Mendime
Lutfi Dervishi: Raport për trajnimin e gazetarëve shqiptarë
E merkure, 05.01.2011, 03:22 PM
Raport për trajnimin e gazetarëve shqiptarë
Nga Lutfi Dervishi
Në fillim dua t'ju falënderoj që mundësuat ardhjen time në Shqipëri. Po largohem me mbresa të pashlyeshme nga ky vend me histori të lashtë. E shkuara e ashpër vijon të ketë ndikim të fortë mbi shoqërinë, gjë që manifestohet edhe në punën e medias. Ju më ftuat për të trajnuar gazetarët rreth teknikave të intervistimit. Pas përfundimit të trajnimit me gazetarët shqiptarë dhe pas ndjekjes së disa intervistave në televizion arrita logjikshëm në përfundimin se më shumë kam mësuar unë se kanë nxënë ata. ?Unë erdha këtu me objektivin për të dhënë shembujt më të mirë të intervistave. ?"Pyetjet e mira çojnë në përgjigje të mira. Duhet një përgatitje paraprake për intervistën. Intervista duhet të ketë një temë të përcaktuar; kurrë mos bëj dy pyetje brenda një pyetje; mos bëj pyetje të hapura; ndiq me vëmendje atë që thotë i intervistuari për t'i bërë pyetje vijuese. Pyetjet duhet të jenë të shkurtra dhe të synojnë të marrin informacion. Shmang nuancat e komenteve. Qëndro dhe përsërite pyetjen derisa të marrësh një përgjigje. Pyetjet e shkurtra janë pyetjet më të mira. Pyetja ime e preferuar është: pse? - ja këto ishin disa prej tezave kryesore që kisha përgatitur për seminaret. Kisha marrë me vete edhe një fragment nga intervista e të famshmit Xheremi Paksman që i bëri ministrit të Brendshëm të Britanisë së Madhe 13 herë të njëjtën pyetje... ?Ashtu si në çdo vend tjetër të rajonit, para trajnimit, unë shikoj disa intervista për të kuptuar më mirë ambientin vendas. Me ndihmën e përkthyesit, që dua ta falënderoj posaçërisht për impenjimin e tij, ndoqa një intervistë televizive, një pjesë të së cilës po e transkriptoj:
Ju falënderoj që gjetët kohë nga axhenda juaj shumë e ngjeshur këto ditë dhe erdhët në emisionin tim numër 66. Po e filloj pa humbur kohë me pyetjen e parë, por do të kërkoj për hir të shikuesve që na ndjekin një përgjigje të sinqertë. Jo se më keni gënjyer ndonjëherë, por gjithsesi ka një tendencë të politikanëve për t'iu shmangur pyetjeve të vështira. Nuk e kam fjalën për ju, por në përgjithësi kjo ndodh rëndom. Atëherë, ju lutem mos ma merrni për personale, është thjesht profesionale... pyetjen e bëj në emër të publikut, të atij dhe vetëm atij. - Çfarë mund të na thoni më konkretisht për vizitën tuaj shumë të suksesshme në Bruksel??- Përgjigjja e të ftuarit mori 10 minuta dhe përkthyesi më tha se je me fat që po shikon dhe dëgjon një përgjigje kaq të shkurtër dhe më paralajmëroi se pyetja vijuese ishte shumë e fortë. Për të shmangur të papriturat hapa kutinë e trinitrinave dhe mbusha një gotë ujë. Po ndiqja me vëmendje ekranin dhe fiksova momentin kur intervistuesi ngriti dorën e djathtë dhe tundi gishtin tregues. Pikasa që i intervistuari fshiu djersët në ballë dhe para se të përgjigjej ktheu një gllënjkë me ujë. U bëra shumë kurioz për të dëgjuar përkthimin e pyetjes.?- Si e shpjegoni ju që kundërshtarët tuaj, pa pasur asnjë fakt guxojnë dhe e thonë edhe publikisht se vizita juaj në Bruksel ka qenë një dështim i plotë. Të mos keqkuptohemi… ata e thonë këtë gjë. Ne si televizion e kemi ndjekur dhe i kemi bërë jehonë vizitës suaj tejet të suksesshme, por çështja qëndron pse kundërshtarët e tu e shohin realitetin me syze të errëta? ?Pasi dëgjova përkthimin e pyeta përkthyesin se mos po shikonim një material humoristik nga ata që transmeton "Portokalli" ose të tipit David Letterman në ShBA. Përkthyesi vuri dorën mbi Bibël dhe tha se intervista ishte serioze. Duhet të tregoja pak durim, sepse pyetjet vijuese do të ma hiqnin çdo dyshim. Pyetja e radhës nuk u bë nga gazetari, por nga politikani. ?- Më thuaj të lutem, se ti e njeh shumë mirë kundërshtarin tim, çfarë e detyron atë të mbajë këtë qëndrim absurd? ?Politikani, ndryshe nga gazetari, bënte pyetje të shkurtra dhe të fokusuara. ?Pyetja vijuese e gazetarit kishte të bënte me shëndetin: ?- Ka zëra të cilat ne i kemi përgënjeshtruar, megjithatë meqë është rasti, nuk do të ishte keq të na sqaronit ju... se pse disa të papërgjegjshëm kanë shkruar në gazeta që ju keni qenë me grip këto ditë? ?- Ç'është e vërteta kam kaluar një grip të lehtë... ?- Jo nuk ka mundësi. Ne e kemi verifikuar dhe mjekët kanë konfirmuar se kjo nuk është e vërtetë... ?- Ç'është e vërteta... ?- Ne ia kemi thënë publikut të vërtetën rreth kësaj shpifjeje monstruoze dhe nëse ju kërkoni që... ?- Jo e kisha fjalën... ?- Ja pra që u konfirmua ajo që ne kemi ditë që e themi se ju nuk keni qenë me grip.... Kalojmë te pyetja e radhës... ?Kur pashë se fytyra e intervistuesit u tensionua mendova se pyetja duhet të ishte delikate. Dëgjova të përmendej fjala "corruption" dhe mezi po prisja përkthimin. ?- Pse nuk vepron prokuroria dhe gjykata kur ju akuzojnë politikisht se gjoja, medemek, ju, domethënë, thonë ata, se ju qenkeni i përfshirë, - sipas tyre - në afera korruptive? A mos do të thotë kjo se prokuroria po bën lojën e tyre apo mos vallë ju mendoni se kundërshtarët tuaj janë të diskretituar politikisht, moralisht dhe shoqërisht dhe nuk ia vlen të harxhosh kohën me to? Ju lutem na thoni se kjo ka shumë interes për publikun, cili prej këtyre opsioneve qëndron se të gjithë e dimë dhe jemi të bindur se kemi të bëjmë me shpifje të pastra... Më falni doja të thoja të ndyra... ?- Pyetjet vijuese të gazetarit ishin mjaft të larmishme, për kohën, për naftën, për bujqësinë, minierat, portet... Altini, përkthyesi, më tha se gjyshja e tij, pasi dëgjonte intervista të tilla, thoshte një proverb nga fshati: "Merr një litar dhe lidh gjithë pyllin".?Një tjetër fenomen interesant që nuk e kam vënë re gjëkundi ishte fakti se vetë publiku kishte mundësi të bënte pyetje përmes SMS-ve. Altini më tha se njerëzit përdornin shumë SMS-të. Këtu edhe gjyqet zhvillohen me SMS. Gjykatësi, për shembull, mund të jetë jashtë shtetit, por vendimin e jep me SMS! Për të më bindur përkthyesi më tregoi rastin e një shoku të tij që ishte ndarë me gruan me SMS. ?Pyetjet e publikut ishin edhe më të larmishme se ato të intervistuesit. Shumica e tyre kishin formën dhe përmbajtjen e ankesave. Një zonjë nga Durrësi pyeste: A është e drejtë që burri të mos e sjellë rrogën në shtëpi? Një tjetër ankohej se kompania CEZ Shpërndahu nuk i sillte faturat e energjisë. Një pensionist pyeste a do të jetë 2011 viti kur ekonomia europiane do të dalë nga kriza? Një student nga ato të universiteteve private pyeti nëse ishte e vërtetë se po të përdorje çdo ditë një aspirinë 100 miligramëshe të Bajernit të Mynihut, pas moshës 40 vjeç, jetëgjatësia shkon pa frikë deri në 100 vjeç? ?Për t’u shënuar është se shumicës së pyetjeve iu përgjigj vetë gazetari, ndërsa në fund të intervistës që zgjati vetëm 3 orë, pas përshëndetjeve të rastit i ftuari i radhës bëri pyetjen e fundit: ?- A ka pyetje tjetër për përgjigjet e mia...? ?Pasi shënova pothuaj të gjithë pyetjet e bëra në emision, mora guximin dhe pyeta përkthyes Altinin: ?- Cila mendon se ishte tema për të cilën ishte ftuar i intervistuari? ?Përkthyesi më pa në bebe të syrit a thua se kërkonte të lëçiste gjithë mendimet që kisha pasur atë ditë. Përgjigjja e tij ishte lakonike. Vetëm një fjalë. ?- Aktualitet.