Speciale » Karanxha
Ilia S. Karanxha: Gjergj Shqiptari, Fisniku që porositi ikonat për një kishë në 1470
E hene, 13.12.2010, 10:01 PM
Gjergj Shqiptari, Fisniku që porositi ikonat për një kishë në 1470
Nga Ilia S. Karanxha
Prezenca e shqiptarëve në Marke në shek. XIV-XV ka qenë objekt hulumtimesh e publikimesh nga ana studiuesve të ndryshëm të cilët kanë gjurmuar hapat e parë tepër të vështirë dhe herë - herë dramatikë të komunitetit shqiptar në këtë provincë të Italisë. Përmendjet e para janë të dokumentuara qysh nga shekulli i XIV por prezenca e tyre- si zakonisht - bëhet më masive në shekullin e XV dhe sidomos pas vdekjes të Skëndërbeut. Aty mbas mesit të shekullit të XVI këta emigrantë arrijnë të bashkohen me dinjitet në shoqërinë e vendit, të ciën studiuesi Bonasera, e shikon në vendosjen e një portreti të Skënderbeut, mes shumë portretesh të tjera në sallat e komunës së Fermo-s.
Mes emigrantëve të parë duhet të ketë qenë edhe Gjergj Shqiptari, i biri i Prentes, i cili kishte blerë toka dhe një pallat në Porta e Fermos (Porta di Fermo) gjë që tregon për një pozicion shoqëror shumë më të lartë - pra nga fisnikëria shqiptare - e mjaft larg nga masa e madhe e shqiptarëve të cilët shpesh arrinin në një gjendje të vajtueshme. Në lidhje me Gjergjin, mësojmë se ai e pasardhësit e tij u futën të bënin pjesë në kastën e gjyqtarëve, ofiq që mund ta gëzonin vetëm shtresat e privilegjuara të qytetit. Me emrin e këtij fisniku shqiptar, është e lidhur edhe veprimtaria zbukuruese e Karlo Krivelit (Carlo Crivelli- afërsisht 1430-1495) më 1470 për altarin e kishës të Shën Gjergjit në Porto San Giorgio (Fermo - Marke) pjesët e të cilit sot ndodhen të shpërndara në muzeume të ndryshme të botës e ndonjëra prej tyre mbetet akoma për t'u gjetur.
Përsa i përket datës të këtij altari, tashmë nuk ka më dyshime, mbasi ajo konfirmohet nga dy dokumente të shekullit të XVIII. Në to, bëhet fjalë për dy inventarë, njëri i vitit 1727 i shkruar nga kryefamulltari Anselmo Erkoli dhe tjetri, më 30 dhjetor 1771 i bërë me rastin e një vizite të shenjtë. Të dyja dokumentet sot ndodhen në Arkivin e Krypeshkopatës të Fermos. Dokumenti i dytë na jep një përshkrim më të detajuar të ikonave brenda altarit. Aty shkruhet: "Në këtë altarin e madh (të kishës famulltare të Porto S. Giorgio) ndodhet kuadri në ikona të pikturuara ku gjenden shëmbëlltyrat e Marisë së Shenjtë ulur me Fëmijën në krah; në krahun e djathtë në Qëndrim Ungjillor, Shenjtorët Apostuj Pietro e Paolo; sipër në vezake ato të Shën Jeronimit e të Shën Katerinës virgjëreshë e martire; në anën e majtë në Qëndrim Epistolar, ajo e Shën Gjergjit martir mbi kalë, mbrojtës i vendit; në vezaken e sipërme e Shën Antonios Murg dhe e Shën Luçisë virgjëreshë e martire. Mbi të gjitha ndodhet ikona që paraqet Ngashëllimin (Pieta). Në fund të kuadrit lexohet ky mbishkrim: 'Crivellus Venetus prinxt anno 1470' (Krivelli Venezian pikturues viti 1470).
Në anët e këtij altari janë dy kuadro me gjashtë portrete të shenjtorëve të ndryshëm për secilën prej tyre, me stemën fisnikërore të Zotërinjëve Salvatori të pikturuara po ashtu në ikona...etj.'
Në lidhje me tratativat e kërkesës, angazhimin e pagesën e Gjergjit kundrejt piktorit Karlo Kriveli, nuk janë gjetur dokumente të drejtpërdrejta arkivale të kohës, por pavarësisht nga ky fakt, në historinë e artit Gjergj Shqiptarit mbetet, edhe për traditë - tashmë pothuajse e pakundërshtueshme - promotori i kësaj vepre. Mungesa e dokumenteve të shekullit të XV kompesohet në një farë mënyre me faktin e prezencës së stemës fisnikërore të Gjergjit mbi këtë ikonostas por edhe nga ngjarjet që rrodhën pas prishjes së kishës më 1803 kur famulltarët i njohën të drejtën e pronësisë së këtij altari familjes Salvatori - pretendentët e pasardhësit të largët e të ligjshëm të Gjergjit. Në fillim altari i çmontuar u trasferua në një kishë tjetër dhe vetëm në një moment të dytë dokumentohet se ai gjendej në shtëpinë e familjes Salvatori, të paktën që nga viti 1805 në pritje të ndërtimit të kishës së re. Kështu, më 1832 nga një tjetër dokument mësohet se "një pikturë e bukur në dru e Krivelit, dikur në famullinë antike,- tani gjendet pranë fisnikëve Salvatori - me ikona të tjera nga e njëjta dorë. Kjo që po flasim, është mjaft e ruajtur, e në krye tregon varrimin e Jezu Krishtit, poshtë në një dhomëz në të majtë, shëmbëlltyrat në këmbë të Shën Pjetrit e Shën Paolos, në vend tjetër, Virgjëresha e ulur me Zotin e vogël në fron të zbukuruar me plot fruta, dhe një e tretë në vazhdim, Shën Gjergjin në kalë, mbrojtësin e vendit dhe figura kryesore e kishës". Në momentin e përfundimit të punimeve për kishën e re (1834) familja e riktheu atë, apo pjesët kryesore të saj, që të risistemoheshin - ndoshta në pozicionin qendror që kishin pasur në kishën e vjetër - por mbas pak në vendin e altarit kryesor u vendos një bust i shën Gjergjit dhe altari i vjetër i K. Krivelit ju rikthye komplet përsëri familjes Salvatori. Fakti i mësipërm dokumentohet nga një përshkrim i përgjithshëm që Riçi i ka bërë kishës të re më 1834, ku konstatonte se vetëm "pjesët e kuadrove me shumë shenjtorë gjenden pranë Zotërinjve Salvatori".
Duket që administratorët e rinj të kishës nuk i vlerësuan sa duhet pikturat antike - ndoshta tepër anakronike për kishën e re - e menduan më shumë për një modernizim të saj përderisa pjesët e saj ju rikthyen përsëri familjes. Pas këtij momenti me gjithë ndonjë kundërshtim të ndonjë antari të Komunës që pretendonte pronësinë mbi to - duket drejtësia pranoi arsyetimet e Salvatorit - ikonat u shpunë në Romë (1835) nga Luigji Salvatori dhe që aty u shitën nëpër koleksionistë të ndryshëm. Fillon kështu odiseja e pjesëve të këtij altari të cilat dorë pas dorë përfunduan në muzeume të ndryshëm të botës ku gjenden akoma sot. Fajtori kryesor - ashtu siç e konceptojmë këtë ngjarje sot - kuptohet mbeti Salvatori.
Mbas këtyre ngjarjeve, rindërtimi i altarit në gjithë kompleksitetin e tij origjinal nuk duket se ka qenë punë e lehtë nga ana e studiuesve dhe ka nisur kryesisht në kohët e sotme në bazët të përshkrimeve të autorëve të shekullit të XVIII-XIX që i cituam më lart, por edhe në bazë të ndonjë dokumenti origjinal akoma në zotërim të familjes Salvatori. Hapi i parë në këtë drejtim ishte bashkimi i ikonës të Shenjtorve Pietro e Paolo që ndodhet në Galerinë Kombëtare të Londrës, me Shën Gjergjin që kishte përfunduar më 1897 në Muzeun Izabella Gardner të Bostonit. Më 1946, studiuesi i shquar i artit italian Roberto Longi identifikoi në Galerinë Kombëtare të Ëashingtonit panelin qëndror të ikonostasit që paraqiste Shën Mërinë ndërsa në Detroit në "Ngashëllimi" (Pieta) zbuloi kreun e këtij kompleksi. Në vazhdim vezaket me Shenjtorët Katerina e Jerronimin u gjetën në Tulsa (Oklahoma) më 1950 ndërsa ajo me Shën Antonion Murg dhe Shën Luçien u gjet në Museumin e Krakovës (Cracovia Muzeum Naradoëe) më 1956. Plotësohet pak a shumë në vija të përgjithshme ky kompleks ikonografik tek i cili mungojnë akoma ikonat me nga 6 shenjtorë secila si dhe stemat fisnikërore të Gjergj Shqiptarit të cilat do të kishin edhe ato një vlerë të madhe njohëse për simbolet e fisnikërinë shqiptare gjatë periudhës së Skënderbeut.
Kontesha Gladys Muzzarelli Salvadori, një tjetër trashëgimtare e kohëve të fundit e familjes shqiptare të sipërpërmëndur jo vetëm që ka ndihmuar në rikonstruksionin e këtij ikonostasi, por në bazë të një inventari të vitit 1805 që ruhet akoma pranë familjes së saj, sugjeron edhe për një "Darkë" në pjesën qëndrore të një podiumi në madhësinë e një pëllëmbe pothuajse në të njëjtat dimesione me ikonat e shenjtorëve të ndryshëm që u përmendën më lart, dy ikona me nga 6 shenjtorë secila. Ka mundësi që këto dy të fundit të paraqitnin të dymbëdhjetë apostujt. Në dokumentin e mësipërm shënohet se këto dy ikona (tavola) qëndronin në pjesët anësore të ikonostasit ndërsa në ikonostasin e realizuar nga Kriveli para këtij të Porta San Giorgio - pra që po flasim - dhe në ato që realizoi fill mbas tij, brezi i shenjtorve vërehet zakonisht në pjesën e fundit të ikonostaseve në rend horizontal me diferenca të vogla vetëm në numrin e shenjtorve. Përpjekje të tjera për kompletimin e këtij altari janë bërë në Muzeun e Karkovias ku një ikonë me shumë shenjtorë paraqet disa afrimitete të cilat mund t'i përshtaten ikonostasit të porositur nga Gjergj Shqiptari. Në vazhdim po përshkruajmë pjesët e gjetura deri tani.
Shën Mëria me Fëmijën dhe figura e vogël e dhuruesit që lutet. (Përmasat 129.5 x 54.5 cm)
Ndodhet në Galerinë Kombëtare të Ëashingtonit (Ëashington, National Gallery) qysh nga viti 1946. Ishte paneli qëndror i ikonostasit të Porto San Giorgio e identifikimi i saj u bë vetëm më 1946 nga R. Longi, mbas një odiseje prej gati një shekulli. Prej kohësh, ajo ka qenë objekt i studiuesve të artit, jo vetëm për faktin se bëhet fjalë për një nga veprat e para të dokumentuara të Krivelit, por edhe për mjeshtërinë e lartë me të cilën vepra është realizuar. Në linja të përgjithshme ajo ka mjaft pika të përbashkëta me Shën Mërinë e altareve që Kriveli realizoi në vazhdim. plot me simbologji kristiane e që gjerësisht janë diskutuar e vazhdojnë të diskutohen nga kritika e artit, por në të njëjtën kohë, vëmendja tërhiqet edhe në elementët e veçantë që ato paraqesin nga një kompleks ikonografik tek tjetri. Në lidhje me Shën Mërinë që Kriveli realizoi me porosinë e Gjergjit, si elementë të veçantë dallohen figura e vogël me dhuruesin në veshje murgu që lutet, kurora princërore me gurë të çmuar e vendosur në këmbët e Shën Mërisë e dukshme në plan të parë dhe mbishkrimi në harkadën mbi fronin e Shën Mërisë. Interpretimi si në planin fetar, po ashtu edhe atë historik, shpesh është bërë duke e vlerësuar ikonën si një njësi më vete të shkëputur nga gjithë kompleksi ikonografik tek e cila ajo bënte pjesë. Në lidhje me personazhin e vogël që lutet, janë shfaqur mendime të ndryshme. Mendohet e komentohet ideja e një autoporteti të Krivelit i cili ishte kthyer në Itali jo shumë kohë më parë, pas një periudhe mërgimi për shkak të një procesi gjyqësor në Venedik. Mbas riatdhetsimit, ndryshimi në dimesione mes Shën Mërisë dhe figurës në veshje murgu, duhej të shprehte jo vetëm pendimin e madh por edhe devotshmërinë e pa masë të tij. Prezenca e elementëve të tjerë, si kurora me gurë të çmuar mbishkrimi në arkadë, etj, e kanë përjashtuar këtë mendim. Sot predominon ideja se prapa figurës së murgut kemi porositësin apo dhuruesin e altarit Gjergj Shqiptarin. Në këtë mendim bashkohen shumica e studiuesve edhe në këtë rast, njëlloj si më sipër, raportet e shproporcionuara kuptohet mbartin simbolikën e devocionit të pakufishëm dhe të shpresës së madhe për të rifituar një "principatë" të humbur, të rrëmbyer me forcën e armëve pa drejtësisht. Në harkadën mbi kokën e Shën Mërisë gjejmë këtë mbishkrim: "MEMENTO * MEI * MATER * DEI * REG:NA * CELI * LETARI' ('Mos Më Harro Mua, Mëmë e Zotit, Mbretëreshë e Qiellit') duket sa lutje e pendim aq edhe thirje e dëshpëruar për një gjëmë të madhe që i ka ndodhur atij. Shpresa pritet në kualitetet e Shën Mërisë si Mëmë e Zotit dhe Mbretëreshë e Qiellit. Mbasi e "Keqja" ka marë përmasa universale e në "Qiell" ku kërkohet ndihma - e paraqitur nga ikona mbi Shën Mërinë - kunsumohet gjëma akoma më e madhe me Jezu Krishtin e vdekur në qendër, një gjendje tragjike e cila rëndohet akoma më shumë nga pjesëmarrja e një sërë shenjtorësh rreth e rrotull tij. Krahas Shën Mërisë, Jovan Evangjelistit e Shën Magdalenës, që do t'i gjejmë me ndonjë ndryshim të vogël në pozicionet e tyre në të gjitha "Ngashëllimet" (Pieta) që Kriveli pikturoi në ikonostaset e tjerë, këtu gjejmë edhe Shenjtorët Nikodemo e Jozefin e Arimatea të cilët në ikonografinë e kohës paraqiten kryesisht në varrimin e Krishtit e rrallë herë në skenën e përmendur. Shpëtimi, ringjallja e rikthimi në jetën e dikurshme pritet prej andej. "Kurora princërore" afër dhuruesit në këmbë të Shën Mërisë - dikur simbol i pushtetit fisnikëror e fetar - tashmë të shkurorëzuar - i është besuar asaj. Devozioni i Gjergjit kundrejt Shën Mërisë s'ka kufi, e paraqitja në veshje murgu e përforcon akoma më shumë këtë, mirëpo tepër i vogël, tepër i vetëm për të përballuar një gjëmë kaq të madhe, e për të rivënë kurorën princërore me të gjitha konseguencat që ajo sjell. Paraqitja e kurorës është në përmasa natyrale e pa ndryshuar ashtu siç duhet të mbetet gjithmonë devocioni dhe pushtetet fisnikëror që e mbrojnë këtë devocion.
Gjithë historia e ikonostasit zhvillohet rreth Shën Mërisë, rreth figurës qëndrore që me madhështinë e saj imponon devotshmërinë e pakufishme por njëkohësisht tregon edhe rrugën e shpëtimit e cila lyp "Mençuri" shenjtorët Pietro e Paolo në krahun e djathtë duan të thonë edhe këtë por edhe "Veprim" me forcë e trimëri rinore ashtu si shqiptarët e kishin demostruar këtë nëpërmjet Skënderbeut ashtu si Shën Gjergji me gjithë forcën e tij djaloshare i jep goditjen vdekjeprurëse kuçedrës në agoni e sipër. Gjithë talenti i mahnitshëm i Krivelit shkëlqen në kombinimin e përsosur të ngjyrave, në paraqitjen e hijshme rinore, gazmore e të pafajshme të Shën Gjergjit i cili plot dinamizëm do na shpjerë drejt një zgjidhjeje çlirimtare. Në fytyrën e tij është fiksuar buzëqeshja dhe gëzimi për këtë akt. Gjthçka kalon në plan të parë, momenti i dylyftimit për një vepër të dobishme për njerëzimin e kërkon këtë. Madhështia e aksionit e gjestit nuk është jashtë lutjeve, mbrojtjes e vëmendjes të Shën Mërisë e cila në këtë moment del mbrapa kalorësit trim diku larg në një zonë të ngritur malore e prapa sajm peizazhi qytetar i qetë - thuhet Porto San Giorgio - që është siguruar nga ky dyluftim më se i ligjshëm dhe i shenjtëruar. Paneli qëndror i ikonostasit me Shën Mërinë është ekspozuar disa herë në Londër (1851, 1902, 1912, 1930) dhe ka pasur disa ndërhyrje restauruese më 1938 e 1945 nga Piketo(Pichetto) e më 1959 nga Modestini.
Ikona me shenjtorët Pietro e Paolo (Përmasat 87x44 cm.)
Ndodhet në Londër në Galerinë Kombëtare (National Gallery) qysh nga viti 1924. Ishte vendosur në anën e djathtë të Shën Mërisë. Në përgjithësi është e ruajtur mirë dhe vetëm në pjesën e poshtme vërehet ndonjë plasaritje. Toni i kuqërremtë i lëkurës, mënyra e prerë e syve dhe ngjyrat e sfumuara kanë nxitur dyshimet për autorësinë e veprës së tërhequr më shumë nga ndonjë detaj jo korrekt (si p. sh. këmba e djathtë e Shën Pjetrit) të cilat nuk munt t'i shpëtonin Krivelit. Megjithë këto "difekte' të konstatuara nga studiuesit, në totalin e tyre, ato nuk janë të tilla që të privojnë autorësinë e përkatësinë në altarin e Porta S.Giorgio.
Shën Gjergji që vret kuçedrën (Përmasat 90x46cm)
Ndodhet në Boston, në Muzeumin Izabella Stjuart Gardner (Isabella Steëart Gardner Museum - Boston) qysh nga viti 1897. Ishte vendosur në krahun e majtë të Shën Mërisë dhe gati në unanimitet nga kritika e artit është konsideruar si një nga kryeveprat e para të Krivelit. Në veprimtarinë e mëtejshme artisti do të ritrajtojë si të gjithë shenjtorët e tjerë edhe Shën Gjergjin por këto raste dalin jashtë interesave të këtij studimi. Një variant tepër të përafërt me Shën Gjergjin e Bostonit, Kriveli do të realizojë pas vitit 1490. Në këtë rast, bëhet fjalë për një nga të pestat ikona që qëndrojnë si bazament për ikonostasin e ashtuquajtur Shën Mëria e Dallëndysheve, e cila është një nga të paktat altare të Krivelit e aritur deri në ditët tona i plotë. Ky i takon periudhës së fundit të veprimtarisë së piktorit, ku shumë studiues kanë vënë re një farë rënie të nivelit artistik të tij. Megjithatë, Shëngjergji mbi kalë i pikturuar edhe në këtë ikonostas, ruan përsëri bukurinë e gjallërinë e veprimit, forcën e madhe të brendshme e të jashtme për një çështje të drejtë e sublime siç është shkatërrimi i të keqes, pra kuçedrës. Por ndërsa në ikonostasin e Porta S. Giorgio, Shën Gjergji është njëkohësisht edhe një personazh historik, një fytyrë e vendosur në plan të parë të cilin e shikojmë e na inspiron si një model i përsosur për t'u imituar në ikonostasin e Shën Mërisë të Dallëndyshes ai qëndron në një pozicion disi të mënjanuar, ne nuk njohim fytyrën e tij apo e shikojmë atë vetëm pak. Perceptohet kalimthi gjesti i tij si një veprim i domosdoshëm në jetë për të luftuar të keqen, si një shteg i pashmangshëm për t'u kaluar por jo një nxitje e drejtpërdrejtë për veprim. Gjithë vëmendja e besimtarit këtu drejtohet tek Shën Mëria e cila duhet të inspirojë atë drejt reflektimit e adhurimit. Një shkollë drejt formimit të tij fetar. Dy ikonostase me destinacione të ndryshme, në kohë historikisht të ndryshme kërkonin edhe interpretime artistike të ndryshme, të cilat pavarsisht nga ndonjë mendim i kundërt ruajnë përsëri vlera të mëdha krijuese të piktorit. Në ndonjë rast gabimisht nga ndonjë studiues ikona e Shën Gjergjit në këtë ikonostas është ngatërruar me ikonën e Porta San Giorgio të cilën e kishte porositur Gjergj Shqiptari. Me qëllim që t'i japim mundësi publikut shqiptar të konstatojë e të vlerësojë edhe personalisht ndryshimet artistike, interpretative e kohore për të cilat folëm më sipër, po publikojmë të dyja variantet.
Shenjtorët Katerina e Aleksandrisë dhe Jeronimi (Përmasat 35 x 48.9 cm)
Gjendet në Tulsa(Oklahoma - SHBA) në Qendrën e Artit Filbruk (Philbrook Art Center) qysh nga viti 1949. Ikona ishte e vendosur në pjesën e sipërme të shenjtorve Pietro e Paolo dhe merita e identifikimit të saj si pjesë e ikonostasit të Porto San Giorgio i takon studiuestit italian Frederiko Zeri më 1950. Më parë ikona ishte konsideruar si vepër e një piktori të panjohur e të vonshëm bizantin mirëpo tek Shën Katerina studiuesit panë përqasjen e madhe pothuajse binjake me shëmbëlltyrën e Shën Gjergjit të Bostonit. Shën Katerinën si shenjtore e gjejmë të riprodhuar nga Kriveli në variante të përafërta apo të ndryshme me të njëjtën mjeshtëri artistike edhe në ikonostase të tjerë por ritrajtimi i këtyre subjekteve nga artisti mbetet një argument që i përket studimeve kriveliane. Shenjtorët Katerina e Jeronimi në ikonën që po flasim kanë pasur vlerësime pozitive nga kritika dhe si gjithë ikonostasi konsiderohen si vepra të pjekurisë e afirmimit të plotë artistik të Krivelit.
Shenjtorët Antonio Murgu e Luçia (Përmasa 33x47.7cm)
Gjendet në muzeun Kzartoriski Krkovia (Cracovia Museo Czartoriski) qysh nga viti 1914. Në simetri me ikonën vezake të Shenjtorve Katerina dhe Jeronimo kjo ikonë ishte e vendosur mbi ikonën e Shën Gjergjit duke plotësuar kështu në vija të përgjithshmekompleksin ikonograf- ik të përshkruar nga dokumentat arkivore. Ngjasimet e detajet e përbashkëta me shenjtorët e tjerë të pikturuar nga Kriveli kanë konfirmuar autorësinë e saj por edhe përkatësinë në ikonostasin që po flasim. Për herë të parë ideja se kjo ikonë i përkista ikonostasit në fjalë u hodh qysh më 1918 por vetëm më 1956 ajo pati konfirmimin e miratimin e plotë nga kritika e artit. "Ngashëllimi' (Jezu Krishti mes Shën Mërisë, Jovan Evangjelistit, Shën Magdalenës e Shenjtorve Nikodemo e Zefi i Arimatea-s.) (Ikonë (gjysmëhëne) me përmasat 42 x 114 cm.) Gjendet në Detroit, Instituti i Arteve (Institute of Arts) qysh nga viti 1925. Ishte pjesa e sipërme e ikonostasit dhe indentifikimi i saj u bë më 1946 nga R.Longi (Roberto Longhi). Kritik e konsideron si një ndër punimet e para të Krivelit. Tërheq vëmëndjen nga pikpamja artistike ngurtësimi disi arkaik i personazheve që është mjaft i afërt me altarin e Masa Fermana (Massa Fermana) i realizuar para tij më 1468 ndërsa intonacionet e ngjyrave të sipërme përputhen me Shën Mërinë (e Vashingtonit) në pjesën qëndrore të ikonostasit që folëm më lart.
Vepra mungesore të altarit
Si vepra mungesore që duhet të lidhen drejtpërdrejt me krijimtarinë e Krivelit në këtë altar, duhet të jenë dy ikonat me nga gjashtë shenjtorë secila dhe me stemat fisnikërore të Gjergj Shqiptarit të cilat i përmendëm edhe më lart. Po në këtë kontekst, duhet të futet edhe një tjetër ikonë e vogël e cila paraqet "Darkën" e fundit të Jezu Krishtit dhe që ndodhet - sipas referimeve të Pietro Zampetit - në familjen e konteshës Gladys Muzzarelli Salvadori. Përsa i përket dy shenjtorve Shën Françesko Borxhias e Shën Luigji Gonzagës, të cilët na referohen si pjesë të këtij ikonostasi të pikturuara në kanavacë, nuk janë vepra të Krivelit por të ndonjë artisti të shekullit të XVIII mbasi Selia e Shenjtë kishte njohur shenjtërinë e këtyre dy personazheve historikë. Nga ky fakt del e qartë se para momentit që u përpiluan relacionet (1771) ikonostasi ka pasur ndërhyrje në strukturën e tij për shkak të këtyre shtesave, kështu që edhe varianti i sotëm i rindërtimit të tij ka nevojë të rishikohet duke pasur parasysh edhe këto pjesë mungesore.
Firence 21.11.2010