Mendime
Shefik Shkodra: Mos u ngutni as mos u trembni!
E hene, 03.01.2011, 07:58 PM
MOS U NGUTNI AS MOS U TREMBNI!
Nga SHEFIK SHKODRA
Nuk e kam familjar Adem Demaçin, veç jemi shqiptar. E ai është një shqiptar më i madh e më qëndrueshëm se unë. Nuk dua të them se është i vetmi. Dikush tjetër e ka pësuar edhe me jetë. Po atë që ka dhënë, cilido qoftë, nga vetja dhe familja duhet ta ruaj pa e konsumuar në hiçgjë.
Kur i lexon disa komente dhe shkrime të një pjese të qytetarëve tanë, njeriut i duket sikur janë në një ngutje gjuetie rrugës së gjatë e të pa kthim. Sikur vonohen dhe krejt çka u qëllon para vete e përdorin që ta shuajnë atë zjarr sikur po do t’i kallë. Sikur të gjithë ata e kanë çelësin e artë në dorë për hapjen e portës, atë më origjinalin, po atë po e ruanin dhe nuk lejojnë dikush tjetër ta prekë. Harrojnë se duhet zapuar veten më parë. Mos u ngut bre vëlla! (Kush e di se kush janë, vëllezër apo motra me që janë të mbuluar). Çka flet njeriu nuk bëhet krejt, nuk vihet në praktikë menjëherë. Duhet ta ruajmë pak gjakftohtësinë. Nëse jemi kundër monizmit dhe izmave të ndryshme, do të thotë, kah një rreshtim për një demokraci, atëherë, nuk ka arsye të rrëmbehemi aq shumë. Njeriu ka pak durim, nuk bëhet robot, as nuk elektrizohet pa ditur se ku bien. Nëse, p. sh. nuk e qëllon dikush dhe nuk të shkon për shtati atë që thotë tjetri, atëherë ti duhet të tregosh me emër e mbiemër se, je për këtë e atë tjetrin mendim me fakte, ose, se je për veten tënde. Asgjë e keqe nuk do të bëhej, nëse edhe vetveten (ka dikush) e propozon, apo dëshiron ta sheh në atë fron të “bekuar”, që nuk është fort i dëshirueshëm për cilindo personalitet ngase duhet të jetë sado pak i përgatitur, jo aq me arsimim sa me të papriturat dhe vlimet shumë të nxehta në këtë ‘mullirin’ tonë me shumë drithëra. Nuk e di sa është e qëndrueshme, kur njeriu do të reagonte në një letër të dikujt të shkruaj nën një emër të rremë; nuk është praktikë që, para se ta njohësh atë personalitet ta varësh në një degë të thatë si një gjë kobzezë, pra, si një anatemim e dënim apriori; nuk besoj se është shumë logjike që ta trazosh me farefisni e me çka ka rreth, sepse ne mendojmë, tashmë, që fisi është vetëm një relikt për kohën. Kjo është e tejkaluar. Pra, jo e pranueshme që t’i grupojmë njerëzit në baza familjare, në qoftë se je i biri filanit, vëllai i atij tjetrit, kushëri, dajë etj. se edhe ai është i tillë. Ndonëse, asnjëherë nuk duhet përjashtuar as ky element për personalitetet në funksionet e qeverisjes, propozim kandidati e në inaugurime të posteve të ndryshme. Të gjithë shqiptarët kanë qenë nën sundimin monist dhe të gjithë po përpiqen të mësojnë diç nga mendimet e një pluralizmi. Ndikimet nga ai sistem janë të pranishme, gati edhe te ato gjeneratat e më pastajme. Sepse, kursi politik po reflektohet edhe nga ata nga më të vjetrit. Pak të vonuar jemi në hapa me të tjerët. Pak më të elektrizuar me njëri-tjetrin në paqe. I flakim pak mendimet e tjerëve me një egocentrizëm brutal. S’ka dialog pa e dëgjuar edhe mendimin e tjetrit.
Për vete s’është aq modesti – kalimthi rasti
Sa i përket çështjes time personale, jam i lumtur që nuk më bren ndërgjegjja. Flejë shumë qetë dhe pa ëndrra të këqija nga e kaluara. Nuk kam frikë nga vjedhjet, plaçkitjet, trafikimet e ndryshme, korrupsioni, e as nga ‘dosjet’. Veç në daltë ndonjë i shërbimeve sekrete për të bërë dhunshëm ‘dosje’. Me përzierje gjithfarësh sa për t’i përlye cilindo që dëshiron dikush. E shihni, nuk e mbuloj fytyrën as emrin. Nuk kam komplekse as kurrfarë ndikimesh nga individë e parti. Askujt s’i kam borxh. Nuk kam as ndikime familjare. Nuk e lodhi veten se çka thotë ky e ai. Dhe unë, për ata/ato që e kanë “hequr të zitë e ullirit”, madje, disa e kanë dhënë jetën për këtë vend e për këtë popull, të gjithëve u qofsha falë! Për ata/ato kemi qarë e kemi kënduar dhe me siguri, nuk jam njeri prej atyre që luan me vlerën, mundin dhe jetën e kujtdo qoftë.
Veç propozova – e drejtë qytetare
Por, fjala ishte për një kandidat që propozova për një post politik, të përkohshëm, duke menduar se është i qëlluar. Ky ishte vetëm mendimi im. Dhe këtë mendim nuk e kam dhënë me pahiri. Nuk e kam familjar Adem Demaçin, veç jemi shqiptar. E ai është një shqiptar më i madh e më i qëndrueshëm se unë. Nuk dua të them se është i vetmi. Megjithatë, më duhet të them, është mirë “të rrimë (pak) shtrembër e të flasim drejt”. Pa u tallë me të tjerët se, pamodestia s’është për njerëzit e mëdhenj. Nuk do të më lejohet të jem aq vetjak e të mos e potencoj vlerën e njerëzve kombëtarë. E ata që kanë dhënë nga vetja dhe familja janë njerëz që çmohen me çdo kusht, nëse nuk janë kthyer në të kundërtën. Nëse nuk e keqpërdorin veprimtarinë e vet nga inati ndaj tjerëve. Nëse atdhedashuria e tyre si ideali më çmueshëm nuk materializohet në mënyra jo dinjitoze, mendoj në kuptimin e korrupsionit e mënyra të tjera kontrabandizmi në fillimin e pluralizmit tonë. Nëse ai personalitet nuk e keqpërdor shtetin e pushtetin në qindra mënyra të mundshme.
Teket e hujet tona në veçanti
Në asnjë mënyrë nuk do ta bëja krejt vlerësimin për Adem Demaçin dhe veprën e tij. As krahasimin në punën e atdhedashurisë së tij me emra tjerë. Veç ai, të nderuar vëllezër, ishte një simbol i rezistencës shqiptare, në mënyrë permanente, ka më tepër se gjysmë shekulli, sidomos në trojet që ndodheshin nën thundrën jugosllave. Atëherë, kur të gjithë të tjerët (sidomos të gjeneratës së tij) flinin të qetë e ishin shumë të rehatshëm në punë dhe benificione të ndryshme nga po ai regjim i huaj që të gjithë e pranojmë se, ishte i huaj. Atë e ka dëshmuar vetë ai, jo veç një herë se ishte vendosmërisht i përcaktuar për gjithë jetën, që nga rinia e tij për një qëllim të shenjtë. E pastaj, hidhet dikush duke shpejtuar e duke u rrëmbyer se duhet të shpallet non grata! Është pak tragjike për ne. Njeri s’ka pa gabime. Dija është e nevojshme deri në vdekje. Kur gabon pa qëllim tjetër, dhe tjetër është gabimi i qëllimshëm e dikush përpiqet sot ta kamufloj atë. “Teke dhe huje” kanë krejt njerëzia e më së shumti shqiptarët. E po mos të kishte “teke dhe huje”, ai (A. Demaçi dhe të tjerët si ai) me siguri nuk do të jetonte nëpër ato burgje aq gjatë. Po mos të kishin ‘teke e huje’ njerëzit nuk do të shkonin drejt vdekjes në luftë. Mendimi i tij nuk ishte vetëm mendim virtuoz. Dhe këtyre, disa lexuesve që i bëjnë e i kanë bërë disa komente lidhur me propozimin tim, ‘President i Kosovës – Adem Demaçi’, u shihen teket shumë të ashpra. Këto “teke” s'janë gjë tjetër, veç sikur njeriu bien në një tubë grenzash dhe ato pickojnë pa ndonjë masë. Si duket, disa prej tyre dalin si të xhindosur. E ndyjnë çdo kënd përreth. Dikush e përmend se ka propozuar ‘ballkaniadën’?! po s’po flasim për atë më. Ishte vetëm një propozim në një kohë, ta quajmë edhe gabim. Kur flet njeriu, dikush thotë, ‘ky është budallis’, nuk ndalet. Kur heshtë, ‘jo ky nuk flet asgjë s’bën’.
Kur thuhet kryekëput, kështu dhe veç kështu, që në start, atëherë është e qartë se, nuk lë vend për sjellje demokratike e liberale për të tjerët.