Shtesë » Lajme
Arrestohen 2 ish-truproja të Ramush Haradinajt, i treti në kërkim
E diele, 31.10.2010, 05:53 PM
Pesë persona të dyshuar për vepra të ndryshme kriminale janë arrestuar gjatë dy javëve të fundit në Deçan dhe Pejë nga Policia e Kosovës. Sipas burimeve të gazetës Koha Ditore, dy nga personat e arrestuar janë ish truproja të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa i treti, Bedri Krasniqi, po ashtu ish truprojë e Haradinajt, që për disa vite kërkohet nga policia pas arratisjes nga burgu.
Ai nuk është arrestuar ende, por tashmë është lokalizuar vendodhja e tij.
“Është arrestuar Ilmi Lufaj, bashkëpuntor i ngushtë i Avdyl Mushkolajt, Gazmend Sylaj, djali i dajës i Lah Brahimajt, i cili është kërkuar edhe nga Interpoli, Ahmet Neziri, polic, Faik Lulaj, bashkëpunëtor i ngushtë i tyre dhe Atdhe Beka”, mëson gazeta, ku Atdhe Beka konsiderohet më i rrezikshmi.
Që të gjithë këta kanë qenë luftëtarë të UÇK-së dhe kanë funksionuar në një “brigadë” është shprehur burimi. Veprimtaria e grupit të Dukagjinit ka të bëjë me shumë vepra të rënda kriminale si vrasje, rrëmbime, shantatzhe, haraç e sulme fizike.
Vëllau i Ramushit, Daut Haradinaj, ka thënë se nuk është në dijeni për veprimtarinë e ish truprojave por ka kërkuar që “secili të përgjigjet për veprat e bëra dhe se janë të barabarë para ligjit”.
Rrjeti është zbuluar gjatë hetimeve për zhdukjen e biznesmenit Azem Morina, pronar i kompanisë “Gllareva. “Truprojat nuk e di a kanë qenë aktive ende, por kanë qenë truproja të Ramushit. Nuk janë arrestuar pse kanë qenë truproja, por rasti ynë ka pasur të bëjë shumë me kidnapime, bëhet fjalë edhe për kidnapimin e fundit”, ka thënë burimi.