E diele, 28.04.2024, 08:26 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Vizat, fluks kosovarësh për pasaporta shqiptare

E merkure, 17.11.2010, 10:34 PM


Nga Alban Daci, Shekulli

 

Ministri kosovar Besim Beqaj: Pritet fluks për të marrë ose blerë fshehtas pasaportën shqiptare. Kështu ndodhi edhe kur u liberalizuan vizat për Serbinë

 

Zyrtarë të qeverisë së Kosovës nuk kanë përjashtuar mundësinë që një numër i kosovarëve të synojnë pajisjen me pasaporta shqiptare, pas hyrjes së Shqipërisë në zonën Shëngen, - njoftoi dje BBC

 

Siç ka bërë të ditur ambasada shqiptare në Prishtinë, janë tetë kritere që duhet të plotësohen për të marrë pasaportë të Shqipërisë për një huaj, duke përfshirë edhe qëndrimin rezident prej 5 vjetësh, respektivisht 3 vjetësh për qytetarët e Kosovës.

 

Ministri në dorëheqje i Integrimit Europian, Besim Beqaj thotë se historia ka treguar që pas liberalizimit të vizave me Serbinë, disa shqiptarë të Kosovës janë pajisur me pasaporta serbe dhe e njëjta tani mund të ndodhë edhe me Shqipërinë.

 

"Ka qenë një fshehtësi publike, nëse mund ta quaj kështu, që qytetarët tonë kanë mundur të shkojnë në Serbi dhe të blejnë pasaporta biometrike", - thotë ai.

 

Sipas ministrit Beqaj, ka pasur disa raste kur qytetarët e Kosovës kanë shkuar në Serbi dhe kanë bërë regjistrim fiktiv, duke marrë pasaporta serbe për të përfunduar kështu në vende të ndryshme të Bashkimit Europian.

 

"Kjo ka treguar se çdo bllokim që bëhet, krijon mundësi që ata të gjejnë rrugë alternative dhe ky është argumenti që ne përdorim çdo ditë", - tha ministri Beqaj.

 

Pak ditë më parë, Komisionerja e Bashkimit Europian për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom, i ka tërhequr vërejtjen Serbisë dhe Maqedonisë për "keqpërdorimin e liberalizimit të vizave", duke përmendur edhe mundësinë e rishikimit të këtij procesi.

 

Pas vendimit të fundit për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën, Kosova ka mbetur vendi i vetëm, qytetarët e së cilës nuk do të mund të udhëtojnë në zonën Shëngen pa viza.

 

Komisioni Europian ka paralajmëruar fillimin e shpejtë të dialogut me Kosovën për procesin e liberalizimit, duke e kushtëzuar atë me riintegrimin e të zhvendosurve.

 

Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, në një intervistë për "BBC-në" nuk ka sqaruar kur pritet saktësisht të fillojë ky dialog, por ka lënë të kuptohet se është çështje javësh e jo muajsh. "Shumë shpejt do të thotë shumë shpejt", - është shprehur ai.

 

Ambasadori Lauka: Nuk mund të ndodhë lehtë

 

Në mesin e dhjetorit, shqiptarët e pajisur me pasaportën biometrike pritet të lëvizin pa viza në zonën Shengen. Por Kosova, nuk mund të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave. Disa burime njëherazi konfirmojnë se pasi Shqipëria mori liberalizimin e vizave, shumë kosovarë po kërkojnë pranë Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, nënshtetësinë shqiptare, si shans për të lëvizur edhe ata të lirë në zonën Shengen.

 

Megjithatë, pasaportën shqiptare nuk mund ta marrin të gjithë ata që aplikojnë për ta marrë, sepse ka disa kritere. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, tha se legjislacioni në fuqi njeh të drejtën e nënshtetësisë për të huajt, por, ky fakt, nuk do të thotë se të gjithë mund ta kenë atë. Kjo ndodh për shkak se për këtë duhet të plotësuar një varg kriteresh.

 

Ambasadori Lauka, thotë: "Të paktën tetë dokumente, apo kritere janë që duhet të plotësohen.

 

Është shumë e rëndësishme që të sigurohet dokumenti për qëndrim rezident për të gjithë shtetasit e huaj minimumi 5 vjet. Për shtetasit kosovarë kjo periudhë qëndrimi është 3 vjet. Edhe ky afat 3-vjeçar favorizon ata që janë të martuar me shtetas të Shqipërisë, të cilët kanë qëndrim njëvjeçar të dokumentuar nga Ministria e Brendshme të Shqipërisë".

 

Përveç këtyre kritereve, aplikanti paraprakisht duhet t'i drejtohet me kërkesë Presidentit të Shqipërisë, ku duhet të paraqesë arsyet e aplikimit. Dëshmia e pronësisë së banesës në Shqipëri është e domosdoshme e po kështu edhe dëshmia e penalitetit nga Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë, si dhe nga shteti që vjen.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora