E hene, 29.04.2024, 07:12 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Besimtarët myslimanë kremtojnë Kurban Bajramin në xhaminë e pushtuesit Sulltan Mehmeti

E merkure, 17.11.2010, 09:07 PM


Besimtarët myslimanë kremtojnë Kurban Bajramin

 

Nga Express, 16 nëntor 2010

 

Besimtarët myslimanë në gjithë territorin e Kosovës kanë nisur kremtimet për festën e Kurban Bajramit. Manifestimi qendror i faljes së Kurban Bajramit është mbajtur në Prishtinë në Xhaminë e Madhe, me ç’rast besimtarëve islam u është drejtuar myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ku dha porosinë që me rastin e kësaj feste të frymëzohemi për punë të mira.

 

Manifestimi qendror kushtuar festës së Kurban Bajramit, i njohur ndryshe si Bajrami i Vogël, është mbajtur në Xhaminë e Madhe “Sulltan Mehmet Fatih” në Prishtinë. Namazi i Bajramit është falur në ora 07.09.

 

Në fjalën e hydbes, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava tha se në këtë ditë feste, njeriu është më afër Zotit, ngase mbretëron një atmosferë vëllazërore dhe besimtarët shprehin falënderimin ndaj krijuesit fuqi-plotë.

 

“Festa e Kurban Bajramit përmban këshilla e porosi, të cilat e ndihmojnë besimtarin për organizimin e jetës në këtë botë, në përputhje me porositë kuranore, ngase jeta e njeriut duhet të përmbajë në vete vlerat më sublime”, tha Tërnava.

 

Ai po ashtu foli për rëndësinë e kryerjes së haxhit, një prej shtyllave të islamit që u është bërë obligim të gjithë besimtarëve që kanë mundësi ta kryejnë dhe prerjes së kurbanit në mënyrë që Zoti të jetë i kënaqur me veprat tona.

 

“Allahu Xheleshanehu thotë ‘vizita e Qabesë është detyrim, për atë që ka mundësi’,” tha Tërnava dhe shtoi se Qabeja është vendtakim ku shfaqet mëshira e pafund e Allahut.

 

“Duke bërë tavap Qabenë, zemrat tona begatohen me dritën e besimit dhe nëpërmjet këtij ibadeti, gjemë edhe kënaqësinë shpirtërore, duke treguar respektin dhe dashurinë, ndaj krijuesit dhe urdhrave të tij”, tha myftiu Tërnava.

 

Tërnava po ashtu tha se në mesin e shumë haxhinjëve që kanë shkuar në Qabe nga e gjithë bota, janë edhe haxhinjët nga Kosova, të cilët tani kanë filluar të zbresin nga Mali i Arafait dhe u lutë që Allahu t’ua pranon lutjet atyre dhe t’ua fal mëkatet.

 

Tërnava theksoi se Allahu përmes Kuranit na ka udhëzuar që ta shtrim dorën e ndihmës ndaj atyre që kanë nevojë, ndaj jetimëve e skamnorëve, nëse duam që mëshira e Allahut të jetë mbi ne dhe familjet tona.

 

“Feja e pastër bëhet themel i vëllazërisë së fort, i bashkon ithtarët e vet, në të gjitha anët e botës, formon një unitet me themele të forta dhe me mure të larta, të cilit nuk mund t’i bëjnë asgjë shtrëngatat e luftërat”, tha Tërnava.

 

Ai kujtoi se kush i ndihmon vëllait të vet, Allahu do t’i ndihmojë atij, kush ia largon besimtarit një brengë, Allahu do t’ia largojë atij një nga brengat, në ditën e gjykimit.

 

Ai pohoi se prej të drejtës së vëllazërisë, është që myslimani të ndjejë se vëllazëritë e tij i japin atij mbështetje, në gëzim dhe skamje dhe se fuqia e tij nuk mund të lëvizë në jetën e mëvetësishme, por fuqitë e besimtarëve e mbështetin dhe e ndihmojnë.

 

“Vëllazëria fetare urdhëron solidaritetin në mes myslimanëve, e jo mbështetje e fanatizma të verbër. Ajo thërret për përkrahje të besimtarëve reformues, për realizimin e të vërtetës dhe shkatërrimin e të pavërtetës, për pengimin e keqbërësit dhe ndihmën e atij që i është bërë e padrejtë”, vlerësoi myftiu Tërnava.

 

Rreth 2 miliardë besimtarë myslimanë në të gjithë botën, sot festojnë Kurban Bajramin. Presidenti amerikan dhe bashkëshortja e tij uruan myslimanët për festën e Kurban Bajramit, e cila përkon me fundin e pelegrinazhit vjetor në Mekë.

 

Këtë vit në haxh morën pjesë rreth 3 milionë besimtarë.



(Vota: 11 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora