E marte, 30.04.2024, 07:30 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Vëllezërit Hashimi e Recep-i i luten allahut

E premte, 05.11.2010, 10:58 PM


Luten bashkë

 

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayip Erdogan ekzaltoi mikpritësit gjatë vizitës në Kosovë. Mikpritja u manifestua me brohoritje, çmime dhe fjalë të mëdha për liderin turk. Karizma e Erdoganit preku edhe Kryeministrin Thaçi, i cili përveç që foli turqisht, në përurimin e një xhamie në kryeqytet, ngriti duart për t’u lutur pak.

 

Nga Shpend Limoni, Express

 

Për dy ditë sa ka qëndruar në Kosovë, Recep Tayip Erdogan ka arritur të ekzaltojë kosovarët.

 

Kësaj ndjenje nuk i shpëtuan as liderët e vendit. Për Kryeministrin turk, nuk u kursyen as fjalët e mëdha, e as çmimet.

 

Udhëhqësitë kosovarë si mikpritës të vërtetë e përcollën në çdo hap, e masat nuk hezituan t’i brohorisnin.

 

Karizma e liderit turk nuk e la pa e prekur as Kryeministrin në largim Hashim Thaçin.

 

Ai e quajti vëlla, Kryeministrin turk, e për nder të tij u mundua të flasë edhe nga pak turqisht.

 

Por Erdoganit, të enjten i shkoi për dore të bëjë diçka që nuk ka arritur të bëjë askush në Kosovë.

 

Thaçi bashkë me liderin turk ka ngritur duart për të bërë një lutje në një xhami që u përurua të premten në kryeqytet.

 

Udhëheqësit politikë në vend gjithmonë janë kujdesur që të mos ekspozohen në evenimente që kanë karakter fetar.

 

Publikisht në Kosovë lutje nuk ka bërë asnjë udhëheqës shtetëror.

Për këtë është shquar sidomos Thaçi.

 

Lidhja e vetme e kreut të PDK’së me fenë, publikisht, janë urimet për festa që iu dërgohen komuniteteve fetare në vend.

 

Por turma e madhe e “xhematit” dhe lutja e Myftiut Naim Tërrnava kanë nxitur edhe Thaçin për t’u lutur pak.

 

Me këtë rast, edhe Thaçi dhe Erdogan kanë folur për të kaluarën dhe për dy “popujt” vëllezër.

 

Erdogan edhe gjatë vizitës në Prizren nuk e ka fshehur dedikimin fetar.

 

Derisa myezinët në xhamitë e qytetit me trashëgiminë më të madhe kulturore nga koha otomane kanë “thirrur” ezanin, Erdogan ka pushuar së foluri.

 

Thaçi po ashtu ka ndjekur këtë “shfaqje” të mysafirit të tij.

Lideri turk ka vizituar edhe Tyrben e Sulltan Muratit në Mazgit.

Sido që të jetë, Erdogan gjatë së enjtes mund të ketë kaluar momente të mira në Kosovë.

Kujdesi për të nuk ka munguar as në ditën e dytë të vizitës.

 

Ai është quajtur hero modern i Kosovës, ndërsa ka marrë titull nderi nga Universiteti i Prishtinës.

 

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi i ka bërë atij dhuratën më të madhe që e ndan vendi, duke e dekoruar atë me Medaljen e Artë të Pavarësisë, e cila u jepet qytetarëve të Kosovës dhe të huajve, që kanë kontribuar për Pavarësinë e Kosovës.

 

Turqia është një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

E, Erdogan, siç dihet, edhe ka lobuar për njohjen e pavarësisë.

 

Kryeministri turk nuk ka lënë pa bërë deklarata të forta në favor të Kosovës.

Ai i ka quajtur të papranueshme dhe të dëmshme për paqen dhe stabilitetin në rajon, idetë për ndryshimin e kufijve në Ballkan.

 

Kur ka shprehur këtë qëndrim, ai ka përmendur një fjalë të urtë turke.

 

“Ne e kemi një fjalë të urtë në Turqi, që e përdorim ‘Nuk mund t’i veshësh mbathje një fëmije të palindur’. Nuk kemi ende diçka të tillë, por kur të arrijë diçka, ne do të vendosim dhe do ta paraqesim sipërmarrjen tonë dhe atëherë do ta kemi edhe qëndrimin tonë. Por ju them se nuk është e hajrit asnjë ide që cenon paqen dhe stabilitetin në rajon dhe nëse do të hidhej një ide e tillë, do ta cenonte paqen e Kosovës dhe të vendeve të rajonit”, ka thënë ai

 

Ndërsa Jakup Krasniqi i ka përmendur të gjitha të mirat që ia ka bërë Turqia vendit që prej se e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

 

Erdogan ka rikonfirmuar gatishmërinë e vendit të tij për të bashkëpunuar mes dy vendeve dhe për t’i ndihmuar Kosovës.

 

“Jemi duke zhvilluar një vizitë me takime intensive në Kosovë. U takuam me Kryeministrin Thaçi. Si në takimin kokë më kokë, ashtu edhe në takimin e delegacioneve, biseduam për bashkëpunimin dhe patëm rastin të diskutojmë shumë tema nga fusha ushtarake, ekonomike, sociale, kulturore dhe historike. Diskutuam se çfarë mund të bëjnë dhe çfarë mund të realizojnë në rajon Turqia dhe Kosova, si dy vende mike dhe vëllazërore”, ka thënë kryeministri i Turqisë, Recep Tayip Erdogan.



(Vota: 10 . Mesatare: 1.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora