E shtune, 03.05.2025, 01:13 PM (GMT+1)

Kulturë

Muzafer Korkuti: Aleks Buda në kujtimet e mia

E shtune, 23.10.2010, 09:09 PM


Nga Fatmira Nikolli, Gazeta Shqiptare

 

Muzafer Korkuti e cilësonsi nolian profesorin e tij, Aleks Buda. Më tej teksa kujton, thotë se profesori ishte njeri i qeshur, i dashur, i komunikueshëm, i gjendur në çdo kohë dhe shumë miqësor. Në 100-vjetorin e lindjes së tij, Korkuti aktualisht nënkryetar i Akademisë së Shkencave, në një intervistë na thotë se në shekullin e XX, Shqipëria ka dy figura në albanologji, Eqrem Çabejn në gjuhësi dhe Aleks Budën në histori. Prej këtu ai i vë profesorit të tij, mbiemrin nolian. Më tej gjatë bisedës kur rrëfen edhe për aktivitetet për përvjetorin që nisin sot në orën 18:00 në Akademinë e Shkencave, Korkuti e vë theksin tek vlerat dhe kontributi i Budës në historinë shqiptare. 
Një sërë aktivitetesh janë planifikuan në 100-vjetorin e Aleks Budës. Si ish-student i tij, ç'mund të na thoni për kontributin e tij në histori? 
Një jetë gjysmëshekullore për albanologjinë Aleks Buda e realizoi tërësisht në gjysmën e dytë të shekullit të XX, veprimtari që u kushtëzua nga gjendja e nevoja e kërkimeve albanologjike, për historinë, kulturën dhe shkencën shqiptare. Qysh në krye të herës Aleks Buda, me largpamësinë dhe vizionin e qartë, ndjeu nevojën e studimeve ndërdisiplinore dhe punoi pa u lodhur për krijimin e bërthamave e sektorëve shkencorë me specialistë për periudha e fusha të caktuara të historisë, gjuhësisë, etj. Ai ishte themeluesi i sektorit të Mesjetës, ku u përgatitën një plejadë e tërë studiuesish. Në vitet '50 të shek. XX, detyrë madhore ishte hartimi në disa vëllime i Historisë së Shqipërisë. Ai së bashku me kolegët e tij, prof.Kristo Frashëri, Selim Islami dhe Stefanaq Pollo u vu në krye të kësaj vepre madhore. Prof. Buda ideoi dhe konceptoi veprën kolektive Historia e Shqipërisë, vëllimi I dhe II, vepër tërësisht e re si nga përmbajtja dhe gjerësia e trajtimit, nga kriteret shkencore të ndërtimit e të vështrimit të proceseve historike. Ai hoqi vijat fondamentale të kërkimeve historike në Shqipëri duke filluar nga ilirët, gjeneza e popullit shqiptar, shteti mesjetar i arbrit, Skënderbeu dhe epoka e tij, Rilindja Kombëtare Shqiptare, et, ndaj Buda është një nga themeluesit e historiografisë moderne shqiptare. Në artikujt e shumtë, në referatet e kumtesat që mbajti në Konferencat Albanologjike, në 500-vjetorin e Skënderbeut, në Kuvendet e Studimeve Ilire, në Konferencën për Formimin e Popullit Shqiptar të gjuhës dhe kulturës së tij si edhe në shumë veprimtari shkencore ndërkombëtare jashtë vendit, gjen të pasqyruar mendimin e sintetizuar të historianit të analizave të thella e komplekse. 
Aleks Buda, ka punuar gjatë për arkeologjinë ilire, me anë të së cilës, ai donte të vërtetonte vazhdimësinë iliro-shqiptare... 
Si arkeolog dëshiroj të them se vizioni i Prof. Budës për problemet që shtroheshin përpara arkeologjisë dhe ilirologjisë, ishte përcaktues për rrugën dhe fatet e shkencës së re shqiptare mbi lashtësinë. Ai krijoi bërthamën e arkeologjisë shqiptare dhe vuri në qendër të saj kërkimet në fushën e arkeologjisë ilire, të Mesjetës së Hershme shqiptare, të para këto në raport me kulturën bizantine, greke dhe romake. Profesor Buda mbështeti kërkimet dhe me autoritetin e vet ndikoi fuqimisht që ato të ndriçonin sa më mirë historinë e kulturën iliro-arbërore. Në dy Kuvendet e studimeve ilire, më 1972 dhe më 1985, ai me objektivitet shkencor argumentoi prejardhjen ilire të shqiptarëve. Në referatin "Ilirët e jugut si problem i historiografisë", ndër të tjera u dha përgjigje "koncepteve të një vatre jashtëballkanike të formimit të etnosit ilir dhe të dyndjeve të tij në një kohë të vonë, duke i kundërvënë argumente bindëse që dëshmojnë për një proces autokton". 
Ndërkaq studimet e tij për Mesjetën e hershme, e mbështetën tezën e tij. Sa i lidhur ishte ai me arkeologjinë? 
Ai në mënyrë të veçantë ai ka qenë i apasionuar për arkeologjinë. Madje me shaka në ndonjë ambient, thuhej që ai ishte martuar me Mesjetën, por, dashuria e tij e madhe ishte arkeologjia. Ka treguar interes të veçantë për kërkimet ne fushën e Mesjetës së Hershme, epokën në të cilën u krye procesi i formimit të popullit shqiptar. Vlerësimi dhe interpretimi në gjerësi i dëshmive arkeologjike të periudhës së antikitetit të vonë e Mesjetës i dha mundësi Aleks Budës, të arrijë në përfundimin se shqiptarët jetuan dhe punuan gjatë shekujve mbi një bazë antike si trashëgimtarë dhe vazhdues të saj në një rrafsh të ri më të lartë, ndërsa ilirët dhe kultura e tyre ishin një nga faktorët që përcaktuan trashëgiminë historike dhe kulturore të shqiptarëve të sotëm. 
Ju si e mbani mend ish-profesorin tuaj? 
Ai ka qenë një njeri i qeshur, i dashur, i komunikueshëm, i gjendur në çdo kohë dhe shumë miqësor. Ishte profesori i disa brezave historianësh, ndërsa unë jam një nga ish-studentët e tij dhe për një kohë të gjatë bashkëpunëtor. Në punën e përbashkët dhe dua të veçoj këtu, Kuvendin e parë të Studimeve Ilire, ku ne arkeologët bëmë përgjithësimin e rezultateve në fushën e ilirologjisë, pa mendjen dhe vijat themelore të Aleks Budës, nuk mund të bëheshin aktivitete kaq të mëdha siç ishin kuvendet për Studimet Ilire. Dinte të dallonte raportin e kulturës vendase dhe ta krahasonte atë me qytetërimin grek e romak. Ai në këtë raport i bënte studimet. 
A kishte ai ndonjë shprehje që e përdorte shpesh kundrejt më të rinjve, mbase si këshillë? 
Me profesorin e madh Aleks Buda nuk kishte diferenca moshe dhe brezash. Nëse do i jepje një artikull, a ndonjë botim, ai kishte për borxh që mbi të, të shkruante po aq sa kishe shkruar edhe ti. Pas kësaj mund ta kuptoje lehtë se sa i madh ishte Aleks Buda, ndihmën dhe kontributin që jepte në çdo artikull. Ishte i veçantë dhe i papërsëritshëm. 
A nxehej ai kur përmendej teza se shqiptarët nuk janë pasardhës të ilirëve? 
Nxehej në një kuptim, por, bënte gjithçka që këtë ta kundërshtonte me argumente, e për këtë përdorte burime të shkruara nga autorë të huaj. Këtu qëndronte madhështia e tij, e njihte gjithë literaturën dhe përmes kësaj njohjeje mundej të kundërshtonte. 
Çfarë ka libri studimor që do të promovoni sot? 
Është një vëllim special "In memoriam", që përkthehet "për nder të..." dhe ka studime nga fusha të ndryshme që nga lashtësia e deri më sot. Në të ka studime të Kristo Frashërit, Luan Malltezit, Pëllumb Xhufit, Arben Putos, Jorgo Bulos etj, që kontribuojnë për nder të Budës. 
Sot hapet edhe një ekspozitë fotografike për Porf. Budën, shfaqet një film dokumentar dhe të hënën ka një konferencë shkencore. Çfarë përmbajnë ato? 
Konferenca shkencore e së hënës, përmes referuesve sjell në një farë mënyre kontributin e Budës në disa fusha studimore, për shembull për Skënderbeun, për problemet e lashtësisë, etj. Filmi dokumentar është përgatitur nga Petro Lati trajton fëmijërinë, ka edhe imazhe nga e gjithë jeta e tij, duke përfshirë edhe vetë Budën që flet, për Aleksandër Moisiun. Ai ka qenë i gjithanshëm, poliedrik, dhe filmi e sjell këtë. Ekspozita fotografike ka rreth 40 fotografi që sjellin aktivitetin e tij në plan kombëtar e ndërkombëtar, e po ashtu edhe jeta e tij familjare.

 

________

 

Oliverta Lila, Gazeta SHQIP 

·        

E bija: Kujtimet për tim atë gjatë diktaturës

Akademia e Shkencave feston 100-vjetorin e lindjes së profesorit. Një libër “In Memoriam” me studime nga fusha të ndryshme, një film dokumentar mbi jetën dhe veprën, një ekspozitë fotografike dhe përurimi i një busti realizuar nga skulptori Hilmi Kasemi janë realizuar në nder të tij. E bija, Tatjana Haxhimihali, sjell anën e panjohur të Aleks Budës
Kolegë dhe miq të tij janë mbledhur për ta kujtuar në 100-vjetorin e lindjes. Një libër “In Memoriam” me studime nga fusha të ndryshme, një film dokumentar mbi jetën dhe veprën, një ekspozitë fotografike dhe përurimi i një busti realizuar nga skulptori Hilmi Kasemi, ishin aktivitetet e organizuara dje në Akademinë e Shkencave në nder të profesor Aleks Budës. Festimet vazhdojnë edhe të hënën, në një konferencë shkencore të titulluar “Aleks Buda, një jetë për albanologjinë”. Kjo për sa u takon kolegëve. E bija, Tatjana Haxhimihali, po i kushton librin e dytë me kujtime. Ajo tregon anën e panjohur të të atit, ndodhi dhe detaje që ndodhnin brenda atmosferës familjare. E ka nisur si një testament shpirtëror për familjen, por interesi që tregoi një rreth më i gjerë, e nxiti edhe më shumë të shkruajë.
Një konferencë dhe një promovim libri i kushtohen 100-vjetorit të babait tuaj... 

Është shumë bukur që Aleks Buda kujtohet në këtë 100-vjetor, por unë gëzohem edhe më shumë kur shoh se puna e tij vazhdon. Gjatë këtyre 20 vjetëve, ka pasur shumë studiues, ish-nxënës të tij, që kanë shkuar në gjurmët e Budës, kanë botuar libra që ia kanë kushtuar atij dhe kjo vërteton se kontributi i tij nuk i takon vetëm kohës kur ishte në jetë, por vazhdon. Kolegë të tij e kanë përcaktuar si historian i sintezave të mëdha, e kanë çmuar veprën e tij dhe është shumë e rëndësishme që studiuesit e rinj i kanë rimarrë idetë e tij, i kanë çuar përpara dhe nuk e kanë konsideruar një histori të mbyllur.
Ju keni shkruar një libër të parë me kujtime për babanë tuaj dhe tani po shkruani të dytin. Çfarë ju shtyn të shkruani për të? 

Kur nisa librin e parë, mendova ta shkruaja si një testament shpirtëror për t’ua lënë familjarëve të mi. Ishte një mënyrë për të thënë se njeriu me përpjekje, me punë të vazhdueshme arrin të kulturohet, arrin të bëhet një punëtor i dijes. Pas botimit, ndonëse nuk pati as ndonjë ceremoni promovimi, u pa që interesi ishte i madh. Më erdhën letra edhe nga Amerika, të njohur apo ish-studentë të tij, që më falënderuan për këtë botim. Ishin të prekur që edhe Shqipëria kishte njerëz të tillë të kulturuar, njerëz që kanë bërë jehonë në Europë dhe në botë. Kuptova se Aleks Buda për ta konsiderohej si një model për të mbështetur ndjenjën atdhetare. Botimi u prit me interes në një rreth më të gjerë kolegësh e miqsh dhe atëherë mendova se angazhimi i tij shkencor është një model i mirë edhe për brezin e ri. Në këtë kuptim dua që libri i dytë të jetë jo vetëm vazhdim, por zhvillim i mëtejshëm i botimit të parë. Ashtu siç ka thënë profesor Çabej, çdo tullë në murin e dijes është një kontribut. Unë mendoj se jam përpjekur që nga një anë e panjohur të hedh dritë mbi këtë tullë, që në murin e dijes është përpjekur të vërë një shtresë.
Si vjen Aleks Buda në këtë vëllim të dytë? 

Libri i parë me kujtime mbyllet deri në vitin 1945, ndërsa libri i dytë është në vijim të të parit. Unë jam përpjekur të jap pak a shumë jetën e kësaj figure pas viteve ‘45 me të gjitha vështirësitë e fillimit, të një periudhe të re, ku përfshihet edhe krijimi i Akademisë së Shkencave, qendrës që do të drejtonte më vonë të gjitha fushat e albanologjisë shqiptare. Ndalem te kontributi i tij si drejtues i Akademisë së Shkencave, sepse arriti t’i japë një emër shkencës albanologjike shqiptare jo vetëm në arealin ballkanik, por e ngriti në nivel europian. Këto janë konsiderata që nuk vijnë nga unë si bijë e tij, por nga kolegë e studiues. Në këtë kohë, zëri i Shqipërisë filloi të ndihej në konferenca ndërkombëtare dhe u krijua një ide që në Shqipëri ka studiues të mirë që dhanë emër, pavarësisht kufizimeve që kishte kjo shkencë. Jam përpjekur të sjell në vëmendje disa gjëra që kanë qenë në hije për vetë kohën. Lidhen me jetën familjare, me udhëtimet jashtë shtetit, ligjëratat që mbante në gjuhët origjinale, biseda me personalitete të rëndësishme si Shtrausi apo Franz Babinger i Institutit të Orientalistikës. Të kisha këto mbresa dhe kujtime ishin një anë e kufizuar në personalitetin e individit. Do të përfshij edhe fakte të tjera që lidhen me jetën e tij profesionale, si propozimi për t’u bërë anëtar i Akademisë së Shkencave bullgare, por që u detyrua ta refuzonte, ftesa për t’u bërë anëtar i jashtëm i Shoqatës së Studimeve të Europës Juglindore në Gjermani apo edhe shumë ligjërata që janë mbajtur në konferenca ndërkombëtare e që këtu nuk diheshin. Disa i kam botuar pas vdekjes së tij. “Shteti i Arbrit dhe roli i tij”, e përkthyem bashkë me tim bir nga gjermanishtja, kur ai ishte në shtrat i sëmurë dhe e botuam pas vdekjes. Jam përpjekur që të gjitha këto fakte të mos kenë karakter personal, por edhe më të gjerë, t’i adresohen edhe një publiku më të madh se familja e ngushtë.
Ku janë bazuar kujtimet e juaja? A i shkruante Aleks Buda përshtypjet që kishte? 

Kujtimet e mia janë bazuar mbi mbresat e tij. Sukseset ndërkombëtare, pjesëmarrjet në konferenca të ndryshme, entuziazmin e tij e shprehte në familje. Jo gjithçka mund të thuhej hapur atë kohë. Ai ka qenë njeri shumë i përkushtuar pas punës. Kolegët e tij kujtojnë se ndodhej në çdo mbledhje që bënin institutet, qoftë edhe nëse nuk ishin të albanologjisë. E ndiente si detyrë të jepte një ndihmë për të gjithë. Ai merrej kaq shumë me punën organizuese sa i mbeti shumë pak kohë për veten e vet. Të them të drejtën, dy veprat e para që iu botuan, u botuan në sajë të dëshirës së mirë të kolegëve të tij, si Stefanaq Pollo, Selami Pulaha, Edmond Dulaj. As veprën e tij nuk arriti ta grumbullonte, por ishte një punë që e bëri një komision redaktues. Dy veprat e tjera i kam mbledhur unë pas vdekjes së tij. Ai punoi me Historinë e Shqipërisë dhe me Fjalorin Enciklopedik. Si kryeredaktor kishte përgjegjësi të mëdha dhe pavarësisht të metave dhe kufizimeve të kohës që mund të kishte fjalori, ishte një vepër e nisur nga zero. Në këtë kuptim nuk la asgjë të shkruar për veten e tij. Kam pasur fatin që kam një kujtesë shumë të fortë dhe kujtoj çdo gjë me saktësi.
I ka hyrë pak në hak familjes? 

Ai ishte njeri shumë i gjerë. I rritur në një ambient kryesisht austriak, ishte tolerant, modest, njeri që me gjithë kohën që humbiste në punë, kishte kohë edhe për familjen. Kur ishim të vegjël gjente kohë të na lexonte përrallat e Vëllezërve Grim apo të Andersenit, në atë kohë kur nuk kishte fare letërsi për fëmijë. I përkthente aty për aty nga origjinali. Ai e gjente kohën për t’u marrë edhe me familjen, vetëm për veten jo.
Vepra e tij është ezauruar e tëra në botime? 

Po. Katër vëllimet e botuara janë përfaqësueset e veprës së tij. Mund të ketë ndonjë gjë të vogël, por kryesorja është botuar.
Para disa kohësh ju i dorëzuat Bibliotekës Kombëtare, bibliotekën personale të Aleks Budës. Pse e dëshironte këtë gjë? 

Babai ma la mua dhe vëllait bibliotekën e tij me amanetin për ta dorëzuar në Bibliotekën Kombëtare. Ai besonte se biblioteka e një njeriu do t’i vlente shumë më shumë njerëzve të tjerë se sa vetëm një familjeje. Ne nisëm t’i dhuronim librat sa ishte në jetë. Ishin vitet e para të tranzicionit kur katër furgona u dërguan me libra në bibliotekë. Duke mos arritur të futeshin brenda, u mbajtën në një dhomë përjashta dhe ndoshta nuk shkuan të plota. Pas vdekjes së babait ne e çuam amanetin në fund, duke e dhuruar edhe pjesën tjetër të librave në Bibliotekën Kombëtare.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx