E diele, 28.04.2024, 07:45 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Gani Geci: Shyqyr që s`e pata alltinë

E enjte, 11.11.2010, 10:58 PM


Shyqyr që s`e pata alltinë

 

Për të dhënë më shumë sqarime rreth incidentit në Klan Kosova, Gani Geci ka organizuar një konferencë për media. Përveçse nuk ka kërkuar falje publike, ai ka uruar që nuk e ka pasur revolen me vete gjatë konfliktit verbal, duke lënë të kuptohet se kishte mundur të ndodhë edhe ndonjë gjë e keqe.

 

Nga Lirita Halili, Express

 

Një natë pasi ka tentuar të futet dhunshëm në Klan Kosova, Gani Geci, anëtar i partisë së Lidhjes Demokratike të Dardanisë, ka vendosur të sqarojë në detaje këtë rast, përmes një konference për media, të mbajtur në selinë e partisë.

 

Duke e kujtuar në mënyrë të hollësishme natën e kaluar, dhe duke thënë i bindur se nuk është ai që ka hyrë dhunshëm në Klan Kosovë, Geci është lutur që nuk e ka pasur revolen me vete, duke lënë të kuptohet se kishte mundur të ndodhë edhe ndonjë gjë me e keqe.

 

“Me kërkesë të partisë sime, unë jam caktuar që të marr pjesë në debatin e Baton Haxhiut, në televizionin Klan. Ai na ka bërë ftesë për pjesëmarrje në debat, e më pastaj edhe na ka refuzuar”, ka sqaruar Geci.

 

Si i ftuar për debat, Geci kishte shkuar në bufenë e televizionit para se të fillonte emisioni. E gjithë ngjarja kishte filluar aty. “Në atë moment erdhi Batoni dhe unë fillova të bisedoj me të për disa të holla që i kisha borxh atij për reklamat e mia, për fushatë në atë televizion. Sepse ai ka kërkuar që të hollat t’i jap më herët”, sqaron ai.

 

Por, sipas Gecit, në kohën kur ai po merrej vesh për borxhin ndaj Batonit, ky i fundit i kishte thënë se partia e tij, LDD, është e përjashtuar nga debatet për shkak se Lulëzim Zeneli në emisionin e mëparshëm është vonuar për pesë minuta.

 

“Kemi dalë jashtë dhe i kam thënë se do t’i njoftoj edhe mediat për këtë vendim, kurse ai më kapi për krahu, një gjë të cilën Batoni nuk guxon kurrë ta bëjë”, vlerëson Geci, për të cilin, ata që kanë qenë bashkëpunëtorë të Stanishiqit, nuk mund ta kapin atë për krahu.

 

“Nuk jam unë ai që po e akuzoj Batonin si bashkëpunëtor të Stanishiqit, sepse nuk kam as të drejtë. Por, kemi pa edhe gjatë seancave të Millosheviçit në Hagë, kur ky i fundit vetë i ka thënë si bashkëpunëtor i Stanishiqit”, tha Geci, sipas të cilit, një ditë do të dalin edhe ato letra ku thuhet se kush ka qenë bashkëpunëtor i Serbisë.

 

Sidoqoftë, pas largimit, ai ka vazhduar të këmbëngulë për pjesëmarrjen e tij në debat.

“Vazhdimisht kam tentuar të rri dhe kam kërkuar nga Batoni të më japë një sqarim konkret për përjashtimin e partisë sonë nga debati”, sqaron deputeti Geci.

 

Ai thotë se përveç konfliktit verbal, nuk ka pasur asnjë lloj konflikti tjetër mes tyre. E përveç kësaj deklarate, Geci mohon edhe informacionin e dhënë nga mediat, të ketë pasur armë me vete. “Nuk është e vërtetë se kam pasur armë me vete, e kam pasur në makinë. Dhe shyqyr zotit që nuk e kam pasur, sepse Batoni është sjellë jokorrekt me mua”, tha i bindur Geci.

 

Gjatë kohës kur Geci e Haxhiu po ziheshin në mënyrë verbale, në vendin e ngjarjes kishte arritur edhe policia. I kontaktuar nga Expressi, Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, thotë se me të marrë informacionin se një person ka ushtruar dhunë ndaj një gazetari të një televizioni kosovar, policia ka dalë në vendin e ngjarjes.

“Të martën, gjatë orës 8 e 40 minuta, në mbrëmje, Policia e Kosovës ka marrë një informacion për një konflikt verbal mes dy personave dhe menjëherë i është përgjigjur rastit”, thotë Kelani për Express. “Në raportin e policisë, rasti është cilësuar si kanosje, i cili tash është në procedurë, derisa të merret ndonjë vendim nga prokurori”, vlerëson zëdhënësi Kelani.

 

E, për atë se çfarë ndodhi mbrëmjen e së martës, Geci tha se nuk është marrë në pyetje nga policia, pasi që sipas tij, nuk ka bërë asgjë të veçantë. Megjithatë, edhe pas thirrjes së AGPK-së që Gani Geci të kërkojë falje publike, ai nuk e ka ndërmend ta bëjë një gjë të tillë.

 

Do të pendohet vetëm atëherë kur edhe Batoni do ta bëjë një gjë të tillë. Jam i gatshëm që gazetarëve t’ju kërkoj falje për atë se çfarë ka ndodhur, por Baton Haxhiut kurrë”, u shpreh i bindur anëtari i LDD-së, Gani Geci.

 

Reagim

 

Lëvizja qytetare ZGJOHU! dënon ashpër dhunën e shfaqur në hapësirat e TV Klan Kosova si rezultat i ndërhyrjes së vrazhdë të ish-deputetit Gani Geci në studion e televizionit të lartpërmendur gjatë realizimit të emisionit Zona e Debatit. ZGJOHU! gjykon që autoritetet në Kosovë duhet të përkujdesën për mbrojtje institucionale të gazetarëve dhe mediave si dhe të dënojnë çdo ndërhyrje ndaj mediave në vend. Gjithashtu, subjekti politik LDD duhet të prononcohet në lidhje me këtë ngjarje dhe në rast se konstatohet dhuna e z. Geci, ta dënojë dhe të distancohet nga aktet e pamatura të një zyrtari të lartë të kësaj partie.

 

Reagim

 

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) ka pranuar me shqetësim lajmin për incidentin e shkaktuar nga ish-deputeti Gani Geci në studiot e televizionit Klan Kosova dhe pengimin në realizimin e emisionit Zona e Debatit. AGPK-ja dënon ashpër këtë rast dhe i konsideron veprimet e tilla si ndërhyrje dhe pengesë flagrante në punën e mediave dhe gazetarëve. Rasti bëhet edhe më i rëndë pasi që ka për protagonist një ish-deputet. AGPK-ja kërkon nga organet kompetente që ta zbardhin sa më shpejt këtë rast, kurse nga Geci kërkon që ta sqarojë rastin. Ndërkaq nga subjekti politik të cilit Geci i takon - Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD), AGPK-ja kërkon që të marrë masa ndaj zyrtarit të lartë të saj.

 

 

Geci: Shyqyr që s'e kisha revolen në Klan

 

Nga Express, 10 nëntor 2010

 

(E plotësuar) Gani Geci nuk ka kërkuar falje për ndërhyrjen që ka bërë mbrëmë në televizionin Klan Kosova, me ç’rast ka penguar drejtorin e televizionit ta realizojë emisionin e tij - Zona e Debatit.

 

Geci thirri sot një konferencë për shtyp, por aty tha se pret që Baton Haxhiu t’i kërkojë falje atij, pasi siç tha Geci, drejtori i Klan Kosovës, e ka ftuar në emision atë, por më pas e ka refuzuar.

 

Ai pranoi se ka dashur që të hyjë me dhunë në emision, por nuk është lejuar nga drejtori i emisionit.

 

Me sjelljen e tij, Geci tha se ka mundur të sjellë shqetësim për punëtorët e Klanit, por tha se nuk do të kërkoj falje.

 

Ish-deputeti i LDD-së mohoi të ketë pasur armë me vete, por u shpreh i lumtur që nuk e kishte me vete, pasi epilogu i kësaj, ngjarje siç tha ai, nuk do të dihej.

 

Për atë që ndodhi mbrëmë, Geci tha se nuk është marrë në pyetje nga policia, pasi që sipas tij, nuk ka bërë asgjë të veçantë.

 

UGK e dënon sulmin e Gani Gecit

 

Edhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), e ka dënuar ashpër sjelljen jokorrekte dhe kërcënimin ndaj drejtorit të përgjithshëm të TV Klan Kosovës, Baton Haxhiu, nga ana e deputetit dhe përfaqësuesit të LDD-së, Gani Geci.

 

Sulmi në vendin e punës ndaj Haxhiut, UGK e konsideron si të pa pranueshëm dhe si cenim të drejtpërdrejtë të lirisë dhe punës së gazetarëve dhe se aktet e tilla janë të pa pranueshme, dhe goditje e rëndë në profesionin e gazetarëve.

 

“Aktet e tilla janë të pa pranueshme dhe goditje e rëndë në profesionin e gazetarëve. Këto veprimet janë një mesazh dhe porosi e qartë se në çfarë gjendje të rëndë është vënë puna e gazetarëve, dhe një dëshmi e gjallë e degradimit të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medieve”, thuhet në njoftim të UGK-së.

 

UGK, i bënë thirrje Gani Gecit, që të kërkoj falje publike për gjestin dhe sjelljen e treguar ndaj drejtorit të përgjithshëm të TV Klan Kosovës, Baton Haxhiu.

 

Po ashtu, UGK i ka bërë thirrje edhe Policisë së Kosovës (PK), që të jenë më vigjilente në mbrojtje të gazetarëve dhe të medieve, sidomos në këtë kohë kur edhe pritet që të fillojë fushata zgjedhore.



(Vota: 2 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora