E diele, 28.04.2024, 09:42 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Sarandë, bastiset banesa e akademikut Adem Demaçi

E shtune, 20.11.2010, 10:45 AM


Gazeta Shqiptare

 

SARANDE -Vjedhësit e banesave në qytetin e Sarandës nuk kanë kursyer as apartamentin e Adem Demaçit, akademikut, politikanit dhe shkrimtarit të njohur kosovar, i cili prej 4 vitesh është bërë banor i qytetit jugor të Shqipërisë. Sipas policisë, dyshohet që vjedhja të jetë kryer rreth mesditës së djeshme dhe është konstatuar nga administratori i pallatit. Mësohet se grabitësit ende të paidentifikuar nga policia, kanë marrë në banesë orenditë shtëpiake, pajisje të ndryshme e sende me vlerë, por fatmirësisht ka mbetur pa u prekur biblioteka e tij e pasur, që është meraku kryesor i "Mandelës shqiptar". I pari e ka konstatuar vjedhjen Nasib Ybeshari, i cili pas njoftimit të policisë ka lajmëruar dhe Nuredin Izetin, mikun e Demaçit në Sarandë. Administratori i pallatit 8-katësh rrëfen ngjarjen për "Gazeta Shqiptare"... 
Kur duhet të ketë ndodhur vjedhja e shtëpisë së zotit Demaçi? 
- Unë, ashtu si çdo ditë tjetër, erdha në orën 5 të mëngjesit që të kontrolloja mbushjen e depozitave të ujit. Nuk më ra në sy asgjë e tillë dhe nuk mendoj se ka ndodhur atëherë hyrja në shtëpinë e zotit Demaçi. Flas me garanci edhe për deri në orën 10 të paradites, që erdha prapë dhe e pashë situatën. 
Po si dhe kur e more vesh? 
- Nuk më rrihet dhe vij edhe pasditeve. Disa fëmijë që loznin rreth pallatit, më treguan për gjurmë këmbësh që kishin parë në murin e jashtëm. Shkova i pashë dhe ato më çonin një kat më lart asaj shtesës me dru që është bërë, fiks në shtëpinë e profesorit nga Kosova, Adem Demaçi. 
Vonove të njoftosh policinë? 
- Njoftova pa humbur as minutën, pasi e dija që edhe vetë Demaçi nuk gjendet këtu, ka ca javë që ka ikur në Kosovë. 
Apartamenti gjendet në katin e tretë? 
- Ja, ky këtu, është porta me numër 5. Nga brenda duket si kat i dytë, por nga poshtë i bie i treti, pasi garazhi nuk llogaritet në kate. 
E kanë pasur të vështirë të ngjiten nga jashtë hajdutët? 
- Lartësia është goxha, por ata i ka ndihmuar terreni dhe një papafingo prej druri që ka bërë ai që banon një kat nën të. 
Çfarë kanë marrë? 
Nuk mund të themi dot gjë, as unë, as ata të hetimit, pasi atë e di i zoti. Por shtëpia është kthyer e tëra përmbys. Duket që janë marrë pajisje elektroshtëpiake, mallra e sende të tjera… Shyqyr, hajdutët nuk kanë prekur bibliotekën e rrallë të profesorit… 
Në mes të ditës... dhe nuk i ka parë njeri grabitësit? 
Çudi vërtet. Pallati gjendet prapa Turizmit, në qendër. Por hajdutët këtu tek ne kanë lehtësira. 
Pse kanë lehtësira? 
Po ja, në 8 kate pallat me 50 hyrje, vetëm 5 banohen në mënyrë të përhershme. Përditë vidhet në qytet e autorët mbeten anonimë… 
Ku janë pronarët e tjerë? 
- Të shumtët në Tiranë e Durrës, se i kanë blerë si për plazh hyrjet. Të tjerë në emigracion, në Greqi e Itali. Po ka edhe si Ademi që rri 2-3 muaj këtu, ikën në Kosovë e kthehet prapë.
 

Adem Demaçi banon në Sarandë që nga viti 2006

SARANDE - "Saranda është një ambient edhe miqësor, edhe klimatik, që më përshtatet më shumë se pika të tjera të hapësirës shqiptare. Prandaj erdha dhe u vendosa për të banuar këtu". Kështu ka pohuar profesor Demaçi, që prej 4 vitesh, përkatësisht nga vera e vitit 2006, banon familjarisht në qytetin e Sarandës. Për periudha të ndryshme kohe, për probleme pune, ai largohet në hapësirat shqiptare, por rikthehet përsëri në banesën e tij në qytetin jugor të Shqipërisë. Demaçi në këtë qytet është ndjerë i qetë dhe i nxitur për të shkruar edhe romanin e tij "Dashuria kuantike e Dardhës", protagonist i të cilit është vetë ai. Këto ditë, njeriu që bëri 28 vite burg për lirinë e Kosovës, nuk ndodhej në Sarandë, pasi ishte larguar për disa javë në Kosovë për probleme pune. Ndërsa dje, telefoni i tij ishte i mbyllur. she.ko.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora