Speciale
Alexander Thomson: Shtigje biblike në Shqipërinë e Rilindjes Kombëtare (II)
E diele, 21.11.2010, 07:53 PM
SHTIGJE BIBLIKE NË SHQIPËRINË E RILINDJES KOMBËTARE
Nga Alexander Thomson
Elbasani
Më dt. 30 maj të enjte, ne më në fund u larguam nga ky qytet interesant, dhe u nisëm për në Elbasan, ku erdhëm vonë pasdite. Qyteti ndodhet në një fushëgropë të vaditur mirë por të punuar keq, me mure të cilat i japin njëfarë dinjiteti, por pa asgjë interesante brenda tyre.
Ky qytet ishte vendlindja e Z. Kristoforidh, i cili kishte përkthyer për Shoqatën Ungjijtë dhe Veprat në shqipen veriore, dhe duke treguar interesin e tij në vendlindjen e vet kishte ca kohë që kishte dërguar 20 kopje të Ungjijve dhe një numër shumë më të madh Gramatikash që të qarkulloheshin midis familjarëve dhe shokëve të tij atje dhe gjetkë. Ne mësuam se mjaft prej tyre i kishin tashmë të dyja, dhe se ishte një ndjenjë e përgjithshme e krenarisë së ndershme që një vendës i Elbasanit kishte botuar vepra aq të lavdërueshme dhe aq të përdorshme për kombin e tyre.
Kur bëmë vizitë te guvernatori morëm vesh që edhe ai (sepse ishte shqiptar) ishte i ngjallur nga të njëjtat sentimente. Të vëllain, i cili kishte zotëruar pak frëngjisht në Kostandinopol, e gjetëm me një kopje të gramatikës në duar, duke shqyrtuar alfabetin, dhe duke shënuar me germa turqisht fuqitë e shkronjave. Në kishim mundësi t’i jepnim disa tregues, dhe ai pranoi me kënaqësi dhuratën e një kopjeje të Ungjijve shqip.
Unë pastaj vizitova shkollën greke, ndërsa Dr. Koelle shkoi në kërkim të myslimanëve më të ditur. Shkolla vazhdohej nga vetëm pak fëmijë, dhe këta ishin shumë të vegjël. Mirëpo mësuesi ishte një njeri me njëfarë mase zgjuarsie dhe aftësie, edhe prifti, i cili banonte aty afër, u kënaq shumë nga vizita ime, dhe më priti me shumë mirësjellje.
Midis popullsisë së përgjithshme, megjithatë, gjetëm shumë apati, në fakt nuk i shitëm asnjë kopje të Shkrimeve ndonjë të krishteri, ndërsa tetë kopjet që shitëm u blenë të tëra nga myslimanë. Kjo apati e të krishterëve mund të jetë shkaktuar nga porositë e peshkopit, sepse në rastin e vizitës së parë të Z. Riedel në 1864 populli bleu lirisht, por kur u kthye në 1865 peshkopi i kërkoi aq shumë të kthente paratë e nëntëmbëdhjetë kopjeve të cilat ai i kishte marrë nga njerëzit, saqë për hir të paqes Riedel pranoi të bënte kështu.
Në Ditën e Zotit ne morëm pjesë në shërbesën hyjnore në kishën kryesore. Dukej qartë që pjesa e auditorit që kuptonte greqishten e vjetër në të cilën u krye shërbesa ishte vetëm një pjesë e vogël; prapëseprapë pjesëmarrja ka qenë e mirë. Dy gjëra në veçanti na tërhoqën vëmendjen në këtë rast dhe ngjallën ndjenja shumë të ndryshme. Kur shërbesa kishte ecur deri në pikën në të cilën lexohet kapitulli nga Dhiata e Re, e pamë dhjakun të merrte librin dhe të këndonte. Zëri i tij ishte i paqartë dhe mërmëriste edhe në çastet më të mira, por tani ai u bë shumë më tepër i tillë kështu që nuk i kapa dot asnjë fjalë, ndonëse populli dukej i vëmendshëm dhe i interesuar. Së shpejti fillova të kuptoj arsyen, mësimi i Shkrimit po lexohej në shqip, dhe kështu gjeta se si ishte puna. Kjo ishte tepër e kënaqshme, dhe tregoi një vullnet të mirë nga ana e klerisë për t’i shërbyer ndërtimit të popullit. Por ishte diçka e dhimbshme të mësohej që peshkopi ishte aq armiqësor ndaj kësaj praktike, saqë ajo nuk mund të zbatohej kurrë kur ai të ishte i pranishëm në kishë.
Pastaj mësova se Dhiata greqisht-shqip e Shoqatës është në dialektin toskërisht, ndërsa është gegërishtja ajo që flitet në Elbasan. Ndoshta nuk kishte asnjë vend ku ajo Dhiatë të ndeshej me një pritje aq të përzemërt sa në atë qytet, sidomos kur ishte dhe botimi i parë. Megjithatë kur lexohet ungjilli në shqip, lexohet nga një version dorëshkrimi i cili përgatitet posaçmërisht për rastin, dhe jo nga Përkthimi i Shoqatës, ndonëse padyshim ndihmohet prej tij.
Incidenti tjetër ishte i një karakteri krejt tjetër.
Pas shërbesës ne u ftuam në shtëpinë e anëtarit më të shquar të bashkësisë, dhe u pritëm me kafe dhe reçele. Një vëlla, po mos gaboj, i pritësit tonë ishte prift, dhe së shpejti katër priftërinj të tjerë u bashkuan me ne, dhe patëm mjaft bisedime, si në lidhje me Z. Kristoforidh dhe përkthimin e tij shqip, ashtu dhe në lidhje me shërbesën ku sapo kishim qenë të pranishëm. Ndërsa shprehëm gëzimin tonë të madh ngaqë gjetëm Shkrimet të lexuara në shqip, ne u thamë se në Britani tërë shërbesa kryhet në gjuhën popullore, dhe thamë se shpresonim që kështu do të ishte puna një ditë edhe tek ata. Në temën e ndërmjetësimit të shenjtorëve, dhe adhurimit të tyre dhe të engjëjve, ne lexuam nga Dhiata e Re kaq shumë pjesë të qarta saqë priftërinjtë nuk gjenin dot përgjigje, dhe pas pak katër vizitorët u larguan papritur nga dhoma së bashku. Ne na erdhi keq nga kjo, por sjellja e mysafirëve me të cilët dhoma ishte e mbushur na siguroi se nuk i kishim kaluar kufijtë e diskutimit miqësor.
Pastaj u ftuam në shtëpi të tjera, dhe u takuam me shumë mikpritje, dhe mund të kuptonim lehtë se me gjithë klerinë, synimet e Shoqatës vlerësoheshin me një miratim të përgjithshëm.
Tirana
Të nesërmen, 3 qershor, u larguam për në Tiranë afër 8 orë larg, të shoqëruar nga dy roje, ngaqë rruga cilësohej si e rrezikshme. Pasi kaluam lumin i cili rrjedh pranë Elbasanit, shpejt filluam të ngjiteshim në një vend me shumëllojshmëri të bukur. Shkallë-shkallë malet u mbyllën rreth nesh dhe ngritja u bë më e vështirë. Me kalimin e kohës, gjysmën e rrugës, u ngritëm në një brinjë me lartësi mbizotëruese, nga e cila pamë edhe tërë vendin që kishim kaluar pasi u larguam nga Berati, me Malin Tomor akoma si objekt kryesor, dhe gjithashtu tej nga veriu deri afër Lezhës.
Nuk ndodh shpesh që në Turqi të gjendet ndonjë vlerësim nga fshatarësia për bukuritë e natyrës, por shoqëruesit tanë në këtë rast ishin plotësisht të gjallë ndaj madhështisë së skenës.
Tirana qëndronte para nesh në luginë, ndërsa në të djathtën tonë, shkonte drejt veriut një varg malesh marramendëse, duke u pakësuar në lartësi ndërsa largoheshin nga brinja ku qëndronim ne, dhe që nuk formonin një vijë të vazhduar, por një numër malesh të veçuara, të ndara nga lugina të cilat ishin relativisht pak të ngritura mbi fushën qendrore. Kruja, e prehur në një nga malet, dallohej në largësi.
Një rojë ishte vendosur në këtë kalim të lartë, dhe sigurisht rruga përfshinte mjaft vende për t’u strukur për t’u dhënë besueshmëri tregimeve të dhunës të cilat na tregoheshin ne, por me mirënjohje them se nuk u ndeshëm me asnjë pakënaqësi.
Erdhëm në Tiranë afër orës 4 pasdite, dhe shpejt siguruam një vend strehimi të rehatshëm në një han të madh në sheshin e hapur. Në një dhomë të bashkangjitur gjetëm një të ri të zgjuar i cili kishte marrë një kopje të gramatikës sonë dhe të Ungjijve në shqipen veriore dhe dukej i kënaqur që i kishte, por të cilit nuk i pëlqeu dhe aq shumë fakti që ato vepra ishin botuar me ndihmën e të krishterëve të huaj.
Më vonë në mbrëmje mësuam që Z. von Laer, Depozituesi dhe Kolporteri i Shoqatës për Shqipërinë e Veriut, po qëndronte në një han tjetër në Tiranë, dhe herët në mëngjes patëm një takim shumë të këndshëm. Ai sapo ishte kthyer nga një turne në Malin e Zi, të cilin ai ishte detyruar ta shkurtonte, falë shfaqjes së kolerës dhe kufizimeve të karantinës të cilat kishin hyrë në fuqi.
Atëherë ne filluam një kolportazh të vrullshëm nëpër qytet, dhe me gjithë rënien e tregtisë e cila dallohej atje dhe në Elbasan aq sa edhe në Berat, përpjekjet tona të bashkuara ishin disi të suksesshme. Por ajo e cila na interesoi më tepër ishte fakti që ne u takuam me katër individë, dhe secili prej tyre zotëronte pikëpamje disi të qarta për të vërtetën hyjnore, ndërsa dy prej tyre dukej se ndienin rëndësinë e saj dhe shqetësoheshin që të arrinin një paqe të themeluar mirë me Perëndinë. Ata erdhën enkas për të na parë dhe biseduan pa rezervë mbi gabimet që mbizotëronin rreth tyre.
Njëri prej tyre në veçanti, një orëbërës, dukej mjaft i vullnetshëm për të deklaruar haptazi pikëpamjet e tij fetare, dhe dukej nga çdo anë si një kërkues i sinqertë, i drejtë dhe i përulur. Ne mësuam se ai kishte qenë shok i ngushtë i Z. Kristoforidh gjatë kohës që ky i fundit ishte pedagog në Tiranë, dhe se i ishte borxhli atij për pikëpamjen e ndriçuar tek e cila kishte arritur.
Për më tepër ai na tregoi se një pronar shqiptar mysliman i një prone, një orë e gjysmë nga Tirana, kishte shumë vite që kishte pretenduar për sentimente protestante. Pikëpamjet e tij fetare i kishte fituar gjatë vizitave të tij në Paris, Venezi, Vjenë dhe qytete të tjera kontinentale, dhe pasi u kthye 14 vjet më përpara, banoi dy-tre vjet në tokën e vet, duke mirëmbajtur namin e një njeriu të denjë por të urryer nga myslimanët, besimin dhe profetin e të cilëve ai e trajtoi me pak respekt. Pas një vizite të dytë në kontinent, ai vajti në Kostandinopol dhe atje fitoi miqësinë e ngushtë të Murad Efendit, birit të të ndjerit Sulltan, i cili i dha shenja të shquara të favorit të tij. Pastaj ai kaloi mbi dy vjet përsëri në Shqipëri, pas të cilëve ai vazhdoi në 1864 në Kostandinopol, me shpresën (siç mendonin disa) për t’u bërë princ i Shqipërisë dhe për t’i kthyer në protestantizëm bashkatdhetarët e tij. Ndërsa ndodhej atje ai u zu bashkë me disa të tjerë dhe u dërgua në
Akër, ku është ende i burgosur, por gëzon nën përgjim njëfarë lirie dhe mban letërkëmbim herë pas here me të ëmën, të shoqen dhe tre vëllezërit.
Miqtë tanë e cilësonin Said Beun, sepse ky ishte emri i tij, si një i krishterë i mirëfilltë dhe një i vuajtur për të vërtetën, por u vinte keq që ai ishte lidhur në çfarëdolloj mënyre me planet e trazimit politik, gjë e cila i kishte dhënë Qeverisë ndonjë arsye për veprimin e saj, aq më tepër pasi ai pretendonte për lidhje fisnore me Skënderbeun, heroin e Shqipërisë.
Ende nuk kam patur mundësi për të vënë në provë vërtetësinë e historisë së tij me anë të hetimeve në vendin e duhur, por e them thjesht ashtu siç e mora. Megjithatë është e sigurt që u raportua në 1864 nga një autoritet i besueshëm që afro dyzet të burgosur ishin dërguar në Akër për arsye politiko-fetare, ndonëse pak evropianë, ndoshta dhe asnjë, nuk mund të identifikonin se cilët ishin viktimat. Në dashtë Zoti, unë propozoj të
Bëra një përpjekje për të bërë vizitë në shkollën e krishterë, por para se të mund ta bëja këtë, ishte dhënë pushimi i mesditës. Mësonjësi nuk dukej të ishte një njeri shumë energjik.
Tirana ishte qyteti i parë ku takuam shqiptarët katoliko-romakë. Ata si zakonisht ishin shumë më tepër nën zgjedhën e priftërisë së tyre sesa ishin grekët, por edhe midis tyre ne gjetëm disa shenja të kërkimit. Mësuam gjithashtu që myslimanët e Krujës ishin tërësisht protestantë, dhe ngaqë ky ishte vendqëndrimi ynë i ardhshëm u nxitëm të bënim vizitë në një manastir bektashian gjatë rrugës, afro katër orë nga Tirana, i cili njihej për mikpritjen e tij ndaj të gjitha klasave të njerëzve dhe për kremtimin e zakoneve të caktuara të krishtera si p.sh. bërja e vezëve të kuqe në festën e Shën Gjergjit etj. Ne na u tha për më tepër që Hegameni i Manastirit, Baba Huseini, ndodhej atëherë në Pned pranë Ikonisë së Azisë së Vogël, ku ai kishte mërguar dy vjet më parë në bazë të një akuze të rreme.
Këto gjëra na bënë të ndiheshin se lufta heroike midis krishterimit dhe islamizmit linte akoma gjurmë të gjallërisë së saj, edhe pse kishin kaluar katër qind vjet.
Ne nuk patëm mundësi të bënim vizitë në manastir, por pamë mjaft për të na bindur që islamizmi u ngjitet shumë lehtë shqiptarëve të asaj krahine, dhe në fakt të gjithë shqiptarëve, dhe se po t’u paraqitej Krishterimi Biblik, mund të shpresonim për pranimin e tij të shpejtë.
Myslimanët janë të dijshëm se stërgjyshërit e tyre ishin të krishterë, por frika e hakmarrjes së qeverisë nga njëra anë, dhe neveria nga korruptimet e krishterimit nga ana tjetër, i pengojnë të kthehen tek ai besim, madje kanë bërë që disa nga ata që takuam të marrin përsipër argumente të holla për të provuar se kthimi i baballarëve të tyre në besimin e pushtuesve të tyre duhet të ketë qenë i vullnetshëm dhe jo i detyrueshëm.
Shpesh gjatë turneut tonë, ndjenim që populli ishte në një mënyrë të spikatur gati për pranimin e së vërtetës, por asgjëkundi më tepër sesa në Tiranë, dhe se nuk mund të mos dëshironim me përgjërim që disa prej kishave tona protestante të çoheshin të fillonin një mision në mes tyre.
Pasi shkruajta të lartpërmendurat, u takova me administratorin e të lartpërmendurit Said Beu, i cili ka qenë në kryeqytet, mendoj që nga burgosja e zotërisë së tij, duke u përpjekur të siguronte lirimin e tij përpjekje të cilat kishin dalë të
Madhështisë së saj [Mbretëreshës Viktoria] ka hyrë në postin e tij, të shtroj para tij një deklaratë për ato që sapo kam raportuar. Një shqyrtim privat në Akër do të ishte shumë për t’u dëshiruar, po të mund të vendosej.
Kruja
Më dt. 6 qershor, të enjte, ne u larguam nga Tirana për në Krujë pak pas mesditës; grupi ynë përbëhej nga Dr. Koelle dhe unë vetë, Z. von Laer dhe shërbëtori i tij, ata që drejtonin mushkët tona dhe dy roje, të cilët guvernatori nguli këmbë që t’i merrnim me vete, ngaqë rruga ishte e rrezikshme, dhe kohët e fundit kishin ndodhur vjedhje dhe grabitje.
Për ca kohë rruga jonë shtrihej gjatë fushës së hapur, dhe ishte edhe e lehtë edhe e pëlqyeshme, ndërsa muret e bardha të Krujës, pikëmbërritjes sonë, tashmë mund të shiheshin qartë duke vezulluar në një tarracë të lartë të malit përpara nesh, gjë që justifikonte emrin e saj turk Ak Serai, pallati i bardhë, ku fjala “i bardhë”, si në turqisht ashtu dhe në slavonisht, si në fjalën Beograd, “qyteti i bardhë”, shënon gjithashtu edhe kuptimet “i përkryer, fatlum, i fortë”.
Megjithatë, ndërsa i afroheshim shpatit të malit, hymë në një vend të mbuluar pak a shumë tërësisht me dru. Pemët nuk ishin aq të mëdha sa të quheshin një pyll, as që ishin shumë të dendura në shumicën e rasteve, por ato do të kishin dhënë një mbulesë të dëshirueshme për pushkatarë ose cuba, dhe na u duk e arsyeshme të mbanim bashkë grupin tonë me një rojë përpara dhe një tjetër prapa. Në këtë radhitje vazhduam për nja dy orë deri sa erdhëm tek shpati i malit dhe filluam ngjitjen.
Ishte një vërejtje e të ndjerit Hugh Miller1 që pothuaj të gjitha malet me ndonjë lartësi të konsiderueshme janë ngritur në rastin e dytë, d.m.th., që ata paraqesin prova që ngritja e tyre e sotme nuk u arrit nga një tronditje e vetme e madhe, por nga një vazhdë dy-tri tronditjesh, të cilat ka mundësi të jenë ndarë nga intervale të gjata kohe nga njëra-tjetra. Në rastin e Malit Tomor, mendonim se shihnim gjurmë të qarta të tri tronditjeve të tilla; këtu të paktën dy dukeshin shumë qartë.
Vargu në të cilin ky mal përbën një hallkë, shkon siç e kam vënë re, në përgjithësi, nga veriu drejt jugut. Ky mal nuk ngrihet në një kulm, por i paraqet vëzhguesit nga perëndimi pamjen e një brinje e cila shkon pothuaj horizontalisht për më shumë se tre kilometra me një lartësi që do thoja të paktën 1.300m. Kjo brinjë gëlqere e zhveshur dhe e hirtë ngrihet nga një tarracë afro 800m lart fushës, duke u shtrirë gjatë gjithë faqes perëndimore të malit, dhe duke mos kaluar asnjëherë 800m nga gjerësia, por duke qenë shpeshherë shumë më e ngushtë.
Mbi këtë tarracë është ndërtuar Kruja, qyteti i kronjve, siç nënkupton emri i tij. Tarraca është formuar nga majat e maleve të numërueshme, pjerrësitë e thepisura të të cilave ulen ngadalë drejt fushës, duke u shtrirë gjatë gjithë faqes perëndimore, dhe të cilat duken si mbështetëse të mëdha për masën brenda. Tarraca është e mbuluar nga një korije e dendur ullinjsh, gjatë së cilës dalluam shtëpi që dukeshin të rehatshme të cilat ishin të shpërndara deri në një distancë të madhe nga Kruja.
Rruja jonë gjarpëronte gjatë skajit të një humnere midis dy prej këtyre maleve më të ulta. Ishte e ashpër dhe e pjerrët, por jo e pasigurt, dhe tani që kishim dalë nga pylli shoqëruesit tanë nuk dukej sikur ndienin rreziqe, ndonëse nata po binte shpejt.
Ishte ngrysur krejt para se të arrinim në Krujë. Në këtë rast unë kuptova në mënyrë shumë të qartë lartësitë që kishim arritur. Isha në krye dhe duke shikuar prapa bërtita, “Ja deti.” “Ja të paktën një det,” u përgjigj Dr. Koelle në gjermanisht, me kuptimin “një liqen” dhe i paaftë si unë për të kuptuar faktin tani të qartë. Skena të cilën ne atëherë ndaluam për ta soditur ishte mrekullisht e bukur, por ndonëse ajo na gëzoi atëherë, dhe vetë rikujtimi i saj më gëzon ende, duhet të heq dorë nga një përshkrim i mëtejshëm.
1 gjeolog skocez
Afër orës 9 në darkë erdhëm në qytet, dhe hani na u duk aq i rehatshëm dhe i pastër sa ç’mund të pritej arsyeshëm. Në mëngjes u pritëm nga guvernatori, i cili banon në kalanë atërore të Skënderbeut. Fortesa në tërësi është në rregull sipas standardeve të punëve në Turqi, ndonëse duket qartë se do të ishte krejt e papërdorshme për mbrojtje në luftimin modern, përveç faktit të pozitës së saj natyrore jashtëzakonisht të fortë. Pas shkëmbimit të zakonshëm të pyetjeve të sjellshme, ne i treguam guvernatorit dhe hoxhës librat tanë. Synimin tonë e shpjegova se ishte paraqitja ndaj shokëve tanë myslimanë e parimeve të vërteta të krishterimit siç përmbahen në Shkrimet e Shenjta, tek të cilat ne ftuam vëmendjen e tyre. Vërejtjet tona nuk ngjallën ndonjë kundërshtim, por nga ana tjetër nuk u ble asgjë.
Pas pak bisede të përgjithshme ne iu lutëm për leje për të parë mjediset e kësaj fortese të famshme, kur guvernatori dërgoi me ne me shumë mirësjellje një kapiten artilerie dhe e drejtoi të na tregonte çdo vëmendje. Shtëpia ku lindi Skënderbeu qëndron akoma, por ajo është disi e rrënuar. Nuk ka ndonjë gjë të veçantë, por pozita e saj e bën të duket shumë më pak e zymtë sesa shtëpia në Tepelenë ku lindi i njohuri Ali Pasha, ndonëse të dyja janë mjaft të njëllojta nga anë të tjera.
Kur kishim parë përreth gjithë fortesës, e cila megjithatë nuk përmbante asgjë me interes të veçantë, ne vazhduam të ofronim t’i shitnim popullit Shkrimet. Ata ishin të druajtur në përgjithësi por të respektueshëm. Shitëm disa kopje, por hamendësuam që mungesa e parave dhe frika e tërheqjes së vëmendjes nga marrja e tepërt me ne, përmbante shumicën e atyre që iu drejtuam.
Mirëpo Dr. Koelle pati një bisedë interesante, besoj se ishte me një hoxhë, i cili kur iu ofrua Dhiata e Re në turqisht tha, “Pra e shihni zotëri, unë jam një njeri i vobektë, por aq i madh është respekti që kam për profetin Jezus saqë unë do ta blej librin.”
Të gjithë banorët e sotëm të Krujës janë myslimanë, por siç kam lënë të kuptohet, ata shikohen nga miqtë e Ungjillit pothuaj si protestantë në kuptimin që kam shpjeguar. Populli i Krujës, na u tha, i japin vetëm një respekt të jashtëm agjërimit të Ramazanit, por e mospërfillin në familjet e tyre. Ata nuk shkojnë në xhamitë, as që mbajnë pesë lutjet e përditshme të caktuara, por madje edhe armiqtë e tyre rrëfejnë se ata janë të devotshëm, ndonëse luten jashtë çdo kohe dhe forme. Ata kremtojnë festat e Shën Gjergjit – në nder padyshim të Skënderbeut, emri i të cilit ishte Gjergj Kastriot; të Elias – i cili besoj se është shenjtori padron i qytetit të tyre malor, siç është për vende të tilla të panumërta në Lindje; si dhe ato të Shën Nikolinit dhe të Virgjëreshës Mari.
Të tilla gjëra natyrisht që nuk mund të shikohen sikur tregojnë për ndonjë kuptim të natyrës së vërtetë të ungjillit, por ndërsa janë shenja të një pozite të mesme midis islamizmit dhe krishterimit, ato janë tepër interesante dhe të rëndësishme. Ne gjetëm mjaft për të na bindur që krishterimi i korruptuar rreth tyre ishte një pengesë e pakapërcyeshme për kthimin e tyre në një fe të atij lloji, por çfarë nuk mund të pritej prej tyre, po të njiheshin me krishterimin e Biblës?
Ne u informuam që në majë të këtij mali, afro 450m mbi Krujën, ndodhej kishëza dhe vend takimi i famshëm ku heroi shqiptar thuri planet e tij bashkë me bashkëvepruesit e tij, dhe shenjtëroi patriotizmin e tij me ato ushtrime fetare të cilat shpallën luftën e tij si një luftë e shenjtë, siç ishte në të vërtetë, përpjekja e fundit e krishterimit për të mirëmbajtur pavarësinë e vet kundrejt krahëve të sulltanëve.
Me kënaqësi do të kishim bërë vizita në këto vende, por ishim në ankth për të arritur në Shkodër deri të shtunën pasdite, dhe po të ishim vonuar në Krujë do të ishim detyruar të udhëtonim në ditën e Zotit. Prandaj u larguam, duke u ndier se kishim kënaqur vetëm gjysmën e interesit tonë në atë vend romantik dhe historik.
Kur u kthyem në han që të rregullonim largimin tonë, me mendime të cilat merreshin me kujtimet fetare dhe patriotike të cilat grumbullohen rreth atij vendi, ndodhi një incident i cili ka përzier me kujtimet tona të Krujës diçka disi qesharake. Për guvernatorin e atij qyteti vizita jonë ishte një çështje jo pak
misterioze, dhe teorizimet e tij rreth saj nuk ishin kënaqur aspak nga shpjegimet të cilat i kishim dhënë. Ai kishte thirrur shërbëtorin tonë shqiptar me shpresë për të mësuar diçka më tepër prej tij. Praini nuk pranoi të shkonte pa lejen time, por pasi i thashë të shkonte, dhe të shpjegonte lirisht gjithçka që ai dinte për ne, ai shkoi në fortesë.
U kthye brenda më pak se një ore, me fytyrën që tregonte madje edhe para se të mund të shpjegonte goja, që diçka qesharake kishte ndodhur.
Guvernatori e kishte pritur me një respekt të paparë dhe i kishte thënë se po i drejtohej atij, si një shqiptar si ai, që t’i jepte informacionin e saktë për këta frëngë.
“Çfarë dini ju rreth tyre?” pyeti ai.
“E di që zotëria ime erdhi me pikëpjekje për t’i takuar në rrugën e tyre drejt Shkodrës, dhe i gjeti në Tiranë.”
“Çfarë pune kanë ata këtu?” vazhdoi guvernatori.
“Zotëria ime shkon vërdallë duke shitur këta libra,” tha Praini, “një nga të tjerët është eprori i tij, dhe bën që librat të përkthehen dhe të shtypen, dhe ky dhe i treti gjithashtu po shesin këto libra.”
“Bah, mos ma thuaj kështu,” ndërpreu guvernatori, “ajo librashitje është vetëm maskë. Një punë të bukur dashka t’ia bënin, duke shitur një libër i cili kushton pesëdhjetë piastra për kaq para. Ky është vetëm një pretekst i cili s’ia verbon sytë askujt.
Prain protestoi se ai nuk mund të shihte asnjë synim tjetër që kishin.
“E pra, çfarë lloj njerëzish janë?” pyeti guvernatori.
“Ata m’i paguajnë pagat,” u përgjigj Praini, “dhe paguajnë ndershmërisht për kuajt dhe ushqimet dhe strehimin e tyre. Nuk janë aspak pijanecë, dhe ata lexojnë Biblën dhe luten.”
“
Më së fundi u nisëm në rrugën tonë, duke kaluar përgjatë tarracës, dhe duke zbritur nga pjerrësia veriore të maleve, dhe afër ngrysjes erdhëm në një han, në mes të distancës midis Krujës dhe Lezhës, ku kaluam natën.
Lezha
Të nesërmen vazhduam rrugën tonë, dhe herët pasdite erdhëm në Lezhë, të lehtësuar se kishim shpëtuar prej shtegut të lodhshëm nëpër pyjet të cilat shtrihen nëpër gjithë atë vend.
Në Lezhë gjetëm një han në gjendje shumë të mirë pranë pazarit, por gjysma e pazarit ishte bosh dhe krejtësisht e mbyllur. Mirëpo pak nga populli banonin atje, ndoshta meqenëse vendndodhja e tij, pranë Drinit, nuk është e shëndetshme – dhe banesa e tyre ndodhet në një pozitë të ngritur por prapë të strehur përtej kodrës mbi të cilën ndodhen rrënojat e fortesës. Ne bëmë një sondazh të popullit por u hasëm me një indiferencë të përgjithshme, me përjashtim të pronarit të hanit tjetër të vendit, i cili bleu Ungjijtë shqip dhe një gramatikë.
Këtu bëmë vizitë me interes në kishën e vjetër të Shën Katerinës, e cila tani është kthyer në xhami, në të cilën ishte varrosur Skënderbeu. Dihet mirë që kur ushtria turke marshoi nën Muhamet II në vitin 1478 për të rrethuar Shkodrën, turqit e përdhosën varrin e Skënderbeut dhe prej eshtrave të tij bënë byzylykë. Nuk mund të hynim dot në brendësinë e xhamisë, por na u tha që nuk ka asgjë fare që të tregonte për varrin, por se kuptohet që ai ndodhej poshtë themelit të minaresë së sotme, dhe në qoftë kështu, në anën jugore të kishës dhe afërsisht një të tretën e gjatësisë së kishës nga ana lindore. Kisha është e vogël dhe nuk bën pretendime arkitektonike, por ngaqë është ndërtuar pas stilit të zakonshëm të kishave greke, ka mundësi se është ngritur para se shqiptarët e veriut të bashkoheshin me bashkësinë e kishës romake.
Në mbrëmje bëra vizitë në gërmadhat e fortesës dhe u kënaqa me këndvështrimin e shtrirë të ishujve në grykën e Drinit. Mali Tomor, për të cilën morëm pamjen e fundit në Krujë, tani nuk dukej më. Drini ishte objekti i interesit më të madh.
Herët në mëngjes ne ndoqëm udhën gjatë brigjeve të lumit, i cili këtu është një rrjedhë e gjerë dhe e fuqishme, në të cilën janë shumë peshq, por me sa dukej peshkoret janë shumë të lëna pas dore. Ne kaluam disa fshatra të rregullta në të dyja anët e lumit, por koha nuk do të na lejonte të bënim përpjekje për kolportazh në ndonjërin prej tyre. Mirëpo ato ia tregova Z. von Laer se meritonin shumë një turne të veçantë prej të cilit ai mund t’i kthehej Shkodrës me anë të brigjeve të Bunës që është një lumë akoma më i madh dhe me një popullatë më të numërueshme gjatë buzëve. Të gjitha fshatrat dukeshin katoliko-romake, dhe pamë mjaft priftërinj.
Gjendja e bujqësisë qe e lavdërueshme.
Afër mesit të rrugës kaluam Drinin me va, një proces mjaft i rrezikshëm ky sepse lumi atje ishte afërsisht 200m i gjerë, uji afër 1,2m i thellë dhe rryma e fortë. Një hap i gabuar do të kishte dalë i rrezikshëm, por është një mëshirë nga Zoti që shpëtuam.