Mendime
Avni Halimi: “Suksesi” i vogël i mashtrimit të madh
E marte, 04.01.2011, 08:00 PM
“Suksesi” i vogël i mashtrimit të madh
Gëzimi, kënaqësia dhe lumturia e pakufishme e z. Ahmetit se ka siguruar Ligj për gjuhën shqipe është vetëm një iluzion optik i cili qartësohet sapo të lexohet Marrëveshja e Ohrit, Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase si dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve të cilët i flasin më së paku 20 % e popujve që jetojnë në Maqedoni
Nga Avni Halimi
Përpjekja e kryetarit të BDI-së, z. Ali Ahmetit, për t’i bindur shqiptarët që t’i besojnë iluzionit dhe jo të vërtetës
Politikani sehiribas
Në 1 sekond të 10 viteve të vegjetimit në skenën politike të BDI-së, Ali Ahmeti u mundua që të shkaktojë një pamje të lezetshme por, sakaq doli që ishte po ajo metodë që e përdor ai sa herë që dëshiron të shkaktojë mashtrim (iluzion) optik! Gjatë një takimi me qytetarë shqiptarë këto ditë z. Ahmeti tha se “për këto dhjetë vjet BDI ka punësuar 15 mijë shqiptarë në ushtri e në polici”! Në Maqedoni ka pak më shumë se dy mijë ushtarë profesionistë dhe, diku rreth 10 mijë policë aktiv! Pra, sapo të ndodhë përqëndrimi i trurit në lexim të fakteve, menjëherë prishet ky iluzion ahmetian dhe mashtrimi optik bie përdhe!
Kur Ali Ahmeti para shqiptarëve flet për të arriturat e tij dhe të partisë së tij, të gjitha sukseset ia përshkruan vetes dhe BDI-së, ndonëse është plotësisht i vetëdijshëm se partia tjetër shqiptare në opozitë (PDSH-ja) ka dhjetra suksese më të mëdha dhe më historike ndërkohë që BDI-së i pranohet si sukses i vetmi institucion nacional i regjistruar më 30 dhjetor të vitit që e lamë, Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, por, fatkeqësisht, e privuar nga e drejta që aty zyrtarisht të përdoret dhe të shkruhet gjuha shqipe! Ali Ahmeti me mburrje e nënvizon si sukses të BDI-së (ndonëse ishte e inicuar dhe i futur në proces gjatë vitit 2007) shndërrimin e kazermave ushtarake “në vatër diturie”, “të atyre godinave që dikur shërbenin për planifikim të zhdukjes së shqiptarëve”! Këtë “të arritur” e ka shumë për zemër lideri i BDI-së, ndonëse ato objekte sot nuk vlejnë as për kotare derrash! Le t’ua lë relikt maqdonasëve ato objekte-gërmadha dhe lë të kërkojë buxhet për ndërtim të shkollave të reja për nxënësit shqiptarë! Nëse mashtrimet e mëdha optike dikush përpiqet që t’i prezantojë si suksese, atëherë nuk kemi të bëjmë me lider por me, siç i thotë populli, sehiribas!
Kur dështimet merren për sukses
Ndërsa dështimet nuk mund të mbulohen dhe as të ngriten në shkallën e mashtrimit optik, sepse ato janë të prekshme, çdo sekond peshojnë mbi supet tona, deri në degradim fatal të qenies sonë prej shqiptari! Cilët qenë ata shqiptarë që iu bashkangjitën Ali Ahmetit më 2001-shin në luftë për të fituar një dyzinë diskriminimesh ligjore e shkelje të dinjitetit kombëtar përmes, psh:
• Ligjit racist për përdorimin e gjuhës shqipe
• Mospërdorimit të simboleve kombëtare
• Heqjes dorë nga Komuna e Kërçovës, decentralizimit të parealizuar si dhe përmes talljes me buxhet për komunat që menaxhohen nga shqiptarët
• Mosarritjes së shkallës së përfaqësimit deri në 25 për qind
• Diskriminimit rreth dhënies së shtetësive për afërsisht 50 mijë shqiptarëve
• Mosdhënies së dokumenteve personale në mënyrë automatike por përmes shtrimit të lutjes
• Përfaqësimit zero në shumë institucione dhe hierarkinë e lartë vendimmarrëse shtetërore
• Përmes përfshirjes së shqiptarëve në grupet e pakicave kombëtare edhe atë që nga Këshilli për siguri nacionale e deri te instancat më të ulëta komunale
• Anashkalimit të zonave shqiptare për investime
• Përmes anashkalimit dhe mospërfaqësimit në organet e larta të sigurisë, shërbimet sekrete dhe njësitë speciale ushtarake, ku nuk pothuaj asnjë shqiptar
• Moszgjidhjes së statusit të familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të konfliktit të vitit 2001
• Kaosit të shkaktuar në arsimin shqip
• Detyrimit të nxënësve shqiptarë për ta mësuar maqedonishten që nga klasa e parë fillore
• Botimit të librave që shajnë dhe fyejnë shqiptarët
• Enciklopedisë që shpif, trillon dhe mohon etninë shqiptare
• Diskriminimit total të shqiptarëve rreth ndarjes së banesave sociale etj, etj.
Kur mashtrimi optik të bëhet “refleks pavllovian” atëherë nuk e ke të vështirë që të angazhohesh me tërë qenien që t’i bindësh njerëzit se gjërat janë të vërteta. Në të gjitha rastet e vërtetë mbetet vetëm përpjekja për mashtrim optik! Ç’e vërtetë mund të jetë gënjeshtra se BDI-ja nuk ka gisht në punësimet politike të aktorëve shqiptarë si dhe në repertorin e këtij Teatri! Kërkesa e parë e drejtorit aktual (A.K.) shtruar deri te ministresha e kulturës ka qenë kërkesa për ndërrimin e teksit të autorit të këtij shkrimi me një tekst tjetër, ndonëse ishin caktuar buxheti, ekipi i aktorëve, regjisori. Nejse, kjo është më pak tragjike por, ç’mund t’i themi përpjekjes permanente të Ali Ahmetit për të na bindur se me Ligjin për përdorim të gjuhës që e flasin më së paku 20% të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, “për gjuhën shqipe është krijuar një bazë e mirë për t’u avancuar”! Nga vetë emërtimi i Ligjit shihet qartë se nuk kemi ligj për përdorimin e gjuhës shqipe. Madje, në Ligjin e miratuar e për të cilën duhej Badenteri i BDI-së, gjuha shqipe është renditur në grupin e gjuhëve të pakicave kombëtare, turqishtes, serbishtes, gjuhës
Për cilën gjuhë dhanë jetë shqiptarët në konfliktin e 2001-shit
Pra, në këtë rast nuk mund të jetë mashtrim optik vetëm ky fakt: shqiptarët u vranë e u shkatërruan, u zhdukën e u eliminuan në konfliktin e vitit 2001 vetëm që të përjetojmë inkuadrimin e gjuhës shqipe në grupin e gjuhëve të pakicave të tjera në Maqedoni që ligjërisht do të ngelin të diskriminuara në raport me gjuhën maqedonase!
Përfaqësuesi i NATO-s, i BE-së, ai amerikan si dhe përfaqësuesit politikë të vendit, në momentin kur arritën marrëveshjen për paqe nënshkruan një dokument në të cilin gjendet edhe ky tekst: “Në tërë Republikën e Maqedonisë (pra, e nënvizoj me të madhe NË TËRË REPUBLIKËN E MAQEDONISË) dhe në marëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase. Cilado gjuhë tjetër që e flasin të paktën 20% e popullatës, po ashtu është gjuhë zyrtare!” Ja pra, kjo ishte bazë e mirë për ta bërë edhe gjuhën shqipe me ligj të vetin këtu në Maqedoni. Dhe, pa ligjin enkas për gjuhën shqipe asnjëherë nuk guxojmë të mburremi se kemi zyrtarizuar gjuhën shqipe. Zyrtarizimi i gjuhës shqipe do të arrihet kur do të flitet dhe shkruhet në çdo cep të Maqedonisë, kur do të eliminohet urrejtja e madhe e maqedonasëve kundër gjuhës shqipe, kur do të gjejë përdorim të gjerë në të gjitha instancat shtetërore, kur do të mbrohej me nene sanksionuese kundër keqpërdoruesve të gjuhës shqipe, kundër keqfolësve dhe keshkruajtësve të gjuhës të cilët zakonisht vijnë nga ata që mundohen të studiojnë shqip sa për t’u punësuar në vend të shqiptarëve si përkthyes nëpër të gjitha instancat shtetërore, nëpër të gjitha organet e drejtoritë e pushtetit qendror e lokal, kur gjuha shqipe do të trajtohej si trashëgimi kulturore, kur do të vlerësohet me ligj si pasuri shpirtërore me një vlerë të veçantë kulturore e historike, kur gjuha shqipe do të ruhej edhe përmes themelimit të njësisë apo të sektorit për provim për lektor, kur do të sanskionoheshin të gjitha tekstet dhe titrimet që do të shkonin të paredaktuara, kur Qeveria e Maqedonisë do të themelonte Këshillin për gjuhën shqipe si dhe komisionin për provim të lekturës, kur gjuha shqipe do të ruhej e do të zhvillohej me buxhet të veçantë e të kënaqshëm të caktuar drejtpërdrejt nga Qeveria. Vetëm në këtë rast do të kemi zyrtarizim të gjuhës shqipe. Gjuha shqipe është një nga kodet e identitetit shqiptar. Pa ruajtjen dhe përforcimin e këtij kodi vetëm sa mund të vimë më lehtë deri te asimilimi kombëtar, apo edhe deri te shtimi i numrit të muslimanëve maqedonofolës që në poull njihen si torbeshë. Gëzimi, kënaqësia dhe lumturia e pakufishme e z. Ahmetit se ka siguruar Ligj për gjuhën shqipe është vetëm një iluzion optik i cili qartësohet sapo të lexohet Marrëveshja e Ohrit, Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase si dhe Ligji për përdorimin e gjuhëve të cilët i flasin më së paku 20 % e popujve që jetojnë në Maqedoni. Ky “sukses” i liderit të BDI-së të shkakton një dëshpërim shumë të hidhur, sikur edhe “sukseset” e tjera që i paska arritur përgjatë këtyre 10 viteve e që të gjitha janë suksese personale që më së paku i shkojnë në xhep kombit shqiptar!