual, puntorë, nxënës, studentë… pse jo, rrugë më të lehtë për të „promovuar“ veten njerëz të vonuar nuk mund të ëndërrojnë.

Për të mos qenë pesimist fare, nëse besohet në mrrekulli, atëherë, edhe Projektin e Z. Danaj duhet mbështetur.

Duhet mbështetur, ngaqë, është hera e parë, që nga Lidhja e Prizrenit e këtej, të dalë dikush me një Projekt gjithëkombëtar, pa kërkuar asgjë më shumë se një nënshkrim për jetësimin e tij.

Personalisht shpresoj, që Z. Danaj me bashkëpuntorët e tij, nuk do të flasin „Turqisht“ me „Sulltanët“ e sotëm, siç bënë delegatët e Lidhjes për të mos zemëruar më shumë sulltanin e kohës.

Dhe historia na thotë, se me gjithë përpjekjet e krerëve të Lidhjes për t`u ulur në një „Tryezë paqësore“, për fatin tonë tragjik, edhe „Babadovleti“, edhe „Dovletët“ e Kongresit të Berlinit, u përgjigjën në „Mënyrën e vet“.

Sot, është shumë e vërtetë, që ka edhe zëra të arsyeshëm nëpër botë, madje edhe në elitat politike, mirëpo, vetëm nëse përmendet lëvizja e kufijëve ekzistues, përjashtohet nga tryeza „e Lordëve“ çdo lloj emocioni, përveç „Emocionit-interes“.

Raportet e vendosura mes fuqive të mëdha, që nga Kongresi i Berlinit e këtej, në asnjë rrethanë historike nuk ka ndryshuar pa luftëra e pa gjakderdhje.

Për të mos numëruar kolonitë e kohëve moderne, mjafton të përmendim Baskinë, Kataloninë, problemet e Irlandës, Kaukazin e përgjakur gjer në fyt etj. etj. Kush e ngriti zërin ndonjëherë për të vënë në dyshim rrolin e Spanjës në BE, rrolin e Anglisë dhe Rusisë kudo në botë! kush!. Përgjigjja është e dhimbshme: askush, përveç martirëve të kombeve përkatës.

Petro Marko i famshëm, në një hartim shkollor, rreth viteve të njëzeta të shekullit të kaluar, shkruante: „Përderisa Shqipëria vajtonte mes një pylli dhe thërriste bijtë e sajë që ta shpëtojnë, jashtë pyllit, shejtani i binte një fylli të madh që të humbiste zëri e Nënës Shqipëri“. Ndaj u desht të thyhet fyelli, që të degjohet Shqipëria.

Shejtanët e sotëm, për të penguar zërat e arësyes, kanë marrë në dorë, jo fyej primitiv, por „saksofonë modern“. Për ta, çmimi i paqes së proklamuar nga politikat jo-realiste dhe jo-njerëzore, mund dhe duhet të marrë për kurban edhe lirinë e shqiptarëve. Për ta, rëndësi ka integrimi i shteteve pushtuese (Serbi, Maqedoni, Mali i Zi, Greqi) në strukturat veri-atllantike, si dhe grabitja e pasurive Kombëtare. Mirëpo. Duhet thënë se, me gjithë entuziazmin e shjtanëve shqipfolës për t`u shkuar shejtanllëqeve gjer në fund, qendrat e vendosjes janë më të ngadalshme, më të matura, se megjithatë shqiptarët dijnë të jenë edhe të paparashikueshëm. Tatëpjetëza Kombëtare, patjetër që pret një reagim, pret një përgjigje, por jo prej Gjykatave Ndërkombëtare. Askush të mos gënjehet, se përëndimi do të „përmirësojë“ gabimet historike që janë bërë në dëm të shqiptarëve. Akti i tillë, do të thotë gjykim i një politike kriminale. Dhe këtë duhet ta bëjnë, sipas Koço Danajt, pinjollët e borgjezisë europiane; duhet ta bëjnë nipërit kundër gjyshërve të tyre. Më shumë se absurd, ky është një iluzion. Shembulli më i keq i kësaj politike antishqiptare, është statusi tragjikomik i Kosovës, ku perveç heqjes, të çdo kujtese kombëtare nga librat e historisë, kërkohet, madje me një shtypje brutale, që të harroet edhe emri Shqiptar.

Çdo ditë e më tepër po hidhen ide fashizoide për coptimin e një pjese të Kosovës. Pakicës serbe, që është në njëfarë mase përgjegjëse për gjenocidin serb mbi shqiptarët, i janë hapur të gjitha dyert për ta penguar zhvillimin normal të Kosovës. Për të mos numëruar pengesat tjera që kemi përpara, më duhet të konstatoj, se pa një organizim të brendshëm serioz dhe pa një gatishmëri gjithëkombëtare për t`i dalë zot të drejtës tonë jetike, çdo lloj „Gjykate Ndërkombëtare“ do të mbrojë privilegjet e kastës që përfaqëson, do të mbrojë vetveten.

„Epërsitë“ e „të mëdhenjëve“ ndaj „të vegjëlve“ as nuk janë krijuar dhe as nuk do të lëkunden ndonjëherë përmes „Gjykatave Ndërkombëtare“.

 

01.01.2011

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora