E diele, 28.04.2024, 08:46 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Dhunimi i varreve :Merret i pandehur ish kreu i OMONIA

E enjte, 18.11.2010, 09:52 PM


PROKURORIA/ Ish-kreu i OMONIA-s së Korçës, Naum Disho, është marrë dje i pandehur nga Prokuroria me akuzën e dhunimit të varrezave. Pas skandalit të betonizimit të eshtrave në Boboshticë, organi i akuzës ka lënë të lirë muratorin e fshatit dhe ka filluar ndjekjen penale për ish-kreun e minoritetit grek të Korçës. Sipas Prokurorisë, punimet mbi varreza janë kryer me urdhër të shefit të OMONIA-s, i cili ka deklaruar se kishte marrë leje vetëm nga Kisha

Ndërsa për banorin e fshatit Polenë, Alqi Koroveshi, i cili ishte edhe punëtori që hodhi betonin, akuza vendosi ta mbyllë hetimin, pasi nuk konstatoi elementë të veprës penale për të cilën u dyshua. “Si person përgjegjës për interesimin që ka treguar në emër të organizatës që drejtonte për kryerjen e punimeve të betonizimit të një pjese të varrezave, Disho është marrë në ndjekje penale, në gjendje të lirë. Ndërsa punëtori Alqi Koroveshi, është liruar nga procedimi penal”, bënë të ditur burime nga prokuroria e Korçës. Mësohet se pas një sërë dëshmish të marra, hetimorët nuk konstatuan elementë të veprës penale ndaj punëtorit Alqi Koroveshi. Pas hetimeve të kryera, rezultoi se përgjegjësia për akuzën e dhunimit të varreve i kalon kreut të shkarkuar të OMONIA-s, Naum Disho. Edhe vetë Disho, në dëshminë e dhënë mësohet se ka pranuar që punimet janë kryer me iniciativën e kësaj organizate të minoritetit grek. Disho ka pretenduar se punimet u kryen me aprovimin e kishës, e cila ka në pronësi territorin ku janë të vendosura edhe varrezat. Ai është shprehur më tej para grupit të hetimit, se nuk është parë e udhës që të merret leje për punimet nga komuna e Drenovës. Disho ndërkaq, ka këmbëngulur se në varreza nuk janë zbuluar eshtra, sepse atje nuk janë kryer punime në thellësi, por vetëm në sipërfaqe për hedhjen e betonit të rrugës dhe platformës poshtë kryqit. Prokuroria e Korçës, e cila i ka kërkuar bashkëpunimin në hetime edhe sektorit të luftës kundër pronës në Drejtorinë e Policisë së Korçës për mbledhjen e sa më shumë dëshmive për këtë çështje, mësohet se është drejt përfundimit të hetimeve dhe së shpejti pritet të nisë dosjen në gjykatë. Vetë ish-kreu i OMONIA-s, , në një deklaratë për mediat pak ditë më parë, ka pranuar kryerjen e punimeve në varrezat e Boboshticës për ndërtimin e platformës dhe të shkallares prej betoni, por sipas tij, gjatë punimeve nuk janë kryer gërmime dhe nuk ka pasur dhunim të varreve. Momentalisht, Disho vijon të qëndrojë në zyrat e OMONIA-s. Ai nuk ka pranuar t’i dorëzojë çelësat kreut të sapozgjedhur, Ligoraq Karamelo, duke e cilësuar veten si një drejtues të ligjshëm të kësaj organizate. Ndërkaq, Karamelo është shprehur se kjo situatë do të zgjidhet në rrugë institucionale, pasi ai nuk kishte ndërmend të nxirrte forcërisht nga zyra ish-kreun e kësaj organizate.

 

KORÇE/ GEZIM ASHIMI, Panorama



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora