E marte, 30.04.2024, 07:59 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Sulejman Dida: Goranët, përballë ofertave të serbëve, maqedonasve e bullgarëve

E shtune, 06.11.2010, 04:04 PM


Goranët, përballë ofertave të serbëve, maqedonasve e bullgarëve

 

Nga Sulejman Dida

 

Regjistrimi

Banorët sllavishtfolës të nëntë fshatrave të Kukësit nuk kanë ende një përcaktim të etnisë

Kërkesat e Bullgarisë për njohjen e “pakicës etnike bullgare” në vendin tonë kanë shkaktuar jo pak komente në mesin e komuniteteve joshqipfolëse, apo më saktë bilinguistike në Kukës.

Në dy dekadat e fundit, diplomatë të vendeve ballkanike dhe segmente të caktuara të politikës dhe akademive të shkencave të këtyre vendeve, duke përfituar nga rrethanat aspak të favorshme ekonomike të Shqipërisë, si dhe rrethana të tjera jo shumë komode në aspektin gjeopolitik, kanë treguar oreks në rritje për të “zbuluar” pakicat etnike në Shqipëri dhe mundësisht komunitetet me një numër sa më të madh, me shumë zero prapa.

Një nga komunitetet e synuar për t’u përfituar si pakicë janë goranët e Kukësit, të cilët banojnë në 9 fshatra të komunave Zapod dhe Shishtavec, si dhe një numër familjesh të shpërndarë në Tiranë, Durrës etj.

Në vitet ‘90 kanë qenë serbët që, përmes përpjekjesh jo gjithnjë të qarta janë munduar ta “përgatisin” si pakicë të tyre Gorën dhe goranët. Pas tyre, maqedonasit dhe së fundi, edhe bullgarët. Serbët në vitet ‘90, ndërsa mbanin Kosovën nën shtypje të pashembullt policore e ushtarake dhanë viza për goranët me synimin, siç komentohej në atë kohë, të përgatisnin një ditë shpalljen e Gorës së Kukësit si pakicë etnike të tyre.

Maqedonasit, nga ana e tyre, shkuan deri atje sa t’u premtonin jo vetëm viza goranëve, por edhe pasaporta maqedonase. Vite më parë aty nga fundi i viteve ‘90, siç u shkrua në shtypin e kohës, udhëtoi jo zyrtarisht në Gorën e Kukësit, ambasadori i Maqedonisë, për t’u dhënë banorëve premtime për benefice në këmbim të deklarimit si pakicë maqedonase.

Të fundit, por duket se me të vendosurit janë bullgarët. Edhe pse publikisht kërkesa për njohjen e goranëve si minoritet bullgar ka vetëm pak muaj që artikulohet, në terren ka vite që punohet për këtë qëllim. Madje, bullgarët duket se janë një hap para të tjerëve lidhur me sensibilitetet e krijuara. Siç pohojnë vetë goranët, në Sofje vepron një shoqatë me emrin e një poeti bullgar, një OJF me ndikim kur është fjala për të përfituar një vizë apo një pasaportë nënshtetësie të dyfishtë. (Bëhet fjalë për shoqatën “Ivan Vazov”, të themeluar dhe drejtuar nga Zerudin Dokle, vëllai i ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Namik Dokle). Aktualisht, dhjetëra goranë të pajisur me vërtetime të OJF-ve kanë bërë aplikimet për marrjen e pasaportave bullgare, ndërsa shumë të tjerë janë bërë tashmë bullgarë e rrjedhimisht “europianë”.

Deri tani, goranët, që flasin një variant të sllavishtes, kanë mbrojtur statusquonë. Shumica e tyre nuk janë treguar asnjëherë entuziastë për ofertat e ballkanasve, edhe për faktin se janë zhvendosur nga fshatrat e Gorës dhe banojnë në Kukës e qytete të tjera dhe janë integruar jo vetëm në jetën ekonomike dhe kulturore, por edhe atë politike të vendit, gjithnjë si shqiptarë dhe jo si pakicë etnike.

Diskutimi për përkatësinë etnike të goranëve, që sigurisht nuk janë me origjinë shqiptare, është ndezur së fundi për shkak të regjistrimit të popullsisë në bazë të vetëdeklarimit. Në “garë” për etninë e goranëve janë zyrtarisht Maqedonia dhe Serbia, shtete të cilave shteti shqiptar u njeh minoritete. Por edhe Bullgaria ka shanse të “konkurrojë” dhe tashmë e ka bërë një kërkesë zyrtare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora