E marte, 30.04.2024, 01:58 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Greqi, mes bombëvënësve, edhe Damiano Bollano

E enjte, 04.11.2010, 10:53 PM


Nga Aleksandër Arra, Shekulli

 

Pakot-bombë kanë kthyer në qendër të vëmendjes grupin terrorist "Bërthama e zjarrit" ku merr pjesë edhe një shqiptar

 

Pakot-bombë që kanë tronditur Greqinë dhe Evropën kanë vënë sërish në qendër të vëmendjes grupin "Bërthama e zjarrit" (Pyrina tis fotias), i akuzuar për akte terroriste rreth një vit e gjysmë më parë. Hetimet për këtë grup u ndërprenë shumë shpejt, ndërsa në kërkim u shpallën pesë vetë, mes të cilëve shqiptari Damiano Bollano nga Himara.

 

Policia greke në njoftimin e saj bën të ditur se ka qenë pikërisht 29-vjeçari Bollano i cili së bashku me Mihal Nikolopulon kanë sjellë armë nga Shqipëria në Greqi. Ndërkohë dy ditë më parë në pranga përfunduan dy vetë, njëri prej të cilëve dyshohet se është pikërisht pjesë e grupit terrorist përgjegjës edhe për shpërthime të tjera gjatë dy viteve të fundit.

 

Burime nga policia e Vlorës bënë të ditur se Damiano Bollano është shpallur në kërkim prej më se dy vjetësh për llogari të shtetit grek. Nga informacionet që zotëron policia shqiptare, Bollano nuk kishte të afërm në Himarë, veçse dikë nga njerëzit e gruas. Personi është kërkuar edhe në Tepelenë, pasi ka pasur të ëmën nga kjo zonë dhe kishte aty shumë lidhje familjare.

 

Shpallja në kërkim e tij është bërë për terrorizëm. Nga personat e pyetur nga policia shqiptare rezulton se që prej kohës kur u shpall në kërkim nga policia greke, Damiano Bollano nuk është dukur më në Himarë, pavarësisht se më parë vinte aty rregullisht, dhe se në Shqipëri nuk ka asnjë gjurmë të tij.

 

Ndërkohë në Athinë, mëngjesin e djeshëm "zgjimi" i është bërë ambasadës argjentinase, ndërkohë që organet policore kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë rrethimin e ambasadës dhe bllokimin e rrugëve në afërsi të saj. Policia bëri të ditur se që në mëngjes ka pasur telefonata për vënie bombash në gjykatën e Athinës, si dhe në institucione shtetërore ku ka grumbullime të mëdha njerëzish.

 

Porosi e veçantë u është dhënë forcave policore kufitare, nga aeroportet, limanet, pikat kufitare tokësore me Shqipërinë, Turqinë, Maqedoninë e Bullgarinë.

Parallel me ngjarjet e fundit qeveria greke duhet të sigurojë patjetër nga FMN-ja një shumë prej 12 miliard eurosh për të përballuar deri në fund të vitit pagat e punëtorëve në sektorin shëndetësor, si dhe pensionistët.

 

Emrat dhe fotot e shpallura nga policia greke për anëtarët e grupit "Bërthama e zjarrit". Mes tyre edhe shqiptari Damiano Bollano. Të kërkuarit:

 

Georgios Nikolopulos

Mihail Nikolopulos

Damiano Bollano

Georgios Karajanidhis

Aleksandros Mitrusis

 

Ndalohen transfertat ajrore

 

Greqia ka ndaluar të gjitha dërgesat ajrore jashtë vendit pas zbulimit të tre pakove bombë të adresuara krerëve evropianë. Në shënjestër ishin kryeministri italian Silvio Berluskoni, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nikolas Sarkozi. Merkel apeloi të mërkurën për një koordinim ndërkombëtar më të mirë lidhur me sigurinë ajrore.

 

Pakot-bombë të nisura nga Greqia duket se janë vepër e një grupi pakosh-bombë që gjithashtu kanë pasur në shënjestër tetë ambasada në Athinë dhe institucionet e BE-së. tre prej tyre shpërthyen duke plagosur lehtë një person. Pjesa tjetër, përfshi edhe ato që i adresoheshin krerëve evropianë, u zbuluan. Pakoja bombë e dërguar për Berluskonin nga Greqia u shpërthye në aeroportin e Bolonjës, ndërsa nuk u raportua asnjë lëndim.

 

Autoritetet gjermane gjetën pakon në zyrën e dërgesave për Merkelin të martën. Kancelarja në atë kohë ishte jashtë shtetit. Ambasada bullgare, ruse, gjermane, zviceriane, meksikane, kiliane dhe holandeze ishin gjithashtu nën shënjestër në athinë. Asnjë nga shpërthimet nuk shkaktoi dëme serioze.  



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora