E merkure, 24.04.2024, 05:09 AM (GMT+1)

Speciale » Karanxha

Ilia S. Karanxha: Si e falsifikuan historinë Engjëllorët

E diele, 31.10.2010, 12:46 AM


Si e falsifikuan historinë Engjëllorët

 

Nga Ilia S. Karanxha

 

Një peshë jo të vogël në ndërtimin e të dhënave biografike e bibliografike për Barletin pati e ashtuquajtura vepër e tretë e tij. Shpesh referohet si burim bazë e autentik mirëpo, aty për aty informohemi nga studiues të ndryshëm se është një vepër me vlera të pakta. Gjithsesi, para sqarimit të vlerës së një vepre përparësi ka autenticiteti (vërtetësia) i saj. Çështja e vlerës si gjithmonë është një problem i dytë. Është trajtuar pak e nuk njihet sa duhet. Në përgjithësi ka munguar një trajtim kritik dhe kjo ka sjellë një konfuzion të plotë jo vetëm në trajtimin e figurës të Barletit, por në gjithë historiografinë kastriotiane. I pari që pati dyshime në lidhje me këtë vepër ishte vetë F. Pall, po preferoi rrugën e copëtimit të veprës dhe të justifikimit të mospërputhjeve të shumta që ajo paraqiste në raport me familjen Engjëlli e veprën Historia e Skënderbeut. Françesk Pall për t’i dhënë vërtetësi e për ta futur brenda skemave të paracaktuara biografike e bibliografike që lidheshin me Barletin, gjeti zgjidhjen duke i njohur autorit tonë vetëm hyrjen dedikuese dhe pjesën e dytë (f. 43-105). Llogaritë prapë nuk dilnin dhe fjalinë e fundit që ka të bëjë me papa Giulion II, (vdekur më 21 shkurt 1513) pjesërisht ia njeh Barletit dhe kusurin, 4 -5 fjalët e fundit, atyre që e vazhduan veprën. Arsyeja e kësaj ndërprerje të papritur ishte se personi që i dedikohej vepra, pra, Pjetër Engjëlli, kishte vdekur më 1512 (të tjerë biografë e japin më 1511). Në konsekuencë me këtë ngjarje e ndërprerjen e shkrimit lindi edhe ideja e vdekjes së Barletit afër këtij viti. Por kur filloi të trajtonte burimet që i kanë shërbyer Barletit për përpilimin e kësaj liste prapë u gjend në vështirësi për të shpjegur kontradiktat që paraqiteshin mes Historisë së Skënderbeut e Përmbledhjes në lidhje me titujt e t’ atit të Pjetërit, Andrea Engjëllit. Ka vështirësi të shpjegojë paralelizmat mes gjenealogjive të publikuara nga Andrea Pjetër Engjëlli (në vitet 1551-1555) dhe Përmbledhjes. Gjen një rrugëdalje për Barletin si i financuar nga Pjetër Engjëlli për të shkruar pretendimet e tyre fantastike të origjinave të lashta. Shkurt, duhej të bënte shumë sakrifica që t’i jepte veprës njëfarë vërtetësie.

Gjithsesi, vepra mbetet një pleksje me plot kontradikta. Vërtet Pall-i i njeh Barletit vetëm pjesën e dytë të saj, mirëpo kjo pjesë ka për titull Chronica Omnium Imperatorum Romanorum à Iulio Caesare Icipiens & In Carolum quintium finiens (Kronika e Emrave të Perandorëve Romake që fillojnë nga Julio Cezari dhe te Karli i pestë mbaron). Atëherë lind pyetja: Nga e dinte Barleti më 1511 apo 1512 d.m.th. para vdekjes së Pjetër Engjëllit se Karli i pestë do të shpallej perandor më 1519? Pra, jo vetëm fundi por as kreu nuk janë në rregull.

I pari që pati dyshime në lidhje me këtë vepër ka qënë Prof. Dh. Shuteriqi, i cili konstatovi të tjera mospërputhje brenda saj e nuk besonte që Barleti të ketë kundërshtuar vetveten haptazi në lidhje me drishtanët. Kështu veprën Përmbledhje… e konsideron si një krijim të Engjëllorëve jo vetëm për të ngritur namin e familjes së tyre, por edhe për të korrigjuar Barletin që nuk besonte te origjina e lashtë romane e bizantine të drishtanëve, për pasojë, edhe të Engjëllorëve. Për Engjëllorët prof. Shuteriqi gjen një fjalë të butë duke i cilësuar si lavdidashës e duke hedhur në të njëjtën kohë edhe farën e mosbesimit në drejtim të veprës.

Studiues të tjerë nuk treguan shumë interes drejt argumentit për të rishikuar ndryshimet që rridhnin nga një vlerësim i ndryshëm i kësaj vepre. Argumenti pa paragjykime rimerret nga studiuesi italo-arbëresh Paolo Peta (1942-1999), i cili mban një qëndrim kritik jo vetëm kundrejt kësaj broshure e ashtuquajtur e Barletit, por për gjithë prodhimtarinë e shkruar e nxjerrë nga ofiçina e familjes Engjëlli duke mos e vënë fare në diskutim veprimtarinë falsifikuese të Engjëllorëve.

Nga ana tjetër nuk janë të paktë studiuesit që e kanë konsideruar për autentike mirëpo më pas konkluzionet e nxjera prej saj i kanë shtyrë të mbështesin situata që vinë ndesh me rrjedhën historike.

 

Për herë të parë ajo u publikua më 1555 në Romë dhe shumë shpejt u ribotua nga e njëjta shtëpi botuese. Njërin prej botimeve, mendojmë se ishte i pari, e publikuan dy vëllezërit tipografë nga Breshia, Valerio e Luigji Doriko Prej këtij botimi njihen sot në Itali tre ekzemplarë. Ndërsa me botimin e dytë u angazhua Vincenzo Luchino (Vinçenco Lukino), me origjinë nga Bolonja, i cili nuk kishte një tipografi të vetën por përdorte atë të vëllezërve Doriko në Romë. Prej këti botimi ruhen në Itali 4 ekzemplarë. Të gjitha referimet në vazhdim i përkasin botimit të Vinçencos që patëm rastin të konsultoheshim në një nga bibliotekat e Pistojës (Firence) ( Bibl. Leoniana - Pistoia. Pozicioni i saj 47/X/32)

 

Titulli i plotë i vepres është:

Compendium vitarum summorum pontificum vsque ad Marcellum II imperatorumque Romanorum ac Icones eorum, Constantinopolitanorumque omnium. vsque ad Carolum V., necnon Regum Illustriumque, Consulum Romanorum, Nuper in Lucem aeditum. Romae: apud Vincentium Lucrinum MDLV. (Përmbledhje e jetës së papëve të lartë deri te Marçeli II dhe të perandorëve romakë me ikonat e tyre dhe të gjithë atyre të Konstandinopojës deri te Karli i V, konsujt romakë, mbretërorë të shquar që nuk janë më, tashti është shtypur në Romë: pranë Vinçenc Llukrino 1555).

Tetë faqet e para të librit janë pa numur, pastaj teksti nga faqet 1-108 i ndarë në tre pjesë. Pjesa e dytë shoqërohet me 24 grafika në formë medaljoni (me diametër 40 mm) që paraqesin shëmbëlltyrat e perandorëve, 1 fletë p.n. përmban stemën e familjes Engjëlli e fleta e fundit p.n. e bardhë. Dimensionet e librit janë 150x95 mm.

Mbas ballinës libri fillon me hyrjen dedikuese që vëllezërit tipografë, Valerio e Luigji Dorico, ia drejtojnë Andrea Engjëllit, e cila mban datën 9 maj 1555 (f. II-III). Në vazhdim (f. III-VIII) vjen hyrja dedikuese e Marin Barletit që ia drejton Pietro Engjëllit, pa datë.

Në pjesën e parë pa titull (f. 1-42) shtjellohen ngjarjet mitologjike e historike të personazheve duke filluar nga Remo e Romolo e duke vazhduar gjithmonë me mbretërit e perandorët e Romës antike. Pjesa e dytë (f. 43-105) fillon me nëntitullin: Chronica Omnium Imperatorum Romanorum à Iulio Caesare Icipiens & In Carolum quintium finiens (Kronika e emrave të perandorëve romake që fillojnë nga Julio Cezari dhe mbaron te Karli i pestë). Në fund të faqes 105 kemi shënimin Finis compendij Barletae (Mbaron përmbledhja e Barletit). Te ky nënkapitull rreshtohen, sipas kronologjisë si papët ashtu dhe perandorët. Pjesa e tretë (f. 106-108) kemi një shtesë me nëntitullin: Nova additio. Pontificorum, ac Imperatorum subsequentium (Shtesë e re. Papët dhe Perandorët që pasuan), në faqen 108 (colophon) shënohet: Finis. Romae apud Vincentium Lucrinum M.D.LV. (Fund. Romë pranë Vinçenc Lukrino 1555), në faqen (109) stema e familjes Engjëlli dhe faqja(110) është fletë e bardhë.

 

Për herë të parë mbi ekzistencën e kësaj vepre, mësohet nga vetë Andrea më 1551, i cili e ka kumtuar në treguesin bibliografik në fund të Gjenealogjisë. Mes një sërë humanistësh në formë telegrafike shënohet: M. Barleti ...de Regi, Pontefici, & Imperatori compendio... (...përmbledhje mbi mbretër, papë dhe perandorët…).. Në këtë tregues bibliografik tërheq gjithashtu vëmëndjen deklarata tjetër që bën Andrea se zotëronte në shtëpi shumë dorëshkrime të shkruara me penë kronika padovane e venedikase që nuk ishin botuar. Pra siç shihet zona ku i ka mbledhur këto dorëshkrime nuk është Roma, por Padova e Venediku. Tani që dimë se prapa emrit Barleti fshihej Beçikemi dimë gjithashtu që të dyja famijet jetonin në Padova. Engjëllorët qysh nga viti 1479 ndërsa Beçikemi pas vitit 1517. Kontaktet mes dy familjeve reciprokisht janë të dokumetuar si nga vepra e Historisë së Skëndërbeut ku Barleti thotë si i kishte dëgjur disa drishtanë të mbursehin për origjina të largëta dhe i kritikon për këtë fakt me shumë takt po ashtu edhe nga Andrea Ëngjëlli që jo vetëm kishte në dorë këtë...compendio... (përmbledhje ) por e ndjente si një peronë në palcë kritikën e Barletit. Me anë të Gjenallogjive ai kërkon të përmbysë krejt situatën dhe disi tërthorazi i jep një përgjigje kësaj kritike. Për Andrean kishte ardhur momenti të japë provën e pakundërshtueshme të origjinës së tij familjare. Mirëpo në ndërgjegjen e tij e ka të qartë se nuk mund të provohet gjithçka dhe për t’i dalë të keqes përpara na sqaron se gjenealogjia e tij mund të mos përputhet ose të jetë në kundërshtim me ndonjë frazë që kanë shkruar disa historianë grekë apo latinë, por për këtë mund të jemi të qetë mbasi ajo që ka zënë vend në veprën e tij...është e sigurt dhe e vërtetë më shumë se çdo Histori tjetër njerëzore... Dalldisja e Andreas nuk ka frena dhe të gjitha këto i di për...eksperiencë personale, mbasi çdokush i njeh më mirë se gjithë të tjerët punët e veta sesa mund t’i njohin të huajt, që mbahen për të mençur, në punët e botës... Ja pra tashmë e kemi të qartë se një nga këta të mençur ka qenë Beçikemi (ndryshe Barleti.) Në këtë pikë për të gjithë ne edhe pas pesë shekujsh vlen këshilla e humanistit tonë: Unë mendoj se për këtë ne na duhet më fort t’i falim këta qytetarë sesa t’u zëmë besë. Veçse fatkeqësisht u kemi zënë shumë besë dhe kemi gabuar të gjithë. Embrioni i polemikave të para të shqiptarëve për çështje historiografike, gjenealogjike e linguistike kishin filluar qysh në shek. XVI. Nga njëra anë mbizotërojnë motivet atdhetare nga ana tjetër ato të glorifikimit familjar. Mbas vdekjes enigmatike të Beçikemit sigurisht familja e tij ka kërkuar mbështetje tek Ëngjëllorët. Komentarët dihet që kaloi në duart e Pal Pietër Ëngjëllit, të cilën e botoi dhe e ribotoi shumë herë pa treguar autorin e vërtetë. U përfitua nga situata e fshehtë që kishte pasur gjithë ngjarja për të ndërhyrë në mënyrë violente mbi të.

Andrea na komunikon vetëm për Compendium... por është rasti të dyshohet që edhe veprat akoma dorëshkrim apo dokumenta që kishte mbledhur Beçikemi in vernacula lingua (në gjuhët e vëndit) të kenë përfunduar edhe ato në dorë të Ëngjëllorëve.

Pra vëllezërit Doriko, që publikuan Gjenealogjitë, e Andreas 5 herë me radhë nga viti 1551-1555 e informojnë Andrean në hyrjen dedikuese të Compendium... se iu kishte rënë në dorë libri i vogël mbi jetën e perandorëve, papëve romakë i Marin Barletit Shkodranit. Më tej i shpjegojnë se libri trajton gjerësisht jetën e disa perandorëve e në fund të tij edhe...origjina e disa konsujve të familjes suaj të shkëlqyer.... Duket kështu sikur lozin ping-pong dhe i tregojnë babait arat. Para mbylljes, me shumë përulësi, dy vëllezërit i kërkojnë falje Andreas nëse iu ka shpëtuar ndonjë gabim nga pakujdesia apo është harruar diçka gjatë shtypjes së librit. Në këtë rast ia besonin veprën që, me mençurinë e gjykimit të tij kritik, t’i evitonte ato. Cikli për Andrean duket se mbyllet kështu për bukuri. Me Gjenallogjitë vërtetoi se kishte origjina të largëta me veprën e Barletit nëpërmjet manipulimit të saj do të kundërshtonte vetë Barletin. Në fund të fundit ai ishte thjesht një emër dhe jo një person që dikush mund t’i ankohej.

Fill pas hyrjeje vjen e ashtuquajtura letra e Barletit ku flitet me mjaft nderim për Pjetër Engjëllin, për meritat e tij dhe të të vëllait, Pal Engjëlli. Kështu Pietro Engjëllit i njihen meritat e nxitësit, frymëzuesit e informuesit kryesor për shkrimin e Historisë së Skënderbeut. Bile, bile në sajë të takimeve të vazhdueshme mes tij dhe Barletit ai ka qenë shtytësi qysh në zanafillën e konceptimit dhe shkrimit të kësaj vepre Barleti na paraqitet këtu si një shkollar shembullor që për gjithçka i është borxhli Pjetër Engjëllit. Bile ai e falenderon Pietër Ëngjëllin për meritën ai që ka ruajtur shëmbëlltyrën e Skëndërbeut dhe të vllajt të tij kryepeshkopit të Durrësit kardinalit Pal Ëngjëllit. Ja pra një sulm total mbi fillimet e kulturës shqiptare për të rrëmbyer në favor të familjes Ëngjëlli çfarëdo lloj merite.

Në fund të hyrjes dedikuese marrim vesh si pa të keq e me një farë humori nga ana e Barletit se ai me vetëdije ka lënë jashtë Historisë së Skënderbeut fakte të cilat gjenden vetëm në Compendium..... Të tilla janë faktet e origjinave nga perandorët e konsujt e Romës që Andrea kishte shtjelluar në gjenealogjitë e tij, të cilat ia kujtojnë edhe botuesit, e, më tej, rivërtetimi i kardinalatit të Pal Engjëllit. Kështu Compendium... në mënyrë të përsosur i zgjidh të gjitha problemet që shqetësonin Engjëllorët në mes të shek. XVI e, për më tepër, të thëna nga historiani i parë i shqiptarëve dhe kësaj radhe tamam sipas dëshirave të tyre.

Tani sipas mendjes të ndritur të Andreas duhet të themi se gabimet janë tek Historia e Skëndërbeut por jo tek Compendium.. Kaq larg shkon Andrea me gjenallogjitë e tij për të lartësuar madhështinë e familjes sa arin të thotë, mbas manipulimeve të vazhdueshme që ju bën këtyre gjenealogjive, se kryepeshkopi i Durrësit Pal Ëngjëlli, vëllai i tij Pietër Ëngjëlli bashkë ma ta ishte edhe vëllai tjetër Skënderbeu (Andrea më pas nuk referon më ndonjë vëlla apo motër të Skëndërbeut) bënë për 26 vjet një luftë vigane kundra turqve dhe korrën 24 fitore. Ja pra kjo është historia e vërtetë sipas Andreas.

 

Kthehemi tek Compendium dhe hedhim një vështrim në pjesën e dytë, që F. Pall e konsideron si të Barletit, për të cilën folëm edhe më lart. Ajo fillon në faqen 43 dhe në krye ka si titull: Kronika e emrave të perandorëve romake që fillojnë nga Julio Cezari dhe te Karoli i pestë mbaron”. Kjo pjesë ka një fund në faqen 105 ku shkruhet: Mbaron përmbledhja e Barletit. Këtu mbyllet me papa Giulion II, që vdiq më 21 shkurt 1513. Veçse në bazë të titullit të kësaj pjese, fjalët Mbaron... nuk duhej të qëndronin këtu, por në faqen 106 ku trajtohet Karli V i kurorëzuar perandor më 28 qershor 1519 në kohën e Papa Leonit X (1513 - 1521). Pra, edhe dy paragrafë më tej te Shtesa e re për të sistemuar përputhjen mes fillimit e fundit. Mbas Karlit të V vjen në rend kronologjik paragrafi për papa Adrianin VI që hipi në këtë fron në gusht të vitit 1522 e qëndroi vetëm për një vit. Mirëpo ky nuk përmendet në titull, kështu mund të themi se pjesa e dytë është përpiluar aty nga fillimi i vitit 1522 para se Adriani VI të ulej në fronin e Shën Pjetrit. Në këtë pikë nga viti 1513 kemi kapërcyer vitet ‘20 të shek. XVI. Shtesa vazhdon pa asnjë shënim të veçantë edhe me papë të tjerë që kanë qëndruar deri më 1555, por këta janë jashtë titullit dhe jashtë interesave të këtij shkrimi.

Autori ynë, le ta quajmë Barleti apo Beçikemi, u ul të shkruante një përmbledhje për jetën e papëve dhe të perandorëve dhe i vë titullin Kronika e emrave të perandorëve romakë që fillon nga Julio Cezari dhe te Karli pestë mbaron. Kështu s’ka si të mos themi se ngjarja nuk ka ndodhur, prandaj vihet ky titull që, çuditërisht, përqaset tamam me periudhën e botimit të Historisë së Skënderbeut më 1522.

Vëllezërve Doriko, që nuk dinin se kush kishte qenë ky Barleti dhe kur kishte lindur apo vdekur, nuk kishte si t’u vriste sytë titulli. Mjaft që mbyllja të ishte aty afër vdekjes të Pietër Engjëllit. Sistemime të tjera duhej e mund t’i bënte Andrea Engjëlli. Prania e këtyre gabimeve të bën të mendosh se Andrea Engjëlli apo vëllezërit Doriko thjesht transformojnë, por nuk krijojnë ndonjë shkrim të ri.

Ndërsa te Historia e Skënderbeut thuhet se Pal Engjëlli (1417/27-1469) do të bëheshe kardinal kur papa Piu II të zbriste në Durrës. Te Compendium..., në paragrafin që flitet për të, shënohet se ai e shpalli Pal Engjëllin kardinal më 4 maj. Pra, një fakt i kryer të cilin, siç e pamë edhe më lart, e kemi gjetur edhe te Komentarët. Këtu nuk shënohet viti, bile edhe vdekja e papa Piut II në dhjetor të vitit 1463 është e gabuar. Po aty mësojmë se Pal Engjëlli, vëllai i Petro Engjëllit, ishte djali i Andreas nga Drishti, nga fisi prej romakëve antikë, dhe po ashtu ishte në relacione farefisnie me Emilio Paolo-n i cili kishte sunduar në Kostandinopojë. Kështu Andrea Filipi, i biri i Pietro Engjëllit, e bën edhe Barletin të na flasë si një Engjëllor i flaktë. Problemet që lindin nga paraqitja kontradiktore e fakteve aty janë të shumta dhe dalin jashtë logjikës normale. Nëse Petro Engjëlli u takuan shumë herë me Barletin për ta çuar përpara shkrimin e historisë së Skënderbeut sigurisht e kishte vënë në dijeni edhe për faktin e kardinalatit (shpalljes kardinal) të vëllait të vet mbasi mbetej nderi më i madh për familjen e tij. Por, nga ana tjetër, edhe Barleti nuk kishte asnjë interes apo arsye që të mos e shënonte në veprën Historia e Skënderbeut këtë fakt, aq më tepër që ai e trajtoi me përparësi këtë argument.

Si ta gjykojmë e ta justifikojmë këtë veprim të Barletit sipas dedikimit në Compendium...me apo pa respekt kundrejt familjes Engjëlli? Çështja e të qenit apo jo kardinal nuk ishte një gjë kaq pa rëndësi që mund të lihej pa përmendur. Ne dedikimin e Compendio-s... ai ia kujton këtë fakt të vëllait mbi kardinalatin e Pal Engjëllit, pra, e njeh për të tillë pse nuk e ka evidencuar që kur shkroi Historinë? Pastaj gjithë ato takime ç’vlerë do të kishin, nëse Pietër Ëngjëllit nuk i përmendej një fakt kaq i rëndësishëm i familjes? Nga ana tjetër, një nder i madh do të kishte qenë edhe për Skënderbeun nëse në komunikimet e tij do të kishte pasur të bënte me një kardinal e sidomos gjatë vizitës së tij të fundit në Romë ku as Engjëllorët vetë nuk kanë guxim ta përmendin kardinalatin e xhaxhait të tyre. Kështu, e ashtuquajtura letra dedikuese e Barletit hyn në kontradiktë jo vetëm me Historinë e Skënderbeut e Komentarët por edhe me vetveten.

Për sa i përket meritave që i atribuohen Pjetër Engjëllit (1443-1511/2) pranë Skënderbeut këtu kufizohemi të themi se ai përmëndet vetëm një herë në librin e Historisë .. në ngjarjet e gushtit të vitit 1464. Gjithë kusurin po ja kthejmë të birit, Andreas mburavec që nuk di të lëvdojë babanë e vet.

Duke përfunduar, mund të themi se kjo vepër jo vetëm që nuk është një burim autentik dhe i besueshëm, por referimi i saj ka sjellë deri sot një sërë problemesh që komplikojnë mjaft historiografinë shqiptare në përgjithësi e atë kastriotiane në veçanti pa folur këtu për jetën e Barletit. Vepra, edhe pse pati dy botime të njëpasnjëshme, mbeti gati në harresë dhe shërbente vetëm si një provë për të treguar se Barleti shkoi në Romë.

 

Firence, 21.X.2010

 



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora