E enjte, 01.05.2025, 11:55 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Pakti detar, jo në Hagë, duhet të rinegociohet"

E marte, 16.11.2010, 08:33 PM


Nga Tedi Blushi 

 

Oponenti kryesor i marrëveshjes antikushtetuese të përcaktimit të kufirit detar me Greqinë, Prof.Dr.Asc Myslim Pasha, në një intervistë ekskluzive të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare” argumenton pse sipas tij, është i pamundur ratifikimi i paktit detar të rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Për profesor Pashën, Tirana zyrtare duhet të refuzojë kërkesën e bërë së fundmi nga pala greke për gjetjen e mundësive për ratifikimin e këtij pakti. Ai sugjeron vetëm fillimin e negociatave për miratimin e një marrëveshjeje të re me palën greke, duke ofruar dhe rrugën që duhet ndjekur. 
Z.Pasha, Athina zyrtare, pak ditë më parë i bëri thirrje Shqipërisë për të parë mundësitë e ratifikimit të marrëveshjes së përcaktimit të kufirit detar midis dy vendeve. Në gjykimin tuaj, a ekzistojnë këto “mundësi”, për të cilat flet pala greke? Pra që pakti detar të ratifikohet ashtu siç është miratuar, pavarësisht se ka një vendim të Gjykatës Kushtetueses që e shpall atë nul... 
Athina, mesa di unë, nuk ka bërë thirrje për “mundësi”, por ka kërkuar RATIFIKIM. Kjo marrëveshje u kthye në një mosmarrëveshje, vetëm për fajin e palës shqiptare. Kjo marrëveshje, në vend që të vinte vetulla, nxori sytë, nëse përdorim një krahasim të tillë. Po le të jemi të qetë në arsyetim, a nuk iu duket se, Pala fqinje, gjatë gjithë negociatave (hapat e saktë të së cilës ne nuk i njohim ) duket, se nuk ka bërë ndonjë diktat. Ajo ka ndjekur strategjinë e saj, duke shfrytëzuar përvojën e gjatë, në të Drejtën Detare, duke paraqitur Projekte të cilat në i kemi zbuluar dhe publikuar; dhe i ka dërguar më parë, se sa të fillonin negociatat, kësilloj është po ajo vijë, e cila mori jetë në Marrëveshje. Pala shqiptare e ka pranuar në mënyrë tërësore edhe rekomandimin e metodës, asaj të barazlargësisë e cila u trumpetua me aq bujë dhe solli këtë fund dramatik. Pse e them “dramatik”? Sepse firmoset një Marrëveshje, në një ngazëllim diplomatik dypalësh, në prani të dy kryeministrave, dhe përgjatë vetëm një nate të jetës së saj, shpërthen në hapësirën detare dhe atë tokësore, të të dy vendeve. Ishte e pabesueshme për të dy palët. Ky është një rast unik që nuk e gjen në përvojën e gjersotme ndërkombëtare. “Ishin zënë me presh në duar...”. Të gjithë na shëmbëllen, para një viti, se kjo ishte një nga ngjarjet më turfullonjëse në marrëdhëniet midis të dy vendeve. Sepse na del se, Shqipëria firmos një marrëveshje dhe pas pak orësh thotë: “Oh! se ç’na ka ndodhur? Pa prit?”. Në këtë vështrim Qeveria greke, siç kam ndjekur unë, ka qëndruar në një llogore “urtësie” dhe dinakërie, nuk e ka ngritur zërin, veçse ka fajësuar: “qarqe nacionaliste” që edhe kjo ishte një shashkë, kurse nga pala jonë doli një ministër i Jashtëm, i cili në maj kish thënë se: “Sali Berisha u shiti Detin grekëve” ndërsa në shtator 2010, etiketon oponenetët shqiptarë si: “ksenofobë”. A nuk iu duket groteske!? Kuptohet se në mënyrë diplomatike Greqia ia ka futur Shqipërisë “këmbët në një këpucë” dhe që nuk nxirren me kaq kollaj. Sepse aktualisht ka një marrëveshje të firmosur. Ndofta ky është momenti se ka ardhur koha për diktat, por do ta shohim më vonë. Tani ajo (Greqia) kërkon RATIFIKIM, term që nuk e ka përdorur më herët. Shkurt, fajësia i bie palës sonë dhe ajo të gjejë zgjidhje. Situata është bërë edhe më e vështirë. Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë bëri një vepër të lartë duke na sjell një përvojë të re, që edhe kjo është po kaq unike. Ligjërisht: “Marrëveshja vdiq”. Pra, është futur “në thellomën e varrit por litari ka ngelur përjashta”. Kurse Greqia e ka një Marrëveshje të bërë me mirkuptim të plotë dhe tani ajo bën kërkesën: “Ratifikoni në Tiranë! Pastaj ejani në Athinë, të bëjmë ratifikimin e fundëm zyrtar, dypalësh!”. Që të arrish në një ratifikim në Parlamentin shqiptar, ashtu siç pretendon Athina, nuk do të thotë rinegocim, por veprim i njërës palë, i palës sonë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Greqisë, z. Delavekura bëri të ditur se për palën greke, pakti detar “është në përputhje me dispozitat e Ligjit Ndërkombëtar të Detit dhe në të mirën e të dyja vendeve”. Si do ta komentonit ju këtë deklaratë, duke pasur parasysh se oponenca juaj studimore mbi paktin detar (mbi të cilën u mbështet kryesisht dhe Gjykata Kushtetuese) dilte në konkluzionin se marrëveshja nuk ishte në interes të vendit tonë, pasi cenonte sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë? 
Kjo është e vërtetë. Të dy palët kanë zgjedhur një metodë, atë të barazlargësisë dhe me të kanë vepruar. Asnjëherë ligji i Detit nuk jep një metodë të aplikueshme, për të gjithë rastet. Se rrethanat janë nga më të ndryshmet. Prandaj kur Agjensia informative “Ballkan Insight” pyeti një specialist të Ligjit të Detit nga Gjermania, ai menjëherë u përgjegj: “Nuk mund të jap asnjë përgjigje, mbasi nuk ka vetëm një metodë, në ndarjen detare si ajo e barazlargësisë, prandaj duhen shqyrtuar rrethanat”. Të dy palët ranë dakord për këtë metodë dhe e “mbërthyen gjeohapësirën detare me këtë kompas kanosës” dhe i morën Shqipërisë një sipërfaqe të madhe. Kësilloj, derisa në tavolinën diplomatike është rënë dakord për këtë, pse të mos themi se Pala Greke ka të drejtën e saj, të bëjë këtë kërkesë sepse në këtë rast los për bukuri me Marrëveshjen e arritur, dhe pse jo me “atë litarin metaforik të thënë atypari”. Nuk është aspak e vërtetë se është zbatuar Ligji i Detit dhe UNCLOS (United Nations Convention on the Laë of the Sea = Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit), por pala Shqiptare, për arsye që s’mund t’i dimë, i anashkaloi hapësirat e këtij ligji, rrethanat e pabarabarta, të brigjeve tokësorë të dy vendeve. Metoda e barazlargësisë është pelerina e bukur por e gënjeshtërt që e ka mbuluar këtë Marrëveshje të turpshme. Në studimin tonë të plotë dhe tërësor është vertetuar se e gjithë vija e ndërtuar ndarëse, nuk është hartografuar në bazë të ligjit të Detit dhe ku ka jo vetëm hapësirë të Shtratdetit Kontinental por dhe në Detin Territorial (kujto Shkëmbin Barketa) etj. Kujtojmë, atëbotë, se një nga negociatorët kryesorë po dhe juristi, në fund të gjykimit, e kanë pranuar se Greqia ka përfituar më shumë det “sepse ka flotë më të madhe!!”. Kësisoj, habia ishte e jashtëzakonshme duke hedhur tej, edhe metodën mbrojtëse të Barazalargësisë. Atëherë dyshimet fillojnë dhe rizgjohen, për anashkalimin e Presidentit, për fshirjen e legjislacionit të brendshëm për Ligjin e Detit, për mungesën e projekteve të paraqitura etj. 
Sipas jush, është apo jo i nevojshëm miratimi i një marrëveshjeje të re me palën greke për shfrytëzimin e burimeve natyrore që gjenden në rajonet bregdetare? Dhe në thelb, a duhet të trajtojë apo jo ky pakt çështjen e përcaktimit të kufirit detar mes dy vendeve? 
¨shtë e domosdoshme, por aspak e lehtë. Në fillim nuk do të ketë çelje të bisedimeve, por vetëm një hapje sipari për të vështruar skenën dhe situatën në të cilën kanë rënë aktorët e Paktit. Nga ky prelud i ri, mund të ketë edhe hapa të ndërkuptueshëm për të gjetur mundësi se si të “anashkalohet Gjykata Kushtetuese, se si të ndërtojnë një instrument, i cili të riafirmojë, që marrëveshja është e rregullt...etj. etj”. Pra: si mund të dilet nga kjo situatë!? Kush e di se ç’mund t’iu pjellë mendja, në atë tavolinë ribisedimore në rang të Sekretarëve të Ministrisë së Jashtme. Këtu, na duhet të kujtojmë se fjalët më të fundit të thëna nga kryeministri Berisha gjatë një interviste shumë muaj më parë, në një televizion kombëtar kanë qenë: “...vendi im nuk ka humbur... vendimi është politik...po ne...”. Pra ai nuk heq dorë nga vija kufitare detare e vendosur në atë marrëveshje. Do të vijojë që të çojë në vend, pohimin e tij, sepse nuk mund të thotë: “ se marrëveshje ka qënë e gabuar...” mbasi kjo do të hedhë përpjetë palën tjetër. Marramendëse! Ndërkaq, përfytyroni, tani, palën greke “A do të pranojë ajo të ulë hundën dhe t’i bindet një vije tjetër ndarëse, ndryshe nga ajo e para!?”. Kjo është e pamundur, dhe fjalët e paradokohëshme të diplomatit grek e vërtetuan këtë: “Marrëveshja ekziston. Ratifikoni!”. Janë hedhur mendime se mund t’i kalohet Gjykatës së Hagës. Po kush do ta bëjë këtë? Të dy palët kanë përputhje, janë në marrëveshje dhe përkim të plotë, pra nuk kanë kundërshti. (A do t’u bjerë ndërmend për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë!?). Kush do të ankohet vallë!? Edhe nëse shkohet për konsultime, institucioni ligjor ndërkombëtar, kur sheh se pranimi për një vepër të kryer, nuk ka ankesëtar, do të japë “OK”. Kush do të humbë? Ribisedimet diplomatike për përcaktimin e kufijëve detarë dhe të SHK (Shtratdeti Kontinental) nuk janë shumë më ndryshëm nëse krahasohen, me bisedimet e tjera diplomatike. Dëshira e mirë, besimi i ndërsjellët, janë tipare shumë të rëndësishme në të gjithë përvojën e ndërkombëtare të gjersotme. 
(i) Shtetet duhet të marrin në konsideratë rëndësinë e për të gjetur një mënyrë sa më të mirë dhe më të përshtatshme për të mbrojtur interesat jetësore të shtetit të tyre, duke u mbështetur në ligjet e të së Drejtës Ndërkombëtare. 
(ii) Qëllimi dhe objekti i të gjithë bisedimeve duhet të jetë në mënyrë tërësore i përshtatshëm me principet dhe normat e ligjeve Ndërkombëtare. 
(iii) Shtetet duhet të gjejnë një kornizë mirëbesimi, në bisedime në një mjedis konstruktiv. 
(iv) Shtetet duhet të lehtësojnë arritjen e konkluzioneve të bisedimeve duke qenë të fokusuar drejt objektivave dhe synimeve të tyre të përbashkëta. 
Qeveria shqiptare e ka humbur këtë betejë, por ajo do të bëjë çmos, që këtë “humbje të quaj fitore”. Atëherë, s’ka gjë se shpërfillen interesat e Shqipërisë... 
Në rast të rifillimit të negociatave me palën greke, po qe se shteti shqiptar do kërkojë ndihmën tuaj, a jeni i gatshëm të ofroheni në cilësinë e njërit prej anëtarëve të grupit negociator? 
Unë do të dëshiroja që të fillonin bisedimet diplomatike midis të dyja vendeve dhe ne të ishim të barabartë në atë tavolinë fqinjësie. Por hamendoj, siç e thashë më parë se këto bisedime nuk do të kenë objektiv rindarjen e gjeohapësirave detare, prej fillimit, sikur të mos këtë ndodhur asgjësend më parë. Bisedimet do të fillojnë vetëm për të gjetur metoda veprimi që të sjellin në hulli Paktin e Parë, si një vepër tashmë të kryer. Jam i sigurtë se sërish nuk do të ketë tejdukshmëri, por bashkësisë së shqiptarëve do t’u kumtohen sajime të tjera. Të dy palët që kanë qënë në përkim të plotë gjatë marrëveshjes së parë, them se, nuk kanë për t’u avitur në tavolinë, që të gjejnë një “modus vivendi” të tillë që “ata të bjenë dakord” për të mos qënë dakord me atë që e kanë hartuar vet. Vini re sa e vështirë! Ndërkaq lidhur me pjesëmarrjen time, as që e kam menduar ndonjëherë. Oponenca që bëmë sëbashku me “Gazeta Shqiptare”, ka krijuar shqetësime të mëdha. Dhe, aq më tepër, kur një Kryeministër etiketon studiuesin e vendit të tij “sharlatan” si mund të arrijë që të ndrrojë mendim e të pranojë që unë të jem në atë grup bisedimor? Kjo është e pamundur. Po kështu pala tjetër, do të protestonte që të ulej në të njëjtën tavolinë me një oponent të saj. 
Si do ta komentonit faktin që anëtarët e grupit negociator të palës shqiptare, të cilët negociuan dhe mbrojtën paktin detar deri ditën e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndër të cilët veçoj Sekretarin e Përgjithshëm të MPJ, Gazmend Turdiu, janë ngarkuar sërish për të negociuar me Athinën zyrtare për këtë çështje? 
Anëtarët e grupit negociator e kanë kryer tashmë një detyrë. E kanë shpërfaqur atë edhe përpara qeverisë, e kanë mbrojtur në konferenca shtypi, lektoriume universitetesh mes alarmit dhe tymnajës që kërkuan të hedhin, për të mbuluar dështimin e madh, kanë sjellë në Gjykatën Kushtetuese, tërë forcat të mira ligjore, për të ndikuar dhe bindur në drejtësinë e atij pakti. Produkti i tyre ishtë tërësisht i pëlqyeshëm për qeverinë shqiptare, e sidomos për kryeministrin Berisha, gjersa ai mes një buzëqeshje cinike pat thënë: “Trillim primitiv”. Kurse Gjykata Kushtetuese e hodhi në greminën e turpit. Na duhet të themi, se nuk mund të gjendet ndonjë shkak që nëpunësit e qeverisë, të të gjithë rangjeve, të përfshirë në këtë Pakt, t’u jepet një masë administrative duke i shkarkuar nga detyra...etj, sepse ata kanë kryer një vepër plotësisht të pranuar nga qeveria, por edhe nga pala tjetër. Kësisoj ata kanë veprimtarinë e tyre të zakonshme në administratë, po nuk e dimë nëse, në thellësi i bren ndërgjegjja, apo jo!? Pra, negociatorët janë në simbiozë të përkohëshme me Qeverinë e Tyre, simbiozë kaq e dyshimtë. Kjo që ka ndodhur në Shqipëri nuk mund ta gjesh kërkund në Botë. Asnjëherë unë nuk kam folur ndaj negociatorëve me terma të rreptë, sepse nuk më takon, por përkundër me dashamirësi, në bindjen se ata nuk e kanë shitur Detin, por për paftësinë e tyre, u arrit që qeveria të bënte një shitje politike, që ende nuk e dimë se si do të përfundojë. 
Prej disa muajsh ju ndodheni në Shtetet e Bashkuara. A ka lidhje largimi juaj nga Shqipëria me presionet që ju bënë si para, ashtu dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese? 
Në SHBA nuk kam shkuar për t’iu shmangur kërcënimeve, të cilat kanë qënë reale, por vetëm për qëllime pune. Tani ndodhem në vendin tim, me veprimtarinë time mësimdhënëse dhe punët e mija studimore dhe krijuese, ndër të cilat kam publikuar edhe “Veçori në përcaktimin e kufijve detarë me Malin e Zi”.

 

_____

 

Greqia, përpjekje për vlefshmërinë e paktit

 

Tirana zyrtare nuk do ta ankimojë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për shpalljen nul të marrëveshjes për Delimitimin e Hapësirës Ujore me Greqinë. Lajmi është konfirmuar dje për "Gazeta Shqiptare" nga burime zyrtare pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ky vendim i marrë paraprakisht është lënë qartësisht të kuptohet edhe nga zv/ministrja e Jashtme, Edit Harxhi. Në një prononcim të saj të pak ditëve më parë për një të përditshme, ajo deklaroi se "ne nuk kemi asnjë arsye ta çojmë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare". Ndërkohë Athina zyrtare, nëpërmjet zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Grigori Delavekura i ka apeluar Shqipërisë "të shohë se si do të përfundojnë procedurat e brendshme për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, në dritën e vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese". Por sipas konstitucionalistit të njohur shqiptar, Agron Alibali, i cili ushtron aktivitetin e tij si jurist në SHBA: "procesi i ratifikimit të paktit detar sipas së drejtës së brendshme është anulluar përfundimisht nga Gjykata Kushtetuese pasi marrëveshja u shpall e papajtueshme me Kushtetutën e vendit". Ndërsa qëndrimi i shprehur për këtë çështje nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka qenë se "rrugët janë të hapura. Mund të ketë rrugë, të cila konsiderohen të rinegociimit, por mund të ketë edhe rrugë, të cilat çojnë në aplikimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, me pëlqimin e të dyja palëve natyrisht. Asgjë nuk është e mbyllur, gjithçka është e hapur". Megjithatë e vetmja rrugë që iu mbetet palëve duket se është fillimi i negociatave për nënshkrimin e një pakti të ri për Delimitimin e Hapësirës Ujore. Burimet zyrtare nga MPJ bënë të ditur për Gazetën se ky pritet të jetë edhe qëndrimi që pala shqiptare do t'i paraqesë zyrtarisht autoriteteve greke në negociatat që pritet të fillojnë për këtë çështje javën e ardhshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx