E marte, 25.03.2025, 05:01 AM (GMT)

Speciale

Alexander Thomson: Shtigje biblike në Shqipërinë e Rilindjes Kombëtare (I)

E premte, 19.11.2010, 09:59 PM


Aleksandër Thomson

 

SHTIGJE BIBLIKE NË SHQIPËRINË E RILINDJES KOMBËTARE

 

TENDA, Prishtinë, 2001

Origjinali: Bible Ways in Old Albania

botoi: Albanian Evangelical Trust, Wrexham, 1992

titulli: Shtigje biblike në Shqipërinë e Rilindjes Kombëtare

përktheu: Dan Baynes

redaktoi: Viola Baynes, David Young

Editor Femi Cakolli

Korrektore Belkize Kryeziu

Botoi TENDA

Copyright © Tenda

Made in Kosova

Shtypi Alb-Schtanz, Prishtinë

Formati 19 x 12 cm

Tirazhi 500 copë

Viti 2001

Adresa:

Shtëpia Botuese TENDA

rr. Nazim Gafurri nr. 76/A

Prishtinë 1 Kosovë

Tel. 00377 44 118 088

186 544

E-mail: Tenda_al@yahoo.com

 

Simpoziumi i mbajtur në Prishtinë, në hotelin Grand, më 8 e 9 nëntor 2010 me temë: "Shoqëria Biblike - Aleksandër Thomsoni dhe shqiptarët"

 

SHTIGJE BIBLIKE NË SHQIPËRINË E RILINDJES KOMBËTARE

 

Nga Alexander Thomson

 

Kur Alexander Thomson doli në pension si agjent i Shoqatës Biblike në vitin 1895, mbi një milion kopje të të gjithë Shkrimit ose të pjesëve të Shkrimit kishin dalë në qarkullim në krahinën me të cilën ai ishte ngarkuar. Një pjesë e kësaj krahine ishte Shqipëria, dhe ai mbante në zemër një merak të veçantë për popullin shqiptar gjatë shërbimit të tij të gjatë në perandorinë turke.

Këto raporte të punës dhe udhëtimeve të tij në Shqipëri jepen për vitet 1867 deri 1872. Ato tregojnë se sa pak ka ndryshuar Shqipëria gjatë 130 viteve të fundit. “Ai interes tepër i thellë për popullin shqiptar” i cili e shtynte Alexander Thomson është po aq i nevojshëm dhe i ngutshëm sot sa ç’ishte kur ai shkroi këto raporte.

Zoti i bekoftë fjalët e tij për një brez të ri punëtorësh kristianë midis popullit shqiptar nevojtar dhe të plaçkitur.

Alexander Thomson, doktor i teologjisë, 1820-1899

Sipas listës së Pastorëve dhe Misionarëve të Kishës së Lirë të Skocisë, Alexander Thomson ka lindur në Edinburg në vitin 1820; sipas pasardhësve të tij, ai ka lindur në Arbroath! I ati ishte Robert Thomson, pastori i Abbey Chapel, Arbroath. Për fëmijërinë dhe rininë e A. Thomson nuk dihet asgjë përveç faktit që i ati ka vdekur kur ai ishte 6 vjeç.

Ai studioi në Universitetin St Andrews dhe në New College të Edinburgut dhe në vitin 1845 u emërtua misionar ndër judenjtë. Për dy vjet ai qëndroi në Budapest, pastaj në Kostandinopol, ku ai synoi t’u sillte fjalën e jetës judenjve spanjollë në Bririn e Artë.

Më 1847 u martua me Eliza Young, dhe u vendos në Bebek në bregun e Bosforit, 12 km larg qendrës së Kostandinopolit. Atyre u lindën shtatë fëmijë, njëri prej të cilëve vdiq kur ishte fëmijë. Eliza vdiq nga një infarkt në tru më 1879, në shtëpinë e së motrës në Edinburg.

Ai shërbeu si misionar i Kishës së Lirë të Skocisë për judenjtë për afro shtatëmbëdhjetë vjet. Atëherë një ndryshim i cili u propozua nga Kisha në lidhje me Misionin ndaj Judenjve në Kostandinopol çoi në transferimin e tij më 1860 në Shoqatën Biblike Britanike dhe të Huaj, me marrëveshjen e plotë të komitetit të tij në Edinburg. Ai u emërtua drejtor i veprimeve të Shoqatës në Turqi, e cila në atë kohë përfshinte dhe krahinën e Shqipërisë.

Më 1863 ai udhëtoi nëpër Bosnjë dhe Shqipëri për të zbuluar personalisht gjendjen e tyre shpirtërore dhe për të vlerësuar rezultatet e mundshme të përpjekjeve të mëtejshme për të vënë Shkrimet në qarkullim. Ky udhëtim e bindi Shoqatën që ai ishte mjeti i Zotit për të hapur një derë të gjerë dhe të efektshme për hyrjen e së vërtetës në një zonë e cila më parë ishte e mbështjellë nga errësira shpirtërore – një vend pra ku nuk ishte as edhe një misionar.

Më 1864 ai caktoi Hermann Riedel si kolporter [shitës ambulant librash] në Shkodër, ku Znj. Riedel hapi një shkollë të vogël për vajzat. Më 1865 Alexander Davidson, një i ri nga Edinburgu, u caktua si nënagjent në Janinë, e cila ndodhej atëherë në Shqipërinë jugore (tashmë ndodhet në Greqi). Më 1867 Riedel doli në pension dhe u zëvendësua nga Edward von Laer. Më 1870 Davidson u transferua në Kretë (pas kësaj veprimet në Shqipërinë jugore iu transferuan kryesisht Beratit). Deri në vitin 1873, vetëm një nga pesë fëmijët e Davidson jetonte akoma: tre nga katër të tjerët kishin vdekur në Shqipëri. Në verën e vitit 1873 Davidson u sëmur nga pleuriti ndërsa kalonte malet e mbuluara me dëborë, u kthye me tuberkuloz dhe vdiq në Edinburg më 1874 në moshën 38.

 

* * *

 

Kur Alexander Thomson doli në pension më 1895, mbi një milion kopje të të gjithë Shkrimit ose të pjesëve të Shkrimit, në më shumë se njëzet gjuhë, kishin dalë në qarkullim nën mbikëqyrjen e tij. Por gjatë viteve të shërbimit të tij, ai mbante në zemër një merak të veçantë për popullin dhe vendin shqiptar, dhe zemrën dhe kuletën ia kushtoi lirisht punës arsimore dhe biblike në atë krahinë.

Mbesa e tij e mbante mend si një zotëri plak gazmor i cili do të priste nganjëherë nipërit e tij të vegjël në studio me shprehjen e gëzuar, “Mirë, mirë, mirë!”

Ai vdiq më 15 Janar 1899 në Bebek, pikërisht në momentin kur dielli i cili po çohej filloi të hidhte rrezet e tij përtej Bosforit dhe në dhomën e tij. “Reporter”, revista e Shoqatës Biblike, deklaroi që “një mbjellës veteran ka ikur për të parë se çfarë të korrash ka prodhuar në Qiell një pjesë kaq e madhe e farës së mirë.”

 

* * *

 

Raporte për punën dhe udhëtimet e tij dalin në Raportet Vjetore të botuara si dhe në revistën e përmuajshme “Reporter” të Shoqatës Biblike Britanike dhe të Huaj. Faqet që vijojnë, të cilat janë nxjerrë nga Librat e Agjentëve të tyre, të shkruar me dorë, për vitet 1867 deri 1872, nuk janë botuar kurrë më parë, dhe ne jemi mirënjohës ndaj Shoqatës për lejen për t’i hedhur në shtyp. Tregimi i cili na ka mbetur fillon papritmas, i shoqëruar nga një letër e bashkangjitur më dt. 15 Tetor 1867. Kjo letër fillon, “Po ju dërgoj një vazhdim të vogël të tregimit të udhëtimit tim.”

Ne lutemi që ndërsa lexoni këto faqe, në zemrën tuaj do të jepet një pjesë e së njëjtës dëshirë për të parë zhvillimin e punës së Perëndisë si dhe bekimin e tij mbi popullin shqiptar – dëshirë kjo që preku dhe shtyu Alexander Thomson. Lutemi gjithashtu që do t’i përgjigjeni dëshirës duke pyetur Zotin e të korrave se çfarë dëshiron ai që ju të bëni për lavdinë e emrit të tij midis këtij populli ende në errësirë shpirtërore.

David Young

Rhosddu, 1992

1867

 

Vlora

 

Por për ne ishte përgatitur një rrezik më serioz, ndonëse fatmirësisht pa sukses. I kisha treguar konsullit austriak, i cili është edhe kryetar i postave, qëllimin e turneut tonë dhe kërkova të fitoja prej tij ato informacione që mund të jepte për popullin dhe vendin. Ai vajtoi me zë të lartë gjendjen e poshtëruar të shqiptarëve të cilët, tha ai, ishin lënë pas dore në mënyrë të pashpjegueshme nga çdo komb tjetër dhe ishin lejuar të kalbeshin në padituri pagane. “Mirëpo”, shtoi ai, “ata janë një popull që nuk kanë shumë interes për diturinë. Ju i dini edicionet e bukura të klasikëve që janë botuar në Vjenë - e pra unë kërkova që disa prej tyre të më dërgoheshin këtej, por nuk bëri përshtypje as eleganca e stilit as edhe e librit vetë, dhe nuk mund të shitja asnjë kopje.”

Mungesën e suksesit të konsullit në këtë aventurë, nuk e mendova si ndonjë provë të poshtërimit të popullit.

Punës sime iu riktheva energjikisht, por me suksese të pakta. Bëmë një vizitë tek Pashai, por morëm vesh se ishte shumë vonë për atë ditë. Megjithatë, afër mesditës të nesërmen, morëm një lajm prej tij nëpërmjet Dr. Auerbach, mjekut të tij, për të cilin Dr. Koelle kishte një letër prezantimi, duke thënë se ai do të mbetej i kënaqur të na takonte pasdite, dhe duke na kërkuar të sillnim me vete kopje shembuj të librave tanë.

Dr. Auerbach na bëri të ditur që peshkopi katoliko-romak i dioqezës ndodhej në atë kohë në Vlorë, dhe qëndronte tek konsulli austriak, dhe se sa kishte dëgjuar për ardhjen dhe synimet tona, ai i ishte drejtuar Pashës që të ndalohej shitja e librave tanë. Megjithatë, Pasha, i cili ishte shqiptar, nuk pranoi të ndërhynte, duke i thënë peshkopit se ai e kishte parë Dhiatën e Re, dhe nuk mund të besonte se libra, të cilët myslimanët edhe të krishterët e çdo emri pranonin se kishin autoritet hyjnor, mund të bënin ndonjë gjë të keqe. Për të treguar se sa vendosmërisht ishte kundër këshillës së peshkopit romak, ai na thirri, siç kam thënë, dhe vetë bleu dy volume në turqisht. Ai na u duk një njeri i qetë, i menduar dhe i sjellshëm, dhe ishim shumë mirënjohës për trimërinë me të cilën ai mbrojti lirinë fetare në këtë rast.

Ne u larguam të nesërmen, pasi kishim shitur pesë kopje turqisht dhe tri kopje greqisht dhe greqisht-shqip. Nuk mund të mos na vinte keq që në një vend i cili ndonëse i vogël kishte një veprimtari tregtare të konsiderueshme, gjendja e arsimit ishte aq e ulët dhe padituria dhe paragjykimet e popullit ishin kaq të mëdha. Vizitat e kolporterëve [shitësve ambulantë të librave] të Shoqatës, besojmë se janë të vetmet përpjekje për ungjillizimin që janë bërë ndonjëherë në atë qytet, dhe deri tani ato kanë qenë shumë të pakta për të dhënë ndonjë rezultat të dukshëm. Prapë, disa kopje të fjalës hyjnë në të çdo vit në këtë mënyrë, dhe këto në duart e Frymës mund të dalin si zjarri, dhe si një çekiç që thyen gurin.

 

Fieri

 

Më dt. 24, të premte, ne u larguam nga Vlora për në Berat, duke vazhduar nëpër rrugën e sheshtë por të tërthortë nëpër Fier, dhe jo me rrugën direkte mbi malet. Rruga jonë për disa orë iu ngjit bregdetit ranor të fushës aluviale e cila formohet nga Vjosa dhe mjaft larg në det mund të dallonim me vështirësi gadishullin e ulët dhe ranor i cili formon një qark prej dymbëdhjetë-katërmbëdhjetë kilometra dhe gati kthen një krah të detit në një liqen. Ishte pothuaj i vetmi rast kur gëzuam ajrin e freskët të detit ndërsa kalonim, dhe ndjemë kontrastin e dalluar midis këtyre fushave ranore dhe madhështisë së vrenjtur të grykës së Vjosës, prej së cilës sapo kishim dalë. Prapa nesh kishim lënë pjerrësitë e Himarës ose të Akrokeraunisë, dhe një det të përkryer malesh të larta, dhe po hynim atë që me një ligjëratë cilësore mund të quhet rrafshnalta detare e Shqipërisë së Veriut. Por një mal me madhësi që ia tejkalon çdo gjëje tjetër qëndronte akoma përpara nesh, duke ngritur lart në re piramidën e tij të mbuluar me dëborë, dhe duke imponuar supremacinë e vet të padyshuar si qendra kryesore e ngritjes së atij rajoni. Mali Tomor vazhdoi për dy javët e ardhshme si tipari i madh i tërheqjes dhe sublimitetit në çdo pamje të vendit nëpër të cilin kaluam, ishte “një gjë bukurie dhe një gëzim përjetë,” dhe ai na frymëzoi me koncepte më të lartësuara të “fuqisë së përjetshme dhe hyjnisë së atij i cili me fuqinë e tij i ka bërë malet të patundshme dhe i ka ngjeshur me forcë.”

Afër mesditës ne arritën tragetin që kalon Vjosën, dhe pushuam pak në hanin shumë mediokër, pronari i të cilit gjithësesi bleu një Dhiatë shqip. Tani nuk ishim larg rrënojave të Apollonisë, dhe ngaqë synimin e kishim të takoheshim me popullin dhe të ndikonim tek ai, dhe jo kërkimet antike, sado interesante, ne vazhduam udhën tonë dhe afër muzgut erdhëm në qytetin e vogël të Fierit në një degë të Vjosës.

Para se të mund të shkarkonim kuajt tanë u rrethuam nga një turmë njerëzish, midis të cilëve ishte tregtari kryesor i vendit, që të gjithë plot dëshirë për të parë librat tanë. Librat dhe çmimet tona dukeshin të kënaqshme, por mendohej e nevojshme të thirrej pedagogu para se ndokush të guxonte t’i blente. Ky funksionar, në gjykimin e të cilit u shpreh një besim aq i madh, ishte një i ri të cilin populli e kishte siguruar nga Kostandinopoli jo shumë kohë përpara për shkollën e tyre, e cila në të njëjtën kohë ishte vendosur në një nivel më të lartë.

Sjellja e këtij të riu ishte shumë e dalluar. Ai iu bind menjëherë thirrjes, por sa erdhi ai dënoi librat tanë si heretikë dhe të falsifikuar, dhe ne vetë si të dërguar të Papës dhe të pafe. Duke parë se kjo bëri menjëherë që disa nga njerëzit të tërhiqeshin, e nxita të tregohej pak më i qetë dhe të më vinte në dukje çdo rast të gabimit ose të falsifikimit në librat tanë. Mirëpo në vend që të bënte këtë ai vetëm përsëriti me vrull të madh akuzat e tij për herezinë, papizmin dhe pafesinë.

Kjo më bëri të përshkruaj shkurt doktrinat kryesore të krishterimit, të cilave u shpreha aderimin tim të fortë, dhe kur as edhe kjo nuk e kënaqi as ia bënte të heshtnin shpifjet, më në fund i kërkova prerazi të largohej nga salla, dhe e qortova për sjelljen e tij krejt të pajustifikueshme.

Kjo së fundi u duk sikur e kënaqi lidhur me vërtetësinë e pretendimeve tona. Toni i tij ndryshoi me një herë. Ai u ul dhe, duke shqyrtuar një nga një librat e ndryshëm, ai bleu një nga çdo lloj që kishim në greqisht dhe shqip, duke përfshirë dhe librin e sapobotuar “Bibla Greqisht me Referenca”, të cilën e admiroi së tepërmi. Ai kërkoi falje për sjelljen e tij, gjë që më bëri të nxirrja përfundimin që duhej një vigjilencë jo e vogël në ruajtjen kundër vizitorëve me të cilët ata takoheshin ndonjëherë, dhe në një mënyrë mjaft konfidenciale shprehu keqardhje që patriarku grek pengonte qarkullimin e lirë të Shkrimeve dhe se peshkopi i Durrësit, në dioqezën e të cilit ndodhej Fieri, ishte gjithashtu armiqësor.

Ai pyeti për synimin dhe planin e udhëtimit tonë, dhe mësoi me interes të madh se çfarë kishte bërë Shoqata dhe po propozonte të bënte për popullin e Turqisë. Unë ia vura në dukje faktin se sa i rëndësishëm nga këndvështrimi fetar ishte pozita që ai mbante, dhe fola për nevojën e pendimit, besimit në Krisht, dhe një sjellje të shenjtë si të domosdoshmet e krishterimit, dhe jo besëtytnirat e mjera me të cilat merreshin populli në përgjithësi. Ai u përgjigj në një mënyrë të tillë që tregoi se ai dinte jo pak nga e vërteta dhe dukej se e donte atë. Më në fund pas këtij fillimi unik, ai u largua në një orë të vonë, duke më lënë me përshtypjen që ai ishte një nga vendësit më interesantë të Shqipërisë që kisha takuar deri atëherë.

 

Berati

 

Herët në mëngjes u nisëm për në Berat, dhe afër mesditës erdhëm tek maja e brinjës e cila përbën kufirin jugor të luginës së Beratit. Kurrë nuk do ta harroj madhështinë e skenës e cila shpërtheu përpara nesh kur Tomori në lartësinë e plotë të madhështisë së tij nga baza në majë u zbulua para nesh, dhe male më të ulta por prapë të larta, varg pas vargu, shtriheshin larg drejt Veriut. Këto male ishin fortesat e përjetshme të vendit, dhe nuk i shikoja dot pa iu kthyer faktit që në ditë të tjera ato kishin formuar fortesën brenda së

cilës krishterimi, sado i korruptuar që ishte, kishte mbajtur një luftë të lavdishme ndonëse pa sukses kundër Pushtuesit Mysliman.

Nga lartësia ku ishim dallonim qytezën e Beratit, por rruga ishte e tërthortë dhe nuk erdhëm në qytet deri vonë pasdite.

Përsëri vumë re se sa të rrallë udhëtarët evropianë protestantë që vizitonin këto rajone, sepse në hanin pranë urës mbi lumin e Beratit, afro dy orë larg qytetit, gjetëm një të ri me lidhje me qeverinë i cili insistonte se duhet me patjetër të jemi rusë, të cilët kishim ardhur për të parë pikat e pambrojtura të vendit, ngaqë andej nuk vinte ndonjëherë asnjë udhëtar britanik, ose evropian tjetër.

Nuk mund të ndaloja mendimin se këtu ishte një vend në të cilin do të ishte shumë e rëndësishme që Shoqata të fitonte një reputacion të paanshëm dhe të lartë të krishterë, dhe nga kjo anë kam besim se vizita jonë nuk doli tërësisht kot.

Berati, si Mostari i Herzegovinës, zë të dyja anët e një llogoreje të ngushtë, dhe është një pozitë strategjike e rëndësishme. Qyteza ose qyteti i sipërm zë kulmin e një mali afro 100-130 metra të lartë dhe rrethohet nga një mur i fortë dhe kulla të forta të cilat i ngjiten skajit të humnerës, poshtë së cilës rrjedh lumi. Qyteti i Beratit shtrihej përgjatë bregut të djathtë pjesërisht poshtë por kryesisht lart vendit ku qyteza varet mbi lumin.

Pranë poshtë asaj gremine është ndërtuar një nga kishat kryesore greke, dhe prej asaj pike gjithashtu një urë antike e rëndë shtrihet tërthor lumit dhe lidh qytetin me lagjen e Goricës. Ajo ka mundësi se përmban mbi 12.000 banorë, afro një gjysmë prej të cilëve janë të krishterë të kishës greke. Ky është kufiri verior i skajshëm i dialektit toskërisht të gjuhës shqipe.

Hanin për ku ishim drejtuar, e gjetëm të zënë, por nuk patëm vështirësi të gjenim vende të përshtatshme strehimi në një tjetër më lart pazarit.

Sa zbritëm nga kuajt, u mirëpritëm përzemërsisht nga një grup i vogël judenjsh spanjollë, të cilët u gëzuan kur zbuluan se mund të bisedoja me ta në gjuhën e vet, dhe nga dy italianë të cilët arritën ta mbështesnin veten dhe t’i kënaqin komshinjtë e tyre duke bërë statuja prej gjipsi të Garibaldit, Napoleonit dhe njerëzve të tjerë të shquar të ditës sonë, bashkë me lule, kafshë etj. Këta italianë, të cilët udhëtonin nga qyteti në qytet, i cilësuam shumë të këndshëm, dhe në fakt ata ishin blerësit tanë të parë në Berat.

Ishte shumë vonë për të bërë vizitë tek guvernatori i qytetit, por ne dërguam pasaportat tona, dhe pastaj bëmë shëtitje nëpër qytet, i cili ishte i qetë dhe mjaft i pastër, ndonëse mbante shenja të dukshme se dikur kishte parë ditë më të mira.

Pasi kishim përjetuar tashmë dobinë e pjesëmarrjes në kultin hyjnor në kishën greke, ne pyetëm rreth orës së shërbesës hyjnore për të nesërmen, dhe mësuam që vetë peshkopi do të kryente shërbimin në kishë pak poshtë qytezës. Pak pas agimit të ditës në mëngjesin e Sabatit ne vajtëm në kishë. Ishte një godinë pa zbukurim, me anijate dhe korridore në stilin e zakonshëm të kishave greke, por ne lexuam me kënaqësi mbishkrimin shumë të përshtatshëm mbi portik: “Atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë.”

Shërbesa sapo kishte filluar dhe të njerëzit filluan të mblidheshin shpejt deri sa hapësira e madhe e kishës të mbushej mirë. Nuk kam pse të përshkruaj shërbesat. Ishte e njëjta tepricë ceremoniale si më parë, dhe i njëjti respekt i tepërt dhe idhujtar për pikturat dhe për bukën dhe verën në Darkën e Zotit, por gjithashtu mund të fitonim ndërtim shpirtëror prej pjesëve të Shkrimit që u lexuan dhe të bashkoheshim me gjithë zemër me mjaft nga lutjet. Megjithatë, shihej lehtë që një numër i konsiderueshëm i adhuruesve ishin krejt të paaftë ta kuptonin gjuhën që përdorej. Ishte diçka e pëlqyer të bashkoheshim në adhurim me një popull tek i cili ne kishim një interes kaq të thellë, dhe midis të cilëve shpresonim që, me gjithë gabimet e tyre, Zoti të kishte disa besnikë që i mbronte.

Pjesën tjetër të ditës e kaluam në leximin dhe devocionet personale dhe në biseda për gjërat e Perëndisë me mjaft vizitues, dhe sidomos me judenjtë, për të cilët mësuam se ishin nga Janina dhe zotëronin gjithë zgjuarsinë e cila dallonte komunitetin jude të atij qyteti.

Herët në mëngjes filluam kolportazhin [punën e kolporterëve], duke i ofruar si të krishterit ashtu dhe myslimanit fjalën jetëdhënëse. Shitjet tona nuk ishin të numërueshme, por ne e quanim diçka më rëndësi të madhe që kishim raste të bollshme për të shpallur planin e shpengimit, nëpërmjet besimit në Shpenguesin hyjnor, dhe për të hequr paditurinë dhe keqkuptimin në lidhje me shumë çështje. Dhe nuk dolëm pa sukses. Nuk u hasëm me asnjë ashpërsi, shumë veta na pranuam me mirësjellje dhe respekt dhe disa blenë. Ungjijtë tanë shqip tërhoqën shumë vëmendje, dhe shëmbëlltyrat e Djalit Plangprishës, Samaritanit të Mirë, dhe të tjera nuk dështuan asnjëherë në interesimin e dëgjuesve.

Pasdite ne bëmë një vizitë në Konak, duke marrë me vete disa nga Shkrimet tona, dhe Togeri vetë bleu një Ungjill turqisht.

Të nesërmen në mëngjes ne vazhduam përpjekjet tona me një sukses akoma më të madh. Atëherë ne bëmë vizitë te peshkopi, i cili banonte në qytezë, dhe me të cilin patëm një bisedë të plotë dhe shumë të këndshme. Ndërsa u referohej disa rrethanave rrënqethëse, me të cilat ata si të krishterë takohen përditë në marrëdhëniet e tyre me fqinjët myslimanë, ai pohoi hapur që çdo dhunë tashmë kishte mbaruar. Përshtypja jonë për peshkopin ishte mjaft e favorshme për sa i përkiste karakterit të tij personal, por ai dukej i frikësuar për të miratuar haptazi qarkullimin e Shkrimeve, ndonëse pastaj ai bleu një kopje të tekstit të vjetër greqisht. Mua më erdhi keq që nuk kishim Bibla referimesh në një greqishte më moderne. Megjithatë ai nuk dukej se zotëronte energjinë për të cilën bën thirrje pozita e tij, sidomos në lidhje me arsimimin e rinisë. Dukej shpejt që intervista jonë me peshkopin u raportua favorshëm, sepse ndërsa shoku im shkoi në kërkim të krerëve të komunitetit mysliman, pata një numër të konsiderueshëm vizitorësh të cilët erdhën në dhomën tonë për të blerë. Disa prej tyre ishin shumë të varfër, por mbanin një karakter të lartë në mes miqve të tyre, dhe me sa dukej ishin njerëz që meritonin ndihmë.

Midis të tjerësh prifti i një fshati fqinjë erdhi dhe na u lut për një Dhiatë në greqishten moderne. Ai ishte zbathur, dhe i veshur keq, por pak bashkëbisedim me të më kënaqi se ai kishte një zgjuarsi mbi mesataren. Meqenëse kemi gjithmonë vështirësi për të bërë që populli të pranojë çmimet tona të fiksuara, unë nuk kisha dëshirë për t’i dhënë një Dhiatë krejt falas, por thashë se do të paguaja gjysmën tjetër nëse ai do të paguante tri piastra. “Tri piastra!” tha ai, duke ngritur duart. “As tri para s’kam, zotëri.” Këtë e tha me një sinqeritet kaq transparente sa Dr. Koelle, i cili deri tani ishte kthyer, ofroi të paguante shumën për të, dhe prifti i varfër u kthye i lumtur dhe mirënjohës.

Një tjetër burrë me të cilin pata mjaft biseda të dobishme, dhe i cili m’u rekomandua nga komshinjtë e tij se meritonte hatrën tonë, mori gjithashtu një Dhiatë me gjysmë çmimi, dhe një mik i tij po aq i varfër erdhi të nesërmen në mëngjes me një shumë të ngjashme dhe gjithashtu kërkoi një Dhiatë. Kisha frikë se po më detyronte, dhe në fillim nuk iu dorëzova kërkesës së tij. Por njeriu më tha se ishte për djalin e tij, i cili vazhdonte shkollë dhe e kishte qejf diturinë, dhe për të cilin ai kishte merak që të siguronte më të mirin e të gjithë librave. Vështrimet e tij të sinqerta rrëfenin vërtetësinë e tregimit së tij, dhe ia fala atë, kur me falënderime të përzemërta ai më paraqiti një lule, të cilën e kishte blerë me shpresë që kërkesa e tij do të kurorëzohej me sukses. Që të mos keqkuptoheshim, ne u bëmë të ditur këtyre dy të fundit që ne vetë do të kompensonim ndryshimin e çmimit, dhe gjetëm shumë kënaqësi duke bërë këtë.

Gjithsej shitjet tona në Berat ishin shumë të suksesshme, pra 19 kopje të Shkrimeve. Ky mund të dukej një numër shumë i vogël në krahasim me popullsinë, dhe kështu është, por ne duhet të mbajmë parasysh gjendjen e ulët të arsimit dhe varfërinë e skajshme të popullit, si dhe faktin e rëndësishëm se i gjithë stoku ynë i Shkrimeve greqisht-shqip u mbarua para se të shkonim atje, ndërkohë që shumë pak në mos aspak mund të lexonin ose të shpresonin të mësonin të lexonin Ungjijtë shqip në alfabetin latin.

Varfëria e vendit dukej sheshit në artikujt e përulur të cilët nxirreshin për shitje në shumë nga dyqanet, dhe në faktin që sërë të tëra dyqanesh ishin të mbyllura fare. Për këtë populli nuk mund të jepte asnjë shkak të veçantë, por përshtypja ime ishte dhe është se është pasojë e zhvendosjes së linjave të mëdha të tregtisë nga qendra e vendit në bregdet, dhe e gjendjes më paqësore të vendit, si rrjedhojë e së cilës trupat nuk përqëndroheshin më atje. Tregtia e cila dikur kalonte në rrugë tokësore nëpër Berat tani hyn nëpër Vlorën dhe Durrësin, dhe Berati, ngaqë nuk ka pse të mbrohet më me garnizon si fortesë ushtarake, ka qenë si qytetet Stirling, Dunbar, Karlajll, Jorku etj. në shtëpi [në Skoci dhe Angli], të mundura nga qytete të tjera me vendndodhje më të favorshme për tregtinë.

Sidoqoftë kjo punë, ne u larguam nga Berati me ndjenja të një interesi dhe shprese të madhe. Duhet të shtoja se këtu ashtu si në Gjirokastër, dukej hapur se ne fituam besimin dhe mirëdashjen e popullit të gjerë. Duhet të përmendja edhe faktin që qeveria ka tentuar diçka për ngritjen e arsimit në Berat, por me suksese shumë të kufizuara. Rushdi Mektebin [shkollën qeveritare] ishte një ndërtesë e madhe në një vendndodhje të favorshme, por pjesëmarrja ishte e pakonsiderueshme. Nga ana tjetër, Janu i vjetër, pra shkolla kishtare, e cila u ngjan jo pak shkollave tona të paçmuara famullitare në Skoci, ishte e mbushur me nxënës, dhe mësimdhënia atje ishte e mbushur më shumë me elementin fetar, ndërsa përjashtoheshin gjeografia dhe lëndët e tjera të padiskutueshme.

Kjo në vetvete provoi besnikërinë e lartë doktrinale të myslimanëve të Beratit, dhe ne pamë tregues për faktin se besnikëria e tyre ishte e dalluar nga shoqëruesja e saj e zakonshme, pra përbuzja për popullsinë e krishterë. Prej kësaj ndodhi ajo që vizitat tona tek guvernatori, si kur erdhëm ashtu dhe kur u larguam, shikoheshin me një interes jo të vogël nga shumë prej miqve tanë. Në të dyja rastet ne deklaruam hapur qëllimet e udhëtimit tonë, dhe se, ngaqë ishim të bindur për vërtetësinë e krishterimit mezi prisnim t’u jepnim vëllezërve tanë myslimanë një mundësi për ta shqyrtuar, dhe në të dyja rastet u ngjall nga pak diskutim miqësor. Këto biseda shpejt u bënë të njohura, dhe të krishterët, duke harruar ndryshimet midis tyre dhe nesh, dukeshin shumë të gëzuar që besimi i tyre kishte gjetur rrëfyes, të cilëve sundimtarët e tyre myslimanë u kishin dhënë të paktën një audiencë të sjellshme.

 

Vijon



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx