E diele, 28.04.2024, 05:07 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Naum Disho u pyet për rolin në skandalin e Boboshticës. Nën hetim, edhe një firmë ndërtim

E diele, 07.11.2010, 06:27 PM


Juliana Dhimitri

 

Naum Disho u pyet për rolin në skandalin e Boboshticës. Nën hetim, edhe një firmë ndërtimi

Kryetari i degës së “Omonia”-s në Korçë, Naum Disho, është thirrur dje në prokurori për t’u pyetur në lidhje me dhunimin varreve të vjetra të fshatit Boboshticë.

Edhe pse prokuroria ka qenë e rezervuar për të thënë emra të zyrtarëve të “Omonia”-s, të cilët janë marrë në pyetje për çështjen, burime të sigurta konfirmuan se kryetari i degës, Naum Disho, ka shkuar dje në prokurori për të dhënë versionin e tij të ngjarjes. Mësohet gjithashtu se në hetim është përfshirë edhe një firmë ndërtimi, e kontraktuar nga organizata e minoritetit grek për të bërë punime me beton dhe për të hapur territorin e varrezave me gërmime.
Hetimet e Prokurorisë së Korçës për skandalin e Boboshticës kanë vijuar dje edhe me marrjen në pyetje të banorëve të zonës dhe muratorëve që kanë marrë pjesë në punimet për betonimin e bazamentit të një kryqi mbi varre dhe shtrimin e një rrugice të betontë mes përmes varrezës së vjetër.
Nga dëshmitë e deritanishme është saktësuar se personi që ka hedhur kazmën e parë në varrezë ka qenë Alqi Koroveshi. Ai ka nisur gërmimet në vendin ku më pas do të kalonte rrugica e betontë dhe është parë nga roja e kishës, i cili është përpjekur ta ndalojë. Por 44-vjeçari nga fshati Polenë ka thënë se kishte urdhër nga “Omonia” dhe nuk ka pranuar të ndërpresë punimet. Pas kësaj, roja i kishës ka njoftuar priftin e Boboshticës, Jani Trebicka, i cili ka kërcënuar se do të thërriste policinë nëse punimet në varrezë nuk ndaleshin.
Për tri ditë, askush nuk punoi në varreza. Por pas tri ditësh, Koroveshi me disa punëtorë të tjerë u shfaqën prapë në kodrën e varreve të vjetra, kësaj radhe të shoqëruar nga njerëz të “Omonia”-s. Nuk konfirmohet nëse organizata e minoritetit kishte mundur të bindte priftin Trebicka, por punimet filluan përsëri, madje me intensitet të lartë. Kjo ndodhi rreth tri javë para festës greke të 28 tetorit, kur në varrezë shkuan shumë punëtorë, mjete të tonazhit të rëndë dhe, siç deklarojnë dëshmitarët, edhe gra për të bërë pastrimin e varrezës.
Aty u punua intensivisht që varreza të ishte gati për festën me shkallët e betonit dhe bazamentin që grekët të mos shkelnin mbi varre.
Nga dëshmitë e banorëve rezulton se është punuar mbi varrezë, duke dhunuar vendin ku kanë qenë të varrosur të parët. Madje, banorët thonë se eshtrat u shfaqën në sipërfaqe që në ditët e para të punimeve, ndaj dhe pati debate. Por me ndërhyrjen e “Omonia”-s, punëtorët nuk i shqetësoi më askush deri sa përfunduan punën për të cilën ishin paguar dhe u siguruan grekëve një ceremoni komode në memorialin e ushtarit të tyre të vrarë 70 vjet të shkuara.
----------------------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Idrizi: Do të kthehemi në Çamëri, Greqia do të na kërkojë falje

06/11/2010

Çështja çame

“Do të kthehemi në Çamëri, do të përmbushim amanetin e të parëve”. Kështu ka deklaruar dje në Elbasan, deputeti Shpëtim Idrizi, kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Unitet (PDU). Ndërkohë, Tahir Muhedini, kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, ka kërkuar nga Durrësi bashkimin e faktorit politik çam, për të realizuar aspiratat e përbashkëta.

Idrizi: Kthim në trojet tona

Shpëtim Idrizi dhe deputeti tjetër i PDU, Dashamir Tahiri, morën pjesë dje në një tubim në Elbasan, me rastin e njëvjetorit të krijimit të partisë së tyre. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë tubim, Shpëtim Idrizi deklaroi se “ne do të kthehemi në Çamëri, dhe sigurisht ne do t’i fitojmë të drejtat tona. Europa e sotme, Amerika e sotme nuk lejojnë që ne të nëpërkëmbemi. Ne do të kërkojmë që të dënohen fajtorët për masakrën e Çamërisë, për gjenocidin që u bë ndaj kësaj popullsie. Ne do të kërkojmë që populli grek të na kërkojë falje, pasi Çamëria ka zot, ka bijtë e saj në Shqipëri. Do të bashkëpunojmë me çdo qeveri, do të imponojmë që me negociata diplomatike me Greqinë të flasin për çështjen çame”, ka përfunduar Idrizi, duke shtuar se “ne nuk do të dalim nga Parlamenti pa bërë një rezolutë për çështjen çame”.
Kreu i PDU-së tha ndër të tjera se për zgjidhjen e çështjes çame, PDU do të bashkëpunojë ngushtë me të gjithë spektrin politik, pa dallim kahesh. Duke u ndalur te zhvillimet e fundit ku vendin kryesor e zë ngjarja në Boboshticë, Idrizi renditi edhe faktorë të tjerë që cenojnë interesat kombëtare. “Ne kemi kundërshtuar marrëveshjen e ujërave detare, marrëveshjen e varrezave të ushtarëve grekë, që ranë për një kauzë të humbur. Ne do të kundërshtojmë fort regjistrimin e popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. I kemi kërkuar klasës politike shqiptare që të mos cenohet dinjiteti i shqiptarëve, si në rastin dhunimit të varreve të Boboshticës”, ka pohuar ai. Në fjalën e tij, Idrizi theksoi në mënyrë të veçantë se marrëdhëniet e PDU-së me komunitetin grek që jeton në Shqipëri do të jenë vëllazërore. “Ne kërkojmë marrëdhënie vëllazërore me komunitetin grek, pasi së bashku kemi ndarë të mirat dhe të këqijat, sepse ne i ndajmë minoritarët nga provokatorët e çështjes çame”, tha ai.

Muhedini: Bashkim!

Gjatë një takimi me anëtarët dhe simpatizantët e Partisë për Drejtësi dhe Integrim në Durrës, kryetari i saj, Tahir Muhedini, përcolli dhe një herë idenë e bashkimit të dy partive çame në një të vetme, duke e argumentuar këtë me forcimin e autoritetit të çështjes çame në arenën ndërkombëtare. Përfaqësimi i kësaj çështjeje me dy parti, sipas tij, e ul ndjeshëm autoritetin e çështjes, ndërsa të bashkuar në një grupim të vetëm veprimet e ndërmarra mund të kenë ndikimin e duhur. Duke bërë një ekspoze të situatës politike në vend, që ndikon në çështjen çame, Muhedini u ndal në rastin e Boboshticës. Në theksim të idesë se liria e dikujt mbaron atëherë kur cenohet liria e tjetrit, kreu i PDI-së nuk u shpreh kundër ngritjes së një memoriali, por kundër ngritjes së tij mbi varreza civile dhe nderimit të heronjve që nuk mund të jenë heronj lufte për çamët e shqiptarët. Takimi i mbajtur në pallatin e kulturës “Aleksandër Moisiu” u organizua nga dega e PDI-së në Durrës, me kryetar Indrit Hamidin. Qëllimi i tij ishte të prezantoheshin para anëtarësisë dhe simpatizantëve lëvizjet e bëra nga PDI në Shtetet e Bashkuara për lobimin në Kongresin dhe Senatin amerikan lidhur me hartimin e një rezolute për çështjen çame.
-------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Minoriteti

Nicholas Gage “braktis” “Omonia”-n dhe Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri. Në një letër drejtuar gazetës trigjuhëshe “To Opama 2000”, Gaxojanis bën me dije se mbështetja e tij dhe shpresa për përmbushjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri shkon me partinë e re të këtij komuniteti, pra, Partia Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen, ose MEGA. “Do të doja të përgëzoja themeluesit e partisë së re politike të minoritetit etnik grek. Të gjithë ne, që për shumë vite me radhë u përpoqëm në nivel ndërkombëtar për zbatimin e të drejtave themelore të minoritetit, mirëpresim themelimin e partisë me parime demokratike... Themelimi do të mbushë një boshllëk të madh. Në veçanti sot që organizatat kryesore të minoritetit kontrollohen nga një klikë e vogël që prej kohësh i shkatërroi ato, duke mos respektuar parimet bazë të demokracisë dhe duke shmangur bërjen e zgjedhjeve për kryesinë nga baza (ashtu sikurse bëjnë dy partitë e mëdha në Greqi)”, deklaron Gaxojanis në letrën e tij. Kështu “përkëdhelja” e pakufishme e tij për kreun e PBDNJ, Vangjel Dule, si njeri i angazhuar dhe me ndikim në diasporën helene po diferencohet në drejtime të tjera në Shqipëri, duke zyrtarizuar një thyerje domethënë në minoritetin grek.
---------------------------------------------------------------------------------------------------------------

“Vorioepiriotët”, protestë përpara ambasadës shqiptare në Athinë

06/11/2010

  • Greqi
Rreth 200 të rinj kanë protestuar tri ditë më para në Athinë pranë ambasadës shqiptare. Me flamuj grekë dhe duke kënduar himnin e shtetit fqinj, protestuesit kanë kërkuar hetimin dhe gjykimin e fajtorëve të akuzuar për vrasjen e Aristotel Gumës në verën e këtij viti në Himarë. Vorio Epiri ka qenë skenografia e improvizuar për këtë aktivitet, i cili është mbështetur edhe nga Partia greke e Bashkimit Popullor Ortodoks, L.A.O.S por edhe Partia e Re Republikane. Gjithashtu bëhet e ditur se solidarë të këtij tubimi ka qenë edhe një shoqatë e grekëve qipriotë. Pavarësisht se shqetësimi i ngritur në rrugë për vdekjen e Gumës, vjen nga subjekte politike radikale në Athinë, duhet thënë se ato përputhen në thelbin e vet edhe me apelin e qeverisë greke. Dënimi i fajtorëve për vdekjen e Aristotel Gumës kërkon në këtë rast përveç drejtësisë edhe qëmtimin e arsyeve që çuan në këtë ngjarje, e që sipas versioneve të adoptuara nga pala greke kanë të bëjnë me gjuhën e Gumës dhe etninë e tij. Duke kërkuar ballafaqimin në këtë sektor të marrëdhënieve të rënduara tanimë mes Shqipërisë dhe Greqisë, shërben edhe ngjarja e Boboshticës, e cila ka sjellë edhe një prononcim të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Greqisë.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora