E diele, 19.01.2025, 01:27 AM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Kleptomani intelektual dhe barbarët

E merkure, 05.01.2011, 07:58 PM


Kleptomani intelektual dhe barbarët

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Më kishte ndodhur edhe më që të më kishin vjedhur ide nga shkrimet e mia, por kjo është hera e parë që më kanë vjedhur një shkrim të tërë. Vjedhësi quhet Ilmi Veliu, mban gradën shkencore të doktorit në histori, është anëtar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë tëMaqedonisë (madje deri para pak kohësh ka qenë edhe nënkryetar i saj), është edhe drejtor i Muzeumit të Kërçovës. Ky Dr. Ilmi Veliu ka botuar në 28 dhjetor 2010, në gazetën “Koha e Re” që del në Shkup, shkrimin me titull “Raporti i Dick Marthy”. Ky shkrim është kopjim i fjalëpërfjalëshëm i shkrimit tim “Dick Marty dhe Oliver Jens Schmitt, Skënderbeu dhe Hashim Thaçi”, i cili është botuar në gazetën “Sot”, në 19 dhjetor 2010.

(http://www.sot.com.al/index.php?option=com_content&view=article&id=37315%3Adick-marty-dhe-oliver-jens-schmitt-skenderbeu-dhe-hashim-thaci&catid=55%3Akomente&Itemid=60)

Nga 6328 karaktere, ndryshe gërma (pa hapësira) që ka shkrimi i Veliut, 6131 janë të kopjuara fjalë për fjalë nga shkrimi im, dhe vetëm 197 karaktere (gërma) i përkasin Ilmi Veliut. 197 karakteret (gërmat), që i përkasin Ilmi Veliut, përbëjnë fjalinë e parë dhe përfundimin e fjalisë së fundit të shkrimit. Fjalia e parë është: “Ajo qe e turbulloi skenën politike kosovare dhe gjendjen politike e shpirtërore mbarëshqiptare është raporti i anëtarit zviceran te Këshillit te Evropës, Dick Marthy”. Gjysmëfjalia e fundit, e futur jashtë kontekstit është: “e që mund te jetë ai i ligjit kundra bankës zvicerane të Dik Martit”

Ilmi Veliu nuk e ka për herë të parë hajninë intelektuale. Atë e ka denoncuar edhe historiani nga Tirana, prof. Kasëm Biçoku, ish-drejtori i Muzeumit Kombëtar. Prof. Biçoku e ka denoncuar Ilmi Veliun se ky i fundit në librin e vet për Skënderbeun, të botuar në 2005, ka vjedhur kapitullin “Epoka e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”, nga libri Historia e Popullit Shqiptar, ku pjesa në fjalë ka si autor pikërisht profesor Biçokun.

Këtë dr. Ilmi Veliun unë nuk mund ta quaj ndryshe përveçse kleptoman intelektual. Ai ka nevojë për trajtim klinik. Ajo që ka bërë ai më ngjall vetëm neveri dhe mëshirë. Por, ajo çka më indinjon shumë është mungesa e reagimit meritor ndaj tij nga ana e shqiptarëve të Maqedonisë. Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë duhet të ishte mbledhur me të ardhur në dijeni për denoncimin e prof. Biçokut, dhe ta kishte përjashtuar Ilmi Veliun, duke i kërkuar edhe ndjesë prof. Biçokut, që ky incident i pakëndshëm i ndodhi me një anëtar të saj. Por asgjë e tillë nuk ndodhi. Madje, pas hajnisë që bëri ndaj prof. Biçokut, Ilmi Veliu, u “gradua” si nënkryetar i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni!!!  

Kur lexova shkrimin e Ilmi Veliut, m’ u kujtua ajo që pata lexuar në librin e një intelektuali shqiptar nga Maqedonia. Fjalën e kam për librin “Kufiri” të Latif Ajrullai, drejtuesit të shtëpisë botuese “Albas” në Tetovë. Në këtë libër, Latif Ajrullai përshkruan eksperiencën e tij të parë në Shqipëri, fill pas rënies së regjimit komunist. Ajrullai tregon se si duke udhëtuar me automjet nga kufiri për në Tiranë, rrugës i ndali një polic, i cili u kërkoi që ta çonin deri në katundin ku banonte. Kur polici zbriti, ai mori me vete edhe xhaketën e Ajrullait, të cilën ky e kishte lënë në ndenjësen e pasme. Ajrullai e ndaloi dhe i tha se që të merrte xhaketën duhet që të vriste më parë atë. Pas kësaj polici e kishte lënë xhaketën dhe ishte larguar.

Unë nuk dyshoj se ky episod ka ndodhur vërtet. Në Shqipërinë e posadalë nga komunizmi më stalinist i Europës, mbretëronte një delir kolektiv, një delir që mund të përcaktohej si deliri i flagrancës. Ky delir konsistonte në atribuimin vetvetes nga gjithësecili të së drejtës për bërë në mënyrë flagrante gjithçka që e mendonte të mirë për mirëqënien e vet. Pasiqë njerëzit qenë privuar nga shteti në gjithçka, ata i jepnin vetes së drejtën që të bënin gjithçka. Shqiptarët e ardhur nga përtej kufirit, shiheshin si qenie që duhej të paguanin tributin e tyre në përmbushjen e këtij deliri. Në mendjen e njerëzve të këtushëm, shqiptarët e përtej kufirit kishin pasur fat që nuk kishin pasur ato privime ekonomike të shqiptarëve të Shqipërisë shtetërore. Tash ata kishin nevojë për shtetin amë dhe për këtë duhej që në njëfarë mënyre të paguanin tributin. Kështu ka menduar pak a shumë ai polici.

Shumë shqiptarë të anës tjetër të kufirit kanë pasur eksperienca të ngjashme me Ajrullain, kur kanë ardhur në Shqipërinë shtetërore në atë periudhë. Por këto incidente kanë ndodhur me njerëz të traumatizuar nga privimet që u kishte shkaktuar izolimi enverian. Sot kurrkush nuk do t’ ja merrte xhaketën Ajrullait në Shqipëri. Sot ka dalë një tjetër lloj hajni, këtë herë andej nga vjen Ajrullai, nga trojet shqiptare në Maqedoni. Ky është dr. Ilmi Veliu. Hajninë e tij, në mos e aprovon në heshtje opinioni i shqiptarëve të Maqedonisë, së paku është e sigurt se nuk e dënon. Njëjtë si opinioni i përgjithshëm shqiptar i këtej kufirit, i cili nuk e dënonte atë policin që mori xhaketën.

Shqiptarët e përtej kufirit, të ardhur në Shqipëri pas hapjes së vendit, u bënë dëshmitarë të një lloj barbarie që ekzistonte tek vendasit e traumatizuar nga komunizmi stalinist enverian. Tashmë, jemi ne që ballafaqohemi me një lloj tjetër barbarie tek shqiptarët e Maqedonisë. Kjo është një barbari më shqetësuese, se shfaqet edhe si barbari intelektuale. Barbaria e ardhur nga privimet ekonomike, mungesa e sendeve minimale, zhduket gradualisht me zhdukjen e këtyre lloj privimeve, çka ndodhi në Shqipëri. Por çka t’ i bësh barbarisë intelektuale? Ekzemplar i barbarit intelektual është dr. Ilmi Veliu. Ilmi Veliu është një hajn shumë më i ndryshëm se polici që deshi t’ i vidhte xhaketën Ajrullait, se Ilmi Veliu supozohet të jetë pjesë e elitës intelektuale shqiptare në Maqedoni, dhe ai nuk po vjedh për një nevojë elementare jetësore.   

Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë ankohet se Enciklopedia Maqedone i përshkruan shqiptarët e Maqedonisë si barbarë, hajna. Por a nuk duhej të ishte kjo një arsye më tepër që kjo shoqatë ta dëbonte solemnisht Ilmi Veliun? Se kur në një shoqëri vjedhin kështu intelektualët, ç’ mund të thuhet për të tjerët? Ilmi Veliu duhet të ishte dëbuar jo vetëm nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë, ai duhej të ishte dëbuar dhe nga detyra e drejtorit të Muzeumit të Kërçovës. Ilmi Veliu nuk duhej të pranohej në asnjë tubim intelektualësh shqiptarë në Maqedoni. Atij, ishte dashur që të mos i bënte vend asnjë gazetë shqiptare në Maqedoni, për të publikuar shkrimet e tij. Por ja që nuk ka ndodhur kështu siç do të duhej që të ndodhte. Kjo tregon se tek shqiptarët e Maqedonisë ekziston një frymë barbarie intelektuale.

Unë jam i sigurt se Ajrullai do t’ ja kishte falur xhaketën atij policit, nëse ai do t’ ja kishte kërkuar. Njëjtë edhe unë, nëse Ilmi Veliu do të më kishte dërguar një e-mail ku të më thoshte se i pati pëlqyer shkrimi im që kopjoi dhe të më kërkonte t’ i jepja sugjerime, ashtu që ai të bënte një shkrim të ngjashëm, do ta kisha bërë. Por ajo që më shqetëson mua nuk është aq ky kleptomani, se sa mosreagimi ndaj tij në opinionin shqiptar në Maqedoni. Mosreagimi në këtë rast është simptomë e barbarisë. Ky është një problem i madh.

 



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora