E diele, 28.04.2024, 02:40 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Ministri Haxhinasto kërkon nga vartësit dhe diplomatët përgatitje maksimale për çështjen

E diele, 14.11.2010, 11:14 AM


Gazeta SHQIP:Ministri Haxhinasto kërkon nga vartësit dhe diplomatët përgatitje maksimale për çështjen

Pas rreth dy javësh, diplomacia shqiptare përmes një delegacioni që do të kryesohet nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë sonë të Jashtme Gazmend Turdiu, do të negociojë me palën greke marrëveshjen për delimitimin e ujërave, si dhe një pjesë çështjesh të tjera që lidhen me problematikën kufitare mes dy vendeve. Diplomatë me njohje të vjetër të relacioneve shqiptaro-greke dhe sidomos ekspertë të çështjeve të kufirit, shprehen se kësaj here ky negociim është tejet i vështirë. Kjo bëhet edhe më e vështirë, prej kontekstit të deritanishëm të pohimeve dhe bujës mediatike, pas rrëzimit prej Gjykatës Kushtetuese të marrëveshjes së arritur rreth një vit më parë mes dy palëve, marrëveshje e cila u ankimua dhe shkaktoi një reagim të jashtëzakonshëm publik. Ndërkohë që juristët shqiptarë të së drejtës ndërkombëtare, shprehen se kjo marrëveshje nuk mund të diskutohet, pasi është shpallur nul nga Gjykata Kushtetuese.
Burime nga Ministria jonë e Jashtme bëjnë të ditur se përgatitjet për këtë ballafaqim me palën greke kanë nisur. Javën e shkuar, krerët e lartë të Ministrisë së Jashtme janë interesuar për përfaqësimin e delegacionit tonë në takimin e pritshëm me homologët e palës fqinje. Madje mësohet se ministri i ri Haxhinasto ka kërkuar informacion paraprak për draftin që do të negociohet dhe ka sugjeruar angazhimin për një përgatitje serioze të përfaqësuesve tanë diplomatikë. Ndërsa diplomatët kanë shprehur rezervën e tyre, se në këtë çështje Shqipëria ka vështirësi në gjetjen e një eksperti profesionist për çështjen e shelfit detar, pasi në raundet e para të negociatave mes Athinës dhe Tiranës, pala greke ka refuzuar prenotimin nga pala jonë të ekspertëve italianë apo të huaj, duke shprehur gatishmërinë e ofrimit të specialistëve të vet. Mirëpo sipas burimeve konfidenciale, gjatë takimit të ministrit me drejtues të lartë të drejtorive përkatëse, është shprehur shqetësimi se nuk po gjendej drafti i marrëveshjes tokësore me Greqinë. Ndërkohë që po këto burime bëjnë të ditur për “Shqipin”, se pala greke përveç marrëveshjes për kufirin tokësor të nisur në vitin 1996, nuk ka kthyer përgjigje as për marrëveshjen mbi rregullimin e ujërave të brendshëm që i është paraqitur zyrtarisht nga pala jonë në vitin 2000. Mungesa e informacionit për ekzistencën në ministri të kopjes së marrëveshjes së dhënë palës greke, ka shkaktuar shqetësim serioz, ngritur në formën e një alarmi brenda stafeve të ngushta të drejtorive të linjës. Po kështu, bëhet e ditur se së bashku me këtë kopje të draftit, kërkohet edhe kopja e përgjigjes nga pala greke për pyetjen zyrtare shqiptare “nëse Shqipëria dhe Greqia janë ose jo në gjendje lufte”, përgjigje që, sipas diplomatëve, madje edhe nga një ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë, ishte pohuese. Sidoqoftë, shqetësimi për gjetjen apo jo të këtij drafti, ende nuk është bërë prezent zyrtarisht.
Diplomatë të njohur, të cilët gjatë viteve të karrierës së tyre kanë pasur të bëjnë me relacionet diplomatike shqiptaro-greke dhe problematikat e tyre, shprehen për “Shqip” se për kësi çështjesh dijenia e referentëve të veçantë është e padiskutueshme. Zyrtarisht, dilemën e humbjes apo të mos gjetjes së draftit të kësaj marrëveshjeje, në Ministrinë e Jashtme nuk e pohon askush. Ndërkohë që zëvendësministrja e Jashtme, znj. Edit Harxhi, në intervistën e dy ditëve më parë, duke folur për takimin e afërt të dy delegacioneve rreth kësaj çështjeje, pohoi për “Shqip”: “Shpresoj që bisedimet e para, jo vetëm për marrëveshjen, por në përgjithësi do të fillojnë pas një ose dy javësh, ku do të kemi edhe diskutimet diplomatike me Greqinë... Është një praktikë që ndiqet me të gjitha vendet një herë në vit”.
Sidoqoftë, zyrtarisht Ministria e Jashtme nuk ka pohuar dhe përcjellë asnjë shqetësim për mungesën ose jo të marrëveshjes së vitit 1996 apo të dokumenteve të tjera referencialë që konsiderohen parimisht të domosdoshme për takime dypalëshe apo për negocime bilaterale. Ndërkohë, në grupin e ngushtë të drejtuesve të diplomacisë shqiptare, shprehet interesimi dhe shqetësimi për draftin në fjalë. Ndërsa në takimet rutinë të ministrit Haxhinasto përkon edhe një vizitë e beftë në datën 29 tetor, rreth orës 09.00 të paradites e ambasadorit të Greqisë në Tiranë, zotit Nikolias Pazios. Sipas pohimeve nga diplomatë të Ministrisë së Jashtme, ambasadori grek në Tiranë ka pasur një takim të shpejtë në zyrën e ministrit, për çështje të cilat ende nuk dihen.
---------------------------------------------------
Skerdilajd Zaimi,Gazeta SHQIP 

  • Intervistë

Flet ish-zv.ministri i Jashtëm. Kufiri tokësor nuk njihet nga Athina

Problemi i kufirit ujor me Greqinë ka lënë në hije një çështje po kaq të ndjeshme që e bën kompleks raportin mes dy vendeve, siç është ai i kufirit tokësor. Në intervistën e tij për gazetën “Shqip”, historiani dhe ish-deputeti Pëllumb Xhufi jep të dhëna për atë se njohja e kufijve është më shumë një gjendje praktike e pakonfirmuar juridikisht. Për këtë arsye edhe Traktati i shumëpërfolur i Miqësisë, më tepër sesa rrugë për zgjidhje është një alibi e politikës shqiptare.
Z. Xhufi, së fundmi, në shtyp janë përcjellë informacione sipas të cilave marrëveshja e ujërave me Greqinë do të rihyjë në axhendë. Lidhur me këtë, pala greke ka deklaruar se "pakti i firmosur në maj 2009 është shumë i mirë" dhe se ratifikimi është problem vetëm i Shqipërisë. Si e gjykoni këtë situatë dhe cila mund të jetë rruga e negocimit?

Po, ka pasur së fundi nga pala greke një “thirrje” për qeverinë shqiptare, që të ratifikojë në Parlament marrëveshjen aq të përfolur mbi kufirin detar, nënshkruar me nxitim e në fshehtësi kohë më parë. Jo pa qëllim, kësaj radhe harrohet që kjo marrëveshje është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, pasi ka dhunuar Kushtetutën e vendit, si dhe ligjin ndërkombëtar. Pra, problemi nuk është “ratifikimi” nga Parlamenti shqiptar, por eliminimi i atyre elementëve që e bëjnë të paligjshme marrëveshjen, ashtu si atë e nënshkruan Basha e Bakojanis. Pala greke preferon të tregojë “Parlamentin”, pasi parlamentarët e PD-së e të LSI-së, që përfaqësojnë shumicën e domosdoshme, e treguan edhe gjatë diskutimit në Komisionin e Ligjeve se janë gati të firmosin çdo paçavure që u servirin bosët e tyre të kapur. Por problemi tani nuk qëndron te Parlamenti, por te Gjykata Kushtetuese, e cila me vendimin e saj ka treguar si rrugëdalje të vetme një rinegocim të ri, kësaj here në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë e me Marrëveshjen e Montego Bay mbi ndarjen dhe shfrytëzimin e detit. Thënia se “marrëveshja Basha-Bakojanis është shumë e mirë”, nuk bind askënd tashmë. Çdo shqiptar e di mirë se si politikanë të korruptuar e antishqiptarë u munduan ta kalojnë kontrabandë një ujdi të pistë që i falte Greqisë një pjesë të mirë e të shtrenjtë të territorit kombëtar. Jo më kot në prill të vitit 2008, zonja Bakojanis, pasi mori firmën e zotit Basha në Tiranë, deklaroi fitoren në Athinë, duke u shprehur saktësisht që “me këtë marrëveshje, Greqia ka arritur një fitore strategjike”. Fitorja vërtet u arrit falë qeverisë shqiptare të “Vorio-Epirit”, por ajo nuk arriti të konsumohej falë gazetarëve, intelektualëve e juristëve të ndërgjegjshëm, që e penguan realizimin e këtij krimi. Tani marrëveshja duhet patjetër të rinegociohet. Por për këtë ka kohë, nuk ka asnjë ngut. Mbi të gjitha, marrëveshjen nuk mund ta rinegociojnë të njëjtët personazhe të dyshimtë e të korruptuar që negociuan, nënshkruan e mbrojtën besnikërisht marrëveshjen e tradhtisë.
Pak kohë më parë ju jeni shprehur në gazetën "Shqip" se mes dy vendeve ekziston edhe problemi i kufirit tokësor. Mund të na sqaroni se ku konsistojnë këto probleme, si është vepruar deri më tani dhe ku konkretisht paraqitet situata më e ndërlikuar?

Pikërisht, mes Shqipërisë e Greqisë ekziston një kufi i vendosur e i njohur ndërkombëtarisht nga Fuqitë e Mëdha qysh në Konferencën e Ambasadorëve të vitit 1913. Në atë rast, përfaqësuesi grek nuk pranoi ta nënshkruajë protokollin përkatës, duke paraqitur rezervat e qeverisë së tij. Të njëjtat “rezerva”, d.m.th. mosnjohjen e kufirit, pala greke e rikonfirmoi edhe në Protokollin përfundimtar të Firences (1924), si dhe në Konferencën e Paqes të Parisit të vitit 1946, pas Luftës II Botërore. Qeveritë shqiptare kanë insistuar për njohjen de jure e jo thjesht de facto të kufirit shqiptaro-grek nga ana e Athinës. Edhe në vitet 1950-1960, ndonëse midis Shqipërisë e Greqisë nuk kishte marrëdhënie diplomatike, qeveria shqiptare ka bërë vazhdimisht presion nëpërmjet sekretariatit të Kombeve të Bashkuara për ta shtyrë qeverinë greke të njihte Protokollin e Firences, gjë që kjo ka refuzuar ta bëjë. Edhe qeveria “Meksi” e ka kërkuar nga pala greke njohjen prej saj të këtij protokolli dhe nënshkrimin e dy marrëveshjeve kuadër të kufirit, që do të sillnin automatikisht njohjen e vijës kufitare: Marrëveshja për mënjanimin e incidenteve kufitare, dhe Marrëveshja për mirëmbajtjen e shenjave kufitare. Edhe këto dy marrëveshje pala greke ka refuzuar t’i nënshkruajë, duke lënë të hapur çdo spekulim mbi mosnjohjen prej saj të kufirit shqiptaro-grek, aq më shumë që mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke rri ende pezull famëkeqi Ligj i Luftës i vitit 1940, që pala greke insiston ta mbajë në jetë. Nënshkrimi i dy marrëveshjeve të mësipërme përbën prioritetin e prioriteteve për qeverinë shqiptare në marrëdhëniet me Greqinë. Pas saj vjen problemi i pasurive dhe i të drejtave të tjera të popullsisë myslimane çame të dëbuar nga Greqia në vitin 1945, ai i pronave të qytetarëve shqiptarë në Greqi, që mbahen ende të pezulluara falë ligjit absurd të luftës, problemi i rregullimit me marrëveshje të shfrytëzimit të ujërave ndërkufitare. Marrëveshja për ndarjen e ujërave territoriale është gjëja e fundit, sipas radhës, për të cilën duhet të mendojë politika shqiptare në marrëdhëniet me Greqinë.
Lidhur me sa më sipër, në dijeninë tuaj çfarë përfaqëson Traktati i Miqësisë i vitit 1996? A krijon ai kushte për zgjidhjen e problemeve, apo kemi të bëjmë me një dokument të firmosur me detyrime të reja për Shqipërinë sikurse marrëveshja e ujërave që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese?

Traktatet e Miqësisë, siç është edhe ky yni me Greqinë, janë instrumente shumë të rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe, por janë instrumente thelbësisht politike dhe nuk kanë vlerë ligjore. Ata krijojnë klimën dhe kuadrin e duhur në marrëdhëniet mes dy vendeve, që mundësojnë nënshkrimin e marrëveshjeve konkrete për të rregulluar probleme që ekzistojnë mes dy vendeve. Pra, Traktati i Miqësisë hap rrugën për të trajtuar juridikisht, d.m.th. me marrëveshje përkatëse, probleme konkrete që qëndrojnë mes dy vendeve. P.sh., në Traktatin e Miqësisë me Greqinë thuhet shprehimisht se “të dyja palët do të shohin mundësinë për të gjetur rrugët e përshtatshme për zgjidhjen e problemit të pronave të qytetarëve respektivë, në bazë të legjislacionit të secilit vend”. Ose, diku tjetër thuhet se “të dyja palët do të shohin mundësitë për të krijuar kushte që gjuhët respektive të mësohen në vendet respektive”. Por nga formulime të tilla nuk lind asnjë detyrim ligjor, siç do të lindte nga një marrëveshje konkrete dypalëshe, ku zgjidhja e problemeve si ato të mësipërme, përcaktohet në mënyrë taksative, e jo në mënyrë krejtësisht hipotetike, vetëm në nivelin e “shprehjes së vullnetit”, siç shprehet në Traktatin e Miqësisë. Pra, traktatet e miqësisë janë një shprehje e vullnetit politik mes dy qeverive, që pasqyron problematikat e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe shpreh vullnetin politik të zgjidhjes së tyre. Por ky vullnet duhet materializuar në marrëveshje të veçanta. Në këtë kuptim, çështja e kufirit tokësor, çështja çame, çështja e pronave të qytetarëve shqiptarë në Greqi, çështja e Ligjit të luftës, çështja e rregullimit me marrëveshje të shfrytëzimit të ujërave të brendshëm etj., etj., duhet të trajtohen konkretisht e juridikisht me marrëveshje të posaçme, që e kanë bazamentin në të drejtën ndërkombëtare dhe jo thjesht në “vullnetin politik” të palëve të interesuara. Për të përfunduar, as Shqipëria nuk mund ta çojë Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare, dhe as Greqia nuk mund ta çojë Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare, për ndonjë çështje të trajtuar në Traktatin e Miqësisë, ndërkohë që mund ta padisin njëra-tjetrën për shkeljen e çdo marrëveshjeje dypalëshe: kujtoj që në 1933 Greqia e hodhi Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare, pasi Zogu mbylli shkollat private greke, duke shkelur marrëveshjen me Greqinë e mbi të gjitha duke shkelur marrëveshjen e arritur me Lidhjen e Kombeve që në vitin 1921 mbi njohjen e respektimin e të drejtave të minoriteteve etnike në Shqipëri. Ndaj them, që çështjet që trajtohen në Traktatin e Miqësisë, shpeshherë “pa emër” e me plot drojë, siç është p.sh. çështja çame, nuk do të mund të hyjnë asnjëherë në rrugën e zgjidhjes, n.q.s nuk konkretizohen me nënshkrimin e marrëveshjeve konkrete dypalëshe, të bazuara në të drejtën ndërkombëtare. Sot, ky traktat, nga i cili nuk është trajtuar seriozisht asnjë nga shqetësimet që ka pala shqiptare, më shumë u ka shërbyer qeverive shqiptare të kapura që të gënjejnë popullin e tyre, duke i thënë atij, p.sh., se “ligji i luftës nuk ekziston, pasi është zhbërë nga Traktati i Miqësisë”, ose se “problemi çam dhe ai i pronave të shqiptarëve, në përgjithësi, do të zgjidhet në bazë të traktatit”, apo se “ekzistenca e Traktatit të Miqësisë mes Shqipërisë e Greqisë përbën ipso facto një heqje dorë nga pretendimet territoriale ndaj njëri-tjetrit”. Faktet që kanë rrjedhur nga koha e ratifikimit të këtij traktati, pra pas vitit 1996, tregojnë se Greqia ka zbatuar ndaj Shqipërisë politika të ndërhyrjes së hapur në punët e brendshme e të realizimit të synimeve megaloideiste duke vënë në darë pushtetarët e korruptuar të këtij vendi.
Z. Xhufi, mendoni se nënshkrimi në këto terma i marrëveshjeve të kufirit mund të jetë një kusht i palës greke për shfuqizimin e ligjit të Luftës, i cili konservon një paradoks të trashëguar nga Lufta? Pra cedimim e Tiranës zyrtare në këto pika a ka gjasë të jetë një zgjidhje e negociuar për të mbyllur problemet dypalëshe?

Shikoni, e ka thënë qysh në vitin 1840 një historian i shquar gjerman, F. J. Fallmerayer: “Më kot besoni se duke realizuar një pretendim të Athinës, kjo do të qetësohet, jo. Ditën tjetër do të paraqesë pretendimin e radhës”. Fallmerayer e kishte fjalën pikërisht për pretendime territoriale, që Athina në atë kohë i kishte kolosale, pasi donte të mbërrinte në kufijtë planetarë të Perandorisë Bizantine. E pra, diçka e ngjashme ka ndodhur edhe me ne. Micotaqis-i e filloi që në vitin 1991, duke kërkuar një prelat grek në krye të Kishë Ortodokse Autoqefale Shqiptare, dhe e mori. Pastaj grekët kërkuan ta kthejnë “Omonian” në një lloj shteti brenda shtetit, dhe pyesni Bollanon në ia kanë arritur ose jo edhe kësaj kërkese. Kërkuan pastaj të hapet me një ritual nacionalist një shkollë greke në Korçën e Rilindjes e të shkollës shqipe, pastaj një shkollë greke në Himarë, pastaj të ngriheshin memorialë grekë në çdo pëllëmbë të “Vorio Epirit”, makar edhe duke përdhosur varret e fshatarëve shqiptarë… Tani, nëpërmjet Dules e Bollanos kërkojnë edhe…polici greke në Shqipërinë e Jugut, si dhe një regjistrim të popullsisë me vetëdeklarim të fesë e të kombësisë. Nga të gjitha këto kërkesa, që përbëjnë kapituj të veçantë të “Megali Idesë”, kanë mbetur këto dy të fundit pa u realizuar. Qeveritarët tanë janë shprehur të gatshëm t’i realizojnë edhe ato. Por a mendojnë ata se një ditë, më në fund, do të çlirohen nga laku i kërkesave greke? Jo, kërkesa e pretendime gjithnjë e më arrogante do pasojnë, përderisa ky vend të qeveriset nga njerëz të korruptuar, që ndërsa gjuajnë dosjet e të tjerëve në Tiranë, i kanë dosjet e tyre në Athinë apo në Beograd.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora