E hene, 29.04.2024, 09:21 AM (GMT+1)

Speciale

Fadil Lushi: Një demonstratë që ka tre palë histori

E diele, 26.12.2010, 08:58 PM


NJË DEMONSTRATË QË KA TRE PALË HISTORI

(Ky shkrim nuk mëton të “adoptojë logjikën” e një manifestimi të munguar)

 

Nga Fadil LUSHI

 

Që unë e shkruaj apo e përsëris shkrimin e radhës është pasojë e një ngacmimi të brendshëm, që kohë më parë më erdhi nga disa ish të përndjekur dhe të dënuar politik. Disa të dënuar që, sot e gjithë ditën e Perëndisë, janë në kërkim të së vërtetës së harruar, të denigruar dhe të shtrembëruar. Janë ish të akuzuar, gjegjësisht njerëz padrejtësisht të fajësuar që, sot e gjithë ditën e absurdit, kërkojnë rifillimin e “dialogut” të ndërprerë, një “dialog” që për objektiv ka dëmshpërblimin ndaj bëmave të tyre dhe jo rehabilitimin. Të rehabilitosh dikë do të thotë t’ia kthesh të drejtat që ka “humbur”, ndërkaq të drejtat inekzistente asnjëherë nuk mund të kthehen. Tekefundit, janë disa të dënuar politik që, edhe pas kushedi sa vitesh do të ballafaqohen me faktin se nuk arrijnë dot t’i harrojnë hiletë e diktaturës komuniste, hiletë e diktaturës së orbitës tortoruese, ata do të ballafaqohen me apatinë dhe me heshtjen e morgut të politikës aktuale maqedonase, një politikë që çështjen e tyre ende e mban të pazgjidhur... njëkohësisht do të ballafaqohen edhe me harresën kolektive të  bashkëqytetarëve të tyre të cilët kësaj radhe “u heshtën si gur varri” apo harruan që të organizojnë një manfestim karshi dyzet e dy vjetorit të Demonstratave të Tetovës. Ndoshta ishte një “harresë me hir a me pahir!?...ndoshta (nuk) ishte një Neronizëm i (mos) kujtesës sonë toptan, ndoshta ky manifestim, për inat u stivua në arkivat e Tetovës. Ku ta dijë njeri. Dhe në vazhdim ky shkrim do të duhet t’i dedikohet një ngjarje sa humane po aq edhe emancipuese. Një ngjarje, që dita-ditës humb shkëlqimin, duke kaluar në pronësi të harresës sonë kolektive. Është një ngjarje që thjeshtë do të dehumanizohet dhe deemancipohet. Një ngjarrje që do karakterizohet me një retrospektivë të lavdishme, por po aq edhe të dhimbshme të popullatës shqiptare këtej Shqipërisë politike. Është një eveniment historik i lidhur ngusht me një datë, respektivisht me Kalendarin e patriotizmit shqiptar. Bëhet fjalë për Demonstratat e Tetovës, të organizuara me 22 dhe 23 Dhjetor të vitit 1968, bëhet fjalë për një ngjarje e cila edhe në ditëlindjen e saj (22 dhe 23 Dhjetor të vitit 2010) do të anashkalohet. Është një përvjetor të njerëzve me profesione dhe mosha nga më të ndryshmet. Historianët thonë se në ato demonstrata do marin pjesë: arsimtarë, studentë, nxënës, bujqë, zejtarë, mjekë dhe të tjerë, të gjithë të ardhur nga Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova, Struga, Kosova dhe nga të gjitha fshatrat shqiptare përreth Tetovës. Gjithsesi se këto demonstrata do të karakterizohen me 3 histori:

a) me atë të lëvdatës,

b) me atë të akuzës dhe

c) me atë të harresës.

    Kjo Histori e lavdatës do të shkruhet nga vet organizatorët dhe pjesëmarrësit e saj. Kryeorganizatori i këtyre demonstratave do të jetë studenti nga Beogradi, Faik Mustafa i cili, më vonë do të dënohet me 5 vjet heqje lirie. Ndërkaq ikona e politikëbërjes në nënqiellin e Fushë-Pollogut, Memetriza Murtezan-Gega do të dënohet me 7 vjet burg. Do të akuzohet për arsye se  gjithmonë ka qenë kundërshtar i shpërnguljeve të  shqiptarëve drejt Anadollit, njeriu që në vij;m;si do kërkojë të drejta më të avancuara për shqiptarët, si në aspekt politik, në aspekt kulturor, social, arsimor, ekonomik dhe aspekte tjera. Në gjykimin e tij të organizuar në vitin 1969 në Shkup “...do të dëshmojnë 103 persona dhe vetëm 3 do shkojnë në favor të aktakuzës” Në këtë gjykim Gega do të dënohet me 7 vjet burg të rëndë. Ky gjykim do të jetë i dyti për Memetriza Gegën, sepse një i tillë u organizua dy dekada më parë kur edhe do dënohet me më shumë se 7 vjet. Pos dy të parëve, me të njëjtën akuzë do të dënohen edhe: Beqir Berisha me një vit heqje lirie dhe njëkohësisht do të përjashtohet nga gjimnazi i Tetovës. Ramadan Sinani, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe do akuzohet për faktin se ka qenë një ndër organizatorët e demonstratave. Edhe ky do largohet nga vendi i punës. Ismail Memeti, pedagog i Gjuhës dhe Letërsisë Agleze do të dënohet me një muaj heqje lirie dhe do të përjashtohet nga Shkolla e Mesme e Mjekësisë. Më vonë do të dënohen edhe: Hysnixhevat Kalishta, Abdylselam Selami, Abdylmenaf Rustemi (i dënuar bashkë me babain e tij edhe në Shqipëri) Abdulla Kalishta, Abdulla Jusufi, Dr. Mahmut Bajraktari, Dr. Harun Jakupi, Salajdin Hyseini dhe shumë tetovarë të tjerë. Në Shkup do të dënohet Sejdi Kryeziu 5 vjet, në Strugë Irfan Vllashi, Tosun Roçi, Syria Qura. Në Kërçovë Sali Ramadani, në Gostivar Imer Imeri dhe të tjerë. Në këto demonstrata do marrin pjesë edhe nxënës nga Tetova, të cilët do të burgosen dhe më vonë edhe do të përjashtohen nga gjimnazi  “Kiril Pejcinoviq”, që çuditërisht edhe pas dyzet vitesh do të bartë emrin në fjalë. Për këtë dhe shkaqe tjera, do të dënohen këta nxënës: Islam Beqiri, maturant, ai që shkroi parullat, Rafi Halili, viti i tretë, i cili më vonë do të dënohet bashkë me nënën dhe motrën me gjithsej 17 vjet heqje lirie. Hamit Saliu, viti i tretë, ai i cili në hapësirat e Komitetit Komunal të Partisë Komuniste në Tetovë do të shpalosë flamurin, Ahmet Zeqiri, maturant, Rexhep Hasani, maturant, Sefedin Halimi dhe autori i këtij shkrimi (Fadil Lushi) që do të jetë i burgosuri i fundit.

 

Historia e akuzës

 

Demonstratat e vitit 1968 nga ana e pushtetmbajtësve do të perceptohen si…” armiqësore dhe me kërkesa irredentiste për bashkim politik të shqiptarëve në Jugosllavi, për bashkim me Kosovën…” dhe me shtetin amë si dhe me trojet tjera me frymëmarrje shqiptare, me të vetmin qëllim për të krijuar Shqipërinë natyrale. Këto demonstrata do të glorifikohen tejmase nga ana e Prokurorisë së përgjithshme të asaj kohe. Komunistët dhe gjithkush i farës së kalbur të tyre, Demonstratat e Tetovës do t’i regjistrojnë dhe do t’i konceptojnë si ngjarje të çoroditura politike dhe të dirigjuara nga shteti amë i shqiptarëve!? Në instancë të fundit demonstratat ishin thjesht shprehje apo rezultat i një akumulimi të dufit shqiptar ndaj padrejtësive që i bëheshin. Perceptimi tjetër i tyre, gjithsesi i gjymtuar, do konsistojë në faktin kinse shqiptarët në vitin 1968 pushtetit i paskëshin parashtruar kërkesë  për të shpallur pluralizmin politik. Ky mendim i komunistëve, vlen sa një leckë e qenefit. Këtij “opinioni” të komunistëve, sot e kësaj dite do t’i mungojë një shpjegim i qartë.

 

Historia e harresës

 

Kjo do të duhet të jetë historia më e dhimbshme e demonstratave të vitit 1968, pasi që nga historianët tanë paksa më të moshuar, fare pak është diskutuar dhe trajtuar si pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare. Historianët tanë (me përjashtim të kosovarëve) gjatë kohë do e mbajnë kokën, mendjen dhe shikimin mënjanë. Ndoshta kishin “të drejtë”, por jo ama edhe këtë mot të 2010 që po ik ashtu heshtur. Ku ta dijë njeriu?!

 

Të nderuar lexues, duke e përfunduar këtë shkrim, më duhet të them se Demonstratat e Tetovës së vitit 1968 nuk mund të konceptohen si fillim dhe mbarim e filozofisë së politikëbërjes, përkundrazi ato janë vazhdimësi e të diskutuarit të kauzës. Demonstratat e Kosovës dhe të Tetovës, duhet të konceptohen edhe si një moment kur shqiptarët për herë të parë lirohen nga kompleksi i frikës. Emrat e lartpërmendur ndoshta për Historinë Kombëtare nuk janë aq të rëndësishëm sa janë të rëndësishëm rolet, rrugëtimet, vegimet dhe veprat e tyre...ata ishin njerëz, të cilët ndërtuan kështjellën e tyre shpirtërore, mendore, dhe atdhetare...dhe gjithësecili që mëton të kërkojë të drejtën e të qenit i barabartë me ata që vuajtën të zitë e ullirit, thjeshtë do të  mashtrohet. Ata merituan diç më tepër se ky opinion gazete. Megjithatë, në instancë të fundit, edhe përkundër prezancës së harresës sonë, ata fituan lavdinë.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frrok Kristaj: Kërshëndellat - festë e lindjes së jetës së re Baki Ymeri: Krishtlindjet si një mrekulli hyjnore e njerëzimit Kastriot Frashëri: Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve - Një faqe e re në historinë e saj Alban Dobruna: Kontributi i femrës në pavarësinë e Shqipërisë Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar e demokratik i programeve të komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Astrit Vranovci: Mardhenjet Shqiptaro - Turke gjate kohes. Fakte per vetedijesim! Bislim Pireva: Falsifikatori dhe gënjeshtari Radomir Trajkoviq- Rade (II) Ilia S. Karanxha: Gjergj Shqiptari, Fisniku që porositi ikonat për një kishë në 1470 Qazim Namani: Mbrojtja Institucionale e Trashëgimisë Kulturore-Historike në Kosovë Sabile Keçmezi- Basha: Angazhimi i grave në Pavarësinë e Shqipërisë Fritz Radovani: Pse e vranë Maliq Bajramin, ''bijtë'' e Stalinit..? Mihal Gjergji: Evropa mes marrëveshjeve bashkëpunuese ndërshtetërore Fritz Radovani: Gjurmët na çojnë në... sigurimin e shtetit komunist Kolec Traboini: Dy motra si dy legjenda Pirro Prifti: Respekt për znj. Marigo Posio që qëndisi Flamurin e 1912 Behxhet Dibrani: Pozita e ortodoksve në kuadër të P. Osmane dhe procesi i serbizimit me dhunë të shqiptarëve të ritit katolik Georg Stadtmüller: Islamizimi te shqiptarët Avzi Mustafa: Përpjekjet e shqiptarëve të Maqedonisë për shkollën shqipe (1908-1912) Alexander Thomson: Shtigje biblike në Shqipërinë e Rilindjes Kombëtare (II) Bislim Pireva: Falsifikatori dhe gënjeshtari Radomir Trajkoviq- Rade (I)

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora